Gjithnjë më kanë tërhequr tregimet e oficerëve britanikë që luftuan dhe
bashkëpunuan në Shqipëri gjatë viteve 1942-1944. Në kohën e socializmit,
zakonisht ata citoheshin vetëm kur shkruanin diçka kundër ballistëve dhe
zogistëve, për t’i etiketuar ata si “bashkëpunëtorë të gjermanëve”. Interesant,
gjithnjë theksi vihej te gjermanët, italianët anashkaloheshin, ndonëse kanë ndenjur
mbi katër vjet te ne si pushtues.
Përballë fuqisë së madhe të Gjermanisë Hitleriane, Britania u ndodh e vetme që në
1940, por qendroi heroikisht, derisa sa iu bashkuan në 1941 Bashkimi Sovjetik, i
sulmuar edhe ai nga nazistët dhe më pas SHBA dhe tërë rezistenca europiane.
Burrat dhe gratë britanike e përballuan me guxim, me sakrifica të mëdha luftën.
Ata erdhën edhe në Ballkan për të nxitur çdo lëvizje kundër gjermanëve, apo
sikurse shpreheshin vetë “për të vrarë gjermanë”. Sa shumë sish kanë ardhë edhe
në Shqipërinë tonë të vogël, një pjesë janë vrarë.
Interesant, ata janë pritur, ruajtur dhe ndihmuar kryesisht nga ballistët dhe zogistët
që e kishin nisë luftën për çlirim që në 1939! Por në vjeshtë të 1943 komunistët
nisën luftën civile kundër forcave nacionalistë balliste dhe zogiste, pasi ata synonin
të merrnin pushtetin pas lufte. Në këto kushte, jo krerët, por individë nga këta të
fundit edhe bashkëpunuan me gjermanët. Ndërkohë edhe ata i luftuan si italianët
ashtu edhe gjermanët, gjë që pasqyrohet tashmë në vellimin 4 të Historisë së
Popullit Shqiptar, botim i akademive të shkencave të dy shteteve shqiptare.
2
Ajo që më tërhoqi nga libri “Tetë orë nga Anglia” e ish oficerit britanik dhe më pas
aktorit të mirënjohur të teatrit dhe kinematografisë, Anthony Quayle, është se ai i
shkruan kujtimet e veta që në vitin 1945, menjëherë pas lufte, pa u ndikuar nga
ngjarjet që rodhën paskëtaj në Ballkan e në Shqipëri, dmth me më pak
subjektivizëm. Ҫudi, si nuk u përkthye në shqip ky libër, në mos para 1990, të
paktën pas 1990!
Leximi i librit është i këndshëm falë përkthimit mjeshtëror të Ilir Hashorvës, i cili
ka shkruar edhe epilogun.
“Kur erdhi Kuejlli- shkruan Iliri- ai u gjend midis tri palëve, midis partizanëve të
Brigadës 5, midis Ballit të përfaqësuar nga eksponenti i saj, Skënder Muço dhe
midis fshatarëve të Dukatit, të Ҫelës, që hiqeshin si të pavarur, por që anonin nga
Balli. Janë shumë interesante bisedat që Kuejlli zhvillon me të tria palët. Me
partizanët bisedon kryesisht për ndihmat ushtarake, me Skënder Muçën bisedon
për politikën e Ballit dhe me fshatarët e Dukatit bisedon për t’i bindur që të
luftonin kundër gjermanëve dhe për të siguruar misionin e tij, me qenë se bazat e
tij ndodheshin në territorin e Dukatit, ndonëse nga ana e pabanuar e tij.
Amerikanët dhe anglezët në misionin ku bënte pjesë Kuejlli kishin mendime të
ndryshme për trajtimin e partizanëve dhe për ndihmat ndaj tyre. Amerikani Benson
ishte i shqetësuar për atë që do të ndodhte pas luftës. Ai e shihte me dyshim luftën
e partizanëve dhe nuk donte që ndihmat britanike të çoheshin symbyllurazi te ta.
Ai thotë se politika fillestare aleate për të ndihmuar të gjithë ata që luftonin
gjermanët, pa marrë parasysh motivet, rridhte nga një pozicion i dëshpëruar i tyre
dhe qe e justifikuar, por, më pas, kur mundja e Gjermanisë po dukej gjithnjë e më
mirë, ajo politike duhej rishqyrtuar, pasi, sipas tij, partizanët vepronin në ndihmë të
Bashkimit Sovjetik dhe jo të atdheut të tyre….
