Nail Draga, Ulqin
- Dosja: Krimet e komunizmit
(75-vjetori i vrasjës së Lekë Macit Përkolaj)
Si në asnjë zonë e banuar me popullsi shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore(1941-1944), zona e Shestanit në veri-perëndim të Krajës kishte status neutral e udhëhequr nga Komiteti i Shestanit, në mbrojtje të popullsisë vendase, me qeverisje lokale, por me të përfunduar lufta e vendosjës së pushtetit të komunistëve, paria e zonës u burgos dhe u dënua me pushkatim duke i trajtuar ata si armiq të pushtetit dhe të ideologjisë komuniste
Ndër personalitetet më të njohura në Shestan në shek.XX, bën pjesë Lekë Maci Përkolaj(1890-1046), i cili ka lindur në vitin 1890 në Ndrekaj(sllavisht Karanikiq) në Shestanin Poshtë, në veri-perëndim të Krajës. Në sajë të kushteve të pavolitshme sociale, si shumë bashkëmoshatar të tij, mori rrugën e emigrimit në moshën 18 vjeçare, duke u vendosur në Stambollë, ku ma parë këtu ishte vendosur vëllau i tij Kola. Duhet cekur se në këtë kohë vendi me i preferuar për emigrimin e shqiptarëve ishte Stambolla, vend ku ishin vendosur më parë edhe shumë banorë nga Shestani e tërë krahina e Krajës. Pas një kohe filloi të punojë në ambasadën e Francës në Stambollë. Por, pas pesë viteve sa punoj aty Leka, në sajë të transferimit të ambasaorit francez në Tiranë(Shqipëri) ai e mori Lekën me vete, duke qenë pjesë e stafit të ambasadës. Leka dallohej me punë e korrektësi në shërbim, ndërsa përveç gjuhës shqipe e serbishte njihte edhe gjuhën franceze e ate spanjolle. Këtu punoi deri në vitin 1939, koha kur filloi Lufta e Dytë Botërore,kur Gjermania e pushtoi Francën, ndërsa ambasadori francez u largua nga Tirana dhe u vendos në Egjipt. Aty i ofroi mundësi edhe Lekës të jenë së bashku, por Leka e refuzoi sepse kishte vendosur të ishte pranë familjes dhe në vitin 1940, pas shumë viteve u rikthy në vendlindje në Shestan(Krajë).
Zona neutrale dhe Komiteti i Shestanit
Pas sulmit të Gjermanisë ndaj Mbretërisë së Jugosllavisë në prill 1941 dhe shkatërrimit të saj, populli i Shestanit në sajë të përvojës së hidhur nga e kaluara prej çetnikëve malazezo-serbë të njohur si “bjellashi” nga viti 1918-1929 të cilët vranë, djegën dhe plaçkitën popullsinë vendase vendosën të organizohen në vetëmbrojtje, me qëllim që mos të përsëriten vuajtjet e tyre ma herët.
Pikërisht nga përvoja e hidhur nga e kaluara populli i Shestanit, por edhe nga Muriqi e Ljarja në një tubim vendosën të shkojnë në Shkodër për të prezantuar shqetësimet e tyre, ku pushteti iu dha armë për mbrojtje e po ashtu u mbeshet idea për formimin e Zonës Neutrale të Shestanit, që u formu në fillim të vitit 1942, ku kryetar i së cilës u zgjodh Lekë Maci Përkolaj. Në kuadër të Komitetit të Shestanit çdo katund kishte përfaqësuesin e vet: 1.Lekë Përkolaj, kryetar, 2.Jakov Vresku, prif-sekretar, 3.Gjon Gjokmarkaj(Bardhaj-Gurrzë), 4.Maci Nikpalaj(Pecaj), 5.Gjon Malaj(Gjuraç), 6.Haxhi Murati(Muriq), 7.Isuf Osmani(Bes) dhe 8.Lekë Nilaj(Ljare).
Kemi të bëjmë me periudhën 1941-1944, kohë e cila dëshmoi se statusi i zonës neutrale ka qenë pozitiv për Shestatin me qeverisje autonome lokale, sepse qytetarët nuk kanë qenë të rrezikuar nga gjendja e luftës e cila ishte në viset tjera, pa prani të fashistëve apo të partizanëve ku populli lëvizte lirishëm, kanë shkuar për tregti në Shkodër, e Tivar për furnizime me ushqime e çështje të tjera të nevojshme. Për të parën herë u hapën shkollat në gjuhën shqipe, në Dedaj mësues ishte Gjergj Vata ndërsa në Muriq Qazim Kraja. Ishte koha e lirisë së munguar dhe të shpalosjës së identitetit kombëtar shqiptar.
