Shkruan: Imer Pantina
- Autori i shkrimit është profesor i Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, Master i Gazetarisë dhe Shkencave Mediale.
Libri “GJENOCIDI SERBO-MALAZEZ DHE PUSHTIMI I TROJEVE SHQIPTARE 1800- 1999”, një vepër madhore që zbardh të vërtetën e historisë sonë. Një libër tejet i nevojshëm, i punuar me një përkushtim të jashtëzakonshëm. Atë që nuk po e bëjnë institucionet, po e bëjnë individët sikurse Rrustem Berisha, me vetëiniciativë dhe me përkrahjen vetëm të miqve dhe dashamirëve të librit dhe historisë sonë kombëtare.
Ky është një libër që duke e pasqyruar të vërtetën për krimet serbo-malazeze të bëra në trojet shqiptare, i vë në sipërfaqe gënjeshtrat e fabrikuara nga akademia serbe, me përkrahjen e shtetit gjenocidal serb. E përgëzoj autorin sepse e ka finalizuar me sukses një betejë me një akademi dhe një shtet që promovon gënjeshtrën nëpër botë, si ai i Serbisë, dhe, ka bërë që të ndihet zëri i së vërtetës, ndonëse i papërkrahur nga institucionet e shtetit tonë. Kërkimi për të gjetur dhe treguar të vërtetën është njëkohësisht edhe kërkim universal për të gjetur paqen e brendshme, është kërkim për të gjetur drejtësinë dhe parë rolin e saj në formimin e brezave të rinj. Kërkohet një lloj motivimi shpirtëror në mënyrë që përkushtimet të japin fryte konkrete.
Autori ia ka arritur që t’i “zgjoj nga gjumi” argumentet e fjetura nëpër arkiva, argumente të cilat rrëfejnë në mënyrën më të mirë të mundshme të vërtetën. Ky libër është një dëshmi konkrete se si e kaluara mund të përsëritet, dhe, madje e tregon bindshëm këtë sepse është një libër që “udhëton” thellë në kohë, që prej vitit 1800 dhe vazhdon të na rrëfejë për të vërtetat gjer në vitin 1999. Dhe, të vërtetët janë të dhimbshme.
Pasqyrimi i fakteve tregon shumë qartë se deri në çfarë niveli mund të shkoj mizoria njerëzore, çfarë është në gjendje t’i bëj njeriu njeriut, si përhumbet ndjesia njerëzore dhe kalohet në një gjendje egërsie deri në nivelin e masakrave të tmerrshme. Është një libër që është vështirë të lexohet dhe të jesh i qetë. Pra, nuk është nga ata libra që ofrojnë kënaqësi leximi. Jo! Nuk është nga ata libra që mund të lexohen dhe të të mos trazohet natyrshmëria njerëzore. Në një gjendje të tillë trazimi madje ka kaluar edhe vet autori teksa i ka renditur rreshtat që tregojnë faktet se si serbët dhe malazezët bënë gjendocid mbi popullin tonë, mbi njerëzit paqësor, mbi njerëzit e pafajshëm të cilët thjesht jetonin në shtëpitë e tyre dhe ishin të angazhuar gjithnjë në të mirë të njerëzimit, pa e trazuar ndonjë popull tjetër, pa e trazuar ndonjë fqinj dhe pa bërë ndonjë qrregullim për popujt tjerë.
Përmes këtij libri do të na flasin me dhimbje të madhe stërgjyshërit tanë, të gjithë ato gra, pleq, të gjithë ata fëmijë, që këtu tregohen me emra e mbiemra, të cilët do të na flasin për realitetin e hidhur, aq shpesh të përsëritur ndër breza, do të flasin mbi gjithë atë barbari serbo- malazeze që ra mbi ta, dhe, që asnjëherë kjo barbari nuk u dënua Ky libër duhet të përkthehet dhe të shpërndahet nëpër botë, veçanërisht në qendrat e rëndësishme të cilat kanë ndikim në vendimmarrjet në politikat që kanë të bëjnë me Ballkanin. Kjo për mua është atdhetarizëm në vepër. Ndryshe, “vajtimet” se bota nuk po e njeh të vërtetën tonë të dhimbshme nuk qojnë peshë derisa t’ua dëshmojmë me fakte të tilla, siç po bën Rrustem Berisha.