Në libër tregohen raste të ndryshme të panikut që shpërthente kudo, në të gjitha
frontet, nga shfaqja vetëm e një patrullë ushtarake gjermane dhe nuk jepet as edhe
një rast i vetëm që një patrulle të tillë t’i kundërviheshin ushtarakisht as partizanët,
as ballistët, as fshatarët e as misionet aleate. Të gjithë largoheshin ku të mundeshin
nga prania e gjermanëve.
Disa vese të shqiptarëve të zonës, si mburrja, hipokrizia, gënjeshtra, vjedhja,
zbavitja me fatkeqësinë e tjetrit, madje edhe vrasja e tjetrit për ta grabitur, si edhe
3
puna e tyre në ndihmë të misionit aleat, që bëhej vetëm për pare e jo për idealizëm,
i bënë shumë përshtypje Kuejllit.”
Dhe ja tani disa fragmente nga libri në fjalë:
f.15-18
..Kur isha ende në Kajro për kursin e sabotazhit, më takoi Klithi, i cili kish qenë i
ngarkuari për zonën rreth portit shqiptar të Vlorës dhe kishte themeluar një bazë
dëtare në bregun malor, disa kiometra në jug të qytetit. E kishte quajtur atë me
humor të prishur Sea View dhe ky emër i kish mbetur. Një natë ishte nisur me
varkë që t’i shpjegonte personalisht komandës nevojën për një duzinë komandosh
aleate.
Është e vetmja mënyrë për të vrarë ndonjëherë ndonjë gjerman- kishte shpjeguar
ai- shqipot janë krejt pa vlerë.
– Nuk e di se përse do të vish në Shqipëri – më tha – është vendi më i ndyrë,
më i keq që kam parë.
– Dëgjo – më tha – po të tregoj një ngjarje me këta shqipot. Isha para një muaji
me partizanët. Po pritnim furnizime nga ajri. Unë dhe një duzinë
partizanësh, kishim vajtur në majë të malit për të mbledhur furnizimet kur të
na i lëshonin. Avioni erdhi për mrekulli, por u rrëzua. Të gjithë vdiqën. U
krijua një rrëmujë e frikshme. Pjesë të trupave u shpërndanë kudo në zonën e
lëshimit. Dhe, e di se ç’bënë ato agërsira?..Vrapuan andej këtej, duke u
tëhequr këpucët të vdekurve. Gjeta njërin që tërhiqte një krah të prerë prej të
cilit po përpiqej të hiqte orën e dorës. As nuk ndihmuan të mblidhnim
pjesët. Oh, jo! Por, kur fillova t’i mbildhja unë, duke punuar gjithë
natën,m’u desh t’i mbaja shqipot larg me revolverin tim, përndryshe do të
kishin grabitur çdo trup. A e di se ç’donin të bënin më pas?..Donin të
ndiznin një zjarr dhe t’i digjnin. Shtazë, kafshë, këta janë shqiptarët.
f.40
Duke kërkuar Gjirin e Gramës, takova shqiptarin e parë
4
Kur u afrua , pashë se ishte një i moshuar me tipare fisnike, por me fytyrë të
rreshkur. Kishte veshur një xhaketë të zezë mbi një jelek kadifeje, kilota të errëta,
më kërcinjtë dhe pulpat e këmbëve të mbështjella me një copë të ashpër me ngjyrë
të çelët. Në qafë i varej një zinxhir argjendi i mirë. Opingat ku kishte futur këmbët
e tij të ashpra e të zbathura ishin të modelit turk, por të bëra me goma të vjetra
makinash. Ishte I pari shqiptar real që po shihja. Kisha më parë Ҫelën, por tek ai
kufiri i origjinalitetit racial ishte zbehur nga lidhja e tij me grupin e vogël të
oficerëve anglezë.
Bariu i vjetër na përshëndeti me shumë dinjitet dhe seriozitet dhe kur kuptoi nga
një italian se kishim vështirësi për të gjetur rrugën për në Gjirin e Gramës,
menjëherë mori përsipërt të na udëhhiqte. Ai u nis me hap të ngadaltë. Opingat e tij
prej gome kapeshin lehtësisht pas shkëmbinjëve, ndërsa unë mundohesha nga
prapa me këpucë alpine, thumbat e të cilave dilnin dhe shtrëmbëroheshin
vazhdimisht.
Nga ora pesë arritëm në luginën ku banonte udhërrëfyesi ynë. Me shumë
solemnitet, na ftoi të futeshim në shtëpinë e tij dhe megjithëse qe vonë dhe kishim
ende rrugë për të bërë, ishte e pamundur ta refuzoje. Njëri pas tjetrit ulëm kurrizin
për t’u futur te dera e ulët dhe, kur sytë tona u mësuan me errësirën, pamë se
ndodheshim në një kasolle me një dhomë me dysheme dhe mure guri. Qilima, disa
thasë me miell të zi dhe një sasi leshi i papërpunuar ishin vendsosur në një anë të
kasolles, në anën tjetër, pranë derës, bubulonte një zjarr i hapët me dru, tymi i të
cilit dilte nga çatia, që qe bërë me dërrasa të pazdruguara.
