ARKIVI:
25 Dhjetor 2024

Lidhja e islamikve shqiptarë në Prizren me daten 10 qershor 1878

Shkrime relevante

Elegji kushtuar Martin Canit, vrarë pafajësisht, në ambientet e shkollës, më 18 Nëntor 2024, elegji nga Nikolin Shtjefën Lëmezhi

Nikolin Shtjefën Lëmezhi S’të vranë ty… (Elegji kushtuar Martin Canit, vrarë pafajësisht, në ambientet...

Po përsëritet historia! KQZ-ja (s) ka të drejtë!

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina Në vitin 2013 (si ish anëtarë...

Kontradikta dhe abuzimi politik i Edi Ramës, dëmton rëndë Kosovën dhe Shqipërinë

Nga: Luan Dibrani Kritika ndaj Edi Ramës dhe Pozita e Qeverisë Shqiptare...

Te Nënëlokja e UÇK -së, NËNË STANA!

Nga: Nusret Pllana BRUS - lagjja Peshter Me bashkëluftëtarin tim Ismet Sylejmani, vizituam...

Vuçiq, Albin Kurti nuk është KQZ!

Gani Mehmeti Pas Reagimit ti kryetarit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq me rastin...

Shpërndaj

Me rastin e 129 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit , Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës organizoi në Prizren me 12 qershor 2007 në sallën e Vakëfit të Prizrenit Tryezën shkencore me titull”Mesazhet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në raport me realitetin shqiptar sot”. Në këtë sesion morën pjesë hulumtues shkencor nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, janë paraqitur gjithsejtë 20 kumtesa ndërsa u lexuan 17 kumtesa në sesion.

U mbajtën 2 seanca, seanca e paradites të cilin e udhëhoqi kryesia e punës në përbërje: dr.Gazmend Shpuza,  ak.Jashar Rexhepagiqi dhe dr.Muhamed Mufaku dhe seanca e pas ditës të cilën e udhëhoqi kryesia e punës në përbërje: dr.Muhamed Piraku, dr.Jusuf Osmani dhe Mr.Qemajl Morina.
Myftiu i Kosovës Mr.Naim efendi Tërnava në fjalën e tij përshëndetëse përveç tjerash ceku “për nder të 129 vjetorit të LSHP e organizuam këtë tryezë për të shënuar përvjetorin e saj dhe për të përkujtuar rolin dhe rëndësinë e saj në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe fetare të popullit shqiptar”.
Kumtesën e parë e paraqiti dr.Pajazit Nushi nga Prishtina  me titull ”Lidhja Shqiptare e Prizrenit pas 129 vjetëve” ku përveç tjerash ceku edhe pas 129 vjetëve nga mbajtja e LSHP-it çështja shqiptare hyri në shekullin XXI si çështje ende e pazgjidhur. Shqiptarët e viseve jashtë Shqipërisë janë dënuar dhe persekutuar vazhdimisht për programin e LSHP-it (Lidhja SHqiptare e Prizrenit).

Shënimi i 90 vjetorit të LSHP-it bëri jehonë të madhe dhe solli inspirim edhe për demonstratat e vitit 1968 në Kosovës, ndërsa shënimi i 100 vjetorit të LSHP-it u me manifestime të shumta në Tiranë dhe Prishtinë bëri jehonë edhe më të madhe  dhe se vetëm pas 3 vitesh rinia studentore e Kosovës u çua në demonstrata masive me kërkesën për Kosovën Republikë”, dhe se akoma pas 129 vitesh vazhdon ideja e LSHP-it”.

Kumtesën e dytë e prezantoi dr.Gazmend Shpuza nga Tirana me titull ”Përmasat historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” ku përveç tjerash ceku ”delegatët u mblodhën në Prizren ku miratuan edhe programin apo dokumentin bazë të LSHP-it. Themeluesit e saj që të gjithë nga Kosova janë zhveshur nga efekti historik, në kundërshtime me realitetin në fjalë dhe me mjaft paragjykime përfaqësuesit e saj kosovar edhe sot e kësaj dite janë të mënjanuar dhe lënë anash”.

Akademik Jashar Rexhepagiqi nga Prishtina në kumtesën e vet me titull ”Vlerat pedagogjike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”  ceku ”rëndësinë e LSHP-it në zhvillimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe dhe shkollave shqipe në trojet shqiptare. Hapja e shkollave shqipe, përpilimi i librave shkollor sikur abetarja, libër lexime e pjesë të ndryshme të njohuri natyre zë fill pas LSHP-it. LSHP-it insistonte që nëpunësit duhet të njohin gjuhën shqipe, gjuhën të cilin shumica e popullatës vendase e flasin, në shkolla të mësohej edhe gjuha shqipe dhe të japin mësim mësuesit dhe pedagogët më të rëndësishëm të asaj kohe”.

Dr. Muhamed Mufaku nga Amani në kumtesën e tij me titull ”Figura e Ismajl Qemajlit në shtypin egjiptian si simbol i lëvizjes kombëtare shqiptare 1878-1912” ceku përveç tjerash ”në shtypin arab (egjiptian) vetëm pas formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u bë e njohur çështja shqiptare dhe populli shqiptar dhe se figura më e çmuar në formimin e shtetit shqiptar Ismaj Qemajl be Vlora,  i cili edhe e vizitoi dy herë Egjiptin. Në seancën e para ditës kumtesat e veta i paraqitën edhe dr.Masar Rizvanolli ”Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe politika serbe ndaj saj”, dr.Vehbi Xhemajli”Kontributi i tetovarëve në Lidhjen e Prizrenit”,

Nehat Krasniqi ”Të dhëna të reja dhe dilema për haxhi Ymer Prizrenin”,

dr.Hysen Matoshi ”Karakteri antishqiptar i Republikës së Mirditës”,

dr.Iljaz Rexha ”Kërkesa e popullit shqiptar për autonomi acaroi marrëdhanjet me portën e lartë”, si dhe akademik

Enver Gjerqeku me kumtesën ”Sonetet kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”.

Në seancën e pasdites kumtesën e parë e prezantoi dr.Muhamed Piraku nga Prishtina me titull ”Roli i Myderriz efendi Podgoricës në afirmimin e çështjes shqiptare në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”.

Pas këtij kumtesën e prezantoi Mexhid Yvejsi nga Gjakova me titull ”Roli i ulemave në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit(1878-1881)” ku përveç tjerash theksoi ”LSHP-it e çoj, e ngriti për herë të parë çështjen kombëtare shqiptare në arenën ndërkombëtare. Ulematë shqiptare, jo vetëm që nuk janë përfillur, por janë përbuzur, janë nënçmuar, madje edhe janë akuzuar si “turkoshak, turkofil,t urkoman, sulltanistë” edhe me emra tjerë edhe më të pistë. E vërteta është se, ulematë shqiptare ishin mendja, zemra dhe shpirti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ulematë shqiptarë filluan përgatitjet për themelimin e një lëvizje politike-ushtarake, që në muajin mars të vitit 1878. Kuvendi themelues, Kuvendi i përgjithshëm i LSHP-it u organizua prej ulemave. Të gjitha komitetet e Lidhjes, apo degët e saj, që ishin themeluar në të gjitha qytetet shqiptare, ishin organizuar prej ulemave, prej Gjakovës deri në Shkodër, nga Prishtina deri në Dibër, që u përhapën me të shpejtë edhe në Shqipërinë e jugut, gjer në Janinë. Dega e Gjakovës përfaqësohej prej kadiut Ahmet efendi Korenica, myftiut të Gjakovës Ismail efendi Yvejsi, myderriz Hasan efendi Shlaku, dega e Shkodrës kryesohej nga myderriz Daut efendi Boriqi dhe i mbështetir nga myftiu i Shkodrës Jusuf efendi Tabaku, dega e Ulqinit në kryesi kishte Hafiz Salih Hylja dhe hafiz Tamizin, dega e Pejës përfaqësohej nga myderriz Haxhi Zeka, dega e Prizrenit kryesohej nga myderriz Ymer efendi Prizreni, dega e Mitrovicës nga myderriz Osman efendiu dhe myderriz Ali efendiu, dega e Prishtinës përfaqësohej nga myftiu Zejnel Abedini, dega e Tetovës përfaqësohej nga shejh Mustafa, dega e Dibrës kishte veprimtarë hoxhë Moglicën dhe shejh Hysenin, dega e Shkupit veprimtar të dalluar kishte myderriz Abdyl efendiu. Në të gjitha degët e LSHP-it, në të katër vilajete shqiptare, ulematë ishin shtylla kryesore, disa ishin, siç thuhet sot, më të moderuar, disa më konservatorë, disa më radikal, por secili prej tyre ishte i veçantë. Ulematë ishin ata që i shkruan, hartuan, përpiluan Kararnamen (aktvendimet), Talimatin (urdhëresat), peticionet, memorandumet e kështu me rrallë. Me pak fjalë, ky ishte roli i ulemave në LSHP-t, këtë nuk duhet harruar, as nuk duhet lejuar të tjerët ta harrojnë, sepse e harrojmë vetveten”.

Olsi Jazexhiu nga Tirana në kumtesën e tij me titull ”Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe politika panislamiste e sulltan Abdylhamidit të II-të” përveç tjerash ceku ”Lidhjen e Prizrenit të cilën nëpër shkollat tona fëmijët e mësojnë si një Lidhje sa anti-turke aq edhe kombëtare, historiani britanik Jakob Landau e klasifikon si një organizatë të nxitur nga vetë sulltan Abdylhamdi i II-të, për të mobilizuar myslimanët e Ballkanit që të mbrohen nga pushtimi i fuqive të krishtera.

Mbi karakterin islamik të Lidhjes së Prizrenit shkruan edhe Noel Malkolmi i cili në librin ”Kosovo a short histori” kujton citimet e një zyrtari britanik në Kosovë më 1878 ”Lëvizja është më shumë një lëvizje fetare sesa shekullare, dhe udhëhiqet nga myftilerë, ulematë dhe kadijtë,…Jam i mendimit se tashmë është më se e qartë se Porta e Lartë dhe Lidhja janë në një mendje, dhe po punojnë për të arritur një qëllim të përbashkët- mbrojtjen e provincës”. Këta dy paragrafë më kanë bërë që përpara shumë vitesh të kërkoja dhe të kuptoj përse në librat tanë të historisë, Lidhja e Prizrenit, ashtu si shumë pjesë të tjera të historisë sonë është trajtuar sipas mendësisë së shkollës sllavo-greke në Ballkan e cila presupozon se popujt e Ballkanit vuajtën nën tiraninë turke.

Ndërsa Kristo Frashëri e imagjinon Lidhjen e Prizrenit si një organizatë antiislamike dhe laiko-kombëtare, Jakob Landau, Peter Barlt, Kirby Green, Peter Barlt, Xhafer Belegu, Eqrem bej Vlora dhe një numër i madh historianësh botërorë e shohin si një organizatë islamike të ndërtuar nga myslimanët e Gegërisë dhe Bosnjës me mbështetjen e sulltan Abdulhamidit II-të, për të mbrojtur myslimanët ballkanas pas Kongresit të Berlinit. Përpjekjet në librat e historisë në Shqipëri që manipulojnë historinë, duke shpikur konceptin e kombit laik në çdo ndodhi historike, sipas Noel Malkolmit janë një rrëfim i varfër i historisë. Xhafer Belegu në librin ”Lidhja e Prizrenit e veprimet e sajë” thotë në rrjedhën e ngjarjeve kishte hyrë vetë sulltan Abdylhamiti II-të, ai i kishte thirr në Stamboll shejh Mustafa Tetovën dhe Abdyl bej Frashërin për t’i udhëzuar për zhvillimin e lëvizjes, ndërsa ju dha urdhër komandantëve ushtarak që të mos e pengonin zhvillimin e Lidhjes. Këtë fakt e përmend edhe Eqrem bej Vlora, i cili thotë se qeveria qendrore në Stamboll jo vetëm që u tregua dashamire ndaj idesë, por mori pjesë aktive në themelimin e Lidhjes në Prizren, pasi ishte në interesin e saj të nxiste një lëvizje kundër kërkesave sllave e pak më vonë edhe kundër atyre greke…, që të tërhiqte vëmendjen e Evropës. Lidhja e Prizrenit i zhvilloi takimet e saj në datën 10 qershor 1878 në xhaminë e Bajraklisë dhe Medresenë e Mehmed Pashës pranë saj. Në Prizren por edhe mbarë Kosovën, krijimi dhe organizimi i Lidhjes u njoh me emrin e saj osman, Prizren Ittifaki.

