Lis Bukuroca, Gjermani
Guxo të mendosh drejt Me dinjitet. Jo nga interesi, por nga liria që ofron pluralizmi dhe të drejtat e njeriut—ato të drejta që disa, gjoja duke luftuar “komunizmin” e Kurtit, duan t’i anulojnë me komunizmin e tyre!
Nëse Albin Kurti qenka komunist, atëherë duhen përmendur veprat e tij “komuniste”, si ndalimi i zgjedhjeve të lira, ndalimi i partive politike apo kufizimi i pronës private. Nëse nuk ka bërë asnjërën prej tyre, si e argumenton ti atë akuzë? Apo ndoshta nuk e di se si funksionon dhe vepron sistemi komunist?
Së dyti, nëse thua se ai ka prishur marrëdhëniet me Amerikën dhe Perëndimin, atëherë ji konkret dhe kundërshto me fakte.
Ki guximin të kërkosh: Kërko, burrë i dheut, themelimin e Asociacionit, ashtu siç e kërkojnë SHBA-ja dhe BE-ja!
Ashtu siç e kanë pranuar dhe votuar në Kuvend PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe! Mos u tut! Ki guxim të kërkosh distancimin e Lumir Abdixhikut nga Isa Mustafa, i cili ka shkaktuar dëme të mëdha në LDK dhe me Asociacionin e tij ka shkelur 23 herë Kushtetutën, si dhe nga Bedri Hamza, distancim nga “Pronto“! Sepse votuesi ka frikë nga vazhdimi i politikës së kaluar.
Nëse beson se Kurti paska dëmtuar raportet me Perëndimin, merr guximin dhe thuaj:
• Nuk duhej ndaluar dinari serb! Duhet kthyer! Thuaje!
• Nuk duhej ndaluar targat serbe! Duhet kthyer ato! Ki guxim, burrë i dheut! Mos u tut!
• Nuk duhej mbyllur administrata dhe postat e shtetit serb! Kërko kthimin e tyre!
• Nuk duhej vrarë asnjë terrorist serb! Përshëndete faktin që u lejua ikja e tyre, si askund në botë, dhe që Serbia nuk ka arrestuar asnjë prej tyre! Sa herë je ankuar për këtë? Ose ki guxim dhe përshëndete!
• Nuk duhej burgosur kriminelët serbë! Merr guxim dhe kundërshto arrestimet!
Ji i qartë dhe i saktë, mos u fshih pas etiketimeve dhe paragjykimeve! Lëri mënjanë obsesionet për “komunizmin” e Kurtit dhe mos përdor fjalë vulgare – ndryshe nuk do të dallohesh nga një njeri i paarsimuar.
Ofendimi është dhunë verbale. Dhuna verbale nuk është e drejtë e askujt! Mos e bëj! Debato me argumente, me fakte, jo me paragjykime dhe emocione. Vetëm kështu mund të ndihmosh Kosovën, jo duke u fshehur pas propagandës tendecioze, ose fitimprurëse.
Ti e quan veten intelektual. Atëherë, sillu dhe shkruaj si intelektual! Pse kaq shumë urrejtje ndaj atyre që mbështesin Kurtin?
Kush të jep ty të drejtën t’i quash ata të sëmurë?
Pse lufton pluralizmin e ideve dhe partive me një logjikë tipike komuniste: “mik” dhe “armik”? Ku e merr ti të drejtën të vendosësh se si duhet të mendojë tjetri? Pse nuk e sheh se të menduarit tend është tipik për një mentalitet që censuron lirinë e mendimit dhe përdor dhunë verbale për të shtypur çdo mendim të kundërt? A nuk është ky një model i një sistemi që kundërshton gjithçka që është e ndryshme dhe e lirë?
Pse nuk e vëren komunizmin që ke në shpirt?
Guxo të shohësh drejt, prandaj kërko nga Kurti që të dërgojë draft-statutin në Gjykatën Kushtetuese dhe të themelojë Asociacionin! Ki guxim të jesh konkret, korrekt, jo ofendues. Mos u fshih pas retorikës boshe dhe mos mendo se, duke e quajtur dikë tradhtar, fsheh apo legjitimon veprimtarinë tënde. Pikërisht në atë lehtësi për të shpallur të tjerët tradhtarë, fshihen komplekset, tuta apo tradhtia jote.
Argumento me fakte, mbështetu në ligje dhe veprime konkrete, sepse vetëm kështu mund të ndihmosh në zhvillimin dhe stabilitetin e Kosovës. E quan Kurtin komunist për ta bërë sa më të urryer tek amerikanët? Pushteti komunist ka disa karakteristika që e dallojnë nga sistemet e tjera politike dhe ekonomike.
Ti, që e quan veten intelektual, më thuaj cilat nga këto ekzistojnë sot në Kosovë:
1. Në komunizëm, shteti ka kontroll të plotë mbi ekonominë (mbi tokën, fabrikat, bankat, tregtinë etj.).
A e ka ndaluar Kurti pronën private?
Nëse jo, si e argumenton akuzën për komunizëm? Apo të mungojnë argumentet dhe mjafton një fjalë që e tmerron Grenellin e Trumpin?
2. Në komunizëm ka censurë.
A ndalohen në Kosovë libra, gazeta, filma, arti?
Nëse jo, ku e bazon akuzën tënde?
3. Në komunizëm shtypen dhe arrestohen kundërshtarët politikë. Sa burgje politike ka Kosova? Sa opozitarë ka burgosur Kurti? Nëse asnjë, pse e quan komunist dhe enverist?
4. Në komunizëm bëhet kolektivizimi i industrisë dhe zhduket prona private. A ka pronë private në Kosovë? Nëse po, ku e gjen komunizmin e Kurtit?
5. Komunizmi ka ideologji marksiste-leniniste, përdor arsimin për indoktrinim dhe ndalon fenë. A ndodh kjo në Kosovë? Nëse jo, pse e quan Kurtin komunist? Për të trishtuar Trumpin? Për të nxitur Grenellin? Për ta lehtësuar urrejtjen amerikane ndaj Kurtit?!
6. Komunizmi ndalon liritë dhe të drejtat individuale.
Me cilin ligj e ka bërë këtë Kurti?
Shtetet komuniste kontrollojnë lirinë e fjalës, shtypit, besimit dhe organizimit politik. A ndodh kjo në Kosovë?
Nëse në Kosovë ka opozitë të lirë, pronë private dhe liri ekonomike, si e arsyeton këtë etiketim për Kurtin?
Apo thjesht po e përdor për ta bërë të urryeshëm tek amerikanët? Kur shoh se kush e lufton me zjarr Kurtin dhe me çfarë argumentesh, kuptoj se pas tyre fshihen interesa të tjera. Zgjidhjet për Kosovën Kosova nuk mund të presë më empati si në kohën e Rugovës. Ajo kohë ka marrë fund dhe tani gjithçka shihet përmes interesave gjeopolitike. Katër vitet e fundit e kanë dëshmuar këtë. Prandaj, mendoj se ekzistojnë këto mundësi:
1. Nëse Asociacioni u dashka pranuar, atëherë duhet të kërkohet i njëjti draft-statut edhe për Luginën e Preshevës. (Sipas Daçiqit e pat refuzuar Thaçi)!
2. Nëse na detyrojnë duke përjashtuar Luginën, atëherë të kërkohet anëtarësimi i menjëhrrshëm në NATO!
3. Nëse as kjo nuk ndodh, mund të shqyrtohet ndryshimi i kufijve: Lugina brenda, serbët e veriut jashtë, dhe kështu do të stabilizohej shteti.
4. Nëse asnjë nga këto opsione, atëherë do të kemi status quo dhe ngrirje të konfliktit, me dëmtim reciprok të Kosovës dhe Serbisë. Këto janë mundëditë reale. Prandaj, kur të debatosh, debato me fakte, jo me etiketime. Debato për të ndihmuar Kosovën, jo për t’i dhuruar Grenellit më shumë arsye për ta dëmtuar atë. Grenelli është lobist serb dhe këtë e di kushdo që e kupton politikën ndërkombëtare. A ka prova të shkruara? Jo, sepse shërbimet sekrete nuk paguajnë në televizion, as me transfere bankare. As me kontrata! Dhe asnjë person i paguar nuk do ta pranojë hapur këtë fakt!
Dušan Janjiq nuk gënjen! Është një realitet që shpesh mbetet i fshehur, ku provat mund të jenë të vështira për t’u gjetur, por ndikimi dhe rezultatet e tij janë të dukshme në politikë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Edhe disa vendime të politikanëve kosovarë në favor të Serbisë janë të dukshme, por as ata nuk pranojnë se duhej të vepronin si i konvenonte Serbisë! Si Asociacioni për shembull…
Kosova ka nevojë për një koalicion të madh, një koalicion që të arrijë të përmbyllë konfliktin me Serbinë dhe të përgatisë Kosovën për anëtarësim në NATO dhe BE. Ky koalicion duhet të ringjallë shtetin, të forcojë institucionet dhe të RIKRIJOJË strukturat e Prokurorisë dhe Gjykatave për të siguruar një sundim ligji të fortë dhe funksional. Vetëm duke ndërtuar një shtet ligjor, duke zgjidhur mospajtimet me Serbinë dhe duke integruar Kosovën në strukturat ndërkombëtare, mund të sigurohet një e ardhme e qëndrueshme dhe e sigurt për popullin e Kosovë. Tani i mbetet popullit të marrë vendime. I ka përjetuar të gjitha partitë dhe le të vendosë se çfarë meriton!
Unë nuk do të habitem me votën e askujt.
Është liri dhe e drejtë e çdo njeriu që e do demokracinë dhe që nuk e dëshiron diktaturën komuniste…
A eshte Albini komunist – pyet z. Bukuroca.
Albini eshte i majte dhe fare nuk ka te beje me nje te majte social demokrate, ashtu sic jane te majtat ne Perendim. Ai me shume anon kah e majta e Qavezit apo e Cegevares. A ka prirje Albini per diktature. Sigurisht qe ka, por fatmiresisht jemi ne Europe dhe tek ne mbizoteron tjeter klimë politike. Eshte shume me veshtire ketu te behesh diktator se sa ne Ameriken e Jugut, Afrike apo Azi. Per aq sa mundet Albini mundohet te beje disa kufizime. Te marrim si shembull mediat. Ai non-stop i sulmon mediat. lincon mediat, stigmatizon mediat , ben presion ndaj mediave, mundohet edhe te mbylle media ( rasti me Klan Kosoven), shpalle te pavlerë mediat etj. etj. Ai nuk heziton edhe te survejojë gazetare me ane te AKI. Per te eshte normale qe ne makina te gazetareve te vendosë GPS, perseri me ndihmen e AKI. Te mos harroj te permendi qe gjate qeverisjes se tij ne AKI u punesuan dhjetera punetore ( militante) te Kurtit. Pra per Albinin vlen ajo thenja qe e verteta vjen nga partia shtet. Ajo eshte e verteta absolute .
Te gjitha sukseset e Kurtit qe i permend z. Bukuroca jane suksese afatshkurtera. Kjo do te thot qe situata, heret apo vone do te kthehet ne fillim. Por atehere do te jemi shume me te hendikepuar se sa qe ishim me pare. Atehere kishim miq, tani jemi te vetem, si qyqe. Ne nuk mund te ekzistojme pa miq. Me ta edhe po e kemi te veshtire perballjen me serbet, po te vetem nuk kemi shancë.
E meta me e madhe e Albinit eshte qe politiken e ben me inate. Ai duhet ta kuptoje qe ne politike vlen ai parimi “terhiq e mos keput”. Nese keputet peri, kthim prapa nuk ka. Edhe nese do te kete kthim prapa, ai kthim do te jete shume me i veshtire per ne.