I moshuari hodhi opingat, mbajti në kokë kësulën dhe u ul këmbëkryq, pranë
zjarrit. Duke kujtuar se më kishin thënë se në shtëpinë e myslimanëev duheshin
hequr këpucët, fillova të zgjidhja lidhëset, por plaku më pa dhe bëri me shenjë me
të cilën më dha të kuptoja se nuk qe e nevojshme.
Dy vajza serioze erdhën dhe na sollën një bukë të sheshtë të madhe misri dhe një
tas druri me qumësht dhie. Buka u copëtua në qumësht dhe tasi u vendos në mes.
Qumështi qe i yndyrshëm dhe shumë i ftohtë, dhe, ndërsa zhytnim lugët e drunjta
në të, familja solemne na ndiqte në heshtje, vajzat qendronin në një largësi
respekti. Ato kishin veshur jelekë me shumë qëndisma si dhe pantallona të mëdha
e të gjëra, ashtu si vajzat në reklamat për ciganet e Ballkanit.
5
f.48
Takimi me parinë e Dukatit
Majori duhet të kuptonte, tha kësulbardhi, se njerëzit e Dukatit qenë në një pozitë
shumë të vështirë. Patriotizmi i tyre ishte i padiskutueshëm, kjo ishte provuar me
shumë aksione kundër pushtuesve gjatë okupimit italian, por tani ata po
përballeshin me kërcënimin e luftës civile. Muajin e fundit, partizanët kishin
sulmuar fshatin e tyre dhe, megjithëse dukatasit nuk kishin ndërmend të
ndërmerrnin veprime hakmarërse, ditë e natë burrat bënin rojë nga frika e një sulmi
të dytë. Folësi nuk e mohoi se shumë partizanë ishin motivuar nga ideale të mira,
por m’u lut të besoja se udhëheqësit e tyre, në shumicë, ishin njerëz ambiciozë e të
paturp, që kishin për qëllim vetëm të merrnin pushtetin. Për këtë arsye, tha, Dukati
nuk mund të bashkohej kurrë me partizanët dhe kishin vendosur të mbanin
pozicion asnjanësie.
f. 58
Takimi me Shqfqet Peçin dhe Hysni Kapon, drejtuesit e Brigadës 5 partizane
Shefqeti
– Partizanët e kanë nisur luftën pa ndihmat e aleatëve. Po të jetë e nevojshme
do ta vazhdojnë po kështu luftën..
U përpoqa t’u propozoja të bashkëpunonin me Dukatin, pasi aty kishim të vetmen
bazë ku mund të vinin ndihmat nga deti. Por ne mund të krijojmë edhe një bazë të
territorin e partizanëve..Burrat e Dukatit pranojnë, në se ju nuk i sulmoni..
Hysniu
– Shumë mirë. Dukati shmang punë shumë të rrezikshme dhe kërkon që ne të
mos e sulmojmë! Përse nuk na hidhni armë nga ajri? Ne me Dukatin nuk
bëjmë kompromise. Të drejtën për t’i goditur apo jo e kemi ne, në qoftë se
vetmja mënyrë për të marrë armë është nëpërmjet Dukatit, ne do të bëjmë
6
edhe pa to. Po ju mund të keni një bazë në bregdet në territorin e
partizanëve.
– Ku?
– Në Vuno, në jug të bazës që keni.
– Në rregull, le ta shikoj atë vend.
– Mirë, mund ta leni bazën e Dukatit edhe për sigurinë tuaj. Do vendosim një
kompani, madje një batalion për sigurimin e bazës. Ne kemi dëgjuar që
qeveritë tuaja kanë deklaruar se nuk ndërhyjnë në punët e brendëshme të të
tjerëve. Pra, na e lini neve sjelljen ndaj Dukatit.
– Por duke ju dhënë armë juve, a nuk ndërhyj në punën tuaj të brendëshme?..
f.117
Takimi me eksponentin e Ballit, Skënder Muçon
– Është Skënder Muçoja!
– Je i sigurt?
15 minuta më pas, i shoqëruar nga një truprojë, udhëheqësi i Ballit u fut në kamp.
Kishte veshur një xhakavente lëkure të zezë motoçiklistësh, pa mëngë, dhe një
kapele të zezë me veshëza.
Edhe në përshtypjen e parë ishte i pëlqyeshëm. Ishte i dobët dhe delikat, me fytyrë
të rënë dhe me buzëqeshje shumë magjepëse. Sipas meje, duhej të ishte 35 vjeç.
Më vonë, u mor vesh se ishte 42.
Ai u paraqit duke folur me një frëngjishte të saktë. E futa në barakën time, u ula
dhe i dhashë një pije të fortë rumi. Vetëm atë kishim.
Biseda, që nisëm gjatë mbrëmjes, vazhdoi dy ditë. Nuk folëm vetëm për çështjen e
Shqipërisë. Muçoja ishte njeri i mësuar dhe mundohej ta tregonte këtë. Nga
Shqipëria, ku ai kishte praktikuar ligjin dhe qe bërë një avokat i dëgjuar, kishte
udhëtuar në të gjithë Europën për pushime.
– Unë besoj në një gjë – fliste si me gojë të lidhur, duke më vështruar fort –
unë besoj në lirinë dhe dinjitetin e individit dhe do të luftoj kundër çdo
forme detyrimi, qoftë ajo e djathtë apo e majtë.
7
Kam qenë antizogist, me qënë se Zogu ishte tiran. Kam qenë dënuar me
vdekje nga mbreti Zog, por dënimni m’u kthye në burgim të përjetshëm.
– Sa vjet bërë burg?
– Shtatë- buzëqeshi- ishin vite shumë të dobishme. Përveç ndarjes nga gruaja,
për gjë tjetër nuk më vjen fare keq. Gjatë burgimit, lexova të gjitha librat për
të cilat më parë nuk kisha pasur kohë, Kur italianët pushtuan vendin tim, u
lirova.
– Po pastaj?
– Pastaj shkova në male dhe luftova kundër pushtuesve.
– Po tani, I luftoni gjermanët?
– Jo, unë po luftoj bashkë me ta.
Sinqeriteti i tij më habiti.
– Po habitesh që po dëgjon t’i them këto?- u përkul duke u afruar- do të ta
them arsyen. Lufta jonë nuk është lufta juaj. Është për të ardhur keq për ne
shqiptarët, por është e vërtetë.
– Përse?
– Një ditë aleatët do ta mundin Gjermaninë. Kjo është e sigurt. Një ditë
gjermanët ose do dëbohen nga Ballkani, ose do të ikin vetë. Atëhere do të
fillojnë telashet tona, telashet e vërteta për Shqipërinë, edhe për Jugosllavinë
dhe për Greqinë.
– Përse?
– Sepse atëhere neve do të na kenë lënë me komunistët në mes, me terroristët
dhe anarkistët, dhe, për ne, këta janë armiq më të këqinj se gjermanët..
Shqipëria është një vend i vogël dhe shumë larg Anglisë dhe Amerikës. A do
të merrni pjesë ju në punët tona, kur lufta kundër gjermanëve të ketë
përfunduar?
– …
– Ju e dini shumë mirë se nuk do të merrni. Ne do të mbetemi vetëm për të
zgjidhur mosmarrëveshjet tona.
– Përse nuk e bëni këtë kur të mbarojë lufta dhe jo tani, në mesin e saj?
– Sepse lëvizja komuniste, nën maskën e një lëvizjeje patriotike, atëhere do të
jetë shumë e fortë. Atëhere gjithkush do të ketë një pistoletë të drejtuar në
brinjën e tij dhe do detyrohet të përshëndesë me grusht shtrënguar. Para
8
kësaj, unë do të përdor gjermanët, që tani ndodhen në Shqipëri, si armë për
të shkatërruar komunistët.
f.185
Shkova te shtëpia e Ҫelës, ku kish mbërritur Muçoja. Shkova me zell.
Më tha:
– E kam jetën në rrezik, si nga gjermanët, ashtu nga partizanët. Gjermanët
kanë marrë vesh që jam takuar me ju në Grama dhe po përpiqen të më kapin.
Muçoja rrinte këmbëkryq, duke vështruar zjarrin. Dukej sikur buzëqeshte.
– Përse buzëqesh?- e pyeta unë.
– Sepse ne të dy, që rrimë këtu, jemi si dy simbole. Ju i përkisni një populli të
madh, ju i hapni këmbët dhe vendosni njërën këmbë në Indi dhe tjetrën në
Kanada. Unë jam antar i një vendi të vogël në Europë, prandaj unë i mbaj
këmbët të futura nën vete.
Muçoja u largua në Vlorë në mëngjes. E dinte se loja e tij kishte dështuar.
Partizanët nuk ishin shkatërruar, ndërsa partia e tij ishte implikuar më shumë se
kurrë me gjermanët.
Bardhyl Selimi, 12 dhjetor 2022