Zekerija Idrizi
___
LËVIZJA KOMBËTARE GJITHËSHQIPTARE “FEJA E SHQIPTARIT ËSHTË SHQIPTARIA”
___
(Letër publike mikut tim llapjan, veprimtarit të madh të kombit, Pajazit Jashari)
___
I nderuar dhe i shumërespektuar mik i imi atdhetar i devotshëm, Pajazit Jashari, ju përshëndes përzemërsisht dhe ju uroj shëndet dhe suksese në Vitin e Ri 2024!
Ju jeni njëri nga themeluesit kryesorë të Lëvizjes së Deçanit për braktisjen e Islamit politik, radikal e fundamentalist bashk me shumë patriotë, ish-luftëtarë, ish të burgosur politikë, intelektualë profilesh të ndryshme dhe shumë bashkatdhetarë të tjerë nga gjitha trojet tona etnike dhe nga e mbarë mërgata jonë gjithandej botës. Mandej ju bashk me veprimtarë të tjerë të devotshëm e transformuat këtë në “Lëvizjen: Feja e shqiptarit është shqiptaria”, ku ju jeni kryetar i degës së saj në Llap. Në esencë, kjo Lëvizje është protestë, mllef, gjëmë, rebelim, erupcion dhe revoltë e shqiptarëve kundër errësirës mesjetare.
Ju lumtë! E kam thënë disa herë, po e përsëris edhe tani: Kjo ndërmarrje dhe aktivitetet tuaja rreth kësaj veprimtarie janë Lëvizje revolucionare dhe kruciale për kauzën tonë kombëtare pas Lëvizjes heroike luftarake të Kryetrimit e Kryeheroit tonë kombëtar, të madhërishmit dhe viganit Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe pas demonstratave tona masovike dhe Lëvizjes për pajtimin e hasmërive dhe gjaqeve në Kosovë viteve të tetëdhjeta e nëntëdhjeta.
Pikërisht për këtë arsye këto janë momentume historike për neve si komb të cilat ne duhet t’i shfrytëzojmë dhe t’i përkrahim fuqimisht drejt realizimit të aspiratave tona për shtet-ndërtim kombëtar, laik-sekular dhe properëndimorë euro-atlantik.
Ju keni qëndruar burrërisht dhe stoikisht përballë shumë fortunave dhe krajatave të jetës, duke qëndruar vertikalisht dhe i pamposhtur edhe në proceset gjyqësore, edhe nëpër burgjet e Sërbisë sllavo-çetnike. Pikërisht në moshën e njomë 17 vjeçare ju ikët triumfalisht dhe në mënyrë të paprecedent nga burgu më famëkeq i Golli Otokut duke kaluar me not detin për të kaluar në Kroaci dhe Itali dhe e shpëtuat në burg legjendarin e kombit Adem Demaçi nga likuidimi banditesk shkinor.
I nderuar Pajazit, ju do të qëndroni burrërisht dhe idealisht edhe në ballë të kësaj Lëvizjeje kombëtare, duke i luftuar mbeturinat radikale e fundamentaliste të Islamit politik.
Kjo është një detyrë e jona sa madhore aq edhe emergjente dhe akute, për arsye Islami politik e fundamentalist është një kancer vdekjeprurës në organizmin tonë. iliro-dardano-arbëror, i cili po synon të rrënojë e përdhosë vlerat tona më kruciale kombëtare. Ata synojnë të përmbysin sekularitetin dhe laicitetin e shteteteve tona dhe të instalojnë në qeverisje sheriatin dhe kalifatin Islamik. Nuk tolerohen dot fyerjet dhe nënçmimet që ata i bëjnë simboleve, Flamurit Kuq e Zi, datave e ngjarjeve historike dhe personaliteteve tona markante kombëtare.
Këtë synim nuk do ta lejojmë kurrsesi të realizohet. Sharrat e tyre do të hasin në gozhdë dhe do t’i thyejnë turinjtë përballë grushtin të fuqishëm gjithëshqiptar.
Vëlla Pajazit, siç e dijmë ne dyt, prindërit dhe stërgjyshërit tanë kishin një besim e fe shumë paqësore, të qetë dhe në përputhje me kodet dhe zakonet tona kombëtare. Ata fenë nuk e përzienin me politikën kombëtare. Ata, si dje, ashtu edhe sot, praktikojnë mësimet tradicionale e jashtëmase tolerante të mezëhebit hanefij. Pra, feja islame te ne kishte një imazh paqedashës evropian në përkim me shqiptarizmin. Problemet filluan pas përfundimit të luftës shqiptaro-serbe. Kësokohe filluan të depërtojnë dhe të veprojnë grupime radikale fundamentalistësh myslimanë, duke shkaktuar tollovi, rrëmujë dhe përçarje midis nesh. Pajazit, vëlla, nuk ka dilemë që këta për propagandat e tyre paguhen me mjete të majme nga qarqe serbo-ruse dhe turko-arabe. Komplet veprimtaria e tyre çon ujë në mulli të pansllavizmit, në dëm të kauzës sonë kombëtare.
Vëlla Pajazit, ju do të keni edhe shumë tubime të tjera gjithandej atdheut dhe mërgatës sonë, veçanërisht në Frankfurt të Gjermanisë këtë muaj.
Natyrisht që është domosdoshmëri kohe masovizimi i kësaj Lëvizjeje kombëtare, që të shkëlqejë dhe rezatojë dritë ndër breza e shekuj në SHQIPTARI, në mënyrë të veçantë deri në ribashkimin e trojeve tona etnike nën ombrellën e SHQIPËRISË ETNIKE.
Ky është kryeideali ynë më madhor kombëtar gjithëshqiptar.
Gëzuar Vitin e Ri 2024!
ZOTI E BEKOFTË KËTË LËVIZJE!
ZOTI I BEKOFTË SHQIPTARËT!
ZOTI E BEKOFTË SHQIPËRINË NATYRALE!
Me respekt të thellë, idealisht, miqësisht dhe vëllezërisht:
Hoxhë Zekerija Idrizi
Berlin/Shkup