ARKIVI:
16 Prill 2025

    Lufta e Koshares sipas Kolonel Dilaver Goxhaj

    Shkrime relevante

    Shtëpia ime, altari i shpirtit tim dhe tempulli i ëndërrave të jetës sime

    Nga : Arif Ejupi TEMPULLI I ËNDËRRAVE TË MIA Kjo nuk është...

    “Sui Generis”? Jo, faleminderit! Duam shtet të denjë, jo karikaturë të pranuar!

    Nga: Sak Muji, Rugovë - Zvicër (Sylë Mujaj) Nëse dikush në vitin 2008...

    Luftërat për pushtet vdesin bashkë me liderët e tyre

    Nga Prof.dr Skender Asani, Shkup Nëse duam të shmangim përsëritjen e krizave...

    Albin Kurti, Kosova pa Qeveri as për një minutë të vetëm

    -Si qeveri në detyrë jemi shumë të vëmendshëm dhe të përgjegjshëm...

    Presidentja Vjosa Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Malit të Zi, Bernard Çobaj

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale...

    Shpërndaj

    Nga: Dilaver Goxhaj, Tiranë 

    (Shpëtim Golemi) 

    (Pjesa hyrwëe e librit “Lufta e Koshares” , Prishtinë, 2019) 

    “Të gabosh është njerëzore, por të ngulësh  

      këmbë në gabim është djallëzore.”   Latine   

    ANALIZAT e ngjarjeve historike kanë për objekt studimi veprimet e njerëzve, sidomos vullnetin e atyre që zenë vendin më të rëndësishëm në atë ngjarje. Edhe cikli i shkrimeve të këtij libri ka për objekt studimi dinamikën e një lufte disa mujore, prill-qershor 1999. Kjo luftë është zhvilluar në një pjesë të brezit kufitar Kosovë-Shqipëri, në drejtimin e përgjithshëm Tropojë – Gjakovë, midis një njësie taktike (brigadë) luftarake e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës (UÇK), kundër një pjese të Ushtrisë Serbe në Kosovë. Kjo ngjarje historike është bërë e njohur me emërtimin “Beteja e Koshares”. Analiza e kësaj “beteje” përqëndrohet kryesisht në veprimtarinë e Komandës dhe të Shtabit të kësaj njësie taktike të UÇK-së, e formuar me vullnetarë të ardhur nga radhët e emigracionit dhe diaspora shqiptare. Njësia taktike e UÇK-së fillimisht ka qenë e emërtuar: Grupi i Tretë Operativ (GO-3), por më pas ka marrë emërtimin zyrtar: Br.138 “Agim Ramadani”.  

    Lufta dymujore e Koshares dhe pasojat e saja – (rënia e 114 dëshmorëve dhe gjymtimi i mbi 350 luftëtarëve të tjerë), – është një prej ngjarjeve më të veçanta të historisë së luftës çlirimtare në Kosovë, 1997-1999. Kjo veçanti qëndron në faktin se, edhe pse ajo njësi takike e UÇK-së nuk mundi ta realizonte detyrën luftarake të dhënë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, megjithatë është shpallur nga Presidenti i Kosovës, z.Hashim Thaçi, si formacioni luftarak më i lavdishëm Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Kuadri i saj komandues kanë 20 vjet që mburren duke thënë: “Ne kemi fituar betejën më vendimtare të Luftës për Çlirimin e Kosovës”. Dhe kjo u bë e besueshme për masën e gjerë të populli në Kosovë, pasi dihet që legjendat popullore nuk bazohen në vlerësime të sakta dhe studime shkencore.  

    Madje mediat kanë krijuar një iluzion, sipas të cilit “Beteja e Koshares” paraqitet si një përpjekje heroike që i solli Kosovës fioren vendimtare. Ngjashëm lëvdohen edhe kuadrot drejtuese të palës kundërshtare, pala serbe, të cilët kanë përgatitur dhe e kanë bërë publik një film dokumentar me metrazh bukur të gjatë. Janë këto gjykime të marrëzishme që më nxitën të qartësoj jo vetëm se cila është pala fituese e atyre luftimeve, por edhe cili është qëllimi i asaj mburrjeje jo dinjitoze. Në këtë analizë të gjatë, që po i paraqes lexuesit përmes këtij libri, më rezulton se të drejtën për t’u mburrur si fitues, për fatin tonë të keq, e ka pala kundërshtare, të cilën e tregoi rezultati përfundimtar. “Fundi është ai që kurorëzon veprën”, thotë Virgjili.  

    Të shtrembërosh të vërtetën e asaj “fitoreje”, sikundër veprohet nga ana e shumë kuadrove të GO-3, me të vetmin qëllim për t’ia përshtatur dëshirave të udhëheqjes së kësaj njësie taktike, duke e trumbetuar madje dhe me të madhe, se “Betejën e Koshares” e fituan forcat tona, kjo është e papranueshme edhe thjesht për faktin, se është jo vetëm një luftim i humbur nga ana e jonë, por edhe me pasoja të mëdha. Të bëhej fjalë se kishim të bënim me një ndeshje që nuk ka zgjatur shumë gjatë asaj lufte dy-vjeçare në Kosovë, e ku të kishin marrë pjesë një numër i vogël forcash e me humbje të pakta, ne edhe mund ta quanim këtë ngjarje si një përjashtim. Por ajo ngjarje disa mujore u zhvillua para syve tanë, duke u ndjekur me interes të jashtëzakonshëm jo nga dita në ditë, por nga ora në orë, ngaqë ishte në lojë jo vetëm jeta e disa mijëra njerëzve pjesmarrrës në të, por edhe fati i asaj ushtrie çlirimtare (UÇK-së) dhe i luftës së saj. Njëkohësishtë, përmes kësaj analize të gjatë, duke hulumtuar sa më shumë dëshmitarë të ndryshëm, jam munduar të nxjerr në pah të vërtetat rreth asaj lufte dymujore si dhe ta demantoj edhe qëllimin djallëzor të kësaj propagande me një ogur të zi, qëllimi i së cilës është: të lihet gradualisht në hije, mundësishtë të eklipsohet plotësishtë ekzistenca e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe gjithë lufta e zhvilluar prej saj.  

    Të thuash se “Betejën e Koshares” nuk e fituam, nuk është turp, pasi për këdo që lufton, humbja nuk është turp. Jo çdo betejë fitohet. Por edhe sikur të ishte fitore, ngaqë ato forca depërtuan 3-5 km në thellësi të Kosovës, duke u lëvduar së tepërmi, i kaluan kufitjtë e saj, kur dihet që ajo nuk u shtri në një vepër jetëgjatë, siç do të ishte hapja e korridorit. Ndaj dhe është një lavdi shterpë.  

    Por më e keqja është se duan ta nxjerrin si fitoren e vetme të luftës së UÇKsë!  

    Të njëjtin mohim të kontributit të UÇK-së bëjnë edhe profiterët e asaj lufte çlirimtare, por me pak ndryshim, duke thënë se Kosovën e çliroi veç NATO-ja, pa e përmendur fare UÇK-në. Këtë e dëgjuam edhe nga një anëtar i rëndësishëm i ish-Drejtorisë Politike të UÇK-së ai dhe ish-Shefi i Kundërzbulimit të saj, z.Kadri Veseli, me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës, në prezencë të ishPresidentit Klinton, në Prishtinë, i cili na befasoi kur tha: “Ju, 20 vjet më parë, shpëtuat një komb të tërë. Shpëtuat fëmijët e pastrehë dhe të frikësuar, prindërit e pashpresë dhe të tmerruar; nënat, gratë, vajzat e pambrojtura. Shpëtuat një popull të tërë nga gjenocidi.”; kur vetë Presidenti Klinton në 23 maj 1999 pat thënë se, është UÇK-ja ajo që me ofensivat e saj i nxjerr forcat serbe nga skutat ku fshihen për t’u goditur nga forcat ajrore të NATO-s. Që do të thotë, se pa UÇK-në nuk do të qe shpëtuar ky popull nga genocidi. Të mos na vijë keq, por këto dy dekada është vërtetuar se imazhi i UÇK-së është dëmtuar më së tepërmi nga vetë shqiptarët!  

    Dhe për këtë nuk kanë reshtur as simpoziumet farsë; as akademitë komarative,; as përkujtimi i përvitshëm i asaj “beteje’ në vendin e ngjarjes pothuajse 20 vite rresht; as botimi i shumë librave, analizave dhe shkrimeve të një numuri të jashtëzakonshëm gjatë këtyre dy dekadave etj, etj, ku në shumicën e rasteve UÇK -ja ose lihet në plan të dytë, ose nuk përmendet fare, kur dihet se faktori i brendshëm është faktori kryesor.  

    Nuk thuhet më kot, se mediat janë krahu i djathtë i anarkisë. Gjithë këto veprimtari mediatike nga kjo kategori mohuesish dhe përkahësit e tjerë mediatikë e politikë, duke filluar menjëherë pasi mbaroi lufta, kësaj fryme i kanë bërë jehonë.  

    Edhe anullimi i simpoziumit për Luftën Çlirimtare të Kosovës, planifikuar për në 23 Nëntorin 1999 dhe mos organizmi i tij për 20 vite rresht, të ndihmuar edhe nga UNMIK-u e EULEX-si, kanë treguar dhe tregojnë se ka një prapavijë edhe më të dëmshme: kthimin e Ibrahim Rugovës në fronin e presidentit, duke e paraqitur atë si figura e vetme kryesore politike e ushtarake për çlirimin e Kosovës; dhe, së dyti, denoncimin e Ushtrinë Çlirimtare të Kosovs si ushtri terroriste.  

    Qëllimi i parë është realizuar tërësishtë në të gjitha aspektet; qëllimi i dytë është në proçes. Pas bombardimit propagandistik kundër saj, tash e kanë paditur në Gjykatën Ndërkombëtare, që unë do ta quaja Gjykata që ka për ta damkosur UÇK-në me turp, si ushtri terroriste. Asaj propagande i kanë dhënë një ndihmë të madhe edhe ish-kuadrot drejtuese kryesore të saj, politikë e ushtarakë, me një përjashtim shumë të pakët, të cilët, me degjenerimin e tyre moral e politik, jo vetëm që e privatizuan atë luftë por kanë privatizuar edhe pasuritë kombëtare të Kosovës.  

    Gjithkush që ka dy pare mend pyet: Mos vallë gjithë kjo propagandë ka për qëllim të rivendosin të drejtat dhe privilegjet e klasës politike të dikurshme, si dhe të largojnë nga Kosova, atdhetarët duke u munduar të gjenden forma që Kosovën t’ia rikthejnë Serbisë?  

    Jeta ka vërtetuar se gjithçka që flitet nuk është pa gjë. Por na ngushëllon fakti se kjo tendencë antikombëtare ka gjasa të mos realizohet ngaqë bie ndesh me dëshirën mbarë popullore dhe se ekziston vetëm në interesin e disa familjeve të LKJ së dikurshme për Kosovën, por edhe të disa familjeve prej drejtuesve kryesorë të UCK-së. Ndoshta gabohem, por këto qëllime i vërteton edhe vetë fakti i dekorimit nga Presidenti Hshim Thaçi,(ish-Drejtori Politik i UÇK-së), të formacionit që zhvilloi “Betejën e Koshares” me motivacionin: “Një ndër betejat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!, i cili deri sot nuk ka dekoruar asnjë formacion tjetër të UCKsë! Në politikë, ka thënë dikur Presidenti Ruzvelt, asgjë nuk ndodh kurrë rastësishtë.  

                                                                                          * * *  

    Natyrisht që gjithkush don me ditë se kur dhe ku është zhvilluar kjo “Betejë e Koshares”; cilat kanë qenë këto forca që zhvilluan këtë betejë; në një moment të caktuar të luftës a bënte pjesë kjo betejë në strategjinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; cili ka qenë misioni i kësaj beteje; kush e ka planizuar këtë betejë; si është zhvilluar dhe cili ka qenë realizimi i kësaj beteje; çfarë përfitoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta çlirimtare në tërësi nga kjo betejë etj, etj. Të gjitha këtyre pyetjeve jemi munduar t’u japim përgjigje përmes këtij libri, në një kënd vështrimi analitik ushtarak. Po, me të drejtë dikush mund të pyesë, se pse u dashka ta analizojmë “Betejën e Koshares” pas 20 vjetësh, dhe nuk është reaguar kur vetë komandanti dhe shtabi i forcave që kanë drejtuar “Betejën e Koshares” kanë organizuar një “simpozium shkencor” menjëherë pas 9 muaj si kishte përfunduar lufta në Kosovë?  

    Së pari, duhet bërë e qartë se simpoziumi shkencor i mbajtur më 9 prill 2000, në qytetin e Gjakovës, nga udhëheqja e atij formaconi luftarak që pat zhvilluar “Betejën e Koshares”, është organizuar duke u kufizuar vetëm te kuadrot që morën pjesë në atë “betejë”, pa bërë thirrje publike ose ftesa për ne ushtarakët dhe politikanët që kemi qenë në kontakt të përditshëm me Luftën në Koshare, as historianë e studjues ushtarakë, me përjashtim të ish-Komandantit të Zonës III Operative “Dukagjini” të UÇKsë, gjeneral Ramush Haradinaj, dhe ish shefin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, (për periudhën 28 prill deri 10 qershor 1999), gjeneral Agim Çeku, të cilët në ato ditë që të dy ishin komandant dhe shef shtabi të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK). Por nga këta të dy, vetëm Ramush Haradinaj ka qenë i njohur me organizimin dhe qëllimin e asaj “beteje”, ndërsa gjeneral Agim Çeku ende nuk ishte angazhuar në rradhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kur filluan luftimet në Koshare. Kështu që, ai simpozium është organizuar si një lloj simpoziumi lokal, pothuajse si gjysëm ilegal. Me sa kuptohet ata kanë pas qëllim që fillimisht të tatohej pulsi i masës së madhe të UÇK-së dhe, në rast se nuk do të kishte reagime, të fillonin nga propaganga glorioze për atë “betejë”, sikundër edhe jemi dëshmitarë gjatë gjithë këtyre 20 viteve të pasluftës.  

    Bazuar në atë çfarë është bërë tashmë publike, ata e kanë trajtuar “Betejën e Koshares” si një rast i veçantë në historinë e gjithë luftrave dhe kryengritjeve në Kosovë dhe jo vetëm të UCK-së, duke përdorur slloganin: “vetëm profesionistët mund ta drejtojnë luftën sikundër drejtuan me sukses Betejën e Koshares”. Ky është një trillim, për të cilin lexuesi do të marrë informacion të gjerë në këtë libër.  

    Po cilët janë organizatorët 

    dhe drejtuesit e “Betejës së Koshares”? 

    “Betejën e Koshares” e kanë përgatitur dhe drejtuar një grup oficerash profesionistë ushtarakë shqiptarë të shkolluar nëpër akademitë e ndryshme ushtarake të ishJugosllavisë. Shumica e tyre kanë qenë angazhuar 2-3 muaj në luftën për çlirimin e Kosovës, në periudhën qershorgusht 1998, në Zonën e Dukagjinit. Pothuajse të gjithë ata janë me vendlindje prej trevës së Dukagjinit, dhe në javën e parë të shtatorit 1998 u larguan nga Kosova, për mos të thënë dezertuan nga lufta, duke ia dozuar armatimin ushtrisë serbe, (gjë që pasqyrohet edhe në këtë libër), dhe shkuan në shtetin amë, Shqipëri, së bashku me një pjesë të efekivit të Br.131 dhe 134 të asaj zone operative. Dhe ajo çka është edhe më interesante, ata largimin nga Kosova e justifikojnë me një lloj absurditeti që vetëm ata mund ta besojnë. Ata thonë se Kosova nuk mund të çlirohej nga ngritja në luftë e gjithë popullit, duke krijuar ushtrinë e vet çlirimtare, dhe as me luftë guerile. Me këtë propagandë, të veshur me petkun e strategjisë ushtarake, ata indirekt duan t’i vinë në takim strategjisë pacifiste të Ibrahim Rugovës. Strategjia e këtyre oficerave profesionistë ka qenë dhe është: Kosova nuk mund të çlirohet nga vetë populli i armatosur, por, vetëm duke sulmuar nga jashtë saj, me Lufta e Koshares ushtri të përgatitur në Shqipëri, dhe me kushtin duke u drejtuar vetëm nga ushtarakë profesionistë. Na rezulton se kjo lloj strategjie nuk ka qenë thjesht ide e këtij grupi oficerash, por e vetë ish-presidentit Rugova dhe Qeverisë Bukoshi, duke ia ngarkuar këtë detyrë Ministrisë së Mbrojtjes të asaj qeverie. Këtë fakt na e vërteton qartë z.Anton Çuni në intervistën e tij, më 2 maj 2019: “Kur jam paraqit për herë të parë në një objekt të Ministrisë së Mbrojtjes, në dhomën operative, ka qenë në mur një hartë,- kjo ka ndodh në fillim të korrikut 1998, – e cila ishte mbuluar me një stof. E shpalosa. Aty pashë se dikush kishte parapa një ndërhyrje strategjike që të kishte hapje të kufijve, në Qafë të Prushit, Qafë të Morinës… E kemi paraparë për një ndërhyrje.” 

    Këtë lloj strategjie na e pohon vetë Komandanti i GO-3 (Br.138), z.Rrustem Berisha në simpoziumin e organizuar po prej tij, më 9 prill 2000, në Gjakovë: “Në situatën e pashpresë, kur popullsia e kësaj ane (brenda në Kosovë, D.G) mund të ishte tashmë jo vetëm pre e luftimeve intensive të ushtrisë serbe, por edhe e terrenit të papërshtatshëm dhe të minuar në rajonin e gjerë të Bjeshkëve të Nëmura, si kalim i vetëm i mundshëm për evakuim. Këto ishin rrethanat që edhe më shumë e lidhën motivin dhe idenë tonë për një luftë nga kufiri e deri në çlirim, tek luftëtarët, konkretisht tek ne si ushtarakë që drejtonim këtë brigadë.”  

    Në vjeshtën e vitit 1998 këta oficerë, të mbështetur dhe inkurajuar nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë Bukoshi, u riorganizuan dhe krijuan disa qendra stërvitore në veri të Shqipërisë. Por është fakt, se shumica e atyre që u stërvitën nën drejtimin e këtij kontigjenti oficerash, nuk u angazhuan asnjëherë në luftë, sikundër ishte “Brigada Mërgimi”, e dislokuar në Mamuras, dhe ata në Qerret të Kavajës, përveç kontigjentit prej 256 luftëtarë që sulmoi në 9 prill 1999 në Koshare. Në 21 janar 1999 këto forca u grumbulluan në Qendrën Stërvitore në fshatin Babinë të Tropojës dhe më 2 prill, të gjitha njësitë u zhvendosën në fshatin Papaj, në afërsi të kufirit, ku dhe u bë furnizimi i tyre me armatim e municione për të pritur datën 9 prill 1999, kur filluan sulmin në Koshare.  

    Kur u angazhua NATO në luftë me aviacionin e saj, gjë që u bind edhe më skeptiku se lufta në Kosovë do të fitohej nga shqiptarët, këta oficerë dhe një pjesë e ushtarëve që luftuan bashkë me ta në 1998, vendosën që të riangazhoheshin në luftë, për të vënë në jetë strategjinë e shprehur më lartë: të çlironin Kosovën duke sulmuar nga territori i Shqipërisë.  

    Kjo kërkesë e tyre, për sulm në Koshare, u miratua edhe nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohëshme e Kosovës, si dhe nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës nën drejtimin e Kolonel Bislim Zyrapi. Gjithashtu u miratua edhe drejtimi që ata kishin zgjedhur për të sulmuar, rajoni i Koshares.  

    Kjo nismë e tyre u mirëprit jashtëzakonisht nga SHP, pasi UÇKja kishte shumë nevojë për armë, municione dhe materiale të tjera për luftën si dhe për popullin që i ishte bashkangjitur formacioneve të UÇK-së.  

    Detyra e dhënë këtyre forcave nga SHP ishte: HAPJA E KORRIDORIT TE FURNIZIMIT në drejtimin Padesh-Nivokaz, si drejtimi më i shkurtër. Detyra e afërt ishte: dalja në bregun jugor të lumit Erenik, (me thëllësi 5-6 km,); detyra e largët: lumi Drini i Bardhë.  

    Si rrjedhojë, SHP i UÇK-së e fuqizoi këtë forcë luftarake gradualisht, (duke dërguar vijimisht kompani dhe batalione prej ditës së parë të atij sulmi, si dhe armatim e municione), me mbi 2.000 luftëtarë. Këta ishin vullnetarë të ardhur nga diaspora si dhe nga gjithë trojet shqiptare, e që stërviteshin në Qendrat Stërvitore në Shqipëri. Përgatitjen dhe organizimin e tyre e bënte Ministria e Mbrojtjes e QPK në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë dhe SHP të Ushtrisë Shqiptare. Këto qendra stervitore ishin ngritur në Feken (Mali me Gropa), Helshan (Krumë) dhe në qytetin e Burrelit. Vullnetarët, të cilët vinin përmes portit të Durrësit, fillimisht grumbulloheshin në qendrën “Drenica”, në Durrës.  

    Forcat nismëtare të “Betejës së Koshares”, që nuk ishin më shumë se 256 vetë, qenë emërtuar nga Ministria e Mbrojtjes së Qeverisë Bukoshi “Grupi i Tretë Operativ” (GO-3).  

    Por, SHP i UÇK, pasi ky formacion u pagëzua me luftën, e emërtoi Brigada 138 e UÇK-së, duke e kaluar në vartësi të Zonës III Operative “Dukagjini”. Pas një muaji u pagëzuau edhe me emërin e ish-Shefit të saj të Shtabit, Agim Ramadani, i cili vritet pas 48 orësh si pat filluar prej ketyre forcave Lufta në Koshare.  

    Çuditërisht, menjëherë sa vritet Shefi i Shtabit i këtij formacioni luftarak, komandanti dhe shtabi i “Grupi i Tretë Operativ” (GO-3), sikundër shpjegohet edhe në këtë libër, e ndërpresin mësymjen dhe kalojnë në mbrojtje. Këtë vendim ata e marrin pa marrë miratim prej SHP të UÇK-së. Dhe menjëherë filluan me organizimin e mbrojtjes, duke krijuar një front mbrojtjeje me gjerësi 15 km, dhe në një thellësi 2-5 km, brenda kufirit politik të Kosovës.  

    Ky formacion luftoi në mbrojtje, në këtë brez kufitar 65 ditë të tjera, derisa u futën forcat e NATO-s (KFOR-i) në Kosovë.  

    Me të drejtë, çdokush nga lexuesit edhe mund të indinjohet e mund të pyesë se: pse është ndërmarrë me kaq vonesë nga ana e ime kjo analizë për të ashtuquajturën “Betejën e Koshares”?  

    Edhe kjo ka historinë e vetë. Ditët e para të muajit tetor 2018, më telefonon Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Shqipërinë, z.Sokol Poga, dhe më fton, duke më thënë: “A pranoni të merrni pjesë në një emision televiziv, TV Dukagjini, i cili ka një rubrikë të veçantë të tij, të emërtuar “Debat Plus”, e ka për qëllim të intervistoi edhe ish-ushtarakë nga Shqipëri, që kanë qenë të angazhuar me luftimet e zhvilluara në Koshare dhe në mal të Pashtrikut”?  

    Pranova. U intervistova edhe unë.  

    Intervista u zhvillua në ambientet e një hoteli turistik në Durrës dhe është transmetuar pas 7-8 ditësh, më 10 tetor 2018. Midis të tjerave, kur u pyeta për Betejën e Koshares, unë thashë: “Të mburren ata që luftuan në Pashtrik, deri diku kanë të drejtë. Por të mburren ata në Koshare, nuk kanë të drejtë.  

    Pse s’kanë të drejtë? Ata luftuan 63 ditë. Kishin furnizime të bollshme në të gjitha llojet e armëve e shërbimeve. Dhe të luftosh 63 ditë, e të mos hapësh dot korridorin…?! Ata luftuan. Luftuan me heroizëm. Nuk u turpëruan. Por detyrën nuk e kryen.  

    Dhe mua më ka bërë përshtypje, ngaqë kam dëgjuar shpesh herë në mediat tuaja, në Prishtinë, ku thuhet se: beteja më e madhe, nderi më i madh është “Beteja e Koshares”. Dhe dikush thotë: Ja, shikoni, edhe Serbia i ka vënë një rruge në Beograd emërtimin “Beteja e Koshares”. Tashti, kush ka të drejtë të mburret? Ka të drejtë Serbia, sepse ne nuk e realizuam dot detyrën; ajo na bllokoi. Kështu që, ne s’kemi pse mburremi me një “betejë” që s’e fituam… Por, me sa shoh unë, ju në Kosovë jeni infektuar nga Serbia, festoni humbjet?!… Nëse Kosova do të kishte shtet të rregullt, komanda dhe shtabi i kësaj brigade duhej t’i jepej gjyqit ushtarak, për mos zbatim urdhëri dhe detyre luftarake…”  

    Menjëherë pas transmetimit të asaj intervistës sime, filluan shkrimet dhe komentet fyese nga shumë pjestarë të “Betejës së Koshares”. “Kritikat” e tyre fyese ishin pa asnjë lloj argumenti që të mund të rrëzonin me fakte këtë deklaratë time.  

    Që lexuesi të ketë mundësinë të njihet me ato “kritika”, ato ia kam bashkangjitur këtij libri, si pjesë e veçantë e tij.  

    Bazuar në përmbajtjen e atyre “kritikave”, thënë më saktë: atyre fyerjeve, mund të them pa ndrojtje: nëse nuk janë injorantë në njohjen e artit të luftës, duhet të jenë shejtanë. Unë, përmes kësaj analize, i dënoj rëndë ata komandues ushtarakë profesionistë të GO-3, për mos realizimin e asaj detyre, për disa arsye:  

        1- Luftimi në Koshare është një luftim që është zhvilluar në një terren të njohur shumë mirë prej të gjithë oficerave të këtij formacioni luftarak;  

        2- Është një terren dhe drejtim i zgjedhur po prej tyre dhe jo i rekomanduar nga dikush tjetër;  

        3- Është një terren i hetuar regullisht 5-6 muaj më herët po prej tyre, dhe intensivisht 40 ditë resht para sulmit;  

        4- Është një terren i studjuar prej tyre me imtësi me syrin e oficerave profesionistë dhe me përvojë lufte dhe jo të turistit;  

        5- Studimi perj tyre i atij drejtimi për 5-6 muaj rresht është bërë me qëllim që të familjarizoheshin me të gjitha përparësitë dhe rreziqet e mundëshme;  

    6- Përmes këtij studimi të hollësishëm patjetër që atyre duhet t’u kenë shkuar ndër mendje të gjitha kundërshtimet dhe mënyrat e mundshme mbrojtëse që mund të shfaqeshin në mendjen e komandantëve serbë.  

    Si rrjedhojë, ata duhej t’i kishin parashikuar kundërveprimet e forcave të tyre në secilin rast të mundshëm të reagimit nga ana e armikut.  

    Të gjithë këta faktorë na i pohon vetë ish-shefi i shtabit të GO-3 (Br.138), z. Anton Çuni në intervistën dhenë TV Dukagjinit, më 02 Maj 2019, ku thotë: “Kemi bërë 23 kalime kufitare për të përcaktuar vendin ku dhe si të kalonim…U zgjodh Kosharja për të krijuar epërsi dominuese për të minimizuar të gjitha avantazhet që kishin forcat serbe.”  

    Bazuar në këta faktorë, lufta në Koshare nuk do të ishte një fitore e zakonshme, por tamam një betejë e vërtetë, maksimumi dy ditore e jo më shumë. Por dështuan ngaqë e kanë siguruar veten me bindjen se armiku ishte ndjerë i kërcënuar dhe do tërhiqej sa më shpejt.  

    Dhe një arsyet tjetër, pse ata dështuan, është se këta oficerë nuk u konsultuan me SHP të UÇK-së për mënyrën e kryerjes së asaj detyre. Këta zotërinj oficerë, madje me akademi ushtarake, pretendojnë se në Koshare është zhvilluar betejë. Me këtë emërtim edhe mund t’u jepet pak e drejt ngaqë premisat ishin për një betejë, por duhet sqaruar:  

    – çfarë lloj beteje u zhvillua: BETEJE MBROJTESE apo BETEJE SULMUESE;  

    – cila palë zhvilloi betejë mbrojtëse dhe cila palë zhvilloi betejë sulmuese;  

    – cila palë e pati në dorë fillimisht inisiativën dhe cila palë ia hoqi nga duart palës tjetër inisiativën;  

    – cila palë kaloi në mbrojtje të dëshpëruar dhe cila palë fitoi betejën; – cilës palë i dështoi mësymja;  

    – cila palë e pat parapërgatitur sulmin me kujdes dhe si e zhvilloi atë sulm;  

    – cila palë donte të fitonte për çështje prestigji dhe cila palë e mbrojti prestigjin e vet;  

    – cila palë përparoi në drejtim të pozicioneve të palës tjetër; – cila palë pati epërsi numerike ndaj palës tjetër;  

    – cila palë pati epërsi zjarri ndaj palës tjetër;  

    – cila palë dallohej më shumë në epërsi morale se pala tjetër dhe pse kjo epërsi nuk dha rezultat përparimi drejt pozicioneve të kundërshtarit;  

    – cila palë pati furnizime në vijueshmëri në forca e mjete;  

    – cilës palë i pengoheshin furnizimet nga toka dhe ajri;  

    – cila palë pati konceptin e udhëheqjes së përbashkët dhe të kombinuar me forcat e tjera të ushtrisë së vetë;  

    – si do të ishte më i drejtë përdorimi forcave nga GO-3 për dhënien e goditjes kryesore dhe ku e si do të duhej të jepej një a më shumë goditje ndihmuese;  

    – a duhej të qëndrohej në mbrojtje nga ana e forcave tona apo duhej të tërhiqeshin, kur e panë se qëndrimi vetëm në betejë mbrojtëse ishte i padobishën dhe i paleverditshëm për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën në tërësi;  

    – dhe, së fundi, duhet bërë e qartë se cila palë arriti sukses në fushën strategjike, operative apo taktike.  

    Të gjitha këtyre çështjeve u jepet përgjigje në këtë libër, prej të cilave delet në përfundimin se: sa e lehtë është të fitosh betejën kur ke epërsi në forca e mjete, nëse di t’i përdorësh ato, aq edhe e vështirë është ta arrish fitoren kur je inferior në forca e mjete ose kur je i paaftë të dish t’i përdorësh ato forca.  

    Megjithatë, duhet të kemi kurajon e të pranojmë me guxim të vërtetën, se në frontin e Koshares nuk u arrit as sukses i shkallës strategjike, as i shkallës operative dhe as i shkallës taktike.  

    Dhe këtë na e thotë vetë gjenerali Hysen Berisha në intervistën dhënë gazetës “Bota sot”, datë 4 maj 2019, duke dashur të tregohet teoricion, por që në vend të vetullave ka nxjerrë sytë:  

    “Po të flasim me gjuhën tekniko-ushtarake lidhur me objektivat e një lufte, atëherë dua të sqaroj se çdo luftë ka tre nivele objektivash e që janë: ai strategjik, operativ dhe taktik. Në nivelin strategjik objektiv yni dhe i çdo lufte të karakterit çlirimtar është dhe ishte çlirimi i Kosovës. Në aspektin operativ ishte zhvillimi i kapaciteteve tona luftarake dhe shtrirja e luftës me kapacitetet tona në përmasa vendore deri në armatën e Kosovës. Kurse në nivelin taktik, ne kishim detyra konkrete që na u dhanë me urdhrin për sulm që nga kapja e objektivave të afërm në fazën e parë të sulmit që u realizuan në ditën e parë, me eliminimin e të gjitha pozicioneve siguruese të Kazermës ushtarake si dhe pozicioneve përgjatë vijës kufitare nga kazerma “7 Korriku” mbi Qafëmorinë deri te Rrasa e Zogut mbi Rrasën Koshare. Kapja e këtyre objektivave na mundësoi që kazerma të merej ditën e dytë të luftimeve dhe brenda ditës së 11 prillit të arrijmë të riorganizojmë sistemin e zjarrit, plotësimin e kapaciteteve dhe zhvillimin e njësive për kapjen e objektivave te ardhshme dhe përmbushjen e objektivit final të Betejës, përkatësisht luftës.” (shih “Bota sot”, datë 4 maj 2019)  

    Me këtë teorizim të gjeneral Hysen Berishës bindemi, se këta zotërinj nuk kanë pas asnjë lloj strategjie, por veç teori konkuruese dhe asnjërën prej atyre teorive nuk e kanë çuar deri në konkluzione. Të ndodhur midis dëshirës për një fitore epope teorike dhe parandjenjës për një disfatë ushtarake, duket se ata kanë qenë para një dileme tragjike: të sulmojmë apo të bëjmë sikur sulmojmë.  

    Nëse keta zoterinj oficerë, nuk janë dakort se kanë qenë në këtë lloj dileme, janë të lutur t’u përgjigjen pyetjeve të mëposhtme, me të cilat të na qartësojmë konceptet e tyre strategjike, operative dhe ato taktike:  

    1. Ju që luftuat në Koshare, a e arritët objektivin strategjik të luftës sonë çlirimtare, çlirimin e Kosovës, sikundër e keni patur objektiv dhe që e keni theksuar edhe në intervistat e fundit? 
    2. A e arritët objektivin tuaj: “në aspektin operativ shtrirjen e luftës në të gjithë territorin e Kosovës dhe krijimin e armatës së Kosovës.”, sikundër shpreheni? 
    3. Nëpërmjet realizimit të detyrës së nivelit taktik “duke mbritur deri te Rrasa e Zogut mbi Rrasën Koshare”, vallë kjo arritje bëri të munduar “përmbushjen e objektivit final të Betejës, përkatësisht luftës.”, të nivelit strategjik dhe operativ për çlirimin e Kosovës? 

    Duke qenë se gjenerali Hysen Berisha ka bindjen se me “Betejën e Koshares” janë realizuar të gjitha synimet strategjike, operative dhe taktike të strategjisë së tyre, na del detyrë t’i themi se, duke u ngutur me qëllimin për të na e mbyllur gojën, është futur në një qorrsokak nga i cili vështirë se ka për të dalë ai dhe ata që e nxisin të flasë në këtë mënyrë. Dhe kjo ndodh ngaqë zoti Hysen nuk i ka shumë të qarta konceptet strategjike, operative e taktike.  

    Pse dal në këtë përfundim? Dal në këtë përfundim se, nuk mund të quhet as sukses strategjik, as sukses operativ dhe as sukses taktik pse u depërtua 2-3 km në thellësi të mbrojtjes kufitare serbe dhe papritmas kaluan në mbrojtje!  

    Madje, këtë nonsens të tij të shfaqur në këtë intervistë, ai e përforcon kur tregon se me 256 forca kanë sulmuar në tre drejtime operative (DO)!. Dhe konkretisht: “I tërë operacioni ishte organizuar në tre drejtime operative: DO 333, që mbulonte zonën nga “Gusha e Batushës” deri në “Shkallën e Radanit”, në Qafe Morinë; DO 555, që përfshinte “Gushen e Batushës” deri në “Oplaz” të Junikut, dhe DO 777 që përfshinte “Rrasën e Koshares”, deri në “Rrasen e Zogut”… Tre drejtimet e para operative u komanduan që më Urdhrin për Sulm të Shtabit të GO-3. Ndërsa, DO 999, u komandua me urdhrat plotësues që lëshoi Shtabi i GO-3, përkatësisht Brigada 138 “Agim Ramadani”, gjegjësisht Komandanti i operacionit, Rrustem Berisha.”  

    Mirëpo, në intervistën e datës 16 prill 2019 gjeneral Hyseni na thotë të kundërtën: “Sulmin e kemi kryer me grupe të vogla, ku secili grup kishte rolin e vet duke sulmuar.”  

    Atëhere, Cilën nga këto dy përgjigje t’i besojmë z.Hysen Berisha? Pastaj, si është e mundur që me 256 forca të sulmosh në 3 drejtime operative (DO)(?!)  

    Kaq të vështirë e ka ky gjeneral të bëjë llogarinë: 256 forca, duke i ndarë në “tre drejtime operative”, i bie që në çdo Drejtim Operativ të ketë sulmuar afërsishtë një kompani këmbsorie pa rezerva dhe pa përforcime(!!!)  

    Kjo ka qenë një mendjelehtësi e kushtueshme për komandën dhe shtabin e GO-3 dhe eventualisht, prandaj dhe u pagua shtrenjtë.  

    Veprimet e frymëzuara nga teket e momentit dhe që nuk kanë të bëjnë me asnjë strategji të përgjithshme, nuk mund të vazhdojnë pa fund, do ta paguash shtrenjtë. Kjo do të thotë se zoti gjeneral nuk e ka të qartë se çfarë kuptohet me termin drejtim operativ. Me sa duket, ky zotëri nuk e di se: DRETIMI OPERATIV është një brez vendi, ku kryhen veprime luftarake të një njësie operative (kupto: Divizion Këmbsorie) ose të disa njësive taktike (kupto: dy e më shumë Brigada Këmbsorie), dhe që në mësymje u siguron njësive të tjera kapjen e objektivave me rëndësi operative, të cilat do të ndikonin në zhvillimin e luftës në tërësi; në rastin tonë në tërësinë e luftës për çlirimin e Kosovës. Megjithatë, nëse kjo njësi taktike, (GO-3), do të kishte arritur të hapte korridorin e furnizimit, do ta pranonim se do të kishte realizuar një detyrë taktiko-operative, pasi do të kishte mundësuar kalimin në mësymje të përgjithshme të gjithë UÇK-së. Por më e keqja është se ky gjeneral nuk e pranon se njësisë së tyre taktike i ishte dhënë për detyrë: hapja e atij korridori, të cilën ai e redukton në kapjen e Rrasës së Zogut dhe Rrasës së Koshares!  

    Pse nuk na e thotë gjenerali se çfarë u fitua nga UÇK-ja me kapjen e këtyre dy Rrasave prej guri?  

    Pse nuk na thotë se kush do ta bënte hapjen e korridorit të furnzimit për UÇK-në, apo do të bëhej me urdhër të peshkut dhe me dëshirën strategjike të oficerave profesionistë të Koshares? Duke mos e pasur të qartë së çfarë kuptohet me termin “Drejtim Operativ”, prandaj ky zotëri drejtimin e sulmit të një kompanie e quan Drejtim Operativ.  

    Por edhe duke kaluar në mbrojtje, sikundër bënë në datën 11 prill 1999, a mund të na thotë ky gjeneral se, cili është ai objekt me rëndësi operative që mbrojtën këta gjeneralë e që ndikoi në tërë luftën tonë çlirimtare? Meqenëse kështu shprehet.  

    Na del njëkohësishtë detyrë t’i kujtojmë këtij gjenerali dhe kolegëve të tij, se Brigada e Këmbsorisë, (në rastin tonë GO-3), vepron në një drejtim taktik ose maksimumi taktiko-operativ, që zakonisht është një drejtim lokal, (sikundër thuhet në Doktrinën e NATO-s), ose më saktë një hapësirë e caktuar, kufijtë e së cilës goditen nga zjarri i armëve të veta organike për të realizuar qëllimin taktik.  

    Bazuar në sqarimin që na bën gjeneral Hysen Berisha, rezulton se forcat e GO-3 kanë sulmuar me kompani këmbsorie në secilin “Drejtim Operativ”!  

    Mirëpo, kompania e këmbsorisë është nënrepart taktik bazë, e cila kryen luftim të afërt me anë të ndeshjes, në luftim të afërt me armikun, në një front me gjerësi 800-1000 m, dhe jo në një Drejtim Operativ, i cili zakonisht ka një gjerësi 10-15 km dhe jo 3 km sa është gjerësia ku sulmuan tre kompanitë e komanduara nga ky gjeneral.  

    Si mund të quhet Drejtim Operativ (DO) një sektor me gjerësi prej 800-1000 m, dhe me thellësi 600-800 m?!  

    Dhe ajo që të bën të dyshosh edhe më shumë në aftësitë e tyre ushtarake është fakti se të tre këto kompani, (që këta i quajnë njësi taktike, që do të thotë 3 Brigada!), janë i vetmi skalion që dispononte GO-3 në 9 dhe 10 prill 1999, duke mos pas skalion të dytë! Dhe më keq akoma. Si mund të kalohej në mësymje ndërkohë që armiku kishte epërsi në forca, (ai 300 forca, ndërsa, ne 256 forca), kur dihet që në këto raste raporti i forcave duhet të jetë 2-3-4:1 në favor të sulmuesit?  

    Këtë raport forcash e di mirë z.Hysen, pasi na e ka thënë vetë në një intervistë të tij. Dhe gjeneral Hyseni na mburret se paskanë sulmuar në 3 Drejtime Operative dhe në një skalion, në secilin DO, kur dihet që Brigada në mësymje e ndërton rendimin e luftimit në dy deri tre skalione!  

    Dhe, po ashtu, a mud të gjenden diku tre drejtime operative në një front me gjerësi deri 3 km, në Koshare?!  

                                                                          * * *  

    Në intervistën e datës 10 tetor 2018, dhënë gazetarit Ermal Panduri, për luftën në Koshare, midis të tjerave unë pata thënë: “Ata luftuan. Luftuan me heroizëm. Nuk u turpëruan.”  

    Dhe kjo është më se e vërtetë. Trimëria e forcave të njësisë taktike GO-3 (Br.138“Agim Ramadani”), në këtë luftë dymujore, është admiruar edhe prej vetë kundërshtarëve. Fakti që forcat tona në Koshare shkaktuan surprizë për forcat serbe, përbën të vetmen meritë shumë të madhe për forcat tona. Dhe me rastin e 20 vjetorit të asaj beteje mbrojtëse këtë gjë e pranon me plot gojën edhe gjenerali i pensionuar serb, Vladimir Lazareviç, i cili ishte komandant i Korpusit të Prishtinës gjatë kohës së luftës në Kosovë, i cili edhe sot kujton se forcat që sulmuan në Koshare nuk ishin vullnetarë të stërvitur vetëm një muaj, por kanë kujtuar se ishin forcat më speciale të NATO-s, prandaj thotë: “Sulmi ishte i tmerrshëm, dhe armiku ishte shumë i armatosur mirë, me mbështetje të mirë ajrore dhe instruktorët më të mirë të NATO-s … Ishte një Vietnam në miniaturë. Nuk ishte beteja vetëm e Karakollit të Koshares, ishte një front prej 15 kilometrash….Unë madje kam qarë.”  

    Nga ana tjetër, edhe presidenti i Serbisë Vuçiç, po me rastin e këtij 20 vjetori, e quajti sulmin e dy ditëve të para të orcave të GO-3: “Termopilet serbe” (shih Gazeta EXPRESS, e Shtune, 11 Nentor 2017). Gjë që pranohet pa hezitim morali, devotshmëria dhe trimëria e luftëtarëve tanë.  

    Por këta zotërinj “profesionitë” nuk kanë ditur ta shfrytëzonin atë trimëri e vetësakrifikim të vullnetarëve shqiptarë ardhur nga të gjitha anët e rruzullit tokësor. Uroj që kjo të ketë qenë vetëm paaftësi e këtij kontigjenti oficerash.  

    * * *  

    Në krerë të veçantë të këtij libri do të tregohet me hollësi se raporti i forcave në Koshare ka qenë përherë në favor të forcave tona. Këtë e tregoi vetë fakti që forcat serbe nuk mundën të përparonin asnjë hap në drejtim të pozicioneve të kapura nga forcat tona. Por e tregon edhe fakti tjetër që, kundër 2600 forcave tona vepruan repartet e mëposhtme serbe, të cilat na i jep jo vetëm pala armike, por edhe një oficer prej anëtarëve të shtabit të GO-3:  

    1- batalioni kufitar 53 i Brigadës 125 të Ushtrisë jugosllave, e përkrahur nga policia serbe  

    2- batalioni i II i Brigadës 125 të motorizuar, pjesë i Brigadës së parashutistëve;  

    3- një pjesë e njësiteve special të Brigadës 72 ;  

    4- njësitet e policisë së Korpusit të Pristinës;  

    5- njësitet e policisë së korpusit të 2 beogradase të përforcuara me policë nga ish vendet jugosllave;  

    6- detashmenti i huaj me forca vullnetare e mercinarë;  

    7- detashmenti “Kozak” i ardhur nga Rusia, pjesëmarës nga lufta në Çeçeni; – mbeshtetja nga skuadrilia e aviacionit sulmuese-bombarduese të armatës jugosllave.  

    Gjithsej: 2332  

    Këtë sasi forcash na e konfirmon edhe pala serbe përmes organit “The Srpska Times”, datë 09.04.2019: “Around 12,000 NATO troops were on the Albanian side, ëhile only about 2,000 Serbian soldiers defended the the Serbian border, mostly members of the 125th and 549th Motor Brigade, parts of the 63rd Parachute Battalion and 72nd Special Brigade, and Russian volunteers. Battle of Košare took many lives on both sides.”  

    Të gjitha këto forca serbe muarën kontakt me forcat tona, pavarësishtë se armiku kishte mundësi të afronte edhe forca të tjera të Korpusit të Prishtinës.  

    Por, mos afrimi i forcave të tjera nga pala serbe tregon, se ajo komandë e pat bindur veten se forcat tona kishin vendosur të bënin vetëm betejë mbrojtëse. Kjo lloj beteje mbrojtëse e forcave tona, nuk ishte në interes të nivelit strategjik e operativ të UÇKsë, por në interes të forcave serbe, pasi kundërshtari u bind se forcat tona që luftonin në Koshare kishin hequr dorë nga hapja e korridorit të furnizimit për UÇK-në. Dhe mos të harrojmë edhe faktin që forcat tona ishin të përforcuara edhe me një sasi repartesh artilerie të Divizonit të Kuksit të Ushtrisë Shqiptare, që llogariten në 4-5 grupe artilerie me larghedhje të madhe. Në të vetmen gjë, që nuk patën dallime këto dy pale kundërshtare, ishte se asnjëra prej tyre nuk pati asnjë periudhë pushimi gjat gjithë luftës dymujore. (“The Srpska Times”, datë 09.04.2019: “Rreth 12,000 trupa të NATO-s ishin në anën shqiptare, ndërsa vetëm rreth 2,000 ushtarë serbë e mbrojtën kufirin serb, kryesisht pjesëtarë të Brigadës Motorike të 125-të dhe 549-të, pjesët e Batalionit të 63-të të parashutëve dhe të Brigadës së Posaçme 72 dhe vullnetarëve rusë. Beteja e Košare mori shumë jetë nga të dy anët.”  

                                                                                    * * *  

    Nga ana tjetër, thirrjes së QPK-së dhe SHP të UÇK-së për mobilizim të përgjithshëm iu përgjigjën mijëra vullnetarë nga e gjithë diaspora dhe trevat e banuara me shqiptarë. Deri në datën 8 prill 1999, vetëm në Qendrën Stërvitore në Helshan (Kukës), sikundër tregon komandanti i asaj qendre stërvitore, Agim Haziri, ishin duke u stërvitur 1200 luftëtarë vullnetarë. Merret me mend se, sikur kjo masë kaq e madhe të ishte përqëndruar për zhvillimn e mësymjes në Koshare, ajo betejë kishte për t’u fituar ndoshta pa pasur nevojë fare për t’u përleshur. Pasi, serbët, të kapur në befasi nga ajo dyndje e madhe njerëzish të armatosur e të mbështetur me zjarr të shumtë artilerie, do ta kishin lënë vetë korridorin të lirë qysh në ditën e parë të sulmit.  

    Korpusi i Pirishtinës, çfarëdo mase që të merrte, nuk do të mund ta shmangte dot disfatën brenda asaj dite, për mos të thenë brenda disa orëve. Kësaj zhurme të madhe propagandistike, të inicuar prej kuadrit komandues të GO-3 dhe iluzioneve të tyre, ka gjasa t’i ulet kjo eufori fallco pasi ta lexojnë me gjakftohtësi këtë analizë të hollësishme ushtarake, me besimin se kanë për t’u bindur përfundimisht se nuk është GO-3 që çliroi Kosovën, por është bashkveprimi luftarak midis UÇK-së dhe aviacionit të NATO-s.  

    Dhe këtë bashkëveprim e mbajti SHP i UÇK-së, për të cilin Komandanti i Përgjithshëm i NATO-s, Uesli Klark, u shpreh: Bashkveprimi më i mirë luftarak në historinë 50 vjeçare të NATO-s.  

                                                                               * * *  

    Konkluzioni i bërë prej meje në intervistën e 10 tetorit 2018, për “Betejën e Koshares”, sikundër u shpreha më lartë, inicoi një reagim tepër të ashpër dhe mospranues Lufta e Koshares 29 si nga një pjesë e kontigjentit oficer që luftoi në Koshare, por edhe nga luftëtarë të thjeshtë të atij formacioni luftarak, bashkë me disa analistë profanë nga ana ushtarake, nëpër televizorë të ndryshëm ashtu edhe në mediat me shkrim. Kuptohet, se konkluzioni që unë deklarova për atë “betejë” tingëlloi si e papritur për opinionin në Kosovë, dhe kjo ngaqë gjatë 20 viteve, 1999-2019, pothuajse për ditë, populli është bombarduar me të kundërtën e asaj që unë shpreha. Prandaj dhe reagimet e pjesmarrësve në atë formacion ishin dhe vijojnë të jenë fyerje e aspak analitikë, të cilat, sikundër thashë, janë pjesë e veçantë e këtij libri.  

    Dhe gjithë ky agresivitet i tyre e ka burimin te fakti, se këta zotërinj të “Betejës së Koshares” mburren dhe fyejnë ngaqë nuk e njohin mirë artin e luftës. Duke qenë se mjeshtërinë e të luftuarit ata e quajnë shkencë prandaj, kujtojnë se bëjnë mirë që luftën e tyre dy mujore në Koshare e quajnë betejë; ata nuk e dinë se të organizosh një betejë është mundësi dhe jo dije statike; ata nuk e dinë se beteja nuk është diçka e bazuar mbi ligje dhe rregulla fikse që mund të zbatohen në mënyrë skematike, por është një lloj aftësie për t’iu kundërvënë një objekti që jeton dhe kundërvepron, është një gjykim i shpejtë në një moment të caktuar se si ta mposhtësh kundërveprimin e tjetrit, si ta rrethosh e ta asgjësosh atë në atë moment.  

    Me një fjalë, ata e kanë ende të paqartë se lufta është kryesisht art i gjykimit të shëndoshë, sikundër thotë Napoleoni. Por që më saktë e shpreh një proverb spanjoll: “Udhëtar, rrugë nuk ka. Rrugët janë bërë duke ecur”. Gjithashtu, ata ende nuk e kanë të qartë se ka betejë mbrojtëse dhe betejë sulmuese. Këtë përcaktim e bën Klauzeviçi.  

    Duke mos e pasur shumë të qartë këtë gjë, prandaj z.Hysen Berisha në intervistën e dhënë në 16 prill 2019 te TV Dukagini thotë: “Përgatitja për vendimmarrje të betejës ka ndodhur 5-6 muaj përpara.”!  

    Nga ana tjetër, në një moment të caktuar, z.Hysen Berisha, gjatë intervistës së datës 16 prill 2019 në TV Dukagjini, na la të kuptojmë se ata quajnë “Betejë e Koshares” momentin e marrjes së karakollit të postës kufitare serbe “7 Korriku”, në Koshare, duke na thënë qartë: “Një ushtri thyhet nëse i merret kazerma.”  

    Çfarë kërkon të na thotë ky zotëri më ketë shprehje? Mos vallë kujton se jemi në mesjetë? Vetëm në në luftrat e mesjetës ekzistonte kjo aksiomë: po të merrej kështjella lufta ishte e fituar. Dhe me kaq e quajnë të realizuar detyrën ndaj Atdheut, e quajnë të çliruar Kosovën, e quajnë të realizuar strategjinë e luftës në Kosovë, e quajnë të kryer detyrën e dhënë nga SH.P i UÇK!  

    Madje, pse morën karakollin e postës kufitare, “Betejën e Koshares” e quajnë “epopeja e madhe e UÇKsë”!, edhe pse EPOPE thuhet për një ngjarje të madhe historike që ka të bëjë me fatet e një populli a kombi të tërë, sikundër është lufta e Jasharajve, që ngriti në këmbë një komb të tërë.  

    Por këta zotërinj, nuk mund ta pranojnë luftën e Jasharajve në Prekaz si betejë, ndryshe do të pranonin për Komandant të Përgjithshëm Adem Jasharin, gjë që do t’i akuzonin për shkarkim nga detyra të Rugovës. Pse, e hanë atë teke ata?  

                                                                                         * * *  

    Këta zotërinj e kanë më se të qartë se gjatë dy muajve luftë, duke luftuar vetëm në mbrojtje, ranë 114 dëshmorë dhe u gjymtuan 350 të tjerë. Kjo do të thotë se çdo ditë delnin jashtë luftimit 7-8 luftëtarë, që përbëjnë gati një batalion, duke mosllogaritur ata që shoqëronin të plagosurit në spital e që shumë prej tyre nuk u kthyen, (sikundër mësojmë nga dëshmitari Muhamet Çetta).  

    Thua të mos jetë kjo një prej shkaqeve pse nuk u arrit realizimi i detyrës, e që gjeneralët tanë bëjnë sikur nuk e kuptojnë këtë gjë?! Nëse do të qe arritur fitorja, hapja e korridorit të furnizimit, dhe do të kishin ardhur furnizimet nga Shqipëria, fitoria do të kishte të atillë çmim sa të mos vihej në llogari sasia e forcave të humbura e të gjymtuara, dhe s’do të kishte pasojë tjetër veç keqardhjes për forcat e sakrifikuara. E kështu magjia e fitores dhe mënxyra e humbjeve do të ndërronin peshën specifike të këtyre elementëve. Boll që t’u kujtojmë këtyre zotërinjve se SHBA e ndërprenë luftën në Vietnam kur filluan të pësonin humbjen e 6 ushtarëve në ditë. Dhe të mos harrojmë që ata ishin një shtet me 260 milionë banorë, ndërsa ne as 1,5 milionë!  

    Sa mirë këta gjeneralët tanë mburren kur gjeneralët serbë thonë “Kosharja për ne ishte një Vietnam amerikan”, dhe për atë pse amerikanët ndaluan luftën në Vietnam bëjnë sikur nuk e dinë?! Kur këta gjeneralët tanë e shihnin se humbjet i kishin me të tilla shifra, 7-8 luftëtarë në ditë largoheshin nga fronti, dhe hapja e korridorit po bëhej çdo ditë e më e pamundur, sikundër edhe rezultoi, pse nuk u tërhoqën?  

    Gjeneralët tanë profesionistë, nëse do të pranojmë se janë profesionstë të mirëfilltë, duhej të ndërgjegjësoheshin për një tërheqje në kohë me formacione të rregullta, e nuk do ta kishim këtë humbje që këta e festojnë si fitore. Dhe ky lloj veprimi i tyre, duke folur vetëm për fitore, mendoj se ka brenda djallëzinë, që t’ia prishin mendjen popullit e të mos japin llogari për ato humbje.  

    Kjo është arsyeja kryesore pse nuk kanë pushuar së deklaruari se janë ata që kanë çliruar Kosovën dhe jo UÇK –ja.  

    Ndërsa për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së nuk rreshtin së thëni: “Ai ishte shtab jo profesionistësh”, propagandë e cila ka për qëllim ta nxjerrë gjithë UÇK-në të paaftë dhe veten e tyre strategë të shquar.  

                                                                                                  * * *  

    Bazuar në çfarë është shkruar e thënë nëpër intervista, e veçanërisht në kronikat e luftimeve të përshkruara nga z.Muhamet Cetta, bëhet e ditur se prej kur sulmi i Br.138 pushoi duke u transformuar në mbrojtje për më shumë se dy muaj rresht, nuk na rezulton që armiku të ketë sulmuar me forcat kryesore për të rrethuar dhe asgjësuar forcat tona në Koshare.  

    Gjithashtu na është thënë e stërthënë se serbët sulmonin çdo ditë, por jo me forca më të shumta se me kompani. Ç’farë tregojnë këto fakte?  

    Këto tregojnë se pala e jonë gjatë gjithë ditëve që luftoi në mbrojtje bënte të njëjtat veprime luftarake: zjarr artilerie dhe sulme me grupe të vegjël e të veçuar.  

    Me këtë lloj taktike apo edhe strategjie kundër të njëjtit armik, oficerat tanë kanë bërë që armiku të kalitej për një mbrojtje të vazhdueshme.  

    Pikërisht këtu qëndron edhe një nga arsyet pse mbrojtja e armikut nuk u thye. Sepse me llojin e luftimit tone, vetëm me zjarr artilerie të njëjtë e të përditshëm, i bënë serbët kundërshtarë të denjë të forcave tona, pasi janë vetë këta tanët që u treguan qëllimin e luftimit të tyre. Prandaj dhe armiku nuk ka bërë përpjekje të sulmonte me forca të shumta, pasi duke i mbajtur forcat tona në mbrojtje, ai e arriti qëllimin: nuk lejoi të hapej korridori furnizimit nga ana e jonë. Prandaj është e pabesueshme shifra e deklaruar nga komandantët e GO-3 se armikut i janë vrarë 1600 forca.  

    Kjo edhe për faktin tjetër, se po t’i qenë asgjësuar armikut 1600 ushtarë, forcat tona nuk kish pse të prisnin në transhe deri në 19 Qershorin e vitit 1999, por brenda 2-3 orësh do ta kishin kapërcyer lumin Erenik e do të kishin dalë në brigjet e lumit Drini i Bardhë.  

                                                                                                  * * *  

    Por le të ndalemi pak e të shpjegojmë për lexuesin, se çfarë duhet të kuptojmë me BETEJË, dhe pse e kanë emërtuar të tillë këta zotërinj luftën në Koshare.  

    Së pari, duhet theksuar se: qëllimi i betejës ka për objektiv “të shkatërrojë forca të shumta të kundërshtarit, duke përdorur një pjesë të vogël të forcave të veta”, sikundër thotë Klauzeviçi Dhe, sikundër thamë më lartë, ka dy lloj betejash, betejë mbrojtëse dhe betejë sulmuese. Parë nga pikëpamja taktike, beteja është krejtësishtë sulmuese, nëse ti e kërkon kundërshtarin dhe e sulmon atë porsa hyn në teatrin e luftës. Në këtë rast beteja është gjithmonë taktikisht sulmuese,.  

    Sipas Radio”Europa e Lirë” (që financohet nga Kongresi amerikan), datë 8 Maj 2018, jep këto të dhëna konkrete për sasinë e njerëzve vrarë gjatë lufte në Kosovë: gjithsej 13.518. Prej tyre:  

    A). Shqiptarë: 12.452. (Prej tyre: ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: 2.132; civilë shqiptarë: 8.662, (prej të cilëve fëmijë shqiptarë të moshës 0 – 5 vjeçare: 239); persona të zhdukur (deri në prill 2018): 1.658 (mund të ketë edhe serbë në këtë shumë.)  

    B). Serbë: 645 (civilë, ushtarë dhe policë).  

    C). Të etnive tjera: 421 (civilë, police, ushtarë) Pasqyruar edhe prej gazetës “EXPRESS”, e Dielë, 16 tetor 2018  

    Karl Fon Klauzeviç “Mbi luftën”, Tiranë, 1996, Libri 6, v.III,f.81. Beteja realizohet kur sulmuesi do të ketë vënë në jetë krejt planin e vet dhe do të ketë përdorur pjesën më të madhe të forcave të tij. Palës sonë, edhe pse pat kaluar në mbrojtje duke pritur sulmin e serbëve në pozicionin e saj, pjesa sulmuese e betejës nuk duhej t’i kishte munguar kurrë. Dhe nëse pala jonë mbrojtëse do të ishte fitimtare, atëherë do të kishim të drejtën të thoshnim se pala sulmuese serbe ishte shpartalluar, i ishin vrarë 1600 forca, (thënë ndryshe 70% e forcave të tij), që do të thotë, se pala serbe kishte përfunduar në një zhbërje të vërtetë.  

    Por historia ushtarake rrallë paraqet raste suksesesh të mëdha të arritura nëpërmjet betejës mbrojtëse. Por pala serbe, duke parë që pala jonë ishte e kënaqur me qëndrimin në mbrojtje, ajo e largoi rrezikun dhe ka shpëtuar nderin e armëve të veta. Me një fjalë, pala serbe me sulmet e saj të vazhdueshme me pak forca dhe me forcat kryesore qëndronte në mbrojtje, ka synuar vetëm të sprapste sulmin e palës sonë dhe jo në shkatërrimin e saj, për të mos pasur shumë humbje. Dhe faktikisht ajo pati më pak humbje se ne. Bazuar në këtë analizë, duke u bazuar te Klauzeviçi, pala jonë (GO-3), duke qenë se e filloi luftën duke kaluar në sulm, atëherë beteja e saj duhej të ishte betejë sulmuese, për vet faktin, sikundër na thotë gjeneral Hysen Berisha, se “Përgatitja për vendimmarrje të betejës ka ndodhur 5-6 muaj përpara.” 

    Në këto kushte, cila duhej të ishte atëherë karakteristika kryesore e betejës sulmuese e Br.138? Përgjigjen për këtë pyetje na i jep përsëri Klauzeviçi, i cili thotë: “Karakteristika kryesore e betejës sulmuese është krahmarrja ose rrethimi dhe, për rrjedhojë, fakti që është sulmuesi ai që e ofron betejën. Luftimi nëpërmjet vijave Lufta e Koshares 35 krahmarrëse ka në thelb epërsi të mëdha. Për këtë arsye ai është problem me karakter taktik. Sulmuesi nuk duhet të heq dorë nga të tilla epërsi në mënyrë që mbrojtësi të mos ket asnjë mjet për të kundërvepruar.”  

    Po t’u referohemi intervistave dhe shkrimeve të bëra nga vetë kuadrot e kësaj brigade, mësojmë se sulmi i saj është bërë ballor në tre drejtime, (DO, sikundër na thotë vetë z.Hysen Berisha), dhe duke qenë se armiku ishte tërhequr prej pozicioneve të para të tij, ai duhet ta ketë ditur që do të sulmohej, ndoshta dhe orën e saktë. Për këtë bindemi, se të gjithë thonë se e dinin orën e sulmit një ditë më herët!  

    Duke qenë se Br.138 nuk arriti të bashkohej me forcat e tjera të Z III Op. Dukagjini, tregon se ajo pat kaluar në një mbrojtje të shartuar, nga një ndërmarrje sulmuese. Dhe, duke mos mundur më të ruajë epërsinë e sulmit që pati dy ditët e para të luftimit, sulmi u shndërrua në mbrojtje. Përderisa sulmi i kësaj brigade nuk vijoi pas dy ditëve të para, deri në arritjen e hapjes së korridorit të furnizimit, natyrisht që do të përfundonte medoemos me një mbrojtje të shartuar, sikundër edhe përfundoi. Çdo betejë nuk zhvillohet kurrë ashtu si e kanë parashikuar ata që e drejtojnë. Ky është një kusht kryesor në luftë.  

    Edhe në rastin tonë, luftimet vijuan të zhvilloheshin pa përkuar kurrë me ato që kishin paramenduar ata që e planifikuan atë sulm 5-6 muaj resht. Në vend që të vijonin e fuqizonin sulmin, ata i dhanë atij formë mbrojtëse. Prandaj Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, duke e ndjerë se orvatja për hapjen e korridorit në Koshare dështoi, vendosi që në 12 prill të fillonte planizimin për një operacion sulmues në mal të Pashtrikut. Po aty, libri i 7, f.405  

    Pa dyshim që kalimi në mbrojtje i forcave në Koshare ishte një fitore për serbët, gjersa fusha e betejës mbeti në duart e serbëve. Na rezulton se forcat tona gjatë atyre dy muajve nuk bënë as edhe një orvatje të vetme për sulm vendimtar, për betejë, sikundër duan të thonë. Ata zgjodhën rrugën e mesme: duel artilerie. Në ato kushte forcave serbe nuk u duhej ndonjë gjenialitet i veçantë. Për këtë ata u mjaftuan të bënin gjënë më të thjeshtë e më të lehtë: të mos i lejonin forcat tona të ngrinin kokën nga transheja, duke i goditur metodikisht me artileri dhe snaiperistë; ku vetëm një togë mortajash artilerie serbe ka hedhur gjatë atyre dy muajve luftë në Koshare 45 mijë predha.  

    Po gjithë artileria serbe e përqëndruar në Koshare, sa predha artilerie ka hedhur?! Asgjë nuk ishte më pa mend nga ajo që bëri udheheqja e GO-3: qëndruan në mbrojtje deri në fund të luftës pa zhvilluar betejë, pa u orvatur fare të sulmonin. Gjithashtu, nuk është aspak e vërtetë se gjoja serbët sollën në Koshare 30% të gjithë forcave që kishin në Kosovë, kur dihet se prej 1 prillit 1999, kur u thye Operacioni “Patkoi” në malet e Berishës, ajo mbarte në vetvete, si të thuash, kushtet kimike të dekompozimit të saj.  

    Por, edhe forcat tona u përforcuan duke arritur 2600 forca, pse nuk kaluan edhe në atë moment në sulm, nëse do të pranojmë se i kishin asgjësuar armikut 70% të forcave të tij?  

    Marrë prej dokumentarit “Rrëfime lufte nga Kosharja”, dhënë prej komandantit të një toge mortajash serbe, Dragan Kamenov, B.2 Motorizuar serbe, përcjellë edhe prej klan kosova.tv, datë 2 maj 2019: “Mesatarisht në ditë i kam hedhur nga 1 mijë e 200 deri në 1 mijë e 300 ose 1 mijë e 400 predha. Për aq sa më kujtohet, besoj që personalisht i kam hedhur nga 40 mijë deri në 45 mijë predha”.  

    Po neve nuk kemi asnjë nevojë të fryjmë sasinë e forcave serbe në Koshare për të fshehur turpin tonë. Ne kemi paguar me gjak për të pasur të dretën t’i shikojmë gjerat ashtu siç janë, dhe nuk heqim dorë nga kjo e drejtë. Këtyre kuadrove të GO-3 u duket se, kur kanë ndërmarrë dy-tre raste sulmi (kur kanë depërtuar me grupe shumë të vogla në shpinë të mbrojtjes serbe), i kanë parashikuar të gjitha. Mirëpo ato s’kanë fund.  

    Plaga që i kishin dhënë armikut, duke i marrë karakollin, tregoi se nuk ishte aspak vdekjeprurëse për të. Këta tanët, duke dëshiruar diçka, janë të aftë të mbledhin gjithë lajmet serbe e shqiptare në mënyrë që këto të duken sikur vërtetojnë gjënë e dëshiruar, fitoren, duke lënë në harresë me dashje gjithçka është në kundërshtim me dëshirën e tyre.  

    Prandaj zotërinjtë e këtij formacioni është mirë t’i gjejnë një emërtim tjetër kësaj luftës së tyre në Koshare, se betejë ajo nuk ka qenë dhe nuk mund të quhet si e tillë.  

                                                                                        * * *  

    Nëpërmjet këtij ballafaqime mediatik jam munduar t’u provoj të dy palëve “avukatë mbrojtës” pjesën e tyre të vërtetë se deri në çfatë mase kanë të drejtë për “fitoren” prej tyre të Luftës në Koshare. Dhe këtë jam munduar të realizoj duke ndërtuar një pamje të tretë të së vërtetës së asaj “fitoreje” prej secilës palë, duke përfshirë në këtë pamje të tretë edhe dy pamjet e së vërtetës të prezantuar nga secila palë mbrojtëse kundërshtare. Të dy palët mbrojtëse të asaj “fitoreje”, me argumenta që kanë hedhur në këta 20 vjet në trajtën e tyre ekstreme, kemi konstatuar se nuk kanë mundur ta bindin gjithë 38 Dilaver Goxhaj opinionin e gjerë. Kjo është arsyeja pse ata po mundohen t’i japin asaj “fitoreje” pamjen e një sinteze, me qëllim që ajo “betejë” të përgjithësohet si fitoria më vendimtare e gjithë luftës në Kosovë nga secila palë.  

    Duke u nisur nga një pozitë e mesme, mendoj se përmes këtyre analizave dhe krahasimeve kam bindjen se kam arritur t’i tregoj opinionit të gjerë dhe vetë këtyre “avukatëve mbrojtës” rrjedhën e natyrshme të së vërtetës së plotë se si është zhvilluar faktikisht Lufta e Koshares. Dhe këtë jam munduar ta arrij duke përvetësuar të dy pamjet e asaj “fitoreje” të shprehura prej “avukatëve mbrojtës” të secilës palë, duke realizuar shkallë-shkallë shprehjen më konseguente të së vërtetës së asaj luftë në Koshare. Kam bindjen se ky libër ka për të shërbyer si urë midis dy palëve “avukatë mbojtës”, me qëllimin e mirë që, secila palë të bëhet e vetëdijshme për shkallën e realizimit të detyrës së ngarkuar. Këtu mendoj se qëndron kuptimi i gjthë këtij debate mediatik për Luftën në Koshare.  

    Tiranë, 23. 6 .2019 

    K O M E N T E

    1 KOMENT

    1. Në vend të komentit po jap shkrimin e z. Pren Marashi të publikuar në portalin Telegraf:
      Varreza e shkatërruar: Lopët kullotin në varret e dëshmorëve në Koshare…
      Pren Marashi
      Te nderuar miq;
      Populli shkon në varrezat e dëshmorëve për të nderuar bijtë e tij më të mirë, që nuk kursyen jetën e tyre për t’i sjellë lirinë popullit të vet.
      Politika e jonë ditore ,merret me Dëshmorët dhe ju bie ndermend vetëm kur shkojnë të varret.
      Se në çfar gjendje janë varrezat e dëshmorëve në Koshare ,dëshmojnë edhe këto fotografi të derguara nga bashkëluftëtari i cili ka të drejtë të mos kursej fjalët për të shprehur mllefin mbi ,fjalamanët politikanë ,interesxhi dhe faqezi, që dhanë premtime që këto varreza do të jenë për krenari , para mediave dhe ne tubime kur kan nevoj per vota!
      Turp!
      *
      IMH

    SHKRUAJ NJË KOMENT

    Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
    Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu