ARKIVI:
20 Nëntor 2024

Lufta e Lëkursit, pararendësja e Luftës së Vlorës

Shkrime relevante

Intervistë e Lis Bukurocës dhënë gazetares Rudina Xhunga (Video)

Erdha në Shqipëri të bëj dhëmbët dhe zbulova sekretin e madh!...

Me rastin e 20 vjetorit të kalimit në amshim të Primus Prenkë Ndrevashaj

Kisha “Zoja Pajtore e Shqiptarëve” në Southfield të shtetit Michigan, themeluar...

Shpërnguljet për në Turqi dhe historitë e trishta të vrasjeve të organizuara të shqiptarëve të rinj

Nga: Sami Islami, Londër ___ (Sipas një ngjarjeje të vërtetë) ___ Edhe pse Kosova kishte...

Prindër të dashur, tregoni se si është e mundur që fëmiu juaj të përfundoj në pranga…?!

Monika Braja, Selanik ____ Prindër të dashur , Nena dhe Baballarë , që...

Në 15 vjetorin e shkuarjes në amshim të Babait, Halil Zeqës…!

17.04.1933-19.11.2009 Mga: Florim Zeqa Halil Zeqa largëpamës dhe vizionar Halil Zeqa lindi më 17.04.1933...

Shpërndaj

Kalaja e Lëkursit

Dilaver Goxhaj, Tiranë

Gjatë vitit 1877 Harilla Trikupi, ministri i Jashtëm i Greqisë dhe përfaqësues i tërbuar i reaksionit grek, ka ndjekur një politikë thellësisht shoviniste kundër Shqipërisë. Nën maskën e aleatit të popullit shqiptar për luftë kundër Turqisë, në muajin korrik të vitit 1877 ai dërgoi fshehurazi në Janinë misionarin e tij Mavromatin, për të hyrë në marrëveshje me përfaqësuesin e patriotëve shqiptarë, Abdyl Frashërin, për t’i propozuar bashkimin e Shqipërisë me Mbretërinë Greke me kusht që shqiptarët të hiqnin dorë nga Epiri (Shqipëria e Jugut), mbasi, sipas tyre, kjo tokë ishte e grekërve e jo e shqiptarëve.

Sipas dy raporteve sekrete të datave 15 dhe 19 korrik 1877, të publikuara në Athinë në revistën vjetore “ O Neos Kuvaras” në vitin 1962, Mavromati i raporton si më poshtë padronit të tij, Harillas Trikupit: “Marrëveshjet tona me përfaqësuesin e shqiptarëve janë ndërprerë, meqenëse Abdyl Frashëri ngul këmbë për sovranitetin shqiptar dhe nuk pranon që Epiri t’i jepet Mretërisë Greke, pasi këmbëngul që është tokë autoktone shqiptare.” Më poshtë, misionari Mavromatis në vazhdim të raportit të parë shton: “Është e nevojshme të zgjerohen edhe veprimtaritë e llojit tjetër”, të cilat po i parashtrojmë në mënyrë përmbledhëse:

1)Të zbarkojmë një repart ushtarak në Himarë në qoftë se negociatat tona do të dështojnë. Dalja e ushtrisë sonë në Himarë do të shkaktoi në Epir konfuzion dhe tronditje, duke bërë që batalionet e regullta të ushtrisë turke që janë të përbëra krejt prej shqiptarëve që ndodhen në Epir, do të dezertojnë për të kaluar drejt Veriut (në drejtim të Himarës) për të mbrojtur vatrat e tyre dhe, duke u shpërndarë shqiptarët në drejtim të Veriut, Epiri do të mbetet i lirë, pa shqiptarë të armatosur dhe, si pasojë, ne atëhere do t’i kemi duart të lira për të vepruar në Epir (në Shqipërinë e Jugut) dhe do t’ua heqim frikën që kanë njerëzit tanë në Epir (me fjalë të tjera, shqiptarë të agjenturës së tyre – D.G).

2) Të kompromentohen kuadrot luftarake shqiptare, duke i ekspozuar para organeve qeveritare turke, në mënyrë që të filloi persekutimi turk kundër tyre . . . Këtu në Janinë përpiqem me të këtushmit (me agjentë të tjerë të tyre –D.G) të ngjallim dyshimin e valiut të Janinës kundër Muslim Gjolekës (i biri i Zenel Gjolekës, kuadër i lartë ushtarak, i cili, së bashku me Abdyl Frashërin u përpoqën për t’i siguruar popullit tonë aleat në luftën kundër pushtuesit osman, por kur e panë se qëllimi i përfaqësusve grekë ishte bashkimi i Shqipërisë me Mbretërinë Greke ku të pranohej Shqipëria e Jugut nga shqiptarët si tokë autoktine greke, u tërhoqën menjëherë – D.G). Siç po më sigurojnë, tani është vendosur nga valiu transferimi i Gjolekës nga Himara në Radovinë të Thesalisë, por u shty për shkak të pushimit të valiut të këtushëm. Shtojmë se këtu duhet shumë mjeshtëri që të mos preket sedra e shqiptarëve…”.

Në këtë raport misionari Mavromatis i shfaq keqardhjen Harillas Trikupit që të krishterët e Shqipërisë së Jugut nuk pranuan kërkesën greke për të kaluar kundër atdheut të tyre, Shqipërisë, dhe për këtë qëndrim të drejtë të shqiptarëve të krishterë, ky misionar nuk lë fyerje pa përdorur drejtuar patriotëve të krishterë shqiptarë, që nuk deshën të bëheshin vegël e shovinizmit grek. Në vijim të politikës së saj, qeveria greke në atë kohë, për të bërë me vete si aleatë të saj krahinën e krishterë shqiptare të Himarës, përveç misionarëve të tjerë të saj, dërgoi në Himarë fshehurazi edhe renegatin shqiptar Jorgji Stefanin nga Qeparoi, të birin e Stefan Çalit. Jorgji Stefani pasi erdhi në Himarë, kërkoi takim me kapedanin e Bregdetit, Sokrat Lekën nga Qeparoi, i cili gëzonte autoritet në gjithë krahinën e Himarës. Takimi i tyre u bë në vendin e quajtur “Lëmenjat”, në fushën e Qeparoit. Ka qenë ditë gushti e vitit 1877. Jorgji Stefani i parashtroi Sokrat Lekës planin grek për të zbarkuar në Skalomë, në buzë të detit të Qeparoit. Kapedan Sokrati, pasi e dëgjoi deri në fund, iu përgjegj:

“Hasm familjar të kam, por turpin nuk ta dua, sepse jemi nga një vend. Kjo udhë që ke nisur nuk të del mbarë. Kështu nuk i shërben vatanit, por shejtanit. Ty të kanë gënjyer ata që të kanë dërguar. Po u matët të zbrisni në Skalomë, ta dish mirë se do të vejë gjaku gjer në gju. Sa jemi ne gjallë, këmbë greku nuk shkel në këtë bregdet. Ti nxive faqen tëndë, kërkon të nxish edhe timen. Këtë faqe që kur ma bëri Zaharua, mëma ime, e deri sot kurrë nuk e kam zhyer”. Sa tha këto fjalë, kapedan Sokrat Leka u ngrit në këmbë, zbathi shollët (opingat) dhe i shkundi duke i thënë:

“Asnjë thërime pluhur mos më mbettë nga ky vend i mallkuar ku u bënë fjalë të tilla!”, dhe u largua pa i thënë as përshëndetjen e zakonshme. Dhe populli i këndon:

Ulu mal të dali hënë

Të shoç kapedanin tënë Sokrat Lekën pallë argjëndë

Sokrat Leka Qeparoi

Në Janinë vate qëndroi

Me Abdylin kuvendoi.

Qeveria shoviniste e Athinës, e përkrahur nga Fuqitë e Mëdha imperialiste si Rusia cariste, Franca etj., kishte kohë që orvatej të zgjeronte kufijtë në kuriz të tokave shqiptare. Dhe për këtë qëllim po mundohej t’i bënte realitet para se të fillonte Kongresi i Berlinit, që t’i ligjeronte kufijtë e grabitur në atë kongres. Në Janar të vitit 1878 ministri i Jashtëm i Greqisë, Harillas Trikupi, u bë kryeministër i Greqisë. Ai, me të marrë fuqinë në dorë, vuri menjëherë në zbatim propozimin e agjentit Mavromatis. Dhe një mëngjes herët të datës 12 shkurt 1878, duke qenë se nuk mundi t’i bënte me vete bijtë e Himarës, zbarkoi në Lëkurës (vend në afërsi të Sarandës) që për çdo eveniment të kishte afër bazën e saj ushtarake, Korfuzin. Qysh në mometet e para të zbarkimit të forcave ushtarake greke, me të drejtë, bijtë e Shqipërisë s’u përmbajtën nga urrejtja për ardhjen e paftruar të këtij fqinji, urrejtje të cilën populli e evidenton me vargjet:

“Ç’kërkon Jorgua i Greqisë,

Në sinor të Shqipërisë?

Shqipe zez’ si korbi pisë, Do ta bëjë që të noisë…”

Zbarkimi i ushtrisë shoviniste greke në Bregdetin e Sarandës tronditi gjithë vendin. Në këto momente, bijtë e thjeshtë të Shqipërisë, barinjtë dhe bujqit e këtyre krahinave, lëshuan kushtrimin anembanë vendit. Për këtë edhe sot vijon e këndohet kënga popullore:

“Doli greku në Sarëndë,

Kush është djalë në këmbë,

Të hidhet të zërë vëndë!…”

Para këtij rreziku ishin të shumtë barinjtë shqiptarë që u hodhën në fushën e luftës, të cilët ishin barinj nga fshatrat Zhulat e Fushë-Bardhë dhe fshatra të tjera të Kurveleshit që po dimëronin në ato vërri bagëtitë e tyre, si dhe nga fshatrat e Rëzomës dhe banorë të qyteteve Delvinë, Gjirokastër etj.

Barinjtë i zevendësuan kërrabat me pushkë; Bujqit lanë mënjanë parmëndat dhe së bashku barinjtë morën mauzerët e lidhur me gjalmë dhe iu ngjitën brigjeve të Lëkursit e të Berdeneshit, ku ishin përqëndruar forcat kryesore greke. Nga Himara u nisën për në atë luftë bregdetasit të udhëhequr nga Odhise Kasneci (Nesturi) nga Vunoi, Sokrat Qirjaqi nga Çorrajt, Sokrat Leka nga Qeparoi etj.

E paharuar do të mbetet në historinë tonë trimëria e këtyre blegtorëve e bujqve të thjeshtë të Labërisë, Rëzomës, Himarës e Çamërisë që u hodhën trimërisht në sulm, duke mos u tërhequr asnjëri prej tyre nga lufta, të cilën e përshkruan bukur edhe poeti Andon Zako Çajupi në veprën e tij “Baba Tomorri”, që aq shpejt ata barinj e bujq i zevendësuan kërrabat e parmendat me pushkë dhe u dhanë dërmën shovinistëve të Athinës:

“… Për këtë gjë nga Vërria,

U hodhën çobanëria,

Nga çdo anë që u zu dyfeku,

Po si dhia iku greku…”

Lufta filloi edhe nga ana e Ksamilit, ku luftonin trimat e Kuçit të udhëhequr nga Myslim Gjoleka dhe të Çamërisë të udhëhequr nga Abedin Dino:

Abedin beu me trima

Ç’u vërvit si vetëtima,

Junanit ia bëri prima.

E gjithë popullsia e vendit Delvinë, Himarës, Sarandë e Konispol u mobilizua për pastrimin e vendit nga ushtria dhe bandat greke. E bukur është edhe satira popullore, që i kundërvihet mbretit të Greqisë, Jorgos, së bashku me gruan e tij, Ollgën, të bijën e carit rus, që mundodheshin t’u jepnin zemër ushtarëve grekë, duke i dehur me konjak:

“…Bën dyfek mbreti Moresë,

Ollga nga frika do vdesë, —

Ç’e kujton Jorgo lanenë,

Mori në qafë milenë,

U dha konjak e u dehnë,

Shapkat në vend u mbenë…

Jorgo dhëndër i Rusisë,

S’ke parë djemt’ e Shqipërisë,

Të vënë majë sfungjisë…”

Pikësynimet e kryeministrit grek Harillas Trikupit, nuk u realizuan. Kjo luftë përfundoi brenda disa ditëve me fitoren e plotë të luftëtarëve shqiptarë.

(SHËNIM: Marrë me shkurtime prej librit “Trima të kryengritjeve popullore”, v.1, me autor Mexhit Kokalari, Tiranë, 1979, f.226-236) Tiranë,

4 shtator 2021

K O M E N T E

1 KOMENT

  1. Ingteresante kjo histori.
    Ne fakt jane shume te koklavituna marredhanjet nderjet vendeve kufitare, sidomos ne Ballkan. Nuk mund te thuesh se njera ane e ka plotesisht te drejte dhe tjetra e ka plotesisht te padrejte. Fakti asht se gjithkush terheq nga vehtja. Kete gja e shofim edhe ndermjet shteteve te tjera te botes.
    Nji gja mund te thuhet se shqiptart kurr nuk kan qene te bashkuem per vete karakterin e tyne.
    Keto ngjarje qe pershkruhen ketu jane te viteve 1877 e kndej. Por po te kethehemi me mbrapa psh ne vitet 1823 e ne vijim, kemi anen e kundert te shqiptarve. Ne keto vite plasi revolucioni grek per pamvarsine e grekve nga tuku. Ne kete revolucion grek kundra pushtuesit turk-osman merrshin pjese popullsia ( natyrisht ortodokse) greke si dhe arvanitasit shqiptar ortodoks me ne kry Marko Boçarin.
    Sulltani urdheroi qe te mblidheshin ushtar shqiptar (natyrisht musliman) per te shtype kryengritjen e ortodoksve grek e shqiptar per pamvarsi. U mblodhen rreth 20.000 mij ushtar nga te gjitha pashalleqet e trojeve shqiptare, te cilet luftuan ne Morè dhe e shtypen revolucionin greko-shqiptar ortodoks.
    Keshtu asht puna, siç thote nji fjale urte nga Tosknia:
    “Ato maja rripa rripa, here ma hipe e here ta hipa”.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu