ARKIVI:
23 Nëntor 2024

Lufta e Dardanës e vitit 1389, midis mitit dhe realitetit

Shkrime relevante

Harbutëria e “analistëve” ndaj mërgatës sonë nëpër botë

Afrim Caka, Gjakovë SYTË TANË S'JANË SI MË PARË!!! Eh ç'ju raskapit shpirti...

Presidentja Vjosa Osmani në vizitë pune në Kanada-përfaqëson Kosovën në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë...

Përkrahësja e madhe e kauzës Shqiptare, Edhit Durhami, përkujtim në 80 vjetorin e vdekjes

Edith Durham 1863-1944 Nail Draga, Ulqin Nga të dhënat e njohura  deri tash...

Prezantohet Fjalori i Madh për Gjuhën Shqipe, Gjinushi: U hartua nga 55 bashkautorë e 25 hartues

Nga Marseda Qefalia 22/11/2024 TIRANË, 22 nëntor /ATSH/ Në ditën e dytë të Kuvendit...

Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Nga edlira.ruzi 22/11/2024 TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë...

Shpërndaj

Jusuf BUXHOVI, shkrimtar dhe historian nga Prishtina
___
Sipas shumë burimeve historike, Beteja e Dardanës filloi më 15 qershor të vitit 1389 dhe përfundoi po atë ditë, diku në orët e mbrëmjes me humbjen e forcave të lidhjes së krishterë ilirike. Por, ka edhe të dhëna të tjera që atë e shohin më 19 qershor e deri te ato që e lidhin me datën 28 dhe 29 qershor. Mospërputhja në datë ka të bëjë me pranimin nga ana e Serbëve të Kalendarit gregorian më vonë se Europa; për Osmanët data është 19 Jumada II 791, pra 15 qershor 1389. Edhe përkundër kësaj dallimet vazhdojnë. Kështu, K. Frashëri përmend datën 27 qershor ndërkohë që edhe një pjesë e mirë e historiografisë serbe përmend datën 27 dhe 28 qershor.
Në betejë gjetën vdekjen Sulltan Murati I, që thuhet se u vra nga Milesh Kopili, një fisnik dardan, nga Sllavët i quajtur Milloš, fillimisht Kobilić, ndërsa më vonë Obilić. Mileshi ishte dhëndër i princit Llazar, dukuri kjo e njohur e martesave në rrethanat mesjetare midis familjeve feudale. Vdekjen e gjeti edhe Llazari, pasi që ishte zënë rob lufte. I njëjti fat e gjet edhe Milesh Kopilin, i cili diku në shekullin XIX, kur do të ndërtohet miti i Kosovës për qëllime hegjemoniste serbe, do të kremtohet “hero nacional serb”. Ndërkohë që shqiptarët, duke u mbështetur mbi vazhdimësinë historike të etnisë së tyre në këto pjesë nga antikiteti e këndej, do ta trajtojnë “të tyre”.
Nga prijësit Arbërorë në betejë mbeti edhe Muzaka. Po atë ditë, sulltanin e vrarë, e zëvendësoi i biri, Bajaziti I, i njohur me nofkën “Jëlldërëm” (Rrufeja).
Edhe pse nga këndvështrimi i fakteve historike kjo luftë mbetet me shumë të panjohura, veçmas për nga përmasat e njëmendta (shumë e shumë më të ngushta nga ato të përshkrimeve të shfaqura në shekullin XIX), dhe rolit të faktorëve vendor në të (jashtë ndonjë aleance të gjerë ushtarake, të shumtën me njësi vullnetarësh), megjithatë disa të dhëna për ato që solli kjo luftë, tregojnë se Osmanët kaluan në një fazë të re të konsolidimit të pushtimeve në Ilirik, duke krijuar parakushte për pushtimet e mëtutjeshme në drejtim të qendrës së Europës. Kështu, nga këto burime bëhet e ditur se Bajaziti, pasi që i theu forcat e lidhjes së krishterë, nuk u tregua ndëshkues ndaj humbësve, siç pritej. Përkundrazi, bëri vasal Vuk Brankoviqin, feudalin nga Dardania, për të cilin disa burime thonë se i iku betejës, pse gjoja kishte disa mospajtime me vjehrrin e të ngjashme të krijuara nga në shekullin XIX nga historiografia serbe për qëllime hegjemoniste me të cilat bëhet përpjekje të vazhdueshme që tribalët dhe arbrit e përkatësisë ortodokse t’i konvertojë në serbë, me çka gjoja “tradhtia e dhëndrit” bëhet shkas i humbjes deri te kremtimi në vasal “të armikut”, gjë që kjo për një serb “të njëmendët” nuk mund të thuhet.
Duke u thirrur në burime nga fusha e folklorit dhe pa argumente të mjaftueshme historike, të cilat mund të gjenden pikërisht te çmitizimi i kësaj lufte me anën e trajtimit shkencor të faktorëve të gjithmbarshëm etnik dhe shoqëror e politik të kohës në përputhje me rrethanat që sollën te agonia e Bizantit dhe fuqizimi i osmanëve e të tjera të kësaj natyre, edhe disa studiues shqiptarë, duke u mbështetur mbi faktorin e etnosit autokton me vazhdimësi dardane, mbrojnë qëndrimin për përkatësinë dardane-arbërore të Milesh Kopilit dhe të tjerëve si një vetëdije autoktone të një etnie të përbashkët, qoftë ortodokse ose katolike në kuadër të përkatësisë së krishterë, e cila shfaqet në shekullin XIX.
Pavarësisht kundrimeve të ndryshme, rreth përkatësisë se atyre që epika historike e njërit apo tjetrit popull do t’i shfrytëzojë si mite në shërbim të kujtesës historike dhe kthimit të saj në një frymëzues të vetëdijes nacionale, siç ishte ajo e shekullit XIX e mbrapa, megjithatë, mund të thuhet se ndeshja kyçe historike midis të krishterëve të Ilirikut dhe Osmanëve, gjatë qershorit të vitit 1389 apo aty diku afër, pa marrë parasysh përmasave të saj të njëmendta dhe mitizimeve që e kanë përcjellë për qëllime të caktuara, pra gjithsesi se duhej të ndodhte në Dardani, ngaqë ajo ishte përcaktuese për ecurinë e mëtutjeshme të pushtimeve osmane në Europë, në një hapësirë gjeografike, e cila, nga antikiteti shfaqej nyje prej nga mbikëqyrej hapësira euro-aziatike. Ndaj, një perandori, që pretendonte të arrinte përmasat botërore, siç ishte asokohe ajo osmane, duhej të vendosej aty, siç kishte ndodhur edhe me fatin e perandorive paraprake dhe të ndarjes së krishterimit madje.
Rreth Betejës së Dardanës ( betejës së Kosovës në historiografinë sllave dhe europiane) dhe rëndësisë së saj ka vlerësime të ndryshme shpesh kundërthënëse: nga ato që e zmadhojnë (“Kjo fitore e stabilizoi fuqishëm sundimin e turqve në Ilirik” – Inalxhik, H: “Perandoria Osmane”, Shkup 2010; ose: “Beteja që do të vendosë për pesë shekuj fatin e Gadishullit Ilirikut” – Miller, William; “The Balkans ) e deri te ato që e zvogëlojnë fare, siç janë vlerësimet e historianit rumun Jorga kur thotë se “1389-a nuk pati qenë veçse një incident i stërmadhuar prej legjendës” . Zmadhimit të namit të kësaj beteje jashtë çdo mase gjithsesi se i kanë ndihmuar disa nga kronikanët osmanë, duke filluar nga bejtet e e Ahmeditut të shekullit XV “Kuajt çapiteshin mbi kufomat që ishin kat-e-kat mbi njëri tjetrin” (shih te Ahmedi: “Dastan ve Tevarih”, 50 ) si dhe kronikat e Shukurullahut, për të cilat Pulaha thotë se “Shukurullahu dhe të gjithë kronikët osmanë pas tij, me qëllim që të rrisin sa më shumë fitoren e turqve osmanlinj në Kosovë më 1389, thonë se koalicionin e feudalëve të Ilirikut morën pjesë edhe vëllehët, çekët, hungarezët, Bullgarët e venedikasit. Në të vërtetë ky pohim është i gabuar, sepse në këtë koalicion morën pjesë vetëm sllavët, boshnjakët dhe Shqiptarët”. Për Pulahën të ekzagjeruara janë gjithashtu edhe shifrat që japin këta për ushtrinë e koalicionit. (Shih “Lufta shqiptaro-turke”, 31 shën.10).
Andaj, ngritje e Osmanëve drejt Perëndimit, ishte e natyrshme të fillonte në kurriz të të krishterëve të Ilirikut, por njëherësh edhe me ndihmën e tyre, që ndonëse qenë të parët që do t’i kundërvihen (në luftën e Maricës e pastaj në Fushë-Dardani), pas humbjes në këtë të fundit, do të kthehen në vasalë të osmanëve, gjendje kjo që do t’i ndihmojë forcimit dhe shtrirjes së pushtimeve të tyre drejt botës perëndimore.
Ndër këta ndihmës, të parët dhe më të dobishmit për sulltanët ishin pikërisht Rasianët, të cilët fazën e fundit të dobësimit dhe të shthurjes së Bizantit e shfrytëzuan për t’u forcuar në kurriz të tij. Me ta do të lidhen aleancat më të qëndrueshme, të cilat nga koha e Bajazitit I e këndej, të shumtën, do të shkojnë në dëm të të krishterëve të Ilirikut, por edhe të krishterimit katolik në përgjithësi.
Ç’është e vërteta, lidhjet e Rasianëve me Osmanët kishin filluar më herët. Kjo tumir vlerësimin se historia e ekspansionit osman në Ilirik ishte një histori e bashkëpunimit të tyre me të krishterët e ritit ortodoks, që mbështetej mbi shëmbëllesën e perandorëve bizantinë (Kantakuzeninit) si dhe përvojën e tyre me Osmanët në pjesët lindore të Perandorisë nga fillimet e shekullit XIII e këndej, që ua hapën rrugën pushtimeve të tyre të mëtejshme që u dinamizuan nga fillimet e shekullit XIV e deri në atë XV. Kështu, njësitë turke të mercenarëve në këto pjesë shfrytëzohen nga despoti rasian Millutin, duke i përdorur kundër ushtrisë bizantine. Disa burime flasin për rreth njëmijë e pesëqind ushtarë turq të fisit kuman që u vendosën në Rashë.
(Më gjerësisht rreth mercenarëve osmanë në shërbim të despotit Millutin shih: Oikonomides, N: “The Turks in Europe 1300-1315 and the Serbs in Asia Minor 1313”, faqe 159-62 në E. Zachariadou, bot, “The Ottoman Emirate 1300-1389”, 1993; Jireček, C: “Staat und Gesellschaft in mittelalterischen Serbien”II, faqe 58).
Përvojën e përdorimit të mercenarëve turq do ta shfrytëzojë edhe Stefan Dushani. Bëhet e ditur se Dushani kishte disa njësi kumanësh në ushtrinë e tij, me anën e të cilave bënte hesapë ta fitonte “kurorën” e Bizantit. Kjo nuk do të ishte jashtë një hesapi me Osmanët, të cilët mund të kishin interesa që në planet e tyre për të depërtuar këndej drejt zemër së Europës të fusnin në lojë lojtarë të përdorshëm, por të rëndësishëm njëherësh, siç ishin Rasianët, të njohur për veprime të tilla. (Shih: Malcolm, Noel: “Kosova një histori e shkurtër”, Prishtinë 2001, faqe 61; Mavramitis, L: “La Fondaton de l’empire serbe: le kralj Milutin”, Salonica 1978; faqe 72, Jireček, C:”Staat und Gesellschaft in mittelaterischen Serbien”, I, faqe 78).
Madje, disa burime të vonshme flasin për paralojën e atij hesapi, me të cilin duhej të ndikohej edhe në epilogun e Betejës së Dardanisë, ose një të ngjashme që do të kishte ndodhur para ose pas, në dobi të Osmanëve, që pastaj të përfitohet prej saj me lidhjen e një marrëveshjeje paqësore me Osmanët, me ç’rast, gjithnjë nën ombrellën Rasiane me të cilën do të zëvendësohet ajo e Bizantit, princat ortodoksë të Ilirikut, në përbërje të Perandorisë Osmane, do të mund t’i ruanin disa nga privilegjet e tyre, pa çarë kokën se çfarë do të bëhej me vendet katolike.
(Rreth lidhjeve të Rasianëve tribalë me Osmanët para se të kenë filluar konfrontimet ushtarake me ta, por që do të vazhdojnë edhe pas betejës së Fushës së Dardanës, shih autorët e shumtë, ndër të cilët Jozef von Hamer: “Geschichte des Osmanischen Reiches”, 1827; Zinkesen J. W: “Geschichte des osmanischen Reiches in Europa”, Hamburg-Gota 1840-1863; Jorga, N: “Geschihte des osmanischen Reiches”, Gotha 1908-13; Dölger F:“Regester der Kaiserurkunden des oströmischen Reiches von 565-1453”, München-Berlin, 1965; Babinger, F: ”Geschihtsschreiber der Osmannen und ihre Werke”, Leipzig 1927; Forretr, L:”Handschriften osmanishscher Historiker in Instambul”;Ferjanočić B-Maksimovič, Lj: “Vizantijci i turci u vreme Kosovske bitke”, 1957;Новакович, С: “Срби и Турци XIV и XV века“, Београд, 1960;Malcolm, Noel: “Kosova një histori e shkurtër”, Prishtinë 2002, faqe 63-69; Bastov,S: “Die Türkischen Quellen des Laonikos Chalkandyrles”, München 1960, faqe 34-42; Chalcocondylae, Leonici: “Historarum Demonstrationes” I, Budapestini, 1922 dhe të tjerë, që hapjes së kësaj teze si dhe mbrojtjes së saj do t’i referohen me sjelljen e të birit të Lazarit, despotit Stefan, i cili qe ndër të parët që pranoi vasalitetin e Sulltanit dhe madje me ushtritë e tij mori pjesë në betejat e ardhshme të Osmanëve kundër Hungarezëve dhe Polakëve. Ngjashëm do të shfrytëzohet edhe sjellja e Gjurad Brankoviqit kur do të sabotojë Betejën e Dytë të Dardanës, siç do të shfrytëzohet më vonë edhe sjellja e Kraleviq Markut).
Para historisë nuk mund të fshihet as fakti se po në betejën e Dardanës, forcat e një bujari rasian, të quajtur Dejanoviq, luftuan në anën e Osmanëve, siç pati edhe shumë vllahë nga principata e tij në anën e Osmanëve, praninë e të cilëve e vërtetojnë edhe burimet osmane.
Nga kjo sjellje mund të nxirret përfundimi se te Osmanët, feudalët dhe despotët ortodoksë dhe të tjerët që i takonin kësaj vetëdije, të përfshirë në luftëra të vazhdueshme me katolikët gjatë shekullit të fundit, jo rastësisht, shihnin “shpëtimtarin” e vetëm që mund t’i mbronte “nga rreziku katolik”, i cili nuk reshte së vepruari kundër tyre.(Më gjerësisht shih te Pulaha: “Lufta shqiptare-turke” dëshmitë e Neshrit dhe të tjerëve, faqe 55, 76,93; Babinger, F: “Die Geschihtschreiber der Osmanen und Ihre Werke”, leipzig 1927).
Pa marrë parasysh ato që do ta përcjellin disfatën e të krishterëve të Ilirikut në Dardani, gjatë asaj beteje të stërmadhuar deri te përmasat e mitit në shekullin XIX, që gjithsesi ka ndodhë, sjellja e Bajazitit ndaj të krishterëve të Ilirikut (Tribalëve rasianë, Bullgarëve, Rumunëve, Arbërve, Sllavëve, Grekëve dhe të tjerëve), tregon fare qartë se ai ishte i përqendruar te ata që ta shfrytëzonte forcën e tyre për vete, si kufi ndarës me Hungarinë. Kështu, Bajaziti, e ndiente si nevojë të domosdoshme që në Ilirik, në pjesën më vitale, të ketë një aleat në politikën e tij aktive ushtarake, në kohën kur synonte principatat selxhuke-turke në Azinë e Vogël, stabiliteti i të cilave po ashtu ishte i rëndësishëm, për t’u përqendruar në drejtim të Perëndimit.(Gjerësisht shih te Pulaha: “Lufta shqiptare-turke” dëshmitë e Neshrit dhe të tjerëve, faqe 55, 76,93; Babinger, F: “Die Geschihtschreiber der Osmanen und Ihre Werke”, leipzig 1927.
Për këtë Bajaziti I u pajtua që të dy djemtë e princit tribal Lazarit, i cili u pre nga shpata e tij, të jenë udhëheqës të principatës rasiane dhe të sundojnë sipas ligjeve, traditave dhe zakoneve të tyre. Mirëpo ata detyroheshin t’i nënshtroheshin atij dhe të paguanin xhizjen (taksën e caktuar ndaj shtetit osman) dhe të kishin një numër të caktuar ushtarësh, në njësi të veçantë, që do të merrnin pjesë së bashku me ta (Osmanët) në Harujë. Sulltani, po ashtu u martua me vajzën e princit Lazar, Oliverën, e quajtur edhe Despina.
Kjo krushqi u bë me miratimin e patriarkut dhe të klerit ortodoks dhe u dërgua në haremin e madh në Brusë, ku takoi bashkëshorte të panumërta me prejardhje fisnike, greke, franke dhe selxhuke.
(Shih:Jiriček, Konstantin: “Historia e Serbëve“, pjesa e dytë, Tiranë, 2010, faqe 153.)
Stefani dhe Vuku u detyruan të paraqiteshin çdo vit në oborrin e Bajazitit dhe t’i shkonin në ndihmë me ushtri sa herë t’u kërkohej, siç bënin despot Konstantini, despoti Esau i Janinës, Angeli i Thesalisë dhe bashkëperandori i Bizantit, Manuel Paleologu.
Burimet e kohës bëjnë të ditur se Zigismundi i Hungarisë një pjesë të mirë të forcave të veta i kishte mobilizuar që të mbrohej nga “ekskursionet” e herëpashershme të trupave osmane dhe rasiane, të cilat bashkërisht vepronin në pjesët kufitare. Bëhet e ditur se në vitin 1390, Pani i Severinit dhe Magjistari Ladislav zunë plaçkë në Branicevë flamurë osmanë dhe rasianë.
Sjellje të ngjashme zuri të tregonte edhe Vuk Brankoviqi, zotërimet e të cilit shtriheshin në pjesën nga Zveçani, Prishtina e deri në Shkup, gjë që nuk është e rastësishme që në burimet folklorike shqiptare njihet Ujkan, ndërsa në ato osmane (defterët Vlk), që i përgjigjet trajtës shqipe Uk-Ujkan. Pasi që nga Raguza të ketë kërkuar azil për veten, gruan Mara dhe tre djemtë (Gjuradin, Gjergjin dhe Lazarin, në rast se “do ta dëbonin Hungarezët ose Turqit apo dikush tjetër” dhe do t’i jepet në maj të vitit 1390), Brankoviqi ua dorëzoi Shkupin Osmanëve, si dhe Zveçanin, Prizrenin dhe një pjesë të mirë të zotërimeve në këto anë. (Shih:“Acta Albaniae, II, 467, burime II, nr 131; Da Lezze: “Historia turchesca”, f.8; Jireček, K: “Historia e Serbëve“, faqe 155.)
Kështu, qyteti i vjetër dardan, që vetëm para dy brezash kishe qenë pikënisje e pushtimeve rasiane në Dardani dhe Maqedoni, u bë një mbështetje kryesore e pushtimeve osmane kundër Veriut, por edhe Jugut.
Në këtë rrugë, më 1394, Osmanët u morën Gropajve Ohrin. Rrënuan thuajse të gjitha kështjellat që mbanin ata në këto anë (të Strugës, të Pogradecit e të Starovës). Osmanët u sollën kështu edhe gjatë pushtimit të Janinës, të Korçës dhe të Përmetit.
Edhe pushtimet e tyre në Veri (nga Zveçani për në Shkodër e Ulqin, pastaj për në Dejë e Krujë), ndoqën thuajse të njëjtën mënyrë veprimi, por këtu Osmanët kishin parasysh ruajtjen e pasurive (minierave), të cilat duhej t’i shfrytëzonin për nevojat e tyre. Në kështjellën e Zveçanit, u vendos një “kefali” turk, ndërsa në minierën e hekurit në periferi të Rashës, u emërua kadiu i parë që ta mbikëqyrte dhe drejtonte atë.
Megjithatë, pushtimet osmane në Veri nuk kaluan pa vështirësi dhe pa konfrontime ushtarake, gjë që nuk kishte ndodhur në pjesët që zotëronte Vuku, për të cilin, siç u tha më herët kishte lidhur vasalitet me Osmanët për të ruajtur zotërimet e tij në Dardani, por edhe pse fitonte peshë shumë më të madhe seç e kishte nën mbikëqyrjen e Rasianëve, sado që ky hesap nuk do t’i dalë, pasi që Osmanët për arsye të njohura që lidheshin me organizimin e pushtetit perandorak në pjesët e pushtuara, vendosën që nga vitit 1420 t’i shuanin që të gjitha lidhjet e tilla vasale në këtë pjesë. (Shih: Fine: “Late Medival Balkans”, faqe 411-12; Čirković:“Kosovo u srednjem veku“, faqe 45; Babinger, F: „Die Geshichtschreiber der Osmanen und ihre Werke“, Leipzig 1927; Enmmert, T.A: „Serbian Golgotha: Kosovo, 1389“, New York, 1990).
Kështu, Osmanët u desh të konfrontohen me Balshajt para se ta merrnin Ulqinin, ku ata kishin rezidencën e tyre si dhe Shkodrën. Bëhet e ditur se në vitin 1391 Gjergj Balsha kërkoi mbështetje nga Papa Bonifici IX, por kjo nuk i ndihmoi shumë. Meqë kishte rënë peng në duart e Bajazitit, do të lirohet një vit pasi që ai ta dorëzojë Shkodrën, Drishtin dhe portin e Shëngjinit. (Shih: Hamer, Jozef von: “ Geschichte des Osmanischen Reiches”, vëllimi II, faqe 175 dhe 183; Gelcich, Giuseppe: “Zeta dhe dinastia e Balshajve”, Tiranë 2009, f.179-181).
Fisniku tjetër, Dimitër Jonina, nuk ndoqi rrugën e Balshës. Pranoi vasalitetin osman dhe kështu ia doli të ruante zotërimet e tij midis Shkodrës dhe Durrësit, të cilat, për pushtuesit e rinj, kishin një rëndësi të madhe.
Krahas Gjergj Balshës, që u detyrua dhunshëm të pranonte vasalitetin dhe Jonimës, i cili nëpërmes tij ruajti zotërimet e veta, ishin Dukagjinët (vëllezërit Progon dhe Tanush), të cilët, në verën e vitit 1393, Lezhën ia dorëzuan një admirali venedikas, i cili vendosjes së Osmanëve në Bunë, iu përgjigj me pushtimin e grykëderdhjes së Drinit.
Kjo do të zgjasë deri në vitin 1402, kur pushtimet osmane në vendet e Arbrit ndalen për dhjetë vjet. Shkas për këtë ishte beteja e Ankarasë e atij viti, me ç’rast trupat osmane pësuan disfatë të thellë nga ushtritë mongole të udhëhequra nga Timurlengu. Në këtë betejë, me Bajazitin ishin edhe vëllezërit Stefan dhe Vuk Lazareviq dhe nipërit e tyre, vëllezërit Brankoviq, vasal të sulltanit. (Shih: Chalconcandylae, Leonici: “Historiarum Demonstrationes”, ed. S. Darko, Budapestini, 1922; Giese, F: “Die Altosmanischen Anonymen Chroniken”, II, Leipzig 1925; Kandić, J: “Despot Stefan Lazarević i turci“, Beograd, 1982 Inhalxhik, Halil: “Perandoria Osmane – periudha klasike 1300-1600”, Shkup, 2010).
Pas vdekjes së Bajazitit I sapo i kthyer nga robëria njëvjeçare nga Timuri në Aksheher të Frigjisë së vjetër, për një dekadë të tërë Osmanët u përfshinë në një luftë të brendshme për fron të të bijve të sulltanit. Në atë luftë u përfshinë edhe vasalët e tyre: Lazareviqët në anën e Musait, ndërsa Brankoviqë në anën e Mehmetit I me nofkën “kyrishxhi” (mundësi), i cili nga Azia do t’i drejtohet pjesës europiane të Perandorisë, ku edhe do të dalë fitimtar, pasi që do ta vrasë vëllanë, Musanë në betejën Filipojës në korrik të vitit 1413.
(Shih: Inhalxhik, Halil: “Perandoria Osmane – periudha klasike 1300-1600”, Shkup, 2010).
Nën drejtimin e Mehmetit I (1413-1421), Osmanët sërish iu kthyen Ilirikut për të vazhduar ku kishte mbetur Bajaziti I. Mehmeti I, i këshilluar nga ndihmësit e tij kryesorë në Ilirik, Brankoviqët dhe feudalët tjerë ortodoksë, që e ndiqnin atë, e kishte të qartë se vendet e Arbrit duhej paqësuar në tërësi, meqë ato kishin një pozitë të rëndësishme për krijimin e kohezionit të brendshëm antiosman në Ilirik siç kishin edhe aftësi dhe prirje për lidhje me perëndimorët, me të cilët mund të lidhnin aleanca për t’u kthyer në mbështetës të tyre në këtë pjesë. Kjo, Osmanëve, do t’ua rrezikonte qëllimet që kishin drejt Europës Qendrore.
Se disa nga Arbrit ishin në gjendje që gjërat t’i ndryshonin ashtu që të mos u shkonin përshtati Osmanëve, kjo tashmë ishte parë gjatë dekadës së krizës që kishte përfshirë Osmanët pas humbjes nga Timurlengu, kur ata kishin filluar t’i zgjeronin feudet e tyre, siç ishte rasti i Niketas Thopias, i cili, pas fundit tragjik të Konstantin Balshës, kishte vënë në zotërim pronat e tij, që si vasal i venedikasve zotëronte Krujën (1402-1415). Po ashtu në Mat, shfaqej feudali Gjon Kastrioti, i cili ia kishte dalë që brenda një kohe të shkurtër të bëhej zot i tokave nga kepi i Rodit në Durrës, Lezha dhe Shkodra si dhe të mbikëqyrte rrugët për në Prizren dhe Shkup. Si qytetar i Venedikut dhe Raguzës, si shumica e fisnikëve dhe feudalëve Arbërorë të Veriut, Gjon Kastrioti, lëkundej midis dy kishave, asaj katolike dhe ortodokse, me të cilat mbante lidhje të mira. Kështu, krahas mbështetjes klerikëve dhe abacive katolike, njëherësh me dhurata mbulonte edhe manastiret e Hilandarit me të cilin kishte edhe lidhje të hershme.(Shih: Jireček, Konstantin: “Historia e Serbëve“, libri i dytë, Tiranë, 2010, faqe 173.)
Gjon Kastrioti, në fillim ishte vasal i Venedikut, por shpejt iu desh t’u nënshtrohej Osmanëve (1410), të cilët, sapo iu kthyen Ilirikut, vunë në shënjestër princat arbërorë dhe lidhjet e tyre me Venedikasit dhe Perëndimin. Kështu, Mehmeti I, duke ruajtur aleancën me princat ortodoksë (rasianë, bullgarë dhe grekë), të cilët jo vetëm që i kishte vasalë të besueshëm, por edhe bashkëveprues në të gjitha fushatat kundër Hungarezëve, Bosnjës dhe të tjerëve, nuk e kishte të vështirë që edhe princat dhe feudalët Arbërorë t’i fusë në radhën e vasalëve. Tek e fundit, edhe arbërorët ishin pjesë e kozmosit të paqëndrueshëm politik të Bizantit.
Në këtë fushatë, krahas nënshtrimit të Arbërve, Mehmeti I kishte parasysh që edhe më tutje t’i forconte aleatët dhe vasalët kryesorë, Rasianët pa përjashtuar këtu edhe Paleologun dhe Grekët. Kështu, Mehmeti I, despotit Stefan ia dhuroi Koprianin në Nish, krahinën Znepolje në Tërn, në malet midis Nishit dhe Sofjes dhe disa pjesë të tjera. Po kështu perandorit vasal të Bizantit, Manuel iu kthyen qytetet e marra prej Musait. (Shih: Schreiner, P: “Die Byzantinischen Kleinkroniken und die Anastik beri den Südslaven”, Bulgarian Historicval Rewiew 6-1978, faqe 45-54).
Edhe midis Rasianëve tribalë dhe Grekëve u krijuan lidhje edhe më të ngushta. Nipi i despotit, Gjergj, u martua për të satën herë me Irenën nga familja e Kantakuzenëve. Kështu, Grekë të panumërt hynë në shërbim të Rasianëve, ndër të cilët edhe vëllai i Irenës, Tomas Kantakuzeni. (Shih: Serb. Annalen, Glasnik 53, 80; dhe Новакович, С: “Срби и Турци XIV i XV века“, Београд, 1960.)
Por, dinastët ortodoks rasianë, që tashmë ishin mbështetësit kryesorë të Mehmetit I dhe dora e djathtë e tij, po ashtu ishin të interesuar që fushata osmane, që tashmë ishin forcuar, të rrënonin edhe aleancat me Venedikun, ose që kur kësaj nuk i dilej, atëherë ata të shfaqeshin mbikëqyrës të këtyre aleancave, gjë që kishin edhe përkrahjen e Osmanëve, të cilët aleatët e tyre rasianë, tashmë i kishin kthyer në partnerë kryesorë në Ilirik.
Në këtë mënyrë, Osmanët vepruan në Novobërdë. Në vitin 1412 e sulmuan atë dhe e mbajtën të rrethuar, por së fundit ia lanë në pronësi një pinjolli të familjes së Lazarit. Me vdekjen e Niketë Thopisë, në fillim të vitit 1415, Osmanët pushtuan Krujën. Gjatë vitit 1417 i morën Beratin Teodor Muzakës dhe Kaninën bashkë me Vlorën Rugina Balshës. Kurse në vitin 1418, pushtuan Gjirokastrën, qendrën e Zenebishëve.
Këto pushtime u bënë në kohën kur Mehmeti I, edhe pse pësoi humbje nga venedikasit në një betejë detare para Galipolit (1416) dhe u detyrua të bënte një paqe me ta. Kjo len për të kuptuar se Osmanët kishin arritur një marrëveshje me venedikasit rreth shtrirjes së tyre në viset e Arbrit, me ç’rast ata do të mbanin pjesët në brendi, ndërsa venedikasit qytetet bregdetare.
Pinjolli i fundit i familjes Balsha, i cili tashmë kishte humbur shumë nga zotërimet, nën mbështetjen e dajës, despotit Stefan Lazareviq dhe njerkut Sandaljit, u hodh në luftë kundër Venedikasve, të cilët u përfshinë në një luftë për zgjerimin e pushtimeve në Adriatik me Zigmundin e Hungarisë, me ç’rast Hungarezët dolën humbës, ndërkohë që Republika e Adriatikut u vendos në Split,Trogir dhe në ishujt Braç, Korçula dhe Lesina në mënyrë që kështu të fusë nën mbikëqyrje edhe Kotorin. (Shih: Gelcich, Giuseppe: “Zeta dhe dinastia Balshaj”, Tiranë 2029, faqe 173-170).
Balsha u detyrua të sulmojë Venedikun pas shtatë vjetësh dhe të rrethojë kështjellën e Drishtit. Venedikasit u kundërpërgjigjën me pushtimin e Budvës. Kështu, lindi nevoja për bisedime paqësore, por ato, siç ishin paraparë nga despoti, Stefan Lazareviq, të cilin Balasha që nuk kishte djalë, e kishte caktuar si trashëgimtar, do të zhvillohen pa Balshën dhe nën drejtimin e Rasianëve, pasi që Balsha i sëmurë, vdiq më 28 prill 1421 dhe u varros solemnisht nga Stefani.
(Shih: Stanojević: Arch. Slav. Phil. 18 (1896), 459; Gelcich, Giuseppe: “Zeta dhe dinastia e Balshajve”, Tiranë 2009, faqe 322-341; K. Jireček: “Historia e Serbëve”, libri i dytë, Tiranë, 2010, faqe 186.)
Vdekja e Balshës sikur i dha fund lavdisë së njërës ndër dyert më të fuqishme princore arbërore nga veriu, e cila për më shumë se gjysmë shekulli ishte e pranishme në një skenë politike ku kryqëzoheshin interesat e Bizantit dhe të Perëndimit në njërën anë dhe ato me Osmanët në tjetrën anë.
Edhe pse Balshajt nuk ia dolën që të përballojnë sfidat e kësaj përpëlitjeje ndër më të mëdhatë e kohës, megjithatë me veprimet që të luhet nga njëra anë në tjetrën, qoftë edhe si humbës, ia dolën që faktorin arbëror, ta fusin në një lojë të madhe, në të cilën, feudalët dhe princat tjerë, kush më shumë e kush më pak, u përfshinë në të. Dhe kjo do të paraqesë aktin e fundit të një ndeshjeje historike që do t’i paraprijë pushtimit shumëshekullor osman.
Ky akt, të cilit, vulën e fundit do t’ia japë Sulltan Mehmeti II pushtuesi pak më vonë, do të pasohet nga Murati II, që erdhi në pushtet pas vdekjes së të et, Mehmetit I (1421). Murati II, i bindur se beteja vendimtare për të depërtuar tutje në Perëndim duhej të kalonte nëpër Arbëri, u vu vetë në krye të fushatës ushtarake, ndër më të mëdhatë e kohës. Ushtria e tij komandohej nga gjenerali i sprovuar Isa Bej Evrenozi. Pas disa luftimeve, me humbje të dyanshme, Osmanët fituan. Kjo bëri që në pjesët e jugut të vendosej regjimi i timareve, me çka i jepej fund autonomisë së deriatëhershme feudale, që kishte karakterizuar rrethanat bizantine, mbi të cilat ishin ngritur edhe feudet dhe principatat e pavarura jo vetëm te Arbrit, por edhe në pjesët e tjera.(Shih: Inhalxhik, H: “Suret-i Defter-i Arvanid”, Ankara, 1954; Fashëri, Kristo: “Skënderbeu”, Tiranë 2002, faqe 45).
Rrënimi i principatave të pavarura të Arbrit (Balshajve, Thopijave dhe Muzakave), megjithatë, u përcoll me ngritjen e të tre zotimeve të tjera të mëdha feudale: të Dukagjinëve, Arianitëve dhe Kastriotëve. Këto zotime përfshinin krahina malore dhe në gjirin e tyre kishin një popullsi me tradita të lashta luftarake, ku bujkrobërit përbënin pakicën, kurse shumicën dërmuese e formonin fshatarët e lirë, të cilët nuk i njihnin marrëdhëniet feudale dhe kishin gjetur një modus vikendi me bujarët vendorë. (Shih: Frashëri, Kristo: “Skënderbeu”, Tiranë 2002, faqe 46).
Si rrjedhim, fshatarët e lirë të Arbërisë ishin më të interesuar se bujk-robërit të luftonin kundër invazionit feudal-ushtarak. (Shih: Inhalxhik, H: “Suret-i Defter-i Arvanid”, Ankara, 1954.)
Edhe Dukagjinët, Arianitët dhe Kastriotët me zotimet e tyre, ndonëse do të kalojnë nëpër një fazë kur Osmanët tashmë ndodheshin në procesin e mbylljes së vasalitetit dhe të vendosjes së pushtetit të plotë, u përpoqën që të përfitojnë edhe nga rrethanat e tilla, të cilat ishin jo premtuese. Atyre nuk u ndihmoi as “arti” i përpjekjeve të lidhjeve të vazhdueshme me perëndimorët (veçmas me Venedikun), të cilët përfitonin edhe në këto rrethana.
Megjithatë, nga gjithë kjo, Dukagjinët ia dolën që të ruajnë disa zotime “të pavarura” në pjesët malore të veriut, nën emrin “Krahina e Dukagjinit” në Dardaninë antike. Ngjashëm ndodhi edhe me Arianitët, të cilët humbën shumë nga zotimet por, ruajtën namin e fisnikërisë, që do të bartet edhe më vonë në kujtesën historike nga kronika të jashtme.(Rreth Arianitëve dhe historisë së tyre shih gjerësisht te Babinger, Franz: “Fundi i Arianitëve”, Tiranë 2004; “Kronika e Gjon Muzakës” te Xhufi, Pëllumb: “Nga Paleologët te Muzakajt”, Tiranë 2009, faqe 365-457).
Ngjashëm ishte edhe me Kastriotët dhe zotërimet e tyre, që sado të rrudhura, do të zënë vend kyç në historinë e Arbërve dhe të Arbërisë në saje të ngjarjeve që në atë trevë do ta kenë nga viti 1443, kur aty do të zë fill epopeja e lavdishme skënderbegiane, që do të zgjasë për çerek shekulli, kur Skënderbeu me luftën kundër osmanëve, ktheu në histori shtetin e Arbrit, të vetmin asokohe në Europë.
Fushata për nënshtrimin e Arbërve do të ishte jo e plotë pa fundin e Dardanisë, pjesës kyçe që lidhte lindjen me Perëndimi, ku gjendeshin edhe xeheroret e shumta. Atje, nën drejtimin e mbetjeve të fundit të despotëve të Rashës dhe me ndikimin e tyre do të vendoset edhe fati i një pjese të madhe të Dardanisë, që Osmanët ua kishin lënë aleatëve të tyre, Brankoviqëve (Vukut) në përbërje të despotatit të tij që kishte pranuar vasalitetin osman, prej tyre i quajtur Vlk-oglu. Historianët turq Sadedini, Neshri dhe Ashikpashazade, në kronikat e tyre, flasin për “Vilajetin Vlk” dhe vasalin VLK-oglu, të cilët historiografia serbe e shekullit XIX i fikson si Lazareviq dhe Brankoviq, sidomos këtë të fundit, me ç’rast “Vilajetin VLK” (Kosovën), e quan “Oblast Brankoviqa”, që po të zbërthet gjuhësisht “Vlk” do të thotë “Ujk” ose “Ukë”, që i përgjigjet patronimit “Ujkan”, të përhapur në gjuhën shqipe. Rasti i “Vilajetit VLK” dhe emërtimi i tij “Oblast Brankoviqa”, duke e përkthyer emrin “Ujk” ose “Ukë” në “Vuk”, tregon më së miri përmasat e falsifikimit të historiografisë serbe për ta sajuar me çdo kusht të ashtuquajturin shtet mesjetar serb me qendër në Kosovë me “despotë serbë”, gjoja të legjitimuar edhe nga osmanët, kur e gjitha flet për një feudal ortodoks nga Dardania, nga shumë burime të kohës i cilësuar si tribal, emri i të cilit shpjegohet me gjuhën shqipe! (Shih te Nikolić, Maja: “The byzanine Writers on Serbia 1402-1439“, Beograd, 2010, faqe 41).
Megjithatë, në këto vende, që kishin një rëndësi të veçantë ekonomike, pasi që në to gjendeshin minierat e njohura të Novobërdës dhe Zveçanit, gjatë viteve 1394 -1444, Osmanët vendosën nëpunësit dhe ushtarët e tyre për t’i mbikëqyrur prodhimet e tyre, të cilat nuk mund të shkonin, si më parë në drejtim të Raguzës apo Venedikut, por t’i dorëzoheshin arkës së shtetit osman. Në këto pjesë, deri sa do të bëhet pushtimi përfundimtar nga Osmanët, në vitin 1455, “bashkëjetonin” pushteti vendor i Vukut (Vlk-oglut) me atë osman, por ky i fundit kishte fjalën kryesore.(Shih: K. Jiriček-J. Radonić: „Istorija Srba“, I, Beograd, 1952, faqe 369,422).
Pjesa më e madhe e Dardanisë, në veri të Shkupit dhe të Tetovës, ra nën sundimin osman në kohën e Sulltan Mehmetit II Pushtuesit (1451-1481), ndonëse asokohe Kruja e Skënderbeut mbahej. Natyrisht, cak i pushtimeve osmane ishin xeherorët e njohura të Novobërdës, Zveçanit dhe të Gllahovicës (kjo e fundit e pasur me hekur). Disa burime bëjnë të ditur se “sulltani kishte grumbulluar ushtrinë islame dhe ishte nisur në luftë të shenjtë nga Shkupi, prej nga do të kalojë kah mali Kara Tonlu (Karadaku i Shkupit) për në Novobërdë. Novobërda, të cilën xehetarët sasë e quanin Neuberge, ndërsa Italianët Novomonte, kishte një kështjellë të fortë dhe disa vendbanime xehetarësh përreth. Aty gjendej kolonia kryesore e raguzianëve, por banohej edhe nga Italianët, sidomos venedikasit. Aty banonin edhe shumë bujarë vendorë, të cilët prej andej mbikëqyrnin nxjerrjen e xeheve dhe përpunimin e tyre, por edhe dërgimin në vendet e tjera.
Meqë këto xeherore ishin të rëndësishme, sulltani kishte vendosur që t’i vinte nën mbikëqyrje të plotë, kështu që këtë duhej ta bënte me ushtri, edhe pse bujarët vendorë edhe më tutje dëshironin t’u përmbaheshin marrëveshjeve që kishin lidhur me Osmanët në vitin 1441 për shfrytëzimin e përbashkët. Isa-beu, i cili me një pjesë të ushtrisë kishte arritur përpara sulltanit aty, thirri komandantin vendor që të dorëzohej me vullnet. Pasi kjo nuk u bë, sulltani u nis vetë me pjesën tjetër të ushtrisë të sulmojë Novobërdën. Menjëherë filloi rrethimi, që zgjati dyzet ditë. Pas disa bombardimeve, kur po rrënoheshin muret mbrojtëse të kështjellës, më një qershor 1455, qyteti u dorëzua. Një pjesë e mirë e parisë së qytetit u shua, ndërsa një pjesë e të rinjve, 320 sish, u morën për jeniçerë. (Shih: Babinger, Franc: “Mehmet Pushtuesi dhe koha e tij”, Prishtinë, 1989, faqe 145.)
Thuhet se aty osmanët kishin gjetur thesar të shumtë (sasi e madhe e argjendit) që e ruante i biri i Vukut, thesar ky që ishte dërguar në arkën e Stambollit.(Shih:Rizaj, Skënder: “Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVIII”, Prishtinë, 1982, faqe 20.)
Rënia e Novobërdës, që merrej si fortesë e botës së krishterë katolike, në Itali dhe në Hungari u prit me përshtypje të hidhura. Dhespot Gjuragj Brankoviqi mësoi lajmin e humbjes më 21 qershor në Hungari, në tubimin e bujarëve në Rab, ku përgatiteshin plane të mëdha për një fushatë të forcave të krishtera kundër Osmanëve.
(Shih:Zachariadou, E.A: „Süleman çelebi in Rumili and dhe Ottoman chronicles“, Der Islam, 60/ 1983, faqe 269-296 dhe Babinger, Franc: “Mehmet Pushtuesi dhe koha e tij”, Prishtinë, 1989, faqe 146.)
Pa çarë kokën se çfarë kishin ndërmend të krishterët, Sulltan Mehmeti me forcat e tij kishte vazhduar në drejtim të kështjellës së Trepçës, e pushtuar pa ndonjë mund të madh. Edhe aty ishte gjetur pasuri e madhe. Me Trepçën ishin pushtuar edhe xeheroret e tjera të argjendit. Pasi që kishte qëndruar për pak kohë në (shehitllëk) – vendin ku ishte vrarë Sulltan Murati I, Sulltani Mehmeti ishte kthyer në Selanik dhe prej andej në Edrene.
___
(Shkëputje nga libri “Kosova – histori e shkurtër”, Prishtinë 2021).

K O M E N T E

2 KOMENTE

  1. ….!

    Nuk po dije….?!

    Thone se eshte rrezik ose shume keq atehere kur arti, kultura, letersia, gazetaria, publicistika, historia ose shkenca dhe pedagogjia, kalojne ne pronen personale ose absolute te personit ose individit.

    Apo, thene me gjuhen e shkencave politike: Aty ku politika e larte ose diplomacia, behen prone, pasuri ose pushtet i gjithekujt, atehere ato nuk jane me ne doren ose kompetencen e askujt.

    Nje mendimtar ose sociofilozof i njohur anglez (Barraclough) dikur e quajti ose klasifikoi historine si nje “proze ose poezi te madhe” te liruar nga parimet, premisat, kriteret, vleresimet ose postulimet e njohura shkencore ose humaniste.

    Ne te kunderten, per Cezarionin i cili u rrite dhe ” burrerua” me ndjesine e te qenit-i biri (djali) i braktisur te Jul Cezarit dhe Kleoptares se Egjiptit: Te gjithe njerezit ose qytetaret e Romes Antike, asokohe ishin pasardhes ose femije te Jul Cezarit.

    Nderkohe qe Jul Cezari nuk e konsideronte cezarionin per djal (bire) te vetin, por kopil te Mark Antonit dhe Kleopatres.

    Po jetojme ne kohe te mjegullta ose evazive te perbvalljeve te ndryshme infernale ose apokaliptike ne mes vlerave dhe antivlerave!

    Pa te keq ndaj askujt!

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu