Lirim Gashi, shkrimtar nga Prishtina
XHEVDET NUK LIND MË NËNA
Xhevdet Peci ishte heroi kryesor i fëmijërisë sime dhe do të mbetet gjithmonë, sepse ishte njeriu që formësoi si askush para dhe pas tij pikëpamjet e fëmijërisë sime mbi heroizmin e veçantë fisnik, që zbukuron shpirtin mashkullor shqiptar.
Ai ishte një sportist “par excellence” që fitoi zemrën time, jo vetëm me stilin e tij të pa kompromist të boksit, por veçanërisht me mënyrën e tij të sjelljes së butë, të kujdesshme dhe dashamirëse ndaj njerëzve që nuk i arrinin fizikisht as deri të thembra .
Jo vetëm kaq :
Ai gjithashtu projektoi dhe formësoi pikëpamjet e mia për karakteristikat e pakrahasueshme të burrërisë fisnike dhe të pathyeshme shqiptare, për të cilat kemi nevojë këto ditë si kurrë më parë.
Prej tij fitova vetëbesimin e nevojshëm, që më bënte të sigurt për fitoren, sa herë që përballesha me kundërshtarë serbë dhe sllavë në garat e ndryshme sportive.
Kam kaluar një vit në një shkollë ushtarake në Beograd dhe më besoni, me një goditje të vetme kam nokautuar shumë kundërshtarë serbë të shkollës, të cilët ishin fizikisht shumë më të fortë se unë.
Dhe i kam nokautuar jo pse isha Supermen, por për shkak të ndjenjës së pathyeshmërisë së burrave të vërtetë shqiptarë, që më dha Xhevdet Peci në fëmijërinë time të hershme.
Sepse “vetbesimi shpon tej e përtej bjeshkë” thotë një fjalë e urtë gjermane.
Në atë brez të artë kampionësh të padiskutueshëm dhe njerëzish të mëdhenj, për mendimin tim, Xhevdet Peci ishte i vetmi super-kampion, megjithëse nuk pati karrierë të suksesshme ndërkombëtare, jo se nuk mundi, por sepse ishte ngopur nga shovinizmi qyqarë serb, që i vendosi atij pengesa të mëdha politike dhe burokratike kudo që kishte mundësi, sepse nuk mund t’ia vënte asnjë boksier serb apo sllav jugor në ring, të cilin nuk do ta nokautonte qysh në raundin e parë.
Dhe më besoni, kjo mund të ketë qenë arsyeja kryesore pse u dashurova kokë e këmbë në dorën e tij të majtë, të artë dhe të parezistueshme, e cila i shkundte, palonte dhe ngjiste për dysheme kundërshtarët e tij serbë, si goditja e trenit.
Fjalia e tij e famshme që duhet ruajtur si një thesar i veçantë në trashëgiminë tonë letrare, kulturore e sportive ishte kjo:
“Jepne maksimumin për të fituar sa më shumë duele, vëllezër të mi të dashur, sepse nëse fitorja varet nga unë, atëherë sigurisht që nuk do ta kthej në humbje”.
Xhevdet Peci super kampioni i padiskutueshëm i ekipit të Prishtinës ishte pesë herë kampion individual dhe ekipor i boksit në ish-Jugosllavi dhe në fund mori një pension prej 90 eurosh.
Që domethënë, se për çdo titull të fituar, u shpërblye me 17 euro.
Turpi nuk është i ndryshëm nga ky që përshkrova në fjalinë e fundit.
Shqiptarët e Kosovës dhe institucionet e tyre shtetërore, si duket larg më shumë i respektojnë mashtruesit politikë dhe fetarë si Bujar Bukoshin dhe Elvis Naçin, sesa legjendat e paharrueshme të artit, kulturës dhe sportit që i zbardhën fytyrat e tyre në çdo paraqitje kudo në botë.
Turp, turp, turp.
Pusho në paqe në lulet e parajsës, më i madhi i të mëdhenjve, më i miri i të mirëve, më i guximshmi i trimave dhe më mbresëlënësi i mbresëlënësve.
Lamtumirë, Xhevdet Peci !