Vula e Komitetit dhe nënshkrimi i kryetarit Lekë Përkolaj
Në rrethan të tilla shoqërore, me 10 prill 1942 një delegacion i Komitetit të Shestanit shkon për vizitë në Tiranë të ministri i Punëve të Brendshme Maliq Bushati dhe i paraqesin Memorandumin nga paria dhe kleri i Famullisë së Ljarës dhe Shestanit i nënshkruar nga 13 persona që ishin paria e këtyre fshatrave. Kemi të bëjmë me kërkesa të ligjshme të popullsisë shqiptare të kësaj zone, të drejta të mohuara nga viti 1878, kur kjo zonë në sajë të vendimeve të Kongresit të Berlinit iu dhurua Malit të Zi. Në këtë Memorandum prej tetë pikash në mes tjerash kërkohet edhe bashkimi me Shqipërinë(VI).
Një burrë i Shestanit, në veshje kombetare …
Ndonëse gjatë Luftës së Dytë Botërore nga komunistët për të përfituar mbeshteje popullore kundër pushtuesëve theksohej se si të përfundoj lufta do të lejohet deklarimi i lirë i qytetarëve se me cilin vend do të bashkohën. Madje një ide e tillë garantohej edhe nga Karta e Atlantikut, por realiteti dëshmoj të kundërtën sepse të gjithë ata që kërkonin realizimin e idesë së tillë akuzoheshin dhe janë ndjekur si armiq të pushtetit komunist.
Burgosja dhe dënimi
Se pushtetit të ri i pëngonin personat me autoritët e në veçanti paria e Komitetit të Shestanit u dëshmu me 29.6.1945, ku OZN-a arrestoi fillimisht kryetarin e Komitetit, Lekë Perkoliqin, e dy shestanas tjerë prej Gjuraçit , Vuk Pjetër Malaj dhe Gjon Zef Malaj anëtar të Komitetit dhe i dërguan në burgun e Cetinës. Ndërsa pas disa ditësh OZN-a përsëri në Shestan arrestoi dhe i dërgoi në burgun e Cetinës edhe katër shestanas të tjerë. Të gjithë këta u mbajtën në qeli e u torturuan plot katër muaj, duke u munduar t’i bëjnë të pranonin se kanë punuar për shkëputjen e Shestanit nga Jugosllavia dhe bashkimin e tij me Shqipërinë.
Ndonëse pushteti i ri ishe civil dhe udhëhiqej nga komunistët, realisht drejtohej nga policia politike, përkatësisht sigurimi i shtetit OZNA(UDBA). Ishte pikërisht UDBA e cila kishte përgatitur aktpadinë për prokurorin publik të qarkut kundër Lekë Macit Përkolaj dhe të akuzuarëve të tjerë(nr.197/133, 31.X.1945). Pas dëgjimit të të pandehurve dhe shumë dëshmitarëve të rrejshëm, në mesin e të cilëve shquhej shqiptari Vasi Pjetrit Macit, gjegjësisht Vasilije Llukiq, i cili veten nuk e konsideronte shqiptar, më 26 maj 1946 Gjykata Popullore e Rrethit në Cetinë shpalli aktgjykimin me të cilin Lekë Perkolaj, Gjon dhe Vuk Malaj u dënuan me vdekje, ndërsa Kolë Nrekoviqi me 20 vjet burg, Palë Margjonoviqi me një vit burg, Pjetër Gjokgjuriqi me 18 muaj burg, ndërsa Gjon Vuçetiqi u lirua nga aktakuza.
Populli ishte në mbrojtje të Lekës
Duke marrë parasysh se kishte të drejtë në ankesë në këtë aktvendim, djali i Lekës Zefi për të paraqitur ankesën mbledh 280 nënshkrime nga shestanas, ljaras e muriqas e shestanas që jetojshin në Tivar dhe përgatitet për ta dërguar në gjyq në Cetinë e ata me tutje në Gjykatën Supreme në Beograd. Por, një ditë para se Zefi të shkojë në Cetinë, nga komiteti i Tivarit e ftojnë dhe e kërcënojnë se ke vepruar gabim sepse nuk duhet të mbrohet një trathtar i popullit. Ishte ky një kërcënim, ku me pas ia morën lutjen, por, Zefi kishte pasur kopje të lutjës dhe një ditë më pas shkon në gjyq në Cetinë, duke i treguar gjyqtarit për ngjarjën e ndodhur. Nga gjyqi i Cetinës lutja është dërguar në Beograd, e ata më pas e kanë dërguar në Komitet të Tivarit për të vërtetuar nënshkrimet e qytetarëve. Me të ardhë kërkesa nga Beogradi, nga komiteti i Tivarit angazhohen nga UDBA, dhe bashkëpuntorët e tyre vendas, duke friguar popullin dhe kërkuar nënshkrimin nga ana e tyre për të dënuar Lekën, ku arritën të mbledhin vetëm 20 nënshkrime(!?). Ishte kjo një dëshmi se populli ishte në mbrojtje të Lekës, se ai nuk kishte bërë krime por ka mbrojtë popullin si në Shestan dhe me gjerë. Por, gabimi i tij ishte se ka qenë shqiptar, demokrat e antikomunist dhe ndikoi në zgjimin e vetëdijës kombëtare shqiptare në këtë zonë, që ishte e pa pranueshme për pushtetin e ri.
Dhe nga një gjyq i tillë politik i dirigjuar nga OZNA në bashkëpunim me pushtetin komunist të instaluar, gjyqi la në fuqi vendimin për vdekje të cilin e realizoi me 16.9.1946, duke i pushkatuar të tre në Cetinë në vendin Bjellashka Papratina. Ishte ky vendi i kobshëm për shqiptarët sepse dy ditë më parë aty ishte pushkatuar dom Nikollë Tusha, prifti i kishës së Shën Zefit në Ulqin.
Lekë Maci Përkolaj
Rivarrimi pas 56 viteve
Ndonëse ka pasur nisma edhe më parë në lidhje mbi rivarrimin e Lekë Macit në vendlindje, deri më rënien e sistemit komunist ishte e pamundur! Por, në sajë të kërkesës së familjarëve me së fundit pas 56 viteve, pikërisht në vjeshtë të vitit 2002, u realizua rivarrimi në vendlindje në varrezat e kishës së Tuçilës në Gjuraç!
Pasojat për popullsinë e Shestanit
Vendosja e pushtetit të komunistëve në këtë mjedis dëshmoi se populli u ballafaqu me një realitet të ri të imponuar.
Shkolla shqipe e hapur në vitin 1941-44 u mbyll, duke u hapur në gjuhën serbe, njëjtë si në kohën e mbretnisë jugosllave. Se propaganda politike ishte kundër identitetit të shqiptarëve u dëshmu edhe në sajë të regjistrimit të popullsisë të mbajtur më 1948. Të dhënat e publikuara se në Shestan nga popullsia e përgjithshme prej 1461 banorëve si shqiptar janë deklaruar vetëm 6 persona, ndërsa të tjerët malazez, është dëshmi e politikës shkombëtarizuese, kundër shqiptarëve në Mal të Zi e dirigjuar nga pushteti komunist! Dhe një politikë e tillë me pas pati efektet e veta negative sepse popullsia shqiptare u asimilu në heshtje duke u deklaruar si malazeze apo kroate kryesisht në Tivar.
Pikërisht duke marrë parasysh një qendrim të tillë të pushtetit deri më tash nuk kemi dëgjuar se ndonjë person nga Shestani është shkolluar apo ka bërë emër në profesionin e tij. Ndërsa e kundërta ka ndodhë me shqiptarët në pjesën tjetër të Krajës, ku është zhvilluar arsimi në gjuhën shqipe. Nuk ka dilemë se eliminimi i parisë së Komitetit të Shestanit kishte këtë mision, ku pushteti ia ka arritur qëllimit, ku të dhënat e prezantuara në vitet më pas e dëshmojnë një konstatim të tillë!
Përfundim
Gjatë LDB (1941-1944) Shestani ishte me status të veçantë që drejtohej nga Komiteti i zonës neutrale duke qenë rast i veçantë, në viset shqiptare.
Roli i tij ishte mbrojtja e popullsisë vendore nga sulmet e ndryshme serbo-malazeze e cila nga e kaluara ka pasur përvojë të hidhur nga viti 1918-1929, si dhe mos lejimin e pranisë së çetnikëve e partizanëve në këtë mjedis. Pikërisht ky status dhe qeverisja autonome nuk është pritur mirë nga komunistët të cilët këtu nuk kanë pasur mbështetjen e tyre ideologjike. Andaj pas përfundimit të luftës u realizua plani djallëzor i tyre për të eliminuar udhëheqësit e Komitetit të Shestanit, ku pasi i burgosën iu organizuan procesin gjyqësor politik duke i dënuar me pushkatim si armiq të pushtetit komunist. Eliminimi i parisë së Shestanit pati pasoja të mëdha për popullsinë vendore që u dëshmu sidomos në procesin e asimilimit kombëtar.
(Dhjetor 2021)