Pra, nëse duam të kuptojmë identitetin dhe karakterin e organizatorë të Lidhjes së Prizrenit sipas konsullit Kirby Green dhe jo Kristo Frashëri, i bie që Lëvizja shqiptare duhet parë si një përpjekje e miletit islamik apo kombit osman, i cili e shikonte fatin e tij të njëjtë me atë myslimanëve të tjerë të Perandorisë dhe sulltanit kalif, dhe jo sipas skemave ”politikisht korrekt”, që ideologjia nacional-komuniste e Akademisë së shkencave mundohet të ndërtojë mbi identitetin e pashallarëve, bejlerëve dhe ulemave islamik të Gegërisë, që formuan Lidhjen e Prizrenit në fund shekullit XIX”.

Nexhat Ibrahimi nga Prizreni në kumtesën e vet me titull ”Backgroundi evropian antiosman-antiislam dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 1878” përveç tjerash theksoi” Gjysma e dytë e shekullit XIX, e sidomos para dhe pas Lidhjes së Prizrenit, për shqiptarët paraqet një ndër periudhat më të rëndësishme gjatë dy shekujve të fundit në pikëpamje nacionale, religjioze, gjeostrategjike e të tjera.
Por, Kongresi i Berlinit nuk solli ndonjë dobi të dukshme në llogari të trojeve shqiptare. Peter Bartl këtë e thotë kështu: “Në Kongresin e Berlinit qenë marrë parasysh interesat e të gjithë popujve të Ballkanit me një përjashtim të vetëm të shqiptarëve”. Ai këtë e arsyeton me faktin se shqiptarët nuk gjetën ndonjë protektor të fortë në mesin e fuqive të mëdha për të mbrojtur interesat e tyre, por edhe për arsye se shumica dërmuese shqiptare i përkisnin fesë myslimane dhe ishin lojalë ndaj Perandorisë Osmane. Po ashtu, shqiptarët shihnin te Perandorinë Osmane edhe garancionin e mbijetesës së tyre fizike përballë synimeve shfarosëse të popujve fqinjë kristianë. Këtë e pohon edhe një dokument i asaj kohe: “Vetë Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte krijuar për të kundërshtuar politikën shoviniste serbe, malazeze, greke dhe bullgare, e jo atë turke”.[1]

Me Lidhjen e Prizrenit abuzuan institucione dhe individë. Ajo vazhdon të përshkruhet si një veprim kryekëput shqiptar, i ndërtuar dhe nxitur nga elementi anti-turk, i cili ishte në konflikt të hapur dhe të egër me osmanët dhe identitetin islam të shqiptarëve e jo me pushtuesit serbë në veri dhe grekë në jug. Madje, nga shtypi boshnjak i kohës së Lidhjes së Prizrenit mësojmë se propaganda greke nxiti konflikte të rënda te ortodoksët e jugut etj. më 1883, me qëllim të aneksimit të shumë trojeve shqiptare në llogari të grekëve.

Në grupin e atyre shkencëtarëve që kanë ndjekur kursin antiosman kemi një varg historianësh të njohur. Ali Hadri përmend se Lidhja “ka pasur tri programe. Programi i parë dhe i dytë ishin bukur shumë në frymën panislamiste, ndërsa programi i tretë ka qenë shumë më përparimtar,” duke e hedhur poshtë si anakronik dhe regresiv mendimin e shumicës së popullsisë dhe të shumicës së delegatëve të pranishëm. Qartë, mendimi i tij është i ngjyrosur me ideologjinë e kohës kur Ali Hadri jetoi dhe veproi.
Kurse njohësi i rrethanave shqiptare-boshnjake, dr. Haris Sillajxhiq mendon se fati pak a shumë i përbashkët i këtyre dy popujve në të kaluarën e deri sot duhet të hulumtohet për të ndriçuar aspekte të panjohura.
Hulumtuesit nuk duhet t’i tremb elementi islam i Lidhjes, sepse në të nuk ka asnjë të keqe për çështjen kombëtare. Përkundrazi, fetarja dhe kombëtarja mund të bashkëveprojnë në mënyrë të përkryer drejt së ardhmes. Me kalimin e kohës, e nën trysnitë nacionaliste si trend i kohës së shekullit XIX, ndikimi i Lidhjes së Prizrenit shkonte në favor të shekullares (kombëtares) kurse në dëm të hyjnores (fetares) dhe të përkeqësimit të raporteve ndërmjet shqiptarëve dhe turqve. Pikërisht trajtimi i njëanshëm dhe i pjesërishëm i kësaj teme imponon domosdoshmërinë për hulumtime më të hollësishme dhe më objektive në të ardhmen, që të mësojmë një histori pak më reale, për të ndërtuar vetë një histori autoktone të këtij populli dhe të këtyre trojeve, të liruar nga prangat dhe kufizimet e ndryshme ideologjike”.

Parim Kosova nga Prizreni në kumtesën e tij me titull ”Objektet fetare islame në shërbim të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” përveç tjerash ceku ”në objektet fetare islame si xhamitë, medresetë, teqetë, mejtepet janë mbajtur tubime, mbledhje, strehimore për refugjatë, shërimi i të plagosurve dhe është kryer mobilizimi i forcave për luftë për mbrojtjen e trojeve tona. Kompleksi i Lidhjes së Prizrenit është një “per exellenc” ku në xhaminë e Bajraklisë u mbajt Kuvendi i Lidhjes, ndërsa në medresenë pranë saj kanë qenë të vendosur dikasteret e qeverisë së Lidhjes së Prizrenit. Në vitin 1968 ders-hanja apo mësonjëtorja u shndërrua në muzè, ndërsa në vitin 1978 me rastin e shënimit të 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit edhe objekti i Medresesë së Gazi Mehmed Pashës iu bashkëngjitë kompleksit, ashtu që në katin e parë janë te vendosur kostumet e veshjeve kombëtare, ndërsa në katin e dytë galeria. Më 28 mars 1999 forcat serbe e dogjën dhe rrafshuan me tokë ders-hanen apo godinën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dhe se pas çlirimit të Kosovës ajo menjëherë u rindërtua ashtu si a qenë në formën e mëparshme të saj. Sot me datë 12 qershor 2007 zbulimi i pllakës përkujtimore në xhaminë e Bajraklisë është një kontribut më tepër në evokimin e Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që u mbajt para 129 vitesh në këtë xhami”.

Me kumtesat e veta prezantuan edhe dr. Jusuf Osmani “Dokumentet arkivore për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit”,

Adrian Muhaj ”Autonomia e territoreve shqiptare në kontekstin ballkanik”,

dr.Riza Sadiku ”Lidhja shqiptare e Prizrenit në shtypin e mërgatës shqiptare” dhe Mr.Qemajl Morina ”Faktori fè në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe sot”.

Pas përfundimit të prezantimit të kumtesave pasuan diskutimet, polemikat dhe replikat lidhur me temën në fjalë, në të cilin u shfaqën dy qëndrime apo dy këndvështrime të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, njëri qëndrim mbronte tezën se Lidhja e Prizrenit ka pas karakter prokombëtar, profetar, proosman ndërsa anti serb,antimalazez, antigrek dhe antibullgar, dhe se qëndrimi i dytë mbronin tezën se Lidhja e Prizrenit ka pas karakter  prokombëtar, pro laik, proshekullar ndërsa antiosman, antisllav e antigrek.
Në përfundim të kësaj mund të konkludojë se duhet bërë rivlerësimin në përgjithësi të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke mënjanuar ndikimin e ideologjisë komuniste në tekstet shkollor të historisë dhe të ndikimeve të frymës sllavo-greke në te, e duke marr parasysh pikësëpari mbështetjen në hulumtimet arkivore të arkivave të Londrës, Stambollit e Vjenës, kundruall atyre ekzistuese të burimeve arkivore të Beogradit, Moskës dhe Athinës.

Faik MIFTARI / Prizren, e hënë,18 Qershor 2007.

K O M E N T E

1 KOMENT

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu