ARKIVI:
3 Shkurt 2025

Lufta hibride mediale, një “makiavelizëm” i ri politik në zgjedhjet e vitit 2025

Shkrime relevante

Lufta hibride mediale, një “makiavelizëm” i ri politik në zgjedhjet e vitit 2025

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina ___ 1. Që nga viti 2017-2021, në...

Për moralin Turko – Arab që banon nën brekë, lëpihet si akullore dhe hahet si burek !

Shkruan dhe këndon: Lirim Patrioti nga Prizreni (Autor : Lirim Gashi ___ Bukuroshja turke...

Botohet monografia “Rexhep Kuçi – Një jetë në shërbim të njerëzve në nevojë”, nga autori prof.Fadil Bytyçi

Shkruan: Drenojeta Berisha Reflektim mbi jetën dhe veprën e një humanisti me...

Arabët erdhën nga Kuvajti për të rrënuar xhami të vjetër dhe ndërtuar xhami të re në Bllacën shqiptare!

Nga: Qamil Zekolli  Agjenda antishqiptare : Xhamijëzimi i trojeve shqiptare KËTYRE SHQIPFOLËSVE Të...

Zgjedhjet test demokratik i shoqërisë!

Florim Zeqa Kosova është njëra ndër vendet e para në rajonin e...

Shpërndaj

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina

___

1. Që nga viti 2017-2021, në Kosovë janë mbajtur gjithsejtë tri palë zgjedhje parlamentare, ku që të gjitha ishin të parakohshme, dhe me lloj lloj formulash koncesionale u krijuan katër qeveri e koalicionesh (jo) hibride.

Dikush do thotë, që ishin rrethanat e tilla për të ushtruar koncesione (si ajo për; Gjykatën Speciale, Asociacionin e pranuar më 2013 dhe të nënshkruar më 2015, pastaj ajo për Demarkacionin (ku na shkuan 8000 ha(!), Marrëveshja e Ohrit dhe së fundi Plani Franko-Gjerman…), pasi na kërkoheshin me trysni të butë e herë herë edhe të ashpër (si Open Ballkanin dhe Marrëveshjen e Uashingtonit që ende është në tavolinë…!?) nga miqtë dhe partnerët tanë strategjik.

Ajo çka është më interesant, ende asnjë institut, apo institucion kompetent qoftë shtetëror apo civil shqiptar, nuk ka bërë ndonjë studim apo analizë kompetente shkencore, si për pasojat ashtu edhe për benefitet që eventualisht do të mund të kategorizoheshin në mënyrë racionale në (dis)favor të interesave shtetërore të Kosovës, e nëse doni edhe interesave afatgjata kombëtare të gjithë kombit shqiptar.

Pse, nuk ka ndodhur ky lloj satisfaksioni jo vetëm moral por edhe social i shkencave tona, fajin duhet kërkuar padyshim te politika e cila shkencës jo vetëm që nuk i ka dhënë prioritet kombëtar, por, përkundrazi e ka periferizuar aq shumë sa që s’janë të rastësishme as rezultatet degraduese të PISA-s!

Politiken (lexo: qeveritarët që marrin vota e kredibilitet qytetarë), po ashtu duhet fajësuar edhe për rezultatet e dobëta kur janë në pyetje zhvillimet socio ekonomike e në veçanti kompromiset mjerane politike të cilat për dekada të tëra po i përjeton Kosova. Odisejadë kjo ende është duke e vijëzuar “traditën” e kompromiseve (mendoj të dhimbshme) për interesat tona afatgjata kombëtare.

Ashtu që cilado qeveri që do dal nga zgjedhjet e shkurtit 2025, do të jetë e “obliguar” të paguaj si tagrin e dobësive ashtu edhe atë të mangësive e koncesioneve gjatë periudhës se vendimmarrjes kur u kryen këto “transaksione” kërcënuese që do qëndrojnë “shpata e Demokleut” edhe për një kohë mbi interesat kombëtare. Pa asnjë dyshim, këtu e kam fjalën për “pazaret” e vitit 2013/2015/2024, ku në emër të interesave tona kombëtare, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut iu dhuruam tokë që historikisht kurrë nuk u ka takuar (!), kurse, Serbisë ia mundësuam futjen e “kalit të Trojës” (përmes Zajednicës së Isa Mustafes bashkë me Hashim Thaçin) mu në zemrën e sovranitetit (“thembra jone madhore e Akilit”) të shtetësisë se krijuar mbi gjakun e mijëra dëshmorëve.

S’ këndejmi, shpresoj që në zgjedhjet e 9 shkurtit, për dallim nga ato të para katër viteve, nuk do ketë vetëm “engjëj” garues” që do fshihen pas paravanit dhe “hipotekës” së gabimeve në (krim, skandale, korrupsion, nepotizëm, kapje të institucioneve, etj.) keqqeverisjet e mëhershme, por, do ketë edhe “djaj me mëkate” (që opozita e identifikon me qeverinë) dhe gabime nga më të ndryshme. Duke u bazuar në këtë baraspeshë (politike, po edhe morale e etike), kujtoj që zgjedhjet e vitit 2025 do jenë interesante edhe për një fakt të ri që shumica e mediave dhe analizave lokale, po e s’postojnë nga të qenit faktor kyç në procesin e animimit të elektoratit ende euforik, por i “pasuruar” edhe me sfondin e gjykimit racional.

E ai faktor për mendimin tim, është niveli shumë më i lartë i vetëdijesimit qytetar si për “peshën specifike” që do e ketë e ka vota e tij në “peshoren” elektorale, ashtu edhe për mënyrën se si do të “fitohet” apo përvetësohet kjo votë. Por, ajo çfarë është me e rëndësishme në këtë narracion që pretendon të fuqizohet në periudhën e re emancipuese në horizont, ka të bëjë me kërcënimin që është duke u lansuar pa ndalur nga fenomeni i ri, i identifikuar si “luftë hibride politike“ apo “betejë” tejet e sofistikuar për “shpëlarjen e trurit” ndërpartiak, qe po përdoret nga ca medie sociale lokale, si një mekanizëm i tërthortë për animimin dhe “pushtimin” e zemrave, simpative dhe përshtypjeve qytetare në zgjedhje.

2. Natyrisht, gjatë këtyre “betejave” mediale midis qeverisë dhe opozitës po përdoren shumë (dez)informacione të pasakta (fake news) në mënyrë që qytetari i rëndomtë ta ndërroj si bindjen ashtu edhe përshtypjen e vetë personale për të (pa)bëmat e subjektit që ai (s) e rekomandon ditën e zgjedhjeve.

Ky fenomen (i ri) në skenën tonë politike, supozohet dhe shpresohet (nga ata që e kanë lansuar) se do i ndryshoj (lexo: acaroj skajshmërish!) raportet midis subjekteve antipode ideologjike dhe midis opozitës e qeverisë. Ku kufiri midis asaj që identifikohet si krim, si korrupsion, e si sjellje deviante gjatë këtyre katër viteve duket se është “zbehur” dhe se në një farë mënyre ka arritur të baraspeshohet.

Ky “suksese” i baraspeshës midis (hajde të themi) të “mirës dhe të keqes” në skenën tonë politike ka arritur edhe shkaku se qeverisja aktuale, nuk arriti për mendimin tim t’u ikë kurtheve të lakmisë dhe joshjes që i ofroj pushtet mbajtja katërvjeçare, po edhe mungesa evidente e një programi përmbajtjesor për sfidat (ekonomike e politike) që i ka Kosova. Megjithatë, mendoj që “betejat” më të ashpra priten në javën e fundit të përfundimit të fushatave zgjedhore, ku secili subjekt do të mundohet ta “bombardoj” e “gozhdoj” sa më shumë kundërshtarin (o)pozitar.

Ideja e këtij “bombardimi” (që veç ka filluar me publikimin e skandaleve dhe padyshim edhe “gozhdimi” (përmes gjuhës tejet të ashpër, si p.sh. shpallja edhe e “tradhtisë kombëtare”…) ka për imperativ të vetëm komprometimin, denigrimin, stigmatizimin dhe paragjykimin e kundërshtarit apo rivalit politik. Ky faksim i argumentuar është shumë i  rëndësishëm për “shëndetin” e demokracisë sonë të brishtë. Pra, është edhe një avancim evident në emancipim. Që nënkupton krijimin e konditave për një elektorat shumë më racional, më pragmatik dhe më realist në vlerësimin e qeverisjes po edhe qëndrimin opozitar ndaj kësaj qeverisje katër vjeçare.

Mirëpo, kur tejkalohen limitet (morale sidomos), kjo formë e denigrimit dhe sidomos linçimit publik gjuha e tillë (që i mungon alibia e fakteve) shumë lehtë shndërrohet në pengesë serioze jo vetëm për demokratizimin por, edhe për procesin e shtet ndërtimit!

Do cekur se në fushatën e sivjetme politike, kemi edhe një fenomen tjetër të ri që u “ambientua” dhe ngadalë po artikulohet përmes një lloj “makiavelizmi digjital” (për here të parë po e lansoj në publikun shqiptar këtë nocion) që është duke u ushtruar ndajë kundërshtareve politik. Ku përveç lirisë dhe sarkazmit të sofistikuar ka filluar të shpeshtohet edhe “arsenali” i fyerjeve të drejtpërdrejta, ai i stigmatizimit të pa ndalur dhe “agresionit” gjuhësor, duke mos ngurruar kështu të përdorën të gjitha “artileritë” në dispozicionin vetëm e vetëm për të anatemuar e sulmuar sa më brutalisht kundërshtarin e rivalin ideologjik, grupin klanor, apo edhe lidershipin politik.

Gjuhë, kjo që dosido mund të shquhet edhe si një lloj “makiavelizmi” digjital, ku në target “lejohen” të përdoren gjitha mjetet pa dallim!? Kjo lloj qasje e re ndaj kundërshtarit, si fenomen i ri sociologji në zgjedhjet e sivjetme në formën e artikulimit lë përshtypje të një trendi emancipues, mirëpo, në përmbajtje është degradim për subjektet, individët dhe grupet që i shfaqin në publik. Arsyeja kryesore degraduese ka të bëjë me faktin, se kur nuk ke argumentin denoncues, ti u lëshohesh “aventurave” të shpifjeve, sharjeve dhe denoncimeve pa prova që në publikun e euforik dhe të frustruar derisa të provohen si të vërteta prodhojnë efekte dezorientuese.

“Makiavelizmi” digjital në jetën tonë publike dhe sidomos tani në fushatën elektorale ani pse, na mungojnë analiza të thukëta ka rrezik që deri më 9 shkurt, do të mund të “dëshmoj” efektet e veta madhore.

Në këtë “mision” të paqësimit të kësaj situate, kujtoj që mediat sociale që dëshirojnë ta ruajnë reputacionin e vetë informues (jo atë të vrapit pas klikimeve!), do të mund ta neutralizojnë dukshëm fenomenin e ri të “makiavelizmit” digjital që në fakt është edhe një lloj lufte hibride.

3. Imponimi i vrazhdësisë së gjuhës që po përdoret edhe në fushatën e tanishme elektorale, dosido e rrit si ambicien ashtu edhe interesimin e kandidatëve për postin e KM, ngase, atyre dhe subjekteve që ata përfaqësojnë ua rrit kuotën e lakmisë dhe joshjes për privilegjet që ofron pushteti.

Qeveritarët që erdhën në pushtet me premtimin se do i ç’ kapin ish pushtetarët nga monopoli që e krijuan përmes qeverisjes dy dekadash, në “dioptrinë” opozitare ranë edhe vetë në kurthin e deliriumit të vetëkënaqësisë që ofron monopoli i pushtet mbajtjes. Kjo më së miri ilustrohet përmes skandaleve, ngritjes së aktakuzave ndaj niveleve të larta institucionale, shkeljeve procedurale në tenderime njëburimore, etj. Ndërkaq, meqë, qeveria aktuale, nuk arriti ta inicioj atë mekanizmin e “kontrollit”, që në shtetet me traditë demokratike shquhet dhe identifikohet si “check and balanse system”, duke vazhduar avazin e vakumit legjislativ të cilin grupet dhe klanet oligarkike e shfrytëzuan edhe më tej pér vazhdimin e ushtrimi të monopolit mbi resurset vitale kombëtare.

Fakti dhe akti i tjetërsimit të ndodhur që pamëshirshëm po “prodhon” individualizëm të theksuar në jetën sociale e sidomos atë politike, ka bërë që të rritet edhe “distanca sociale” midis individëve, grupeve e komuniteteve (apo, nëse doni edhe subjekteve politike) që me procesin e ri formatizimit social ndjeshëm i kanë përshtatur si sjelljet e preferencat, ashtu edhe admirimet e tyre karshi “ofertave” ekonomike, kulturore e politike. Megjithatë, “invazioni” i këtyre vlerave në mentalitetin dhe etnopsikologjinë e qytetarisë së rëndomtë jam shumë i bindur se është një mesazh shumë i qartë dhe pa ekuivokë si për subjektet politike ashtu edhe për garuesit e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.

Të gjitha subjektet dhe “kuajt e tyre të Trojës” duhet të harrojnë mënyrën, narrativët dhe strategjitë e vjetra (viktimizuese dhe ato të sakrificës) të përfitimit të “zemrës” dhe “mendjes” së elektoratit kosovar. Arsyet; Gjenerata e “tik-tokut” (që llogaritet se për çdo vit shtohet 30/35 mijë), ka bërë revolucion edhe në elektoratin shqiptar. Tekefundit, këtë fakt për gjeneratën e tij-tokut, na e dëshmuan edhe zgjedhjet në Amerikë, ku përmbysen gjitha parashikimet e sondazheve, analizave dhe ekspertizave profesionale për fituesin potencial.

*)Koncepti i luftës hibride u përkufizua për herë të parë në vitin 2007 nga Frank Hoffman, një ish-kolonel i Marinsave të ShBA-së me emrin Frank Hoffman, ndërkaq, fjala “luftë hibride” filloi me aplikativitet masiv të përdoret pas pushtimit të Krimesë nga ana Rusisë në 2014 dhe vazhdon ende në medie sociale të përdoret herë si metaforë e herë si mjetë i stigmatizimit të kundërshtarit qoftë ai ushtarak, social, ekonomik, politik apo edhe kulturor e fetar.

Ky termë, është “produkt” i tendencës së globalizimit ku shumica e ekspertëve të lëmive të ndryshme pajtohen se nuk ka ndonjë definicion decidiv dhe të përshtatshëm për të gjitha lëmitë.

Por, ky termë kur të bartet në sferën politike merr konotacionet e kombinimit të një spektri tejet të sofistikuar metodash (jo)konvencionale, pastaj mënyrave të caktuara që për qëllim e synim ekskluziv e kanë manipulimin e përkohshëm apo sistematik të politikanëve mbi masat e gjera popullore.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu