ARKIVI:
22 Dhjetor 2024

Lufta ruse do të sjellë fundin e Carit të Kremlinit, Europa e përçarë për anëtarësimin e Ukrainës në BE 

Shkrime relevante

Angazhimi kundër terrorizmit global , është angazhim për një botë pa fanatizëm dhe dhunë

Lirim Gashi, Prizren ( shqip , gjermanisht, anglisht dhe norvegjisht) ___ Tragjedia e Magdeburgut...

Meritat dhe dobësitë e Kryeministrit Albin Kurti në qeverisje

Halil Geci, Skenderaj Kryeministri Albin Kurti ka demonstruar një qasje të vendosur...

Kot e keni, mërgimtarët nuk do t’ju votojnë!

Florim Zeqa Shtyrjet e njëpasnjëshme të afatit të regjistrimit të mërgatës sonë,...

Epistolari i poetëve Shefqet Dibrani e Agim Spahiu

Shkruan: Adil FETAHU Shefqet Dibrani, “LETRAT E AGIMIT”, letërkëmbim, botoi Shtëpia Botuese...

Shpërndaj

Shkruan: Eneida Jaçaj 

 Ukraina është shndërruar në arenë lufte për afro katër muaj, ndërsa makineria ushtarake e Rusisë po vret të pafajshëm duke cënuar të drejtën legjitime të ekzistencës së një shteti sovran, që ka miratimin e popullit. Duket se konflikti Rusi-Ukrainë nuk do të shuhet shumë shpejt, edhe pse lufta e hapur nga vetë Cari i Kremlinit, Vladimir Putin, do të shënojë fundin e tij dhe sistemit autokrat në një kohë të afërt, pas 23 viteve të mbretërimit në pushtet, për shkak edhe të sanksioneve shtrënguese që i ka vendosur Perëndimi. Konflikti Rusi-Ukrainë e ka ndarë botën sërish në dy blloqe ashtu si në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore; SHBA dhe Europa pro ruajtjes së sovranitetit të shtetit të Ukrainës, ndërsa shtetet si Kina, Kuba, Irani, Venezuela janë rreshtuar pro Rusisë. Turqia ka mbajtur një qëndrim neutral, por që ka shtuar deklaratat për paqe dhe konsensus mes dy vendeve. Populli i pafajshëm ukrainas po vuan në lëkurën e tij kapriçot dhe dalldisjet e fundit të Putinit, ku makineria ushtarake e “vdekjes” nuk po kursen as fëmijët, duke ua ndërprerë në mes të drejtën për të jetuar dhe duke minuar të ardhmen. Kjo situatë të kujton luftën e Kosovës, genocidin serb, kur makineritë ushtarake të Millosheviçit kryen krime nga më makabret mbi popullin e Dardanisë. Pasojat e ideologjive fashiste, komuniste, uzurpuese, gjithmonë i kanë vuajtur të pafajshmit. 

Superfuqia dominuese, SHBA-të, garantja e demokracisë dhe sigurisë në botë, dhe kontinenti plak, Europa, ndihen në presion përballë një agresori të pabindur si Putin, i cili nuk njeh konsensus dhe limite, por u qëndron stoik pretendimeve të tij ndaj Ukrainës, duke kërcënuar botën me armët bërthamore në rast se do të hyjnë në luftë kundër Rusisë. Kjo situatë të kujton Luftën e Ftohtë pas Luftës së Dytë Botërore, ku SHBA-të dhe Bashkimi Sovjetik, si dy superfuqi, ndaheshin në shumë pikëpamje. Shkaku kryesor i kësaj lufte është siguria që ka kërkuar Putin për mosanëtarësimin e Ukrainës në NATO. Madje, Putin ka qenë ai që ka akuzuar SHBA-të se janë ato që provokuan konfliktin në Ukrainë, pasi, sipas tij, NATO ka afruar infrastrukturën e saj ushtarake gjithnjë e më pranë kufirit rus. Por, Putin kërkon të vrasë me një “gur” dy zogj. Cari i Kremlinit përpiqet të gjejë një fajtor, në këtë rast SHBA-të, për t’ia atribuuar peshën e luftës, dhe ta nxjerrë jashtë loje si superfuqi, duke rikthyer BRSS dhe duke dominuar në Ballkan së bashku me Serbinë, një projekt i vjetër ky, por që do të mbetet veç një ëndër. Gjithashtu, edhe pse “Perdja e Hekurt” ka rënë në 1989, Putin kërkon t’i rikthejë peshën dominuese Rusisë si në kohën e ekzistencës së Bashkimit Sovjetik, i cili shërbeu si model frymëzimi për instalimin e regjimit komunist në vendet e Europës Juglindore. Përpos kësaj, lufta e Rusisë kërkon të zhvendosë SHBA-të si superfuqi botërore dhe Putin t’i rikthejë Rusisë “lavdinë” dhe “dinjitetin” e munguar. 

SHBA-të dhe Europa kanë dërguar në Ukrainë ndihma ushtarake për llogari të luftës, madje një paketë e re do të miratohet për Ukrainën, për të modernizuar ushtrinë e saj. Kjo ndihmë përfshin armë të rënda dhe sisteme raketore me rreze të gjatë. Gjithashtu, Gjermania ka dërguar shumë armë në Ukrainë. Konflikti Rusi-Ukrainë është një konfikt delikat, ndërsa SHBA-të dhe BE-ja po tregohen disi të pjekur për të mos zhytur botën në një luftë të tretë botërore. A duhet të vazhdojë SHBA-ja dhe BE-ja të mbajë këtë qëndrim duke parë se si makineria e “vdekjes” ruse po vret fëmijë?! Komandanti i Forcave të Aleancës në Europë, gjenerali Ëesley Clark, në një deklaratë u shpreh se pushtimi rus i Ukrainës nuk do të ndalet pa ndërhyrjen e NATO-s, duke sjellë në vëmendje konfliktin në Bosnje, i cili u shua vetëm me ndërhyrjen e NATO-s. Por situata nuk është e njëjtë, pasi Rusia mbetet një nga shtetet më të fuqishme bërthamore. “Nuk duhet të ketë dyshim për askënd se çdo agresor potencial do të përballet me disfatë dhe pasoja ogurzeza nëse sulmon drejtpërdrejt vendin tonë”, ka kërcënar Putin. Thyerja e Rusisë në konfliktin me Ukrainën do të shpëtojë shumë shtete të tjera që mund të kenë të njëjtin fat si Ukraina; shtetet satelite të Rusisë, shtete të tjera si Bosnja dhe Hercegovina, kur Millosheviçi kishte në plan të krijonte “Serbinë e Madhe”. Pra, dështimi i luftës ruse do të mbante të ngrirë edhe shumë konflikte të tjera, që do të mjaftonte vetëm një shkëndijë të sillte përfshirjen e gjithë Ballkanit në luftë.  

Përpos ndihmave për të modernizuar ushtrinë e Ukrainës, SHBA-të dhe Perëndimi i kanë vendosur sanksione shtrënguese Rusisë, ekonomia e së cilës shumë shpejt do të dobësohet. Së fundmi, Egjipti, Izraeli dhe Bashkimi Evropian nënshkruan marrëveshjen për të rritur shitjet e gazit natyror të lëngshëm për vendet e BE-së, të cilat synojnë të reduktojnë varësinë e tyre nga furnizimet nga Rusia. Edhe Presidenti Amerikan, Joe Biden, ka ndaluar të gjitha importet e naftës dhe gazit rus. Ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka vendosur të ndalojë gradualisht importet e naftës ruse, deri në fund të vitit 2022. Por që kjo situatë ka sjellë rritjen e çmimit të gazit natyror dhe të lëngshëm në të gjithë botën. Pasojat e luftërave nuk janë të mira për asnjë vend, ashtu siç kemi eksperiencën me Luftën e Madhe 1914-1918, që solli shkatërrime, dëme materiale dhe ekonomike, e humbje të mëdha në njerëz. Megjithatë, këto sanksione do të ndikojnë negativisht në ekonominë e Rusisë, duke pasur parasysh edhe shëndetin jo të mirë të Putin, që, të gjitha, të marra së bashku do të sjellin dobësimin e pushtetit të tij. Dobësimi i Rusisë, ku ka pothuajse të gjithë botën kundër, është një moment i duhur për t’i ushtruar presion Serbinë për njohjen e Kosovës. Kjo është një çështje tjetër. 

Tashmë, për të normalizuar situatën dhe për të sjellë stabilitetin në Ukrainë, është hedhur ideja që Ukraina të anëtarësohet sa më shpejt në Bashkimin Europian. Por, familja e madhe europiane është e përçarë sa i takon dhënies së statusit të vendit kandidat në BE, Ukrainës. Gjermania është pro zgjerimit, ndërsa Franca, si gjithmonë është skeptike në zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo vjen për shkak të demokracisë së dobët dhe problemeve të brendshme që kanë këto vende. Madje, Presidenti Francez, Emmanuel Macron, ka thënë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk mund të jetë e vetmja përgjigje për stabilitetin e vendeve fqinje si Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia. Derisa kjo situatë të normalizohet, ai që do të vuajë më shumë pasojat është populli i Ukrainës, ku përditë po shënohen vdekje, shkatërrime, dëme materiale dhe ekonomike. Arritja e një marrëveshjeje në tavolinë, mes Rusisë dhe Ukrainës, me ndërmjetësimin e zyrtarëve më të lartë të SHBA-së dhe BE-së, nëpërmjet dialogut dhe botëkuptimit, do të sillte paqen dhe stabilitetin.  

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu