ARKIVI:
22 Dhjetor 2024

Lugetërit që duan ta kafshojnë Donika Gërvallën

Shkrime relevante

Zëri i ndërgjegjës kombëtare thërret për ndryshim!

Shqiptarë të Plavës dikur..., para se pasardhësit e tyre të bëheshin...

Ja si mund të duket Anglia e bukur, e së ardhmes…!

Jorgo Mandili 21 dhjetor 2024 ___ Britania ishte përpara të gjitha vendeve perëndimore në...

Si i dëboi UÇK-ja hoxhëllarët dhe predikuesit e fesë islame nga frontet e luftës

Luan Dibrani, Gjermani ___ Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e...

Interesat kombëtare të Kosovës, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe konteksti më i gjerë gjeopolitik

Agim Vuniqi, New York ___ Roli i Shqipërisë dhe deklaratat e kryeministrit Rama Fjala...

Shpërndaj

Në fillim të tetorit të 2012-tës kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh kryetar i Prishtinës, Isa Mustafa, kishte konfirmuar për gazetarët se ka pasur një bisedë me prokurorin Paskal Persons, ndërkohë që një raport i një hetuesi të EULEX-it (Gary Fainsworth) ngrinte dyshime se dhjetëra anëtarë të LDK-së janë vrarë, vetëm pse ishin kundërshtarë të PDK-së. Çuditërisht ky angazhim i Mustafës nuk i ka penguar eksponentët e PDK-së që pikërisht atë ta zgjedhin shef të qeverisë së tyre të përbashkët (PDK-LDK), ndërkohë që janë tepër agresivë ndaj deklaratave të Donika Gërvallës të para pesë, gjashtë vitesh. Ku qëndron enigma e kësaj qasjeje selektive të eksponentëve të PDK-së dhe pse ata kanë zgjedhur tabelë qitjeje pikërisht Donika Gërvallën?!

Partia Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk e ka refuzuar ta ketë partner bashkëqeverisës Isa Mustafën, ish kryetarin e LDK-së, edhe përkundër faktit se ky i fundit vazhdimisht kishte folur për vrasjet politike të eksponentëve të kësaj partie pas luftës.

Nëse i referohemi mediave të Prishtinës, do të shohim se Isa Mustafa në kontinuitet ka kërkuar hetim në lidhje me vrasjet e pasluftës. Madje lidhur me këtë ai ka qenë i intervistuar edhe nga prokurorët e Eueleksit, mirëpo si duket kjo nuk iu ka penguar dashamirëve të pushtetit nga ana e PDK-së që pikërisht Isa Mustafën ta zgjedhin për shef të tyre në qeveritë e përbashkëta PDK-LDK.
Portali KALLXO.COM i datës 04 tetor 2012 raportonte se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh kryetar i Prishtinës, Isa Mustafa, ka konfirmuar për gazetarët se ka pasur një bisedë me prokurorin Paskal Persons, të enjten, nga ora 10 deri në mesditë.

“Tema sot kishte të bënte me vrasjet e zyrtarëve të LDK-së pas përfundimit të luftës”, tha Mustafa, gjatë përurimit të një shkolle në kryeqytet. Mustafa tha se partia e tij ka kohë që ka kërkuar hetime në lidhje me vrasjet e pasluftës së veprimtarëve të këtij subjekti politik. “Unë edhe më herët kam pasur kontakte me zyrtarët e EULEX-it”, shtoi ai.

Mustafa, sipas kallo.com, mirëpriti hetimet nga ana e Misionit të BE-së për Zbatimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, me qëllim të zbardhjes së vrasjeve, të cilat shpesh janë cilësuar si me motive politike. “Më vjen mirë që EULEX’i ka filluar të merret edhe me këto çështje”. Por, ai nuk ka dhënë detaje se për cilat raste konkretisht është pyetur nga prokurori i EULEX-it, shkruante kallo.com dhe përkujtonte se në korrik të sivjetmë (2012 – v.ime), një raport i një hetuesi të EULEX-it ngrinte dyshime se dhjetëra anëtarë të LDK-së janë vrarë, vetëm pse ishin kundërshtarë të PDK-së. Raporti i nënshkruar nga hetuesi Gary Fainsworth, që ka të bëjë me hetimet e krimeve të ndryshme, thekson se më 3 tetor 2011 është lëshuar një “dokument i klasifikuar” me qëllim të shqyrtimit të tipit të vrasjeve profesionale dhe veprat penale të ndërlidhura me to, që janë kryer ndërmjet 1999 dhe 2001, të personave me lidhje të njohura ose me ish-regjimin serb apo me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Njësia për hetimin e krimit të organizuar e Policisë së EULEX-it, siç raportonte kallo.com, ka renditur dhjetëra raste të vrasjeve prej Xhemajl Mustafës e deri tek ajo e Shaban Manajt, të cilat i ka konsideruar si krime të motivuara politikisht. Prapa këtyre vrasjeve, vrasjeve në tentativë, rrahjeve e kidnapimeve, sipas hetuesve, “qëndron një organizatë e mirëfilltë e financuar mirë”.

Narrativi i Isa Mustafës për vrasjet e pasluftës, ku viktimë kishin qenë kryesisht përfaqësues të shquar të LDK- së, nuk ka pushuar asnjëherë, madje edhe atëherë kur ka qenë në bashkëqeverisje me PDK-në.

Nëpërmjet një shkrimi në Facebook (10 prill 2017, ai kishte thënë: “Të dashur miq, si edhe në të kaluarën, LDK po akuzohet që duke i kujtuar me respekt , po i përmend vrasjet e veprimtarëve të saj të shquar.

Vrasjet do të përmenden, përderisa ato të mos zbardhen. Vrasjet duhet ti përmendin të gjithë, sepse drejtësia na takon neve të gjithëve.

Ata që marrin mandatin e popullit e kanë për detyrë të angazhohen për drejtësi. Pa dallim!

Drejtësinë nuk mund ta ndajnë fëmijët e mbetur jetim e gratë e mbetura pa burra, as njerëzit e mbetur në karroca të invalidëve. Të gjithë këta e peshojnë drejtësinë dhe përgjegjësinë tonë; të institucioneve shtetërore, të partive politike, të shoqërisë civile, të mediave, të bashkësive fetare. Ata i besojnë shtetit të tyre dhe kërkojnë përgjigje për më të dashurit që padrejtësisht i humbën.

Ndërkaq, kush organizoi, kush nxiti dhe kush kreu vrasjet, duhet ta zbulojnë institucionet e drejtësisë. Tentimet që ato të adresohen paraprakisht janë qëllimkëqija, nga kushdo qofshin ato.

Prandaj , “zellin” për ta akuzuar LDK-në se pse po kujton veprimtarët e vet dhe pse po kërkon drejtësi, do të ishte mirë ta orientonim në mbështetjen e organeve kompetente për ndriçimin e këtyre vrasjeve.

Edhe pasi të zbulohet e vërteta për vrasjen e veprimtarëve të saj, LDK do ti kujtojë ata me respekt dhe admirim. LDK është përpjekur dhe do të përpiqet që mos të lejojë pengimin e drejtësisë. Sepse kjo është padrejtësia më e madhe ndaj së sotmes dhe të ardhmes së Kosovës. IM”, shkruante Isa Mustafa.

Edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, përmes një postimi në Facebook (28.12.2020), kishte shkruar për vrasjet e pasluftës.“LDK-ja i ka mbijetuar kohës së represionit serb, duke organizuar institucionet e Republikës së Kosovës. LDK-ja i ka mbijetuar një gare të egër politike në vitet e pasluftës, kur zyrtarët e saj janë vrarë, por e ka ruajtur kursin e zhvillimit demokratik të Kosovës”.
Të gjithë e dinë se me kënd LDK e ka pasur garën egër politike, por kjo nuk ka qenë asnjëherë pengesë që për pazare të pista dhe në dëm të Kosovës të bëhen bashkë LDK dhe PDK.

Pse tani deklaratat e Donika Gërvallës duhet të trajtohen ndryshe nga deklaratat e Isa Mustafës, ndonëse në kohën kur zonj. Gërvalla ka folur për vrasjet e pasluftës nuk ka pasur kurrfarë funksioni publik dhe zyrtar.

Pse Isa Mustafa paska pas të drejtë të flet për vrasjet e dyshimta të pas luftës, madje edhe duke dhënë disa herë deklarata para prokurorëve të Euleksit, me ç’rast këta të fundit edhe kanë mundur t’i përpilojnë aktakuzat kundër ish-krerëve të UÇK-së në bazë të këtyre deklaratave, dhe pse zonja Gërvalla nuk paska të drejtë të flet në të njëjtën temë, ndonëse ende nuk është sqaruar hollësisht nëse ajo ka deponuar apo jo ndonjë dëshmi në Gjykatën Speciale kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Prapaefektet e deklaratave të saj, disa vite më vonë, dhe pikërisht kur ajo është aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, nuk kanë të bëjnë me brengën dhe hallin e eksponentëve të PDK-së ndaj ish-krerëve të UÇK-së që aktualisht po gjykohen në Hagë, por me kompleksin e fajit që kanë ata kur kanë votuar Gjykatën Speciale por edhe me xhelozinë e papërmbajtur ndaj qasjes serioze e profesionale të kryediplomates Gërvalla në paraqitjet ndërkombëtare.

Në Qeverinë aktuale të Republikës së Kosovës mund edhe të mos ndodhet një ministre me emrin e Donika Gërvallës, por mbetet i pashlyer turpi i atyre deputetëve të PDK-së që me dy duart e tyre ia dorëzuan Hagës shefat e tyre duke votuar këtë Gjykatë, për të cilën thonë se është ngritur mbi akuzat e rreme të Serbisë. Sakaq turpi bëhet i dyfisht për sa kohë që është ditur se Gjykata Speciale qenka ngritur ekskluzivisht mbi dëshmitë e rreme të Serbisë dhe sërish ajo është votuar nga PDK, ndërkohë që ende nuk ka ndonjë informacion nga NASA se prapa vrasjeve të pasluftës qëndron ndonjë Alien.

Ata që merren paturpësisht me Donika Gërvallën, duke e denigruar atë me një gjuhë të papranueshme, mbase do të provojnë të na bindin se edhe Alienët ishin të urdhëruar nga Beogradi për t’i vrarë disa figura të shquara të LDK-së.

Në fushatat elektorale të viteve të shkuara ishin shndërruar në sport kombëtar akuzat drejtuar oponentëve për vrasjet e pasluftës dhe këtu kryesisht kryqëzoheshin shtizat në mes të LDK-së dhe dy partive të dala nga lufta – PDK-së deh AAK-së. Në këto akuza përmendeshin emrat e viktimave por edhe të vrasësve, por çuditërisht posa mbaronin zgjedhjet këto parti si sërish bëheshin bashkë si hijenat për të kafshuar sa më shumë pasuritë kombëtare të Kosovës. Po t’iu jepej mundësia ato sërish do të bëhen bashkë, prandaj ato derdhin vrer kundër Albin Kurtit, Vjosa Osmanit e Donika Gërvallës, për faktin se pikërisht kjo gjeneratë e politikanëve progresist të Kosovës e pengoi degradimin e mëtutjeshëm të shtetit të Kosovës. Këtu pikërisht qëndron edhe motivi kundër Donika Gërvallës, sepse ajo për çdo ditë ua largon ardhjen e sërishme në pushtet dhe ua afron ditën kur çdo njëri do të përgjigjet për abuzimet e bëra në dëm të interesave politike e ekonomike të Kosovës. Emri i Donika Gërvallës është shndërruar në makth për zhvatësit e Kosovës, ndërkohë që tentimet për njollosjen imazhit të saj tregojnë përfundimisht se ku kalon kufiri në mes të politikës së moralshme dhe të pamoralshme në Kosovë.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu