ARKIVI:
25 Dhjetor 2024

Libri “Udhëtim në të shkuarën” i Zenun Çelajt, mini-enciklopedi historie e jete

Shkrime relevante

Elegji kushtuar Martin Canit, vrarë pafajësisht, në ambientet e shkollës, më 18 Nëntor 2024, elegji nga Nikolin Shtjefën Lëmezhi

Nikolin Shtjefën Lëmezhi S’të vranë ty… (Elegji kushtuar Martin Canit, vrarë pafajësisht, në ambientet...

Po përsëritet historia! KQZ-ja (s) ka të drejtë!

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina Në vitin 2013 (si ish anëtarë...

Kontradikta dhe abuzimi politik i Edi Ramës, dëmton rëndë Kosovën dhe Shqipërinë

Nga: Luan Dibrani Kritika ndaj Edi Ramës dhe Pozita e Qeverisë Shqiptare...

Te Nënëlokja e UÇK -së, NËNË STANA!

Nga: Nusret Pllana BRUS - lagjja Peshter Me bashkëluftëtarin tim Ismet Sylejmani, vizituam...

Vuçiq, Albin Kurti nuk është KQZ!

Gani Mehmeti Pas Reagimit ti kryetarit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq me rastin...

Shpërndaj

Flaka SurroiNuk e kam as dyshimin më të vogël se libri i Zenun Çelajt ka mundur të ishte shumë më i vëllimshëm, për shkak se rrëfime do të ketë pasur shumë më shumë. E megjithatë, ne miqtë e tij, jemi më se të lumtur që ia dolëm ta bindnim që bile një pjesë të atyre copëzave të jetës t’i ndante me ne në këtë formë

Zenun Çelaj vendosi që kronologjinë e jetës së tij personale e profesionale ta ndërtonte mbi 37 rrëfime, që në një formë shumë autentike e pasqyrojnë jetën e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, me theks të veçantë në Mal të Zi e Kosovë. Para se të tërhiqej nga puna aktive më 31 dhjetor 2020, na gëzoi me dhuratën që na e bëri: librin “Udhëtim në të shkuarën”, këtë mini-enciklopedi të begatë historie e jete

Nuk e di po qe se ka qenë e enjte dita kur u lind Zenun Çelaj, porse jemi mbledhur të enjten për ta përuruar, një vit pas botimit, librin që pata nderin ta redaktoja.Në kohën kur së bashku me Zenunin punonim në Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, kurrë nuk më kishte shkuar në mendje që ndonjëherë do të merresha me libra, e aq më pak që të më binte hise ta redaktoja librin e doajenit të gazetarisë kosovare. Njeriut që ia përkushtoi 60 vjet të jetës së tij fjalës së shkruar. Jo për kot kanë thënë se jeta është përplot befasi.

E falënderoj shoqatën e intelektualëve “Jakova” që na ka mbledhur që së bashku ta shënojmë botimin e librit “Udhëtim në të shkuarën”, ngjarje e cila vjet nuk mundi të mbahej për shkak të pandemisë. Dhe mbase edhe qyteti i përzgjedhur, Gjakova, do të jetë më i qëlluari, marrë parasysh se Zenuni është edhe nxënës e edhe dhëndër Gjakove, duke qenë malësor dhe kosovar njëkohësisht.

Jeta intensive dhe interesante e dëftuar me mjeshtri

Vetë formulimi i kësaj fjalie mbase më së miri e përshkruan jetën intensive dhe interesante të Zenunit, të cilën ky me mjeshtërinë e zanatit të cilin e kultivoi gjashtë dekada, na e dëftoi me një gjuhë të pastër e të bukur në këto qindra faqe të përmbledhura në një botim. Nuk e kam as dyshimin më të vogël se libri ka mundur të ishte shumë më i vëllimshëm, për shkak se rrëfime do të ketë pasur shumë më shumë. E megjithatë, ne miqtë e tij, jemi më se të lumtur që ia dolëm ta bindnim që bile një pjesë të atyre copëzave të jetës t’i ndante me ne në këtë formë.

Zenuni vendosi që kronologjinë e jetës së tij personale e profesionale ta ndërtonte mbi 37 rrëfime, që në një formë shumë autentike e pasqyrojnë jetën e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, me theks të veçantë në Mal të Zi e Kosovë. Nëpërmjet fëmijërisë së tij, Zenuni na tregon se të ishe shqiptar në Mal të Zi e të kishe synime për një perspektivë sado të vogël, duheshe asimiluar. Ishte të mos kishe mundësi shkollimi përtej fillores në gjuhën amtare dhe për më tepër të duroje që të të deformohej mbiemri me prapashtesë sllave. Që përherë të shikoheshe si dikush i rendit të dytë, dhe t’i nënshtroheshe presionit të padurueshëm të organeve të sigurimit që do të të shikonin me automatizëm si armik dhe irredentist, për shkak se kufiri me Shqipërinë ishte aq afër.

Me përshkrime shumë të bukura dhe aspak patetike, flet për Bjeshkët e Nemuna, që ai i quan bjeshkë të bekuara me bukuritë dhe me të gjitha të mirat që natyra i prodhon, pavarësisht kushteve të rënda jetësore të barinjve e bujqve – profesioneve të vetme që, pos cubërisë, mund t’i zgjidhje atëbotë në atë trevë.

Shtegtimi sikur ta shikoje një serial filmik

Të ishe fëmijë i Malësisë me një ëndërr për të ardhmen, nënkuptonte se duhej dyndur në Kosovë për të marrë nxënien e nevojshme për t’u formuar madje edhe për mësues. Dhe kjo kishte qenë ëndrra e Zenunit – të bëhej mësues e të kthehej në Vuthaj.

Shtegtimi i tij për ta kryer Normalen, ishte sikur ta shikoje një serial filmik në shumë vazhdime. Nisja e parë për në Pejë, heqja dorë për shkak të kushteve financiare, e më pas kthimi për shkak të trysnisë shumë të mençur nga vëllai i madh, ia hapi rrugën tutje për në Gjakovë, Prizren e më pas përfundimisht edhe në Prishtinë. E megjithatë, nuk ishte kjo një ndërmarrje e lehtë. Shpesh pa ushqim e pa para, me miq solidarë, e edhe me të tillë që shtireshin miq e në të vërtetë ishin bashkëpunëtorë të policisë, me incidente spontane që thuajse e çuan në përjashtim nga shkolla – Zenuni ia doli ta mbante ritmin e mësimit dhe të vizitave në shtëpi, gjatë gjysmëvjetorëve.

Dhe mbase në njërin nga episodet më të bukura dhe më përshkruese, sado të frikshme dhe intensive, Zenuni tregon për shtegtimin e tij 90-kilometrësh, këmbë nëpër mal, për të shkuar në shtëpi. Pa dyshim, sakrificë që fëmijët e lindur në qytete nuk e kanë përjetuar, por vetëm e kanë dëgjuar nëpër përralla e rrëfime. Përshkrimi fantastik i gjithë ngjarjes dhe natyrës që e rrethonte, thjesht të bën pjesë të ngjarjes teksa e lexon.

Fati i gazetarit dhe një pjesë që s’përshkruhet

Kalimi në Prishtinë nënkuptoi edhe shfaqjen e një rasti të ri, të paëndërruar dhe të paparafytyruar – të të shndërruarit në gazetar, një profesion i cili i doli përpara pasi që e kishte luajtur rolin pikërisht të një gazetari në një shfaqje të organizuar nga normalistët. Në kohën kur kërkoheshin praktikantë edhe për “Rilindje”, do të ishte kujdestari tij, Demush Shala, ai i cili do t’ia paraqiste emrin. Dhe ky do të ishte fati profesional i Zenunit. Të cilin e ndihmuan shokët e tij Nehat Islami dhe Gani Spahiu, të cilët në emër tijin, pa e ditur ky vetë, ia kishin paraqitur lutjen për punësim pas kalimit të suksesshëm të praktikës. Më 1960 u bë gazetar. Dhe, ende është gazetar, ani pse në pension.

Gazetaria ia ofroi mundësinë e të qenit dëshmitar i ngjarjeve që do ta shënonin historinë bashkëkohore kosovare, pjesë të së cilës do ta përjetonim bashkë, duke punuar në Këshill e më pas edhe në KOHË.

Pas përfundimit të studimeve dhe pas mbajtjes së Plenumit të Brioneve, do të ishte dëshmitar okular i demonstratave të 1968-s, e më pas edhe kërkesave të hapura për Kosovën Republikë – të cilat me shumë detaje i përshkruan në libër. E me detaje edhe më të thukëta, e sjell kujtesën e debateve të instancave politike për keqtrajtimet që u ishin bërë shqiptarëve nga UDBA – praktikë e cila ndërroi formë e emër, por nuk u ndal në asnjë çast deri në përfundimin e luftës së Kosovës më 1999.

Zenuni do të ishte edhe dëshmitar e kronist i demonstratave të 1981-tës dhe, për shkak të komenteve që u cilësuan të mos ishin në linjë me politikën zyrtare, do t’i ndalohej shkrimi në gazetë për një kohë. Po të njëjtën gjë do ta përjetonte më 1988 e 1989, për shkak se atëherë u arrit pika e vlimit e protestave kundër lëvizjes shoviniste, që çoi te shuarja e autonomisë dhe në fund te lufta. Porse para saj, do të ishte dëshmitar i rrallë i grevës historike së minatorëve të “Trepçës” në shkurt të 1989-s, për të cilën gjë do të burgosej e akuzohej për nxitje të veprimtarisë armiqësore. Nga burgimin 15- vjeçar do të shpëtonte falë mungesës së dëshmive dhe përkrahjes së kolegëve dëshmitarë. Porse do të mbetej pa punë. Formalisht, për shkak se të gjithë të papunët e asaj kohe kishim mjaft punë për të bërë.

Fundi i 1989-s do ta gjente të angazhuar në themelimin e LDK-së dhe të KMLDNJ-së. Edhe pse themelues i së parës, shpejt do të tërhiqej prej aty, kurse në Këshill do të ushtronte detyrën e lodhshme të sekretarit. Dhe ishte mu ashtu siç e thotë fjala: ruajtësi i sekretit. Vetëm Zenuni, prej të gjithë atyre anëtarëve të kryesisë së Këshillit, e dinte se ku ishin kopjet e dosjeve me dëshmitë për shkeljen e të drejtave të njeriut, pasi origjinalet na i kishte marrë Policia me një bastisje klasike.

Me gjithë pengesat që i bëheshin, Zenuni qe dëshmitar edhe i Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut, ngjarje që njësoj e përshkruan si nëpër filma, dhe përfundimisht, i vetmi gazetar që përcolli shpalljen e Kushtetutës së Kaçanikut më 7 shtator 1990. Versione për ngjarjen kemi dëgjuar mjaft, porse rrëfimi i Zenunit është i veçantë. Është i gazetarit që raporton, kësaj radhe edhe me emocion.

Me “Rilindjen” e mbyllur, gazetarët vazhduan ta botonin “Bujkun”, derisa edhe ajo gazetë nuk u ndalua. Ditë më ditë, me mundësitë që i kishin, përcillnin ngjarjet në terren, kurse Zenuni, tashmë sekretar i Këshillit, kishte edhe detyra të tjera në terren – të shkonte për të negociuar me Policinë lirimin e shtetrrethimit në Prekaz të ulët, si pjesëtar i delegacionit të “Alternativës shqiptare”. Atëherë kishte ndodhur sulmi i parë kundër Jasharëve, një episod që nuk përmendet shpesh dhe për të cilin nuk është se dihet shumë në opinion. Dokumentimin që ia bën Zenuni ngjarjes në këtë libër është mbresëlënës.

Për punën në Këshill nuk flet aq sa do të duhej – dhe kjo me siguri është për shkak të modestisë, edhe pse puna e tij ka qenë kolosale. Në verë të 1992-tës, së bashku me mikun e tij Ibrahim Osmani e përjetuan njërën nga episodet më të shëmtuara që ka mundur t’u kushtonte me jetën. Pas keqtrajtimit shtazarak në stacionin e Policisë në Pejë ia dolën të ktheheshin disi nëpër shtëpitë e tyre, porse në gjendje të tillë që as nuk mund të qëndronin në këmbë, as nuk mund të uleshin e as të shtriheshin. Kjo është pjesë e asaj që Zenuni nuk e përshkruan në libër – këtë e përshkruaj unë, që e tmerruar, ua kisha parë shpinat e shputat e nxira nga pendrekët.

Ditari i luftës si pikënisje e “Udhëtimit…”

Pjesën e dytë të librit, Zenuni e ka rezervuar për ditarin e tij të luftës. Në fakt, ky ditar kishte qenë pikënisja kryesore e insistimit tonë që përmbajtja të zgjerohej edhe më, ashtu që të përgatitej ky libër. Ditari është rrëqethës. Është narracion në veten e parë, i njeriut që vuan pse nuk ka liri, pse ka frikë, edhe për vete, por më shumë djalin ushtar në front, si dhe për të gjithë të tjerët me të cilët ndau muajt e ngujimit.

Shumë prej nesh me siguri kishim pasur çfarë të shkruanim për ditët e luftës, dhe shembulli i Zenunit do të duhej të na dëshmonte se është punë që bëhet. Për më tepër, është punë që duhet bërë, për t’i lënë të shkruara kujtimet tona për ata që, fatmirësisht, nuk ishin aty kur në Kosovë mbërriti kulmi i represionit.

Udhëtimi në të shkuarën përmbyllet me një notë proteste për ofendimin më të madh që ka përjetuar kur një, atëherë deputet kishte ngritur kallëzim penal kundër tij me akuzën se Zenuni paskësh qenë bashkëpunëtor i UDB-së. Veprimi skizofrenik i ish-deputetit erdhi derisa ishim në redaksi, e me Zenunin na ndante një derë. Për gjithë këta vjet që e njoh, kurrë nuk e kisha parë më të hidhëruar dhe të nervozuar. Ishte i vendosur që ta çonte deputetin në gjyq për shpifje, për shkak se këtë që e thoshte Nait Hasani ishte nonsens dhe rrenë e madhe. Procedura gjyqësore ende vazhdon. Mos u mërzit Zenun, edhe nja dhjetë vjet e presim aktgjykimin dhe rrugës ta festojmë ditëlindjen e 91-të.

Po e përfundoj këtë paraqitje me pjesë të fjalimit që ia kisha kushtuar kur kishim vendosur t’ia ndanim mirënjohjen “Rexhai Surroi” për vepër jetësore: “Më kishte pyetur po qe se isha e sigurt se do të duhej angazhuar një 70-vjeçar në punë. Natyrisht se isha e sigurt. Zenuni vinte te ne, pasi që ua kishte pjekur zanatin gazetarëve të disa brezave, përfshirë edhe Vetonin. Vinte një njeri me energjinë e një 30-vjeçari; me pjekurinë e një 50-vjeçari, me kthjelltësinë dhe çiltërsinë e pamatshme dhe një sens humori të lindur e të rafinuar me përvojën jetësore të mbledhur me kohën. Ishim marrë vesh që në çastin kur do ta vlerësonte, do të tërhiqej. Porse kishte mbase nevojë për një shtytje, prandaj u ulëm sërish dhe u morëm vesh: që tërheqja taktike të ndodhte kur do t’i mbushte 80 vjet. Por, jam e sigurt se Zenuni nuk do të ndalet në prillin e ardhshëm. Edhe pse nuk më ka premtuar, megjithatë e besoj se e ka marrë parasysh lutjen time prej botueseje që ta shkruajë një libër, që lehtë mund të shndërrohet në enciklopedinë e historisë bashkëkohore të Kosovës. Enciklopedi e liruar prej rrenave, mashtrimeve dhe iluzioneve – e mbështetur mbi fakte dhe mësime nga jeta”.

Zenuni u tërhoq nga puna aktive më 31 dhjetor 2020, porse para se të tërhiqej na gëzoi me dhuratën që na e bëri: këtë mini-enciklopedi të begatë historie e jete.

  • Fjalë e lexuar në promovimin e librit të Zenun Çelajt, “Udhëtim në të shkuarën”, më 21 tetor të vitit 2021, në Gjakovë.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu