ARKIVI:
24 Nëntor 2024

“Mafia në familjen time”, vazhdim i shkrimit të shkrimtares Ervina Toptani

Shkrime relevante

Shpërndaj

Ervina Toptani, shkrimtare, Vjenë
___
* Djajtë u shumuan…
Çështja e pronave në familjen time që zbuloi dhe mekanizmin sesi mashtrimi dhe poshtërsia kishin funksionuar për vite me radhë, nuk është në thelb një histori që nuk ka ndodhur herë tjetër në Shqipëri, përkundrazi. Ajo çka mbi të gjitha vlen për t’u treguar është lidhja organike ndërmjet ndodhive të tilla dhe mësimeve që njeriu i ri shqiptar që jetoi në diktaturë dhe i konsoliduar praktikisht më së shumti në tranzicionin post-diktatorial, vuri në zbatim si pjesë të procesit shtetëror, si zinxhir i pandashëm i funksionimit të politikës dhe zbatimit të ligjeve në Shqipëri, rezultatin e “punës 50 vjeçare” të partisë që këtë njeri e krijoi dhe më pas e linçoi për të parë çfarë ishte i aftë të prodhonte.
Koha kalonte me shumë vështirësi që shtoheshin çdo ditë për familjen time. Të mbetur të papunë, të dy prindërit e mi, si rezultat i dëshirave të Adir D., dhe zyrtarëve që paguheshin për të hequr nga puna të aftët, që të kishin mundësi më pas t’i vinin të emëruarit sipas interesit në shërbim të ngushtë të tyre, shpresa sa vinte e shuhej. Por ne nuk ishim vetëm, disa njerëz të tjerë që ndjenin të njëjtin detyrim ndaj drejtësisë dhe dëshironin të ndërshkonin padrejtësinë punonin me ndershmëri ndaj shtetit dhe të dëmtuarve nga mosfunksionimi i ligjit. Përpos nesh, edhe avokatët tanë ishin kërcënuar, edhe ata po vuanin sikurse ne bëmat “e të fortëve” të Adirit e bandës së tij në forma të ndryshme. Ishin mbledhur dosje e fashikuj dokumentesh të shumta, rreth 8000 faqe që tregonin në kronologji të gjithë skemën dhe përfitimin e paligjshëm të keqbërësve. Hetimet, kërcënimet e frika ecnin paralelisht me shpejtësi por një ditë ishim të sigurtë se do i vinte fundi.
Adir D., nuk ishte i qetë, kishte filluar të mendonte se mund të ndodhte që kështjella që ai e mendonte prej graniti, nën këmbët e tij, të mund të shkundej nga ndonjë tërmet i papritur. Nuk ishte më i sigurtë nëse “miqtë” e tij pushtetarë do ta mbronin deri në fund dhe nëse vërtet do të dilte i “fituari” siç kishte menduar gjithnjë. Përveç mënyrave të reja që sa vinin e shtoheshin për të korruptuar prokurorët e çeshtjes, kishte filluar të kërkonte “ndihmës” dhe bashkëpunëtorë edhe nga pjesa tjetër e familjes së babait tim, këtë herë nga ana e gjyshit. Në thelb Adir D., kërkonte të gjente elementë të rinj të cilët në këmbim të pagesës apo ndonjë prone të mundshme të mund të “godisnin” në vende të tjera babain tim duke i hapur luftë në shumë fronte njëherësh që ai të mos kishte mundësi më t’i përballonte. Fatkeqësisht, siç e kam kuptuar mirë nga praktika e të jetuarit në Shqipëri, bashkëpunëtorë të tillë, Jagot si Adir D., i gjenin me shumicë.
Duke qenë se babai im ishte fisnik nga të dy prindërit, kjo nënkupton përveç trashëgimisë së gjakut edhe trashëgimi pronash, që siç thoshte gjyshja ime: kur je pronar në Shqipëri është mallkim i madh, “filozofi” kjo që shqiptarët e përjetuan mbi kurriz në 30 vitet e tranzicionit post-komunist. Edhe në pjesën tjetër të familjes, nga ana e gjyshit tim, Adirët me emra të tjerë nuk mungonin. Adir D. kërkonte dëshpërimisht të gjente aktorë të rinj që të futeshin në lojën e tij të pisët si mbështetës të tij për të sulmuar babain tim sa më shumë të mundeshin. I përzgjedhuri ishte Endi L., i biri i një zyrtari të lartë të shtetit në kohën e diktaturës, i cili e kishte mohuar atë pjesë të familjes që i “prishte biografinë” dhe kështu bëri i qetë karrierën e tij politike komuniste. Endi L., ishte edukuar duke iu injektuar pareshtur dashuria për paratë dhe urrejtja për vlerat dhe moralin. Mamaja ime që e ka njohur personalisht Endi L., tregon që ai ishte një personazh i vlefshëm për librat shekspirianë, i zgjuar, tepër dinak, me sjellje të edukuar në dukje por me shpirtin e zi që njerëzit i shihte si trupa pa kokë, marioneta që ai lehtësisht i vinte në dispozicion të tij, të manovrueshëm sepse gjithkush për Endi L., e kishte një çmim, gjithkush mund të blihej. Adir D., gjeti bashkëpunëtorin perfekt tek Endi L sepse hajdutët e kriminelët e njohin njëri tjetrin që prej së largu.
Endi L. ishte bashkëshorti i një prej kushërirave të babait tim nga pjesa tjetër e familjes nga ana e gjyshit. Duke qenë zyrtar i rëndësishëm shteti edhe në kohën e demokracisë së brishtë, Endi L., së bashku me disa kushërinj të tjerë të familjes nga ana e gjyshit tim i kishin dalë për zot nxjerrjes dhe zhvillimit të pronave të familjes. Ndryshe nga Adiri, ai nuk kishte shumë nevojë për bashkëpunëtorë të tillë si avokatë e prokurorë sepse pothuajse të gjithë qeveritarët dhe zyrtarët e lartë të shtetit i kishte miq dhe partner biznesi. Pronat që Endi L dhe bashkëpunëtorët e tij kishin përvetësuar me mashtrim prej familjes së tim eti nga ana e gjyshit kapnin shifra marramendëse përfitimi për ta. Skema që përdorej për të vjedhur e përvetësuar pronat e për të qenë sa më e ligjshme në formë ishte pak a shumë e njohur prej mjeshtrave të kësaj punë. Ata i mashtronin kushërinjtë e tyre nëpër takime kokë më kokë nëpër kafene dhe i thonin se X qeveritar ka dalë garant që prona e tyre të zhvillohej por për ta bërë këtë duhet që njerëzit e familjes të firmosnin gjithsecili mbi fleta të bardha (pa tekst të shkruar) se ishin dakort që të falnin gjysmën apo më shumë sesa gjysmën e pronës qeveritarit që dilte garant për ta zhvilluar pronën. Njerëzit e gjorë pranonin sepse shpesh ishin përballë faktit që prona o do i zihej nga të jashtëligjshmit të cilëve shteti ua legalizonte banesat apo tokat e uzurpuara me forcë me një copë letër legalizimi ose prona do të mbetej gjithë kohën e lënë në harresë e askush nuk do e gëzonte. Pra, në thelb më mirë të falnin tre pjesë e të merrnin një sesa të mos merrnin asnjë gjë.
Bashkëpunëtorët e ngushtë të Endi L në vjedhje ishin disa kushërinj të tjerë të cilët ishin mësuar të fitonin në kurriz të të tjerëve