ARKIVI:
26 Dhjetor 2024

Lidhja e Prizrenit një kthesë vendimtare për Kombin

Shkrime relevante

Kryeministri merr rolin e gjykatësit!

Florim Zeqa I gjithpushtetshmi i vendit, Kryeministri i cili nuk i respekton...

Serbja Sonja Biserko, zëri i së cilës nuk po dëgjohet nga ndërkombëtarët, “analistët tonë” dhe disave nga opozita e Kosovës

Nga: Gani Mehmeti Biserko: Lista Serbe është përgjegjëse për gjithë situatën në...

Vargje me nismë të mbarë, recension për librin e Bashkim Halilajt, “Gjurmë ecjesh“

Shefqet DIBRANI VARGJE ME NISMË TË MBARË Bashkim Halilaj, “GJURMË ECJESH“, vargje, botoi...

Pabesueshmëria e absurdeve të “BIG BROTHER”

Nga: Lirim Gashi Sara nga Tirana dërgon çdo ditë lutje në qiell,...

Shpërndaj

Nga Frank Shkreli * Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë*

Muaji qershor shënon dy data të rëndësishme në historinë e Kombit shqiptar. Me 1 Qershor 1839 ka lindur Abdyl Frashëri, Kryetari i Lidhjes së Prizrenit, i cili njëkohësisht, konsiderohet edhe si shqiptari i parë, që hodhi idenë e autonomisë së trojeve shqiptare nga perandoria turko-osmane dhe bashkimin e tyre në një vilajet të vetëm. Ndërsa me 10 Qershor, 1878 është themeluar zyrtarisht, Lidhja e Prizrenit, akti më madhështor ky, që nga koha e Gjergj Kastriotit -Skënderbe – e që shënoi një kthesë vendimtare për të ardhmen e Kombit shqiptar në trojet e veta shekullore. Frank Shkreli/ 8 Qershori – Dita e Besës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit | Gazeta Telegraf

Themelimit të Lidhjes së Prizrenit i paraprinë pothuaj pesë shekuj vuajtje e errësirë, që nga koha e Gjergj Kastriotit – Skënderbe; qëndresa e të cilit dhe ideja e mbrojtjes së identitetit kombëtar, të kulturës dhe gjuhës shqipe, u ruajt me aq përkujdesje nga Arbëreshët e Italisë, pasardhësit e Krye-Heroit të shqiptarëve matanë Adriatikut.

Lidhja e Prizrenit

Vura re vizitën e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në trojet arbëreshe në Itali këtë fund jave. Uroj që Kryeministri Rama, gjatë kësaj vizite, të jetë i vetëdijshëm për rolin historik që kanë luajtur Arbëreshët e Italisë, ndër shekuj, në ruajtjen e cilësive dhe vlerave kombëtare të lirisë, trashëgimisë, identitetit kombëtar, gjuhës dhe kulturës shqiptare ndër shekuj. Pesë shekuj besnikërie arbëreshe ndaj vlerave dhe identitetit kombëtar! Ashtu që, sot të gjithë shqiptarët që vërtet e vlerësojnë dhe i mbrojnë këto vlera, t’u jemi mirënjohës Arbëreshve tanë për ruajtjen e traditave dhe identitetit kombëtar, por edhe besnikërisë ndaj amaneteve të Gjergj Kastriotit -Skënderbe për një Shqipëri të lirë.

Që: “T’u jemi mirënjohës Arbëreshëve të Italisë, që kryen atë vepër të mistershme shpërblimi njerëzor e kombëtar që i Nalti Perëndi u shënjoi atyne, kur në një stinë duhije e tmerri – lanë brigjet e Atdheut dhe u mërguen në vis të huej, -me ikona fetare e me hire shqiptare.” (Ernest Koliqi). Ishin këto vlera dhe mbrojtja e tyre me çdo kusht, që më 8 qershor, 1878 atje në Prizren, çuan në mbledhjen e përfaqësuesve krahinorë nga të gjitha trojet shqiptare, pa dallim feje e krahine, me qëllim për të themeluar Lidhjen e Prizrenit, nën drejtimin e mendjendriturit të madh Abdyl Frashërit, për t’i thënë botës se fisi i shqiptarit, i vjetër sa vet njerëzimi, ishte gjallë dhe donte të vendoste vet fatin e tij.

Besëlidhja e Lezhës 2-mars-1444

Ishin ata burra të Lidhjes së Prizrenit nga të gjitha krahinat shqiptare dhe pa dallim, me Abdyl Frashërin në krye, të cilët ndoshta me mendime dhe përvoja që i dallonin nga njëri tjetri, por ndryshe nga liderët e sotëm aktualë të shqiptarëve, kishin qëllime të përbashkëta për Kombin.

Ndryshe nga politikanët e sotëm shqiptarë burrat e Lidhjes së Prizrenit, kur vinte puna tek interesat madhore të Kombit, ata i kishin të qarta dhe të përbashkëta objektivat jetësore në interes të shqiptarëve.

Ndryshe nga politikanët aktualë të shqiptarëve, burrat e Lidhjes së Prizrenit, pothuaj një shekull e gjysëm më parë, mbi çdo interes politik, personal, krahinor, fetar ose partiak, ishte mbi të gjitha, interesi kombëtar për të drejtat e të gjithë shqiptarëve pa dallim.

Abdyl Frashëri ishte njëri prej atyre burrave të Lidhjes së Prizrenit, të cilët me mish e me shpirt mbrojtën interesat jetike të Kombit, në një periudhë shumë e shumë më të vështirë e më të errët për të ardhmen e Kombit shqiptar, në krahasim me aktualitetin politik e kombëtar të shqiptarëve sot.

Lidhja e Prizrenit – një ringjallje e vërtetë shpirtërore dhe kombëtare për shqiptarët – shpëtoi edhe një herë Kombin shqiptar nga copëtimi e shkatërrimi, duke e venë “çështjen shqiptare”, në rendin e ditës të diplomacisë evropiane, si një çështje politike kombëtare dhe ndërkombëtare, që duhej zgjidhur më në fund. Lidhja e Prizrenit ishte një vazhdim i luftërave dhe përpjekjeve të shqiptarëve për mbijetesë si komb, për identitetin, për lirinë dhe pavarësinë e tij në trojet e veta, për gjuhën, nderin, traditat, besën dhe burrërinë, vlera këto kastriotiane, të ruajtura ndër shekuj.

Katër Vilajetet Shqiptare

Kushtrimi i Lidhjes së Prizrenit për njohje të Kombit shqiptar, për ruajtjen dhe paprekshmërinë e territoreve shqiptare dhe për bashkimin e tyre në një autonomi ose shtet të vetin, është dëgjuar anë e mbanë krahinave shqiptare të asaj kohe, por edhe më gjërë, si e vetmja rrugë për të realizuar bashkimin e trojeve shqiptare, në një kohë kur fqinjtë shovinistë slave e grekë, otomanët-turq dhe “ndërkombëtarët”, fuqitë e mëdha të asaj kohe, u mohonin shqiptarëve të drejtat e tyre bazë për liri, pavarësi dhe identitet kombëtar.

Lidhja e Prizrenit, ndihmoi, por edhe ndriçoi, ndër të tjera, edhe përpjekjet për zhvillimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare, ashtu siç bënte Jeronim De Rada në komunitetet arbëreshe në shekullin e XVIII, duke grumbulluar dhe duke theksuar vlerat, identitetin, gjuhën, traditat dhe amanetet kastriotiane të Kombit: si zedhënsi i parë i ringjalljes kombëtare të shqiptarëve në gjysmën e parë të shekullit XVIII: si, “Apostulli i parë i Rilindjes sonë Kombëtare”, siç do ta cilësonte De Radën, Ernest Koliqi.

Megjithë optimizmin tim në jetë, më duhet të deklaroj, për fat të keq, se pas një vizite prej dy javësh, kohët e fundit në Shqipëri dhe shumë bisedave me njerëz të të gjithë niveleve të jetës dhe politikës në atë vend, idetë dhe vlerat kastriotiane, por edhe ideja e përbashkimit e Lidhjes së Prizrenit janë shumë larg realizimit. Megjithë përparimet e shënuara deri më sot, idealet kombëtare të shqiptarëve në rrugën e tyre drejt realizimit përfundimtar, sipas porosive të rilindasve të Kombit, vazhdojnë të hasin në pengesa të brendshme dhe të jashtme. Më shumë pengesa të brendshme, nga vetë shqiptarët, përballë mundimeve dhe vështirësive të mëdha! “Rreziku i Mbrendshëm”, siç është shprehur dikur At Gjergj Fishta, m’u duk kësaj rradhe, në vizitën time të fundit në Tiranë, më i rrezikshëm se kurrë më parë gjatë 30-viteve të tranzicionit, i prirë nga konfliktet politike dhe nga largimi i shqiptarëve nga Atdheu, ashtu si dikur u larguan Arbëreshët në Itali, pesë shekuj më parë.

Abdyl Frashëri

Thuhet se çdokush, përfshirë kombet, duhet të paguajë tagrin e vet, për një arsye ose për një tjetër, sidomos në periudha tranzicioni siç janë shqiptarët e kohës moderne, “post-komuniste”. Duket se shqiptarët për 30-vjet tani po e paguajnë këtë “tagër” me mundime të thella të mbrendshme dhe shpesh me keqkuptime të jashtme, ashtu si në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbe dhe të Lidhjes së Prizrenit. Në tre dekadëshin e shekullit XXI, diçka e dikush po e turbullon fillimin e një jete të re për shqiptarët: asaj idesë për një Shqipëri të lirë e demokratike e të përbashkuar të vlerave kastriotiane dhe të Lidhjes së Prizrenit, krah për krah me shtetet e botës perëndimore, aty ku e ka vendin përjetësisht dhe ku e donin rilindasit e vërtetë të Kombit shqiptar. Shqiptarët nuk kanë kujt t’i ankohen për marrëzitë e veta. Uroj që i Madhi Zot mos të humbas durimin me bashkatdhetarët tanë anë e mbanë trojeve shqiptare.

Kujtojmë Lidhjen e Prizrenit, një kthesë e vërtetë në historinë e Shqiptarëve, atëherë dhe sot dhe shembullin e Abdyl Frashërit njërit prej burrave të Lidhjes së Prizrenit, i cili përballë përpjekjeve të mëdha të armiqve të Kombit për të copëtuar tokat shqiptare, mbrojti, mbi të gjitha, interesat jetësore të gjithë shqiptarëve pa dallim.

K O M E N T E

1 KOMENT

  1. Lidhja e Prizrenit-Lidhja që zgjoi shqiptarizmin por copëtoi territoret shqiptare
    Rate This

    12.6. 2012 00:00
    Gaz. “SOT NEWS”
    Imazh
    Profesor Pirro PRIFTI

    Kaluan 134 vjet kur në Prizren u mbajt për herë të parë Lidhja e shqiptarëve nga të gjitha trojet e okupuara nga turqit, megjithatë për popullatat jo shqiptare ballkanike, shqiptarët nuk shiheshin si popullatë e pushtuar por si popullatë që së bashku më boshnjakët shiheshin si bashkëpushtues.

    Sipas historisë, Abdyl Frashëri- një nga figurat kryesore të asaj kohë që mbrojti shqiptarizmin, krijoi dhe organizoi që në muajin maj 1878, një Komitet në Stamboll në të cilin morën pjese Pashko Vasa, Jani Vreto, Ymer Prizreni, Zija Prishtina, Sami Frashëri, Ahmet Koronica, Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani, Mustafa Nuri Vlora, Mane Tahiri, Ali Ibra etj. Ky komitet lëshoi një Proklamatë që në Maj 1878 nga Stambolli pra 3 javë para fillimit të Lidhjes së Prizrenit më 10 qershor në të cilën Proklamata përfundonte: “Ne dëshirojmë nxehtësisht të jetojmë në paqe me të gjithë fqinjët tanë, Malin e Zi dhe Greqinë, Serbinë dhe Bullgarinë. Ne nuk kërkojmë, nuk dëshirojmë asgjë prej tyre, por jemi krejtësisht të vendosur të mbajmë me këmbëngulje çdo gjë që është jona. T’u lihet pra shqiptarëve, toka shqiptare!” Shqetësimi që pushtoi shqiptarët për fatin e atdheut, u shpreh me një lumë protestash, që shpërthyen gjatë muajve prill e maj 1878 nga të katër anët e vendit kundër Traktatit të Shën-Stefanit.

    Pavarësisht nga interpretimet, shtëpia në të cilën u mblodhën në Prizren nën drejtimin e një kryetari honorifik që ishte dhe delegati më i moshuar, Iljaz pashë Dibra (Qoku), me 10 qershor vazhduan punimet. Me 18 qershor 1878, fillimisht 47 bejlerët kryesorë firmosën Kahrarname -në (në një kohë kur Kongresi i Berlinit filloi punimet me 13 qershor 1878); megjithatë ajo Kahrarname-ja e famshme ishte ne fakt tërësisht antishqiptare dhe totalisht në favor të Sulltanit dhe Perandorisë Turke, të mundur e të dërrmuar dhe nënshkroi armëpushim në janar 1878 kurse në 3 Marsit 1878 u firmos traktati i Shën Stefanit. Me këtë traktat, Turqisë iu hoq përfundimisht Ballkani. Aktet e para të Kuvendit të Përgjithshëm ishin: një peticion për çështjen shqiptare, dërguar Kongresit të Berlinit, një peticion, dërguar Portës së Lartë, Kahrarnam-ja (Akti i Vendimeve-Kanuni) dhe Talimati (Urdhëresa). Të dyja peticionet u miratuan më 15 qershor 1878. Ato u pajisën me nënshkrimet e disa mijëra përfaqësuesve të popullsisë shqiptare në të gjitha krahinat e Shqipërisë. Me anën e tyre kërkohej nga Kongresi i Berlinit dhe nga qeveria turke që të mos i jepnin shteteve të huaja asnjë pëllëmbë tokë nga atdheu i tyre. Edhe në këto dokumente të Kuvendit të Lidhjes shprehej vendosmëria e përfaqësuesve shqiptarë për të luftuar deri te njeriu i fundit për të kundërshtuar çdo vendim që do të cenonte tërësinë territoriale të atdheut. Veç kësaj, në peticionin që iu dërgua Portës së Lartë, parashtrohej edhe kërkesa për të bashkuar të gjitha trojet shqiptare në një vilajet të vetëm shqiptar ose, siç thuhet në peticion, në një “vilajet të bashkuar” (Tevhidi vilajet) me një “kuvend të bashkuar” në krye dhe me administratë, buxhet e ushtri të veçantë, pra të pajisur me autonomi administrative e kulturore. Por ky program i autonomisë (krijimi i vilajetit të bashkuar me autonomi administrative) nuk u përfshi në të dy dokumentet e tjera që u miratuan nga Kuvendi, më 17 qershor 1878, në Kahrarname-në dhe në Talimatin.

    Traktati i Shën Stefanit, në fakt i futi drithërimat klasës drejtuese shqiptare dhe boshnjake të konvertuar tashmë në myslimanë dhe i nxiti liderët e tyre të organizojnë mbrojtjen e tokave në të cilën ata banonin. Interesant është fakti që në fillim nuk kishte asnjë katolik në mes Komitetit Shqiptar të Stambollit (http://en.Wikipedia.org/Wiki/Prizren_League). Që nga Neni 1 i Kahrarname-së thuhej se qëllimi ishte… të ruheshin integriteti territorial i perandorisë turke në Ballkan, Sulltanin dhe ligjin e Shariah-ut…, kurse neni 6 i saj theksonte… luftën e armatosur për të mbrojtur këto territore, dhe mos lejimin e Bullgarisë që të marrë territoret, dhe nëse Serbia dhe Mali i Zi nuk i lëshon territoret myslimanë atëhere do të dërgohen akinxhinjtë (bashibozukët) për tua marrë…”. Por në Kahrarname nuk u tha asgjë as për shkollat shqipe, as për bashkimin e popullit shqiptar në një vilajet dhe autonominë e shqiptarëve (ashtu si e propozoi Pashko Vasa). Porta e lartë e përkrahu fillimisht Lidhjen e Prizrenit dhe Kahrarname-në por ushtroi presion që ata të jenë më shumë otomanë se sa shqiptarë. Lidhja ishte sipas Kahrarname-së një lidhje kryesisht fetare dhe e bazuar në solidaritetin fetar islam (Komiteti i Myslimanëve të vërtetë). Megjithatë Abdyl Frashëri pas Kahrarname-së insistoi që Lidhja e Prizrenit të fokusohej kryesisht në autonominë e Shqipërisë dhe në krijimin e një identiteti shqiptar. Në fakt u krijuan dy rryma ajo e radikalëve që përkrahte identitetin otoman dhe solidaritetin fetar islam, kurse tjetra ajo e moderuar e kryesuar nga Abdyl Farshëri dhe e përkrahur nga Ali bej Gucia, Iljaz pashë Dibra, Abedin pashë Dinoja, Mahmud pashë Biçaku, Omer pashë Vrioni. Kështu Abdyl Frashëri organizoi një takim të dytë vetëm me shqiptarët po gjatë kohës së mbajtjes së Lidhjes së Prizrenit.

    Kongresi i Berlinit injoroi Memorandumin e Lidhjes madje Otto Bismark deklaroi se kombi shqiptar nuk ekziston por ekziston vetëm si nocion gjeografik; megjithatë më vonë pasi u takua më disa delegatë shqiptarë që shkuan për ta takuar – Bismarku deklaroi se ai ishte gabuar duke thënë se Shqipëria ishte vetëm një `nocion gjeografik` http://sq.wikipedia.org/wiki/Lidhja_e_Prizrenit. Prania e gjithë këtyre bejlerëve shqiptarë në Lidhjen e Prizrenit qofshin të bashkuar në grupin konservator, qofshin të bashkuar në grupin moderator, tregon se klasa sunduese shqiptare ishte e konvertuar në myslimanë thjeshtë për të ruajtur pronat por dhe për të marrë pozitat, ofiqet dhe gradat në këmbim të ndërrimit të fesë për hir gjithashtu dhe të mbijetesës.

    Ky lëshim substancial ndaj pushtuesit turk krijoi pështjellimin e madh pas humbjes së luftës nga perandoria turke me Rusinë; këtë nuk e kishin parashikuar klasa sunduese shqiptare, e cila sundonte dhe edhe popujt e tjerë të krishterë të Ballkanit si `dora e fortë` e Sulltanit. Kjo krijoi paradoksin e 1878: të nevojës së një shteti dhe identiteti shqiptar jashtë atij turk dhe urrejtjes që ishte krijuar ndaj kësaj klase sunduese shqiptare nga ana e popujve të krishterë të Ballkanit, të cilët nuk kishin besim më tek drejtuesit shqiptarë që tashti kërkonin të mbijetonin përsëri duke i kthyer krahët dhe duke kthyer timonin e politikës së tyre mbijetuese në 180 gradë. Nëse popujt e krishterë të Ballkanit ashtu dhe populli shqiptar qoftë edhe ai i konvertuar në fenë islame e shikonte me gëzim shpartallimin e Turqisë duke i krijuar dhe atij shpresa të mëdha që të hiqte zgjedhën 450-vjeçare, klasa drejtuese shqiptare shumica pro-turke po dëshpërohej dhe vuri kujën për humbjen e Turqisë, dhe kjo shkaktoi miratimin me 60 firma bejlerësh shqiptare e boshnjakë të Kahrarname-së, në të cilën nuk flitej as për Shqipëri, as për kryeqytet të Shqipërisë, as për pavarësi, as për shkolla shqipe, as për reforma.

    Atëhere del pyetja: Çfarë i solli Shqipërisë Lidhja e Prizrenit?

    – Vetëm nxiti shqiptarizmin dhe konfiguroi identitetin shqiptar të cilin e përkrahu fuqimisht një pjesë e klasës drejtuese por më tepër intelektuale myslimane dhe ortodokse, e cila u zhvillua dhe u përsos me anë të rilindësve shqiptarë që më në fund arriti të krijojë një Shqipëri (të cunguar) pikërisht për faj të klasës drejtuese servile shqiptare proturke,

    – Krijoi një mosbesim të thellë tek fqinjët kristianë ballkanas (por sigurisht edhe tek anëtarët e Kongresit të Berlinit) për shkak se po ata bejlerë e pashallarë shqiptarë që i shërbenin Perandorisë turke deri para humbjes së luftës dolën papritur si `anti-turq` por thjesht për të ruajtur privilegjet dhe tokat duke i u servilosur vendeve perëndimore dhe Rusisë,

    – Automatikisht pa dashje copëtoi tokat shqiptare të cilat identifikoheshin si toka të Perandorisë turke nga Rusia, vendet perëndimore dhe fqinjët ballkanas.

    Imazh
    – Abdyl Frashëri si i pari dhe i vetmi shqiptar që e kuptoi rrezikun u përpoq, dhe pavarësisht se nuk arriti të fuste në Kahrarname problemin shqiptar, ai me 1 nëntor 1878, arriti të përfaqësojë Toskërinë në Asamblenë e Parë në Dibër dhe adaptoi një Rezolutë e cila i kërkonte zyrtarisht Portës së Lartë krijimin e një vilajeti të bashkuar të Shqipërisë. Abdyl Frashëri ishte organizatori kryesor i Takimit të Prevezës në janar 1879 takim i cili do të parandalonte dhënien e Çamërisë –Greqisë; megjithatë Abdyl Frashëri është i pari drejtues shqiptar që u takua me Stefanos Skoloudis Emisari sekret i Greqisë me shqiptarët të cilit i kërkoi për të formuar një koalicion ushtarak shqiptaro-grek (që më 1877) kundër perandorisë otomane (por Skouloudis nuk e pranoi idenë e një Shqipërie të pavarur).
    Në përfundim mund të kujtoj se pavarësisht se Lidhja e Prizrenit është një ngjarje historike e cila zgjoi popullin shqiptar për tu çliruar nga zgjedha turke, por dhe shqetësoi pa masë pronarët e konvertuar shqiptar ë pra bejlerët shqiptarë të cilat kishin tradhtuar më në fund Turqinë por para kësaj kishin tradhtuar shumë herë popullin e tyre duke e hequr për hunde këtë popullatë të vuajtur e të ndarë në tre komunitete religjioze por që për nga varfëria ishin njolloi të vuajtur.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu