Nga Frank Shkreli
“Libri juaj ka qenë një zbulim poetik për mua” — Ismail Kadare
Luigj Çekaj ndërroi jetë në fillim të këtij viti në moshën 70-vjeçare. Ai vinte nga Çek-Dedajt e Shkrelit të Malësisë së Madhe — fshati Bzhetë — nga e ka origjinën edhe familja ime. “Në Shkrel te shtëpia e prindërve të mi”, është një ndër poezitë e Luigjit, dedikuar vendlindjes. Atje, ku “Te muri në vend të lahutës, bimë vjerrëse varen. Atje ku piqej buka, tani zogu ndjen uri.”
Kur ishte në moshën 2-vjeçare, babai i Luigjit, Kolë Gjoka Çekaj, për t’i shpëtuar përndjekjes nga diktatura komuniste dhe dënimit me vdekje, arratiset në ish-Jugosllavi, në rrethin e Ulqinit, të cilin si bashkëvendas që ishte, familja ime e strehoi për një kohë të gjatë dhe u kujdes për te derisa ai vendosi të emigronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si biri i një të arratisuri, i mituri Luigj Çekaj jetoi ashtu me dhimbje, me njollën absurde të të prekurit dhe të përndjekurit, politikisht. Merrni me mend, prej 2 vjeç, poeti i ardhshëm do të jetonte nën tmerrin e persekutimit të diktaturës komuniste e që, eventualisht, shkoi edhe deri në arrestimin e tij. Në moshën 2-vjeçare kishte humbur babain, i cili u arratis për pikëpamjet e tija anti-komuniste. Pastaj, siç ka shkruar poeti Gjekë Marinaj në parathënjen e librit me poezi të autorit Luigj Çekaj, “Vjeshta në Aeroporte”, se ndërkaq, Luigji i vogël kishte humbur edhe duart e së ëmës në pranga sepse kishte refuzuar të padiste të shoqin tek policia.
“Për herë të parë e të fundit në moshën dy vjeç më arrestuan.
Si natën e pushkatimit të Lorkës adoleshenca e hënës
Stoli të papërsëritshme në kujtesën time ngeli,
shkëlqimi i prangave në duart e nenës! (Kujtim nga Fëminia, 1964)
Luigji i vogël, si 2-vjeçar dhe më vonë, po humbte gjithçka. Poeti i ardhshëm me trupin e tij të njomë, humbi edhe vendlindjen më në fund, duke përfunduar në kampet e Tepelenës, si përfundim i vendimeve të autoriteteve komuniste. Kryeredaktori i gazetës Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, Z. Dalip Greca në parathënien e librit të Luigjit, “Unë vij nga Shkodra”, ka shkruar, “Babai i Luigjit, për t’i shpëtuar kurthvdekjes kishte kapërcyer kufirin, ndërsa familja shkonte për t’u kryqëzuar. Hakmarrja u zbraz mbi gruan e pambrojtur të Kolë Çekaj, e cila do të plasej në birucat e ftohta. Ç’mund të mbetej në kujtesën e një fëmije 2-vjeçar, që provonte burgun në moshën e lodrave? …”.
Ndërsa pyetja ime drejtuar nostalgjikëve të sotëm të regjimit të Enver Hoxhës — të cilët na thonë se, “komunizmi ka qenë në anën e duhur të historisë”, ose “komunizmi ka bërë më shumë të mira se të këqia” – është se çfarë kërcënimi paraqiste për regjimin enverist 2-vjeçari Luigj Çekaj në vitin 1952, poeti i ardhshëm i Malësisë? Si mund të mbrohet dhe të justifikohet një regjim i tillë edhe sot në Shqipëri 30-vjet gjoja post-komunizëm, në një vend anëtar të NATO-s, i cili pretendon gjithashtu edhe antarësimin në Bashkimin Evropian? Pse, ende 30-vjet pas ndryshimit të sistemit, nuk ka një distancim zyrtar nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, i cili i hidhte fëmijët 2-vjeçar, si Luigj Çekaj dhe të moshave të tjera të mitura, në kampe përqendrimi, shumë prej të cilëve kanë gjetur vdekjen atje? Pse kjo heshtje zyrtare! Deri kur?
Për hir të Madhit Zot, ashtu i njollosur për jetë, si bir i një të arrartisuri nga “parajsa” komuniste e Enver Hoxhës, Luigj Çekaj mbijetoi disi kampet, burgjet dhe diskriminimet komuniste gjatë gjithë jetës së tij – mbijetoi edhe “Stinën e dhimbjes”:
“Në prill të ’75-ës — Përjashtim nga Universiteti
Në Maj vjen urdhëri — Të pushohet nga puna
Në Qershor –Të dëbohet nga qyteti…”
Luigj Çekaj, gjithmonë e kishte pasion letërsinë, por mundësia për të botuar iu dha vetëm pas ndryshimit të sistemeve në Shqipëri. Kështu që, menjëherë pas ndryshimit të atmosferës politike, në vitet 1991-1993, ai filloi të kontribonte si redaktor i poezisë në gazetën e pavaruar, “Besa” në Shkodër. Pas kësaj, ai vendosi të largohej, përfundimisht, nga vendlindja dhe shkon në Amerikë si emigrant politik, për t’u bashkuar me babain e tij, Kolë Gjokën. Luigj Çekaj vendoset në Bronx të Nju Jorkut, ku jetonte dhe babai i tij. Me të ardhur në Amerikë, gjatë viteve 1994-1998, ai angazhohet me revistën “Trojet tona”, ndërsa më vonë iu bashkua kolegjiumit të revistës “Jeta Katolike Shqiptare”, organ i Kishës Katolike Shqiptare, “Zonja e Shkodrës” në Hartsdale të shtetit Nju Jork. Në vazhdim të veprimtarisë së tij letrare në Në Nju Jork, ku jetoi familjarisht sa ishte gjallë, Luigj Çekaj ka botuar librat: “Vjeshta në aeroporte”, poezi, 1998 dhe “Unë vij nga Shkodra” në vitin 2004 – “Libri që rënkon nga dhimbja” – ku ka përmbledhur mbresat e kujtimet e tija nga jeta në Shqipërinë komuniste dhe në Amerikën e lirë e demokratike. “S’na kontrolluan si të dyshimtë rojet, bile as pasaportën s’na e nxuri kush me gojë! Ne që sa herë shpirtin na e pruri në fyt “Sigurimi i dreqit në Velipojë” – (Ditën e Hyrjes sime në Ëashington, 2 Prill, 1993)
Më kujtohet se kur ishte i angazhuar pranë revistës, “Jeta Katolike Shqiptare”, unë banojsha në Ëashington, por me anë të një letre më kërkonte mendimin tim – si një ish anëtar i redaksisë së kësaj reviste, që isha në fillim të viteve1970:-për ndryshimet që kishte bërë në formatin dhe përmbajtjen e revistës “Jeta Katolike Shqiptare”, në përgjithësi. Me letrën në fjalë, Luigji më kishte dërguar edhe dy tre numra të revistës “Jeta Katolike Shqiptare”, të redaktuar prej tij dhe më kërkonte mendimin tim për formatin e ri të saj. Në pamje të parë, revista kishte ndryshuar për më mirë, falë angazhimit të Luigjit dhe këtë e kisha pasqyruar në përgjigjen time, ku ndër të tjera i kam shkruar: “Të them të vërtetën, duke u bazuar në shikimin e vetëm disa numrave të revistës që kam lexuar deri tani, më vjen shumë mirë që rifilloi botimi i saj. Për më tepër, u kënaqa se revista e re, “Jeta Katolike Shqiptare”, nën drejtimin tënd është shumë e rindërtuar, më e mirë, më e këndshme dhe e lezetshme për syrin, në krahasim me formatin e vjetër të revistës – një përmirësim i dukshëm, pra, si nga formati ashtu edhe nga përmbajtja. Ju dëshiroj suksese të mëtejshme.”
Për ringjalljen e revistës “Jeta Katolike Shqiptare” aty nga mesi i 1990-ës, një meritë e madhe i shkon Luigj Çekajt dhe bashkpuntorëve me të cilët punoi në atë kohë në redaktimin dhe botimin e kësaj reviste, duke ia rritur vlerën si një organ serioz, që pasqyron jo vetëm veprimtarinë e Kishës Zoja e Shkodrës, por edhe të komunitetit më të gjërë shqiptaro-amerikan në Nju Jork dhe rrethe. Më vonë, poeti dhe shkrimtari i Shkrelit të Malësisë së Madhe, Luigj Çekaj është angazhuar edhe pranë Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Amerikë, ndërsa për një kohë ka shërbyer edhe si sekretar i kësaj shoqate intelektualësh shqiptaro-amerikanë. Luigj Çekaj është shquar dhe vlerësuar nga komuniteti i intelektualëve shqiptaro-amerikanë si një kontribues i vyer ndaj kulturës shqiptare në Amerikë dhe më gjerë. Por jo vetëm nga shqiptaro-amerikanët.
Veprat e Luigj Çekajt kishin rënë në dorë të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, i cili ka vlerësuar librin e parë të Luigjit me poezi, “Vjeshta në Aeroporte”. Në një letër dërguar poetit malësor nga Parisi, Z. Kadare ka vlerësuar me këto fjalë poezinë e tij: “Libri juaj ka qenë një zbulim poetik për mua. Së pari për nivelin e tij poetik dinjitoz, e pastaj për rezinjatën me të cilën ju dëshmoni për kalvarin tuaj… Ju flisni për dhembjen me fisnikëri, sepse dhembja njerëzore nuk e përjashton kurrë fisnikërinë. Kumti juaj në këtë rast, qoftë artistik, qoftë ai moral, ka një peshë të dyfishtë”, thuhet në letrën e Kadaresë, dërguar poetit Luigj Çekaj, me datën 28 nëntor, 1998.
Në veprat e tija Luigji shpreh, njëkohësisht, dhimbjet dhe dashurinë, së pari për nënën e vet të shumë vuajtur, për Shkodrën e tij të dashur, “Në qytetin e Nju Jorkut, unë vij nga Shkodra, i pezmatuar” dhe dashurinë e tij për Shqipërinë:
“Shqipëri, asgjë në botë veç nënës,
Nuk kam dashur më shumë se ty.
Ti me frymën tënde më ke kthyer në qenie ajri,
Ti me duart e tua më ke bërë njeri,
Gjërat unë i ndjej thellë në shpirt.” (Motivi për Shqipërinë)
Por, në veprat e tija shfaqen edhe ndjenjat për Amerikën, ku më në fund gjeti strehimin, por edhe liri e pak paqë të merituar, më në fund. “Mes Shqiptarëve të Nju Jorkut, sigurisht”, shkruan Luigji, përfshirë ne që na konsideronte si kushërinjtë e tij nga Bzheta e Shkrelit të Malësisë së Madhe, që ishim vendosur në Amerikë dekada më pare: të cilëve poeti e shkrimtari u kushton atyre një artikull të gjatë, “Dy fjalë të mira edhe për kushërinjtë e mi të mirë”. Në librin, “Unë vij nga Shkodra”, ai përmend pothuaj të gjithë në emër për emër, ndërsa ka kujtuar takimin e parë me secilin prej nesh në Amerikë duke shënuar mbresat, që i kishim lenë atij në takimin e parë me të. “Me kushëririn Fran Shkrelin u pash me hënë të mirë, sy për sy dhe shpirt për shpirt”, shkruan Luigji në librin e tij, “Unë vij nga Shkodra”. “Biseda me Franin atë mbrëmje shkoi vërtetë shumë mirë. Pothuajse gjithmonë ramë në një hulli të këthjelltë mendimesh të përafërta! Nuk patëm në asnjë rast mosmarrëveshje të çastit, apo kundërshtime të mirëfillta arsyetimesh të kundërta, madje aty rreth orëve të mesnatës kur darka mbaroi dhe erdhi koha të ndaheshim me Fran Shkrelin, unë më shumë se me një kushëri, u ndava si me një mik timin të kahershëm”, ka kujtuar Luigj Çekaj takimin tonë të parë në Amerikë.
Gjatë gjithë asaj bisede në takimin e parë me të, më kujtohet se me qëllim – duke mos dashur të trazoja plagët e vjetra të vuajtjeve të tija e të familjes – nuk e pyeta asgjë për të kaluarën e tij dhe, sidomos, për vuajtjet e nënes së tij dhe familjes në Shqipëri, pasi pak a shumë e dinim situatën e përgjithshme nëpër të cilën kishin kaluar ata dhe të tjerë si ata, që kishin ndonjë të afërm të familjes të arratisur në Amerikë. Por gjatë atij takimi të parë me mua, as ai vet nuk deshi të fliste për vuajtjet e tija dhe të familjes së tij në Shqipërinë komuniste. Por, duke u ndarë me Luigjin atë natë, ashtu siç shënon ai në librin e tij, unë nuk durova pa i thënë: “Ju sonte nuk më folët asgjë të përveçme për të kaluarën tuaj personale në Shqipëri, deshta me thënë për kalvarin e gjatë të dhimbjeve tuaja të pambarimta. Ma merr mendja se bëre mirë që nuk fole, i thashë, se i di të gjitha dhe se intelektualët e një vendi nuk janë nëna fëmijësh jetimë, që kujtojnë e zgjidhin hallet e veta me të qara…”.
Vërtet, i tillë ishte poeti e shkrimtari Luigj Çekaj, kurrë nuk ankohej për vuajtjet dhe kalvarin e gjatë nëpër të cilin kishte kaluar ai dhe familja e tij nën regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, as nuk ankohej për gjëndjen jo aq të mirë shëndetësore, as për sëmundjen e rëndë që më në fund i mori jetën, në moshën 70-vjeçare, në fillim të këtij viti, në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara. Profesori i ndjerë, Agron Fico, në një shkrim vlerësues kushtuar poetit Luigj Çekaj – botuar vite më parë – pasi ka vlerësuar meritat letrare të veprës së tij, është shprehur më së miri për ndjenjat njerëzore të shprehura në veprat Luigj Çekajt: “Luigj Çekaj është poet i fuqishëm lirik, është kryepoet që edhe pse trajton kalvarin dhe dramën e vuajtjeve dhe persekutimeve të familjes dhe të brezit të vet, në thelb dëshmon për ndjenja të thella humane të dashurisë njerëzore dhe shoqërore. Lirika e poetit Luigj Çekaj është meditative, përsiatjet janë jo thjesht nocione publicistike – politike, por darë dhe çekanë ndaj regjimit të pashpirt, të egër, regjimit totalitar-komunist: “Statujat e diktatorëve nuk qëndrojnë mbi piedestale. Ato janë ngulur si shpata në gjokset e njerëzve të pafaj”, “Statujat e diktatorëve.”
Luigj Çekaj simpatizohej nga të gjithë, pa dallim, me të cilët ai vinte në kontakt: për sjelljet e tija prej një zotërije të vërtetë, për fisnikërinë e natyrës së tij prej malësori, si dhe për njerëzinë dhe çiltërinë e përzemërt, duke berë shumë miq këtu në Shtetet e Bashkuara, shqiptaro-amerikanë nga të gjitha trojet shqiptare. Me jetën plot vuajtje të rënda dhe me veprat e tija të vlerësuara nga intelektualët e dalluar shqiptaro-amerikanë me të cilët bashkëpunoi ngushtë pas arritjes së tij në Amerikë, por edhe nga shkrimtarë të mëdhej të Kombit si Ismail Kadare — Luigj Çekaj si njeri, si poet e shkrimtar nderoi gjithashtu veten dhe familjen e tij të ngushtë dhe më të gjerë. Shkreli dhe Malësia e Madhe janë krenarë me ‘të, ndërsa komuniteti shqiptaro-amerikan është përgjithmonë mirënjohës për kontributin e tij të vyer që ka dhënë për aq pak vite sa jetoi dhe punoi në gjirin e komunitetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara