ARKIVI:
20 Nëntor 2024

“Mafia në familjen time”

Shkrime relevante

Historia dhe mesazhi tradicional i presidentëve dje dhe sot për gjendjen aktuale në SHBA dhe Presidenti TRUMP

Klajd Kapinova, New York Gjendja e Unionit (ndonjëherë përdoret në mënyrë të...

Mickoski: Gjuha shqipe nuk po rrezikohet, nuk i pengon askujt

G.K/RTKlive “Askush nuk është kundër gjuhës shqipe, as në Maqedoni, askush nuk...

52 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe

Nga: Edlira Ruzi 20/11/2024 TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Më 20 nëntor 1972, u mbajt...

210 vjet nga lindja e Jeronim de Radës, ideologut arbëresh të Rilindjes Kombëtare

Nga: Edlira Ruzi TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Më 19 nëntor të vitit 1814...

Intervistë e Lis Bukurocës dhënë gazetares Rudina Xhunga (Video)

Erdha në Shqipëri të bëj dhëmbët dhe zbulova sekretin e madh!...

Shpërndaj

Ervina Toptani, shkrimtare
___
… Një vit e disa muaj më vonë
___
Kishin kaluar kohë tashmë. “I ndershmi” Adir nuk ishte bërë i gjallë. Filluan një sërë procesesh gjyqësore civile e penale nëpër gjykata e prokurori, në disa qytete të Shqipërisë njëherazi. Padisë së gjyshes, babait tim dhe kushërirës italiane Norma, që nuk i dha prokurë Adirit qysh në fillim, tashmë i ishin bashkangjitur të gjithë kushërinjtë, ata italianë e ata që jetonin në Kanada. Duhej patjetër që të ndalnin makinerinë e vjedhjes të përbërë nga ushtria administrative shtetërore e private të paguar nga Adiri dhe Adri K. Pas disa kohësh, ndërsa seancat nëpër gjykata sa vinin e shtoheshin Adir D., mbiu një ditë papritur dhe erdhi të bisedonte me babain tim. Kur nis të mbarset mali, do ta pjellë patjetër një mi!
Ai hiqej i qetë, i fuqishëm në dukje sepse kishte gjithçka në dorë dhe përdorte mënyra të ndryshme për të frikësuar kundërshtarin, për ta kërcënuar atë sepse ai ishte i pushtetshmi, miku i qeveritarëve, i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kështu i niste gjithnjë bisedat, ai ishte Perëndia dhe tjetri një figurë e papërfillshme përpara fuqisë së tij. Sytë e tij gjithnjë të çakërryer shprehnin qartë se çfarë fshihte në shpirt. Të parën çeshtje që ngrinte në çdo bisedë ishte ajo e sinqeritetit si ndër më të “rëndësishmet” për të. Ironi e madhe kur sinqeriteti përdorej si armë pikërisht nga një mjeshtër i mashtrimit si ai. Megjithëse kishte patur sukses në përvojat e tij të mëparshme duke përdorur të njëjtat mënyra e të njëjtët skenarë.
Takimi u bë në kafenë ku Adiri ishte mësuar të qëndronte me orë. Aty bënte pazaret e pronave, bisedat mbi shitjet e blerjet sepse në Shqipëri biseda e punë të tilla bëhen pothuajse gjithnjë në kafene, madje dhe dokumentet e rëndësishme firmosen po në kafene e restorante ku noterë e funksionarë të shtetit ftohen për “kafe” e hedhin firmat si të munden. Sigurisht kafeja është gjithnjë me bisht. Kishte filluar të merrte poza prej mafiozi e të fliste me një lloj toni kërcënues që më shumë sesa të friksonte, krijonte besdi e të vriste veshin. Ishte bërë ndër të tjera mendjemadh dhe arrogant, më shumë se më parë, i pëlqente të hynte drejt e në temë e të merrte rolin e “bosit” mafioz që i pëlqente aq shumë.
Adiri i telefonon babait tim dhe i lutet që ai të pranojë të bisedojë me të. U shfaqësua se gjatë gjithë kësaj kohe që kishte premtuar për ta takuar kishte qenë shumë i zënë duke zgjidhur gjithnjë “punët” e familjes e se tani ishte momenti kur ai do i tregonte babait tim arritjet e tij dhe mënyrat që kishte përdorur për të triumfuar. Duhet të sigurohej që babai im të mos kishte guximin t’i dilte kundër Adirit në planet e tij.
(Biseda në kafene)
Adiri: Ti e di Deni, nuk është e thjeshtë të ndërtosh një mekanizëm të tërë që të punojë për ty. Unë i kam të gjithë miq sepse pronën që të takon ty unë ia kam dhënë atyre dhe do të vazhdoj ta bëj. Ti vendose të më dalësh kundër.
Babai: Unë vendosa të të dal kundër? Apo ti vendose të vjedhësh gjithçka? Familja të besoi, të dhanë dokumentet, para, besim dhe ti i shpërdërove të gjitha. Ti gjithsesi do të rrëmbeje çka më takonte edhe sikur unë të mos kisha kuptuar gjë. Po në fund të fundit çfarë fiton ti duke bërë gjithë këto beteja gjyqësore kundër nesh, duke qenë se gjithkush duhet të marrë pronën që i takon dhe nuk kemi përse përballemi gjykatave?
Adiri: Unë fitoj miq Deni. Pronën tënde ia jap miqve të mi për të cilët do të kem nevojë edhe më pas sepse ende nuk kam filluar nga marrja e pronave të stërgjyshes sonë, deri tani jam marrë vetëm me atë çka u takon gjyshërve tanë dhe kur të filloj me çeshtjet e tjera përsëri fitoj unë me të njëjtën ushtri që kam nga pas. E di ti Den sa miq kam unë, sa më besojnë njerëzit mua? Çdo mbrëmje unë takohem 2 orë me gjyqtarin M. L. të Gjykatës së Lartë, i cili më thotë ekzaktësisht çfarë duhet të bëj për t’ju mundur juve. Edhe sikur të fitoni një apo 2 gjyqe kundër meje përsëri çështja do të shkojë në Apel apo në Gjykatën e Lartë dhe atje janë miqtë e mi kundër të cilëve ju s’do të mund të bëni kurrë asgjë, të mos flasim pastaj se këto punë duan vite që të përfundojnë e deri sa të vijë ajo ditë unë bashkë me familjen time do të kemi ikur në ndonjë ishull të largët e s’do të na gjeni më. Kam paguar mjaftueshëm për të qenë i qetë gjithë jetën. Mund të ta tregoj madje të gjithë mekanizmin që kam përdorur se tani jemi drejt fundit e s’kam pse të fsheh zotësinë me të cilën kam fituar këtë që gëzoj sot. Ishte fantastike mënyra sesi ia kopjova firmën mamasë tënde me atë postierin e paguar. Unë jam fenomen ore Den, fenomen. E di si e mashtrova gjyshen tonë? E shkreta ishte aq plakë sa e gënjeja me 2 pako çokollata të sjella nga Brukseli. Kishte vite që jetonte mes Italisë dhe tezja e vogël as një pako çokollata nuk i blente. Të paktën unë kam marrë uratat e saj. E di ti Deni sa kam paguar unë për ta vënë pronën në qendër të Tiranës në emrin e Adrit?
Babai – Jo si ta di, ma merr mendja që gjithë sa më takon mua, apo edhe pjesën e kushërirave italiane e kanadeze?
Adiri: Fillimisht ishte e vështirë për të marrë lejen e ndërtimit sepse kërkonte shumë ai i madhi…
Babai: Kush i madhi?
Adiri: I madhi fare pra, ai që ve firmën e fundit që të ndërtohet. Pronari i firmës ndërtuese, ti e di kush është, një nga të mëdhenjtë afër qeverisë, më tha që duhet të paguajmë për të marrë lejen e ndërtimit, por nuk bëhej fjalë për të paguar “miqtë” vetëm tek bashkia. Tek prona jonë kishte interes vetë ai i madhi i qeverisë dhe për të vënë firmën kërkoi 3 mijë metra katror pronë për veten e tij. Duhet t’i ndanim, gjysmat t’i jepja unë dhe gjysmat ndërtuesi, kështu që tek prona jonë, tek prona ime dua të them, gjithsesi do të jenë një mijë e pesëqind metra ndërtim më pak për mua. Unë nxitoj që të mbarohet sa më shpejt ndërtimi, më intereson kjo gjë, që të largohem një herë e mirë nga këtu e pastaj ju vazhdoni gjyqet se për të fituar keni.
Babai: Ti nxiton të mbarosh punë tani me të shpejtë se ke frikë se mos fitojmë ne gjyqet ndërkohë?
Adiri: Jo, për këtë nuk e vras mendjen fare, pse kot paguaj unë? Kam frikë atë tezen e vogël se tani pas vdekjes së gjyshes është ajo e para, por edhe kjo gjë nuk më shqetëson shumë se e kam kapur për fyti edhe atë. Ia kam bërë të qartë që nëse nuk më bindet për gjithçka që i kërkoj do të mbesë pa gjë edhe ajo. Ti e di kush është gjëja e saj më e shtrenjtë, paratë. Për të tjerat nuk pyet fare, madje as për fëmijët e saj. Kishte rreth 3 muaj që nuk i takonte fëmijët dhe jetojnë në të njëjtën lagje. Sa për mua, unë nuk kam frikë nga asgjë, aq më pak nga ligji që shpreson ti. Ligjin e kam paguar dhe e kam kthyer siç dua unë të jetë. Në Shqipëri për këto gjëra është parajsë. Në Belgjikë s’kam shanse as t’i mendoj gjëra të tilla.
Babai: Po ke menduar ndonjëherë nëse do të gjendet ndonjë gjykatës apo prokuror që nuk do të blihet? Që do të dojë të paktën për dëshirë e pasion për punën të bëjë qoftë edhe njëherë të vetme në jetë detyrën ndaj drejtësisë? Që mund të ketë mbyllur sytë 100 herë gjatë jetës por që njëherë të vetme do të tregohet profesionist e të çojë deri në fund një çeshtje? E ke menduar ndonjëherë se kjo mund të ndodhë?
Adiri: Ti shikon shumë filma Deni. Pse ku jemi ne në Austri apo Belgjikë që të ndodhë kjo? As për 100 vjet nuk do të ndodhë kjo që thua ti, sa të jenë këta në qeveri si majtas si djathtas nuk do të mund të ketë drejtësi dhe ata si unë do të mbretërojnë për 1000 vjet. Më vjen keq por je i humbur ndaj hiq dorë sa nuk të ka kapur ndonjë plumb qorr rrugës, se plumbat qorr janë të këqinj, të bien edhe në ballkonin e shtëpisë e nuk dinë kë zënë.
Babai: Kërcënimet e tua nuk më frikësojnë, nëse ke vendosur ta bësh çoje deri në fund, ja ku më ke. Unë nuk tërhiqem nga ajo që më takon me ligj, të drejtë e moral. Ku ishe ti kur gjyshi jonë dergjej spitaleve me tumor në mushkëri? Priste i shkreti se mos shfaqeshe në ndonjë derë spitali për ta takuar. Të kujtohet kur ishte kërrusur nga sëmundja e nuk qëndronte dot në këmbë dhe ti e thërrisje “gungaçi” dhe e gjuaje me gurë? A pyete ndonjëherë sa i dhembi kjo atij? Po për vuajtjen e nënës time pyet ti? Po për Zotin dhe drejtësinë e tij pyet ti? A e di se të gjitha në këtë botë lahen Adir? Të kujtohet kur për të fituar ca para të fëlliqura thërrite shokët të dhunonin motrën tënde 15 vjeçare në atë kohë? Po të mos isha unë dhe nëna ime që e shpëtuam nga ty dhe e mbajtëm atë bashkë me nënën tënde në shtëpinë tonë për katër vite rresht ajo do të kishte vrarë veten. A ke shpirt ti Adir? Po vajzës tënde ia ke treguar të gjitha këto bëma të tuat?
Adiri: Po ti Deni e di që motra ime m’i fali të gjitha këto sepse i dhurova një apartament më shumë në Vlorë? Por meqë ma kujtove, a ka ardhur ndonjëherë ajo motra ime t’ju falenderojë ty dhe nënën tënde për mbrojtjen që i dhatë kur pati nevojë? I pëlqeu më shumë apartamenti i bukur me terracë Deni! E kupton tani që je ti ai që nuk ke kuptuar asgjë? Dhe pastaj hajde e gjeje kush është më fajtor, unë apo ajo. Sa për nënën time, ajo vetë e pati fajin. I doli kundër të shoqit dhe nuk duhet ta kishte bërë. Unë fillova të sjell para në shtëpi e mund të jetonim më mirë, por ajo donte ndershmërinë. Do t’i jepte për të ngrënë ndershmëria atyre të dyjave! Por tani që unë kam në dorë gjithçka gjërat kanë ndryshuar dhe me motrën time. Në thelb nuk jemi dhe aq të ndryshëm unë dhe ajo. Unë kam marrë një vendim në jetë qysh kur isha tepër i ri. Do të ringjall edhe njëherë stërgjyshin tonë të madh, Shefqet Verlacin dhe ai do të jem unë. Të gjithë pasurinë e tij do ta trashëgoj unë me vajzën time sepse jam më i zoti, sepse unë di ta bëj. Ti Deni nuk di ta vësh jetën në rrezik për paratë, kam përshtypjen se ti nuk e njeh vlerën e tyre dhe çfarë prestigji të sjell pasuria në jetë. Qoftë edhe për adrenalinën që të jep rreziku. Sa e bukur është e jashtëligjshmja! Unë nuk kam nevojë të studioj si ti e të rropatem zyrave të shtetit të bëj karrierë. Pikësëpari atë shtetin që thua ti unë e blej dhe e vë në dispozicionin tim kur të dua, së dyti ti e kupton dhe vetë se një djalë si ti, pasardhës i familjes Toptani që je nuk do ta lejojnë kurrë të bëjë karrierë me ndershmëri e meritë. Do të vazhdosh të kesh probleme me biografinë gjithë jetën tënde sa kohë jeton në Shqipëri. Këtu po nuk pate qenë djalë komunisti apo në shërbim të tyre nuk të lenë të ngresh kokë. Maksimumi që të ofrojnë janë vende dytësore ku s’ka kush punon dhe vënë ndonjë si ty. Duhen dhe hamejtë dhe do të dish më shumë? Unë po të dua me një telefonatë të heq ty nga puna, burri i ministres tënde (babai ishte nëpunës në ministri) është mik i ngushtë me atë shokun tim të KLD-së. Po të dua të le edhe pa bukë e të shohim pastaj sa i zoti do të jesh të më bësh gjyqe mua.
Babai: Unë nuk habitem, ti i tillë je dhe gjithçka mund të ndodhë, megjithatë nëse mendon se me këtë do të më frikësosh mund të bësh që nesër. Unë e kam kuptuar më mirë së ty sesi funksionojnë nga brenda institucionet tona, nuk ka nevojë të ma tregosh ti.
Adiri: Dhe jo vetëm kaq por edhe gruan tënde mund të heq nga puna me një telefonatë. Ke bërë gabimin më të madh që u ktheve nga Italia vite më parë për të jetuar në Shqipëri. Duhet të kishe qëndruar atje. Çfarë mendove? Se do të mund të merrje pronat? Se do të mund të bëje karrierë? Se do të mund të përballesh me mua e miqtë e mi? E me çfarë? Me ndershmëri, me të drejtën, me moralin tënd foshnjarak? Ty të rrofshin librat që shkruan e filozofët që lexon se për të tjerat…..
Babai: Do ta shohim deri në fund sesi do të përfundojë. Ata si ty nuk e kanë rrugën të gjatë Adir. Do të ketë mbetur edhe ndonjë idealist i çmendur ende gjallë që gjërat i mendon si unë dhe shumë të tjerë si unë. Do të vijë dhe ai momenti kur ti do të paguash për gjithçka që ke bërë dhe për të gjitha vuajtjet që i ke sjellë kësaj familjeje. Fundi do të jetë ndoshta i largët disi por shumë i hidhur për ty.
Adiri: Dëgjo, dëgjo Deni, lëri trimëritë e bëhu i mençur se gjithçka e kam në dorë unë dhe ti e kupton mirë këtë gjë. Unë mund të bie dakort të bëj dhe një lloj marrëveshjeje me ty sepse dhe këta miqtë e mi që më ndihmojnë në punën time me prona më kanë këshilluar që t’i mbyll ca gjëra me familjen dhe të mos kemi besdira gjyqësore. Kam qenë unë ai që nuk kam dashur sepse dua t’ju shoh të më luteni në gjunjë e t’më puthni dorën, megjithëse ka raste si ky kur më duhet të dëgjoj dhe këshillat e miqve. Në fund të fundit prandaj i paguaj. Unë them që të të jap ty ¼ e pronës që të takon realisht dhe ti të largohesh përgjithnjë nga skena, mos i mbështet më kushërinjtë e tjerë, hiq dorë nga gjyqet kundër meje sepse po të dua nuk të jap asgjë fare dhe të gjithë pjesën tënde ua ndaj gjyqtarëve se kështu shkojnë këto punë. Unë prapë jam i fituar, atë që të takon ty e merr tjetër kush dhe pjesën e madhe e marr unë. E di ti si i fitova gjyqet në Vlorë dhe Elbasan unë? Meqë ti nuk beson, gjyqtarit të Elbasanit, atij fshatarit me kaçurrela te balli, i dhashë një apartament 2+1 dhe një varëse të shtrenjtë për të dashurën që e ka sekretare te gjykata, e di sa gocë e mirë është? Sa të shohë ndonjë levizje andej me vrap më telefonon. Për besnikërinë që më ka treguar i dhashë një garazh te pallati i parë dhe 2 garazhe te pallati i fundit. Ndërsa ai Prokurori i Vlorës e kishte dorën e rëndë, ai kërkoi 4 apartamente te prona jonë e madhe, ia kërkoi Adrit në fakt po kur e takova unë më vonë, se e takova njëherë vetë atë prokurorin, më tha që kishte marrë vetëm 3 apartamente. Më duket se me atë të 4 ma hodhi Adri, po nuk i thashë gjë fare, le të ngopet, sikur ishin të miat ato, tuajat ishin. Do me thënë tuajat në origjinë po sipas ndarjes që kemi bërë me tezen e vogël i takonin asaj sa kohë vendosëm që nëna jote dhe ti bashkë me grupin e kushërinjve të tjerë nuk do të merrnit asgjë. Këto prokurorët e gjyqtarët e Tiranës janë edhe më të tmerrshëm se vlonjatët, nuk duan t’ia dinë fare, të kërkojnë copë sa duan dhe s’ka takim të dytë më ta. Presin vetëm dokumentin e firmosur te noteri ose çantën me 500-she. Këta të therin, mezi më zë gjumi natën se kam frikë se mos ma hedhin dhe këta të mitë ndonjëherë. Po gjithsesi këto janë probleme të miat e nuk të takojnë ty, i zgjedh vetë unë punët e mia.
Babai: Po prona e kushërirave? U ke bërë dhe atyre ndonjë ofertë thërrmijash siç po më propozon dhe mua? Mirë mua dashke të më japësh aq sa do ti, po atyre, apo ua ke shpërndarë gjyqtarëve të gjithë pronën e tyre njësoj si timen?
Adiri: Po pse kanë nevojë për prona ato? Janë rritur në mes të Italisë, nuk i mjaftoi jeta që kanë bërë, kujt do ia lenë ato që kanë? Të rrinë atje se mirë janë se sa për ato nuk ma dalin dot kurrë mua në Shqipëri. Ata kushërinjtë e Kanadasë i kam mbajtur gjithë kohës me të mirë. Me ata kam përdorur tjetër taktikë. Jam i zoti Deni, thuaj ç’të duash. Unë ua njoh tipet njerëzve dhe i vij rrotull si gjarpri derisa t’i gllabëroj. Unë them të takohemi edhe njëherë tjetër bashkë, ti qetësohu e thirri mendjes, kuptoje mirë situatën se më duket sikur nuk e ke kuptuar mirë që këtu padroni jam unë e jo ju të tjerët. Dhe ngulite njherë e mirë në kokë, jam unë ai që vendos kush duhet të marrë dhe sa do të marrë. Merre në konsideratë këtë propozim që të bëra sepse o merr diçka e largohu ose nuk do të marrësh asgjë e do lesh edhe ndonjë kokë rrugës po më deshi qejfi mua.
Babai: Mos harro se njihemi mirë bashkë Adir, je i aftë maksimumi për të falsifikuar e vjedhur ç’të të dalë përpara por nuk je dot ai trimi që hiqesh. I ke filluar herët këto punë, qysh në kohën që falsifikove diplomën e shkollës së mesme të motrës tënde sikur ishte e jotja. Nuk kam harruar asgjë Adir. Tani me sofistikimet që ka sjellë jeta moderne je bërë ekspert i këtyre gjërave, sigurisht. Por stërgjyshin tonë nuk do e ringjallësh dot, mos të të gënjejë mendja. Eshtë turp i madh për të që tek lista e pasardhësve të tij të jetë dhe emri yt. Të paktën një gjë të mirë e bëri komunizmi, krijoi kërma si ty por i mbajti larg nga ne.
Adiri: S’kam ndonjë problem të madh më atë çka mendon ti Den, thjesht konsideroje atë që të thashë se do të mbetesh pa gjë fare e ma bëj një telefon nëse bindesh. Mos u ngatërro me mua për gjëra të tjera se do të gjesh vdekjen ti e fëmijët e tu!
Babai: Të gjithë do të vdesim një ditë Adir, por askush nga ne nuk do të shkojë në atë botë pa i larë ca kusure në këtë botë, të jesh i bindur për këtë.
Babai u largua i nervozuar, nuk ndodhte shpesh që ai të bëhej vërtet nervoz. Por gjithçka që Adiri i tha ishte e vërtetë dhe kjo e bëri të ndjehej deri diku të pashpresë. A do të mundej ndonjëherë në rrethanat ku vendi ynë ndodhej të bëhej drejtësi? A do ta gjente ai të drejtën mes morisë së të korruptuarve që drejtësinë e shisnin në tavolina kafenesh e dhoma hotelesh? Çfarë duhet të bëjë njeriu në këto raste? Aq më tepër kur jeta vlen sa një gjysëm fjale e dikujt si Adiri!
Përpara shembujve të tillë, gjithçka që ka arritur njeriu deri më sot në zhvillimin e tij mendor dhe profesional të duket e kotë. Kant-i dhe Hegeli do të habiteshin me arritjen e njeriut të ri në Shqipëri madje dhe vetë Marksi. Edhe pasi filozofia dhe shkenca e politikës si e tillë përparoi kaq shumë për të përmirësuar njeriun, ky njeriu shqiptar, i formuar në komunizëm i shkeli e përdhosi të gjitha parimet bazë të filozofisë e të ndërtimit të një shteti. Arriti të transformojë atë çka bota e zhvilluar e ka në bërthamën e saj, virtytet dhe moralin. Ky teatër që zhvillohej si një “tragjedi e përbashkët” në Shqipëri shoqëronte në jetën e tyre shumë njerëz, shumë familje që sikur ne, përjetonin të njëjtin makth. Kishim filluar të vuanim nga të njëjtat sëmundje, me të njëjtat simptoma. Ankthi dhe zemërimi ishin bërë pjesë e përditshmërisë në familjen time. Qetësia dhe harmonia e zakonshme që na karakterizonte më parë tani do të shiheshin si luks i largët. Filluan të vinin letra e telefonata anonime që kërcënonin vazhdimisht se babai im do të vdiste, se nënën time do ta degdisnin larg e ta bënin skllave, se do të na rrëmbenin ne fëmijëve e fati ynë do të ishte edhe më i hidhur se i prindërve. Denoncimet tona në zyrat e policisë nuk bënë asnjë efekt. Punonjësit e policisë së shtetit që duhet të kujdesen dhe mbrojnë qytetarët në këto raste kishin punë të tjera për të bërë e na qetësonin se çudia më e madhe tre ditë zgjat e se nuk të ngacmon njeri kot. Duhet të kishim bërë ne ndonjë faj që na kërcënonin kështu. Viktima në Shqipëri është gjithnjë fajtori!
Ishim të vegjël shumë unë dhe im vëlla gjatë kësaj periudhe dhe prindërit na ruanin vazhdimisht. Ne nuk mund të luanim të shpenguar si gjithë fëmijët e tjerë sepse ekzistonte gjithmonë një hije e frikshme që mund të dilte nga hiçi e të na rrëmbente. Ne, dy fëmijët ishim gjithnjë në rojë për çdokënd që mund të na afrohej, për të kuptuar edhe lëvizjet më të vogla që dukeshin të dyshimta rreth nesh. Jeta nuk ishte më si më parë dhe ne ishim kaq të vegjël për të kuptuar përse. Zgjidhjet që kishim përpara ishin shumë të pakta dhe tepër të rrezikshme për ne, për prindërit e mi, të cilët duhej që nga njëra anë të mbronin fëmijët si fizikisht ashtu dhe shpirtërisht, të luftonin me një sistem të tërë poshtërsie, me banditë të njohur e të panjohur, të mos frikësoheshin nga kërcënimet, të përballeshin gjykatave e prokurorive duke mos qenë të sigurt nëse e drejta e tyre themelore mbi jetën, lirinë, pronën do të mbetej e mbyllur nëpër dosje të mykura gjyqtarësh të paguar për të vrarë të drejtën e bashkë me të edhe jetën. Koha dukej sikur kishte ndalur e qëndonte pezull. Reja e madhe ngjyrë gri, gjithnjë e mbarsur me shtrëngata e rrufe të frikshme qëndronte e palëvizshme mbi çatinë tonë të vogël. Zëri i brendshëm i ndërgjegjjes, që në momente të tilla të fton shpesh për të kërkuar dëshpërimisht prehje tek e shkuara, për të rigjetur pak nga lumturia e humbur kujtimeve, bëhej gjithnjë e më fuqishëm netëve të gjata e të pagjuma. Si ishte e mundur që të arrihej deri këtu? A mund ta mendonte im atë se një ditë do të mbronte fëmijët e tij prej familjarëve të tij? Prej njerëzve dikur më të dashur për të? A kishte ndonjë gjë sadopoak logjike në të gjithë këtë histori? Copëzat e jetës që kishte kaluar por që e shoqëronin kudo si hije nuk ia lehtësonin aspak shpirtin. Kujtimet mundojnë më shumë se plagët e trupit dhe këtë ndjenjë e njoh mirë për fat të keq edhe unë sot, sikur im atë atëherë. Tezja e vogël që ai e kishte dashur si motër, kushëriri i preferuar që ishte si vëllai më i madh në fëmijëri, i kishin harruar kujtimet. Ose ndoshta babai im ishte gabuar, ishte faji i tij që kishte shpirtin e bukur plot dashuri, që nuk mësoi kurrsesi të ishte njeriu i ri, ndoshta kështu do të kishte vuajtur më pak. Po Zoti a e shihte gjithë këtë? Sa herë shkoja e frikësuar pranë prindërve e mbështetesha në prehërin e mamit duke u orvatur dëshpërimisht të kuptoja përse nuk ishim më si dikur. Çfarë kishte ndodhur kështu me qetësinë tonë? E pyesja pareshtur dhe ajo përpiqej të më qetësonte e të fshihte dhimbjen që ndiente. Ishte e fortë mami im, por përpara meje dhe tim vëllai forca e saj venitej e lotët nuk i pushonin së rrjedhuri nga sytë e bukur.
Unë- Mami….
Mami – Po zemër
Unë – Po Adir D., a ka frikë nga Zoti?
Mami – Nuk e di, nuk jam e sigurtë nëse ai e njeh Zotin zemra ime.
Unë – Po pse Zoti nuk i dënon njerëzit e këqinj, mami?
Mami – Sepse Zoti është i mirë. Ai kurrë nuk do të dënonte dikë pa provuar më parë ta shpëtonte atë.
Unë – Po nëse nuk e shpëton dot Adir D-në, a do të mundet Zoti të na shpëtojë ne? Unë kam gjithmonë frikë mami se mos na ndodh ndonjë gjë e keqe. Unë nuk dua të rri pa ty dhe pa babin. Të lutem më premto që ti do flasësh me Zotin dhe do i lutesh që ne të jemi gjithmonë bashkë.
Mami – Zemra ime, princeshat si ty nuk duhet të kenë frikë. Ti do e shohësh që Zoti do t’i dëgjojë lutjet tona. Ai është i mirë dhe i jep të gjithëve një mundësi të dytë, ndoshta dhe të tretë përpara sesa të vendosë drejtësinë e Tij hyjnore. Të gjithë ne kemi mundësi që gjatë jetës t’i ndreqim disa nga gabimet e bëra. Ndaj njeriu rritet dhe maturohet me kohën dhe kupton më mirë shumë gjëra. Atëherë kur vjen momenti i duhur, kemi mundësinë të kthehemi në rrugën e drejtë dhe të kërkojmë falje përpara Zotit me shpirtin të hapur. Në të kundërt, do të paguajmë vetveten dhe çka kemi mbjellë në jetë do të na kthehet mbrapsh si çmim për t’u paguar. Çdo gjë në jetë është zgjedhje e dashura ime. Duhet të jesh i mençur për të zgjedhur drejt, jo të gjithë e kanë luksin e këtij virtyti hyjnor.
Unë – Të dua shumë mami
Mami – Edhe unë zemra ime, nuk do të jesh kurrë vetëm. Unë, babi dhe vëllai do të jemi gjithmonë me ty. Ta premtoj e dashuria ime e vogël….
Teksa kujtoj biseda të tilla që as biseda nuk mund t’i quaj, ende më dhemb thellë në kraharor. Unë u detyrova të rritem përpara kohës që i duhet çdo fëmije normal ta përjetojë rritjen mendore dhe shpirtërore. U detyrova të bëhem “e mençur” përpara se të kuptoj vështirësinë për të qenë e tillë. Zoti më kishte “zgjedhur” mua për të më dhënë një familje kaq të bukur, kaq të dashur e tani ishte rradha ime për t’i treguar Perëndisë se unë i isha mirënjohëse e t’ia shpërbleja të mirën nëse do të kishim edhe një shans të fundit për të qenë të lumtur të gjithë bashkë.
Refleksionet e mia filozofike dhe absurdi ku jetonim
Rrethanat e caktuara shpesh detyrojnë edhe të vegjëlit të rriten në pak kohë. Jetonim në kohën kur nuk mund të kërkonim ndihmë tek shteti i cili për ironi të fatit duhet të jetë “mbrojtësi” i qytetarit në raste të tilla. Ajo çka unë kam mësuar mbi shtetin nuk përputhet shumë me shtetin që kanë ndërtuar shqiptarët. Shteti është një thelb, në po atë kuptim që mund të flitet për familjen dhe shoqërinë. Veç të tjerave ai është vetë sinteza e familjes dhe shoqërisë civile. Shteti bashkon në një të vetme anën afektive të familjes e në të njëjtën kohë ai gjithpërfshin shoqërinë civile duke i dhënë asaj kuptimin dhe drejtimin. Nëpërmjet vullnetit dhe lirisë së tij shteti i tregon rrugën që shoqëria duhet të ndjekë, pra ai është një realitet thelbësor, arsyeja që kërkon të bëhet realitet në një bashkësi njerëzore. Ai në një farë mënyre është synimi i të gjithë zhvillimit historik. Shteti, është garancia e individit për të jetuar në paqe, për t’i mundësuar shtetasve, qytetarëve të drejtat themelore të cilat nuk erdhën sepse një apo disa njerëz me pozitë politike kishin dëshirë të lejonin disa të drejta. Nuk do të mjaftonte e gjithë enciklopedia e botës për të shpjeguar arsyet e shumta politike e shoqërore që njerëzimin e sollën deri këtu, në ditët që jetojmë ne sot, ku shteti i garanton qytetarëve të tij të drejtën e të jetuarit në paqe, të gëzojnë pronën e tyre të rregulluar me ligj, të mbrohen prej shtetit me ligj si individi ashtu dhe prona. E drejta dhe morali duhet të jenë themelet e politikës prej të cilave lind shteti. Forma më e lartë e moralitetit është vetë ligji. Asnjë sistem i kundërt nuk mund të përputhet me to, sepse nëse të parët e shtetit do të shkelin rregullat morale atëherë nuk do të kemi më liri. Morali, e drejta dhe liria janë të lidhura ngushtë me njëra – tjetrën dhe nuk mund të qëndrojnë nëse nuk janë të tilla.
Arsyeja dhe logjika e njerëzimit në shekuj ka trajtuar moralin e për pasojë janë shkruar dhe ligjet dhe të gjitha së bashku për të marrë një kuptim universal, nënkuptojnë lirinë. Liria është kushti pa të cilin moraliteti, i cili vepron në menyrë efektive tek njeriu, do të ishte i zhveshur nga çdo lloj kuptimi e për pasojë edhe shteti do të ishte i tillë. Rëndom në Shqipëri ndodh që politikanët “për të mirën e popullit” të “detyrohen” të veprojnë ndryshe duke sjellë në vend gjithnjë e më shumë sistemin e anarkisë, të kundërtën e lirisë, të cilin shpesh në Shqipëri ua lënë në dorë ndërkombëtarëve për ta rregulluar.
Por ky sistem i ngritur anarkie është shpesh më i kobshëm dhe më i zi sesa despotizmi që populli duron në heshtje. Të gjithë ne, njerëzit e thjeshtë, qytetarët, kontribuesit kryesor të një shteti i dimë shumë mirë detyrat e gjithsecilit nga ne. Nuk është e vështirë që shteti të ndërtohet siç duhet. Nevojiten vetëm disa “përbërës” bazë si: morali, ndershmëria dhe atdhedashuria. Këto virtyte kaq të rëndësishme që shumë shqiptarë i kanë, çuditërisht tek qeveritë që zgjedhim mungojnë tepër. Eshtë ky një paradoks për të cilin nevojiten studime të mirfillta në fushën e sociologjisë si shkencë, por të zotët e punës në këto fusha mendojnë vetëm për të emigruar, për t’u larguar sa më larg jo si zgjidhje por si zgjedhje dhe kjo është e dhimbshme. Ndodh që edhe nëse je i zoti dhe e tregon këtë nëpërmjet punës tënde, në Shqipëri ndërshkohesh rëndë.
Mamasë time, në kohën kur unë dhe im vëlla ishim të mitur e ndërsa historia e krimit me pronat e familjes sa vinte e bëhej më e vështirë, i qëlloi fati i keq të provojë në kurriz çdo të thotë të jesh i aftë në punë dhe të përpiqesh të ndreqësh të keqen që të rrethon. Prej 3 vitesh përgatiste një studim me temë “Krimi në Ballkan” me referencë Shqipërinë ku tregoi mbi baza studimore, shkencore e dokumentare sesi funksiononte tregtia e drogës në Shqipëri, si vend transit e më pas edhe si vend origjine. Shpjegoi të gjitha rrugët, të gjitha lidhjet politike të dokumentuara, të gjithë zyrtarët që merrnin pjesë për të “promovuar” këtë “parajsë” të së keqes duke mbrojtur me pushtetin e tyre “ushtarët” që i kryenin detyrat e caktuara. Shumë prej këtyre individëve që jetonin në luks të paimagjinueshëm për shqiptarët ishin deputetë të parlamentit shqiptar, ministra në qeveri, drejtorë policie e trafikantë me lidhje politike. Pasi studimi në fjalë u botua në Itali, mamanë time e hoqën nga puna pa asnjë motivacion dhe madje e kërcënuan se duhet ta zhdukte atë studim menjëherë dhe nëse e botonte në Shqipëri pasojat për të do të ishin tepër të mëdha. Sot ka vite që ajo jeton në perëndim dhe është shkrimtare e suksesshme, shpesh duke qeshur me dhimbje thotë: “ua di për nder që më përndoqën e më dëbuan nga puna sepse ndryshe nuk do të zbuloja talentin edhe në fusha të tjera”. Unë që e njoh mirë, e di sa shumë i dhemb asaj kjo gjë. Dëshironte shumë që Shqipërinë e gjyshërve e stërgjyshërve të saj antikomunistë ta shihte njëherë siç do të donin ta kishin parë ata.
Çdo individ është pjesë e shoqërisë si një e tërë dhe ka detyrime të shumta për të ndërtuar vendin ku jeton. Një ndër rolet bazë që shoqëritë e dala nga diktaturat e egra shumë dekadëshe kanë në demokraci është të kufizojnë dhe kontrollojnë fuqinë e shtetit. Sigurisht e thënë në këtë mënyrë tingëllon disi absurde sepse çdo demokraci ka nevojë për një shtet të mirëndërtuar dhe me autoritet të plotë por jo në rastin kur vendi ka qenë prè e diktaturës. Në raste të tilla, shoqëria, sot e lirë, duhet të gjejë mënyrat për të kontrolluar, monitoruar dhe frenuar kur është e nevojshme fuqinë e politikanëve dhe zyrtarëve të shtetit. Qytetarët duhet të shohin me kujdes sesi “të pushtetshmit” i përdorin fuqitë e tyre, nëse korrupsioni gërryen nga brenda ngrehinën që ne shohim nga jashtë, nëse informacioni i përditshëm që qytetari merr është i vërtetë apo thjesht rutina që dikush paguan për të qenë i tillë, nëse abuzimet me detyrën sjellin regres në vend të progresit të kërkuar. Nëse ne të gjithë nuk kontribuojmë për të zhvilluar vlerat e jetës demokratike si toleranca, moderimi, kompromisi, dhe respekti për pikëpamjet e ndryshme atëherë nuk jetojmë në demokraci. Këto janë vlera që nuk mësohen nëpër shkolla, ato mëkohen, edukohen dhe praktikohen dhe si të tilla nuk vdesin kurrë. Të gjitha këto janë detyra të qytetarit, të shoqërisë civile në të cilën jetojmë. Këtë u përpoq të bënte dhe mamaja ime me punën e saj, por ishte fatkeqësisht në vendin dhe kohën e gabuar.
Shoqëria dhe shteti ynë, edhe pas shumë vitesh nga ardhja e demokracisë, vazhdon të jetë në tranzicion të plotë. Përse jam e bindur për këtë? Sepse individi më i suksesshëm që krijoi shoqëria jonë ishte dhe është Adir D., dhe disa të tjerë si ai që familja ime kishte fatin e keq t’i kishte në gjirin e saj. Si është e mundur që këta njerëz të zgjidhnin të keqen me dëshirë e ndërgjegje të plotë? Në gati 50 vite komunizëm dhe 30 të tjera tranzicion post-komunist shoqëria jonë ende duket se nuk e ka kuptuar thelbin që qytetërimi perendimor ka mbi 2000 vjet që e zbaton. Asgjë nuk ka lidhje me tjetrin, as me shtetin, as me drejtësinë dhe as me dëshirën. Gjithçka ka lidhje me shpirtin, me arsyen, me veten. Nëse nuk do të arrijmë të njohim dhe të përmbajmë vetveten nuk do të kemi mundësinë të krijojmë një shoqëri si një organizëm të tërë ku të gjithë njohin vlerat dhe moralin dhe t’i bindemi ligjeve të cilat janë ndërtuar pikërisht si përfundime të këtyre të fundit. Ekzistenca e shoqërisë së organizuar në një shtet është e mundur vetëm në sajë të ligjeve dhe harmonisë që ato sjellin për të pasur drejtësi, për të pasur shtetin e organizuar. Atëherë përse ne në shoqërinë tonë nuk kemi mundur të zgjedhim të mirën sa kohë ndodhemi në udhëkryqe të tilla shoqërore e politike? Sepse ne nuk kemi mundur kurrë të njohim veten tonë, shpirtin tonë, nuk kemi mundur as ta zbulojmë dhe as ta përmirësojmë atë. Të njohësh veten do të thotë të zbulojmë tek ajo jo vetëm rrënjën më të thellë të ndjenjës për të vërtetën por edhe dobësitë dhe mungesat e kësaj rrënje. Kjo do të thotë të zbulojmë po kaq edhe atë çka nuk dimë, atë çka na mundon për të arritur tek e mira. Do të thotë të njohim dhe prekim përse jemi të prirur të shkojmë drejt gënjeshtrës, drejt një të keqe që si pasojë mendojmë se do të na sjellë një të mirë të vogël, duke shkaktuar shpesh të këqija të mëdha për të tjerët dhe mashtrimin e vehtes. E keqja vjen nga padija dhe nga pamundësia për të zbuluar të mirën në dimensionet e saj më të thella, shpirtërore dhe mendore, është paaftësia e brendshme për të dalluar dhe për të gjykuar. Të njohësh të vërtetën, ta kërkosh atë dhe ta vesh në shërbim të së mirës është mbi të gjitha një veprim dhe vlerë morale. Për të njohur të mirën e vërtetë duhet të jesh pikësëpari i aftë për ta kërkuar dhe kuptuar këtë e cila përveçse është veprim moral është dhe sjellje morale.
Ndërkohë që shoqëritë perendimore e kanë kuptuar prej kohësh se të ushtruarit e mendimit, njohjes së vetvetes dhe shpirtit njerëzor është në të njëjtën kohë ushtrim shpirtëror dhe edukimi i vetes, i njeriut, si edukohej “njeriu i ri” i shoqërisë së ardhshme shqiptare? Shpesh kur bëja këto pyetje në bisedat me babain tim, ai buzëqeshte dhe herë herë duke më përqafuar thoshte: – “E dashur nuk ka qenie më të rrezikshme sesa një vajzë e mençur e cila lexon filozofi”. Megjithatë nuk e lejoja babain t’i bënte “bisht” pyetjeve të mia dhe të kapërcente bisedën, nuk hiqja dorë derisa të argumentonte përgjigjen e cila padyshim në të shumtën e rasteve do të sillte dhe kundërpërgjigjen e radhës.
Babai: E dashur, kjo përgjigje që ti e merr si kompliment personal është vërtet përgjigjja për të thënë në rastin tënd. Edukimi i tillë i shpirtit të njeriut siç ne e kemi lexuar tek të mëdhenjtë e filozofisë ishte në thelb ajo çka NUK duhej që shqiptarët të dinin në komunizëm. Truri i njeriut duhet të funksiononte sipas një skeme të caktuar ku edukimi i shpirtit dhe mendjes duhet të komandohej nga doktrinat bazë të shkollës së partisë. Në parimin e demokracisë edhe si filozofi thelbësore është edukimi, qoftë i shpirtit dhe mendjes. I gjithë shqetësimi në shoqëritë e zhvilluara atëherë kur filluan ta qytetërojnë individin ishte të formonin qytetarë me shpirtin e së drejtës, të lirë, të aftë të dallonin të mirën e vërtetë, të aftë të udhëhiqen prej ideve pozitive dhe t’i përgjigjen një kërkese absolute. Kjo është ajo çka shoqëritë e zhvilluara kanë edukuar tek individi i tyre. “Njeriu i ri” që komunizmi formoi ishte ai që mësoi si të bindej pa kundërshtuar eprorin komunist sepse ai i kishte në dorë lirinë, familjen dhe jetën. U edukua të mos kishte shpirt e të mos e gjente kurrë atë, edhe kur të ekzistonte mundësia që ta gjente të mos e njihte kurrë shpirtin dhe veten e tij, të mos dallonte dot kush ishte e mira dhe e keqja dhe kështu të manovrohej lehtësisht prej dorës që lëvizte marionetat. Njeriu i ri shqiptar nuk duhet të mendonte sepse të menduarit është njëkohësisht edhe edukues i shpirtit. Bija ime, shqiptari i ri që u formua gjatë gjysëm shekullit të zi nuk duhet kurrsesi të kërkonte të vërtetën dhe aq më pak ta donte atë përpara vetë pikëpamjeve të tij. Ne nuk mund të ushtronim mendime dhe të drejta të tilla shoqërore të cilat shoqëritë perendimore i kanë në themel të tyre. Ne nuk duhet të zgjoheshim”.
O Zot, kur mendoj sa shpesh jam munduar të kuptoj vështirësinë që babai im kishte për t’i dhënë zgjidhje problemeve të mëdha në mesin familjar aq më shumë përhumbesha të kuptoja sesi funksiononte mendja e njeriut kur nuk ka shpirt, kur nuk e njeh të mirën dhe kur kalimi nëpërmjet së keqes për të arritur tek e mira personale bëhet qëllim në vetvete pa i kushtuar aspak rëndësi se ku shkel dhe çfarë mbjell ndërsa kërkon të marrë shumë e më shumë. Kur shpirti është i zbrazët a është e mundur të ngopet dëshira? Kur mendja punon për të vepruar keq duke mos e njohur të mirën a mund të ngopet egoizmi për të pasur shumë e më shumë?
Po sot a kanë kuptuar shqiptarët realisht nëpër cilën luginë kaluan e jetuan për kaq shumë vite? A jemi të aftë ne sot të ëndërrojmë për atë çka është aspiratë shpirtërore, për atë çka në vetvete përfaqëson ëndrrën dhe të bëhemi mbretër të ëndrrëve tona? A do të mund t’u përgjigjemi dot të gjitha pyetjeve që brezat e ardhshëm do të na bëjnë në lidhje me çfarë kemi bërë gjithë këtë shekull? Çfarë përmirësuam nga ato që kuptuam ose më mirë çfarë kuptuam nga ato që vuajtëm? Babai im shpesh ndjehet keq kur duhet të ‘japë llogari’ para meje dhe të përpiqet të shpjegojë se atdheu që unë kam sot këtu ku jetoj, në perëndim, është vërtet ai i aspiratave të mia, ai atdheu që të jep mundësinë të shkosh në majë nëse është e mundur, atdheu që të jep të drejtën të jesh i lirë, të ndihmon në vështirësitë e tua, të ndihmon që nëpërmjet studimit, kur ti vlen, të bëhesh ikonë e kohës kur ti jeton. Por fatkeqësisht ky nuk është atdheu i të parëve të mi, ky është atdheu që më shpëtoi jetën kur në atdheun tim natyral kërkonin të më vrisnin. Atdheu i gjyshërve të mi është toka për të cilën kam mall edhe kur shkoj atje sepse unë nuk e jetova dot atdheun tim, nuk e ndryshova dot realitetin e tij të dhimbshëm, nuk munda ta përballoj tragjedinë e tij e cila kërkonte të më përpinte në humbëtirën e saj pa kthim. Unë u tremba dhe vrapova për të shpëtuar, por sa të tjerë nuk shpëtuan dot? A duhet të gëzohet njeriu që shpëtoi jetën dhe pati një mundësi të dytë apo duhet të hidhërohet sepse nuk mundi të shpëtojë atë çka ka më të shtrenjtë, atdheun e të parëve prej të cilit shpirti i tij merr formë dhe jetë? Përplasja e qytetërimeve dhe përjetimeve në shpirtin tim ngjason gjithnjë me dallgët e fuqishme të oqeanit të cilat asnjëherë pasi mbaron furtuna nuk më sjellin qetësinë e shumëpritur. Unë mbeta përjetësisht mes dy botëve.
Në periudhën më të vështirë, kur kërcënimet ndaj nesh ishin bërë të përditshme e prindërit nuk dinim më ku të na fshihnin ne fëmijëve, babai im plotëson një dosje voluminoze me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe e dërgon në dy nga ministritë kryesore të shtetit për të kërkuar ndihmë e për të na shpëtuar të paktën ne fëmijëve. Po të njëjtat dosje i dërgoi në disa prej ambasadave të rëndësishme me të njëjtin qëllim. Kërkoi ndihmë në prokurori, aty ku çeshtja ishte denoncuar dhe bëheshin hetimet e nevojshme por prokurorët i thanë që nuk kishin mundësi t’i mbronin sepse mungonte personeli për këtë shërbim e duhet të përpiqeshin vetë me forcat e tyre të mbronin veten e fëmijët. Ministrat që i lexuan dosjet (të paktën supozohet se i lexuan), i futën në disa sirtarë të rrëmujshëm tek dokumentet e panevojshme dhe prej ambasadave ende sot e kësaj dite nuk është dhënë asnjë përgjigje. Kushërinjtë italianë dhe ata që jetonin në Kanada ishin të paekspozuar ndaj rrezikut të hakmarrjes prej banditëve sepse nuk e ndiqnin nga afër këtë çeshtje dhe jetonin në shtetet e tyre respektivë, ndërsa për ne të pestë në familje tonë, babain, nënën, gjyshen time e ne dy fëmijët e vegjël duhet të mendonte Zoti!
Nëna ime, në gjendjen që ndodheshim dhe me frikë për jetën sidomos për ne dy fëmijët, pa lajmëruar askënd shkoi në “strofullën e gjarpërinjve” për të takuar personalisht avokatin e djallit, Adri K., dhe për t’u përballur me të si nënë. As vetë nuk e dinte çfarë do i thoshte një njeriu që prej njeriu nuk i kishte mbetur më asgjë. I befasuar që nëna ime “i mbin” në derë, Adri K. thërret në ndihmë një djalë të fuqishëm fizikisht që e mbante si truprojën e tij. Mesa dukej, nuk ishte vetëm nëna ime që jetonte me frikë për jetën edhe pse nuk kishte bërë asnjë faj. Frikën e njihnin edhe ata që e kishin mbjellë për ne të tjerët por me ndryshimin që ata e dinin se çfarë meritonin.
Mamaja: Nuk ka nevojë të shqetësohesh kaq shumë e të thërrasësh ndihmë për t’u mbrojtur nga unë. Bota nuk është e përbërë vetëm nga ata si ju, kanë mbetur ende dhe ata si unë që frika për jetën e fëmijëve nuk i ka kthyer në kriminelë si ju.
Adri K: Nëse keni ardhur deri këtu të më thoni që jam kriminel mund t’ia kishit kursyer vetes një rrugë të tillë. Unë jam avokat dhe fort i nderuar madje ndërsa ju që nuk arrini t’i zgjidhni punët tuaja në gjirin e familjes tuaj mos t’ju duket sikur fajin jua kam unë. Sa për korrektesë ndaj jush, unë jam avokati i Adir D dhe tezes së tij të vogël dhe punoj vetëm për interes të klientëve të mi. Juve të tjerëve nuk ju njoh.
Mamaja: Vërtet ashtu është, por fëmijët e mi kërcënohen me jetë në emrin tënd dhe unë nuk kam frikë të vij t’ua them këtë në sy. Meqë ju i keni fituar të gjitha edhe pronën, edhe prestigjin e pasurisë, edhe miqtë, edhe gjumin e qetë përse jeni kaq i dëshpëruar sa të dëshironi kaq shumë vdekjen e fëmijëve të mi, timen e të bashkëshortit tim?
Adri K: Nëse jeni kërcënuar shkoni kërkoni ndihmë, unë nuk ju ndihmoj dot. Se kush vdes e se kush ngjallet nuk më intereson shumë.
Mamaja: Kam ardhur këtu vetëm për t’ju thënë dy fjalë: nëse preken fëmijët e mi do të përgjigjesh ti, nëse i ndodh diçka bashkëshortit tim do të përgjigjesh ti sepse sa kohë të gjitha dokumentet e pronës janë në emrin tënd e jo më të Adirit do të thotë që e keni marrë ju përsipër të gjithë këtë lojë të pisët e fitimtari i vërtetë në fund do të jeni ju. Ndaj bëjini mirë llogaritë se ndoshta nuk do të na vrisni dot të gjithëve e unë atë ditë do jem duke ju pritur. Edhe vdekja duhet të ketë një kuptim. Unë i kam llogaritë me jetën tashmë por mos kujtoni se ju do të jetoni i qetë më pas.
Adri K: Këtë do e shohim në fund zonjë. Jetojmë në kohëra aspak të sigurta. Bëni mirë të kujdeseni për veten e për familjen tuaj e mos shpenzoni kohë duke dërguar dosje nëpër ministri apo gjetkë. Si avokat i zoti që jam, i kam marrë masat mirë përsa i përket punëve të mia. Ju këshilloj t’i merrni dhe ju për punët tuaja.
Mamaja: Zoti ju pastë në mëshirën e tij sepse ju keni reshtur së qeni njeri.
Nëna ime largohet e dërrmuar shpirtërisht. Kjo gjendje vrastare dukej sikur s’do të mbaronte kurrë. Kur i tregon babait tim se çfarë kishte bërë e rrëmbyer nga ankthi, frika dhe dëshpërimi, babai nuk kishte dot kurajo as ta qortonte për veprimin e pamenduar. Çfarë mund t’i thoshte një nëne e një bashkëshorteje që nuk kishte bërë asnjë faj për të merituar gjendjen në të cilën jetonte?
Pesë ditë më pas, disa prej kushërinjve italiane lajmërojnë ardhjen e tyre në Shqipëri sepse kishin diçka më rëndësi për të biseduar ndërmjet tyre dhe prindërve të mi. Ata erdhën dhe qëndruan në shtëpinë tonë siç bënin gjithnjë kur vinin në Shqipëri. Erdhën vetëm tre prej tyre, kushërira Norma nuk kishin pranuar të ishte pjesë e “delegacionit”. E kishte kuptuar se takimi që do të bënin nuk ishte me kaq rëndësi për të. Kësaj rradhe dukej sikur nuk ishte si herët e tjera që ata vinin dhe menjëherë nisnin bisedat në lidhje me procedurat dhe hapat e tjerë që duheshin ndjekur, prej që kur se ishin bashkuar me prindërit e mi në këtë çeshtje padrejtësie kundrejt të gjithëve në familje. Kushërirat kishin lajmëruar edhe avokatin që të vinte e të ishte prezent në takimin që do të zhvillonin. Fjalën e mori më e madhja prej tyre, ajo që dikur i kishte dhënë tezes së vogël dhe Adirit mbështetjen kryesore, por që sot ishte bërë kundërshtarja e tyre më e flaktë.
Kushërira: Siç mund ta keni kuptuar dhe vetë kjo ardhje e jona këtu në nxitim e sipër ka të bëjë me diçka aspak të këndshme që ka ndodhur ndërkohë që ne iu kemi besuar juve mbarëvajtjen e procesit të rëndësishëm gjyqësor për padrejtësitë që na janë bërë. Preferova që të ishte këtu prezent dhe avokati ynë i përbashkët sepse ndoshta nuk i di të gjitha gjërat që ndodhin pas krahëve të tij e tonat. Unë ndjehem shumë e indinjuar që dikush nga ne këtu ka dashur të tallet me ne e të përfitojnë prej nesh. Por nuk po zgjatem me çfarë ndjej, është më mirë t’ju tregoj çfarë ka ndodhur e ta kuptoni të gjithë rëndësinë e çeshtjes.
Kushërirat e tjera qëndronin në heshtje duke miratuar fjalët e motrës së tyre më të madhe. Dukej që e kishin biseduar gjithçka mes tyre më parë e ndoshta ia kishin komunikuar dhe avokatit të përbashkët atë çfarë kishte ndodhur.
Kushërira: Adiri me telefonoi pas një kohe kaq të gjatë dhe unë në fakt u habita që ai guxoi të më telefonojë pikërisht mua duke e ditur fare mirë që unë dhe ai vetëm në gjykatë do të përballemi. Por ai kishte një lajm që më bafasoi dhe më bëri të mendohem gjatë për marrëdhënien midis nesh. Ai më tregoi se Ina ka shkuar të takohet me Adri K, dhe kanë bërë një marrveshje mbi pronën për të ndërprerë në mes gjithçka kemi nisur e për të përfituar pjesën e tyre në kurriz të pjesës tonë, të ne italianëve e ndoshta dhe kushërinjve të Kanadasë. Fillimisht nuk doja të besoja por ai më tha se Adri K., është i gatshëm të shkojë dhe përpara prokurorit që po e heton çeshtjen dhe t’i tregojë të gjithë sa i ka thënë Ina për takimin që ka ndodhur mes tyre. Është vërtet për të ardhur keq sepse unë Ina ty të konsiderova si vajzë, ashtu siç desha fort gruan e Adirit të desha dhe ty.
Mamaja ime shtanget dhe mbetet pa fjalë. Nuk mund ta besonte se kjo po ndodhte vërtet. Tre zonja që ishin përgatitur shpirtërisht e kishin ardhur deri në Tiranë sepse kishin gjetur “tradhëtarin”!
Pjesa e gjashtë (vijon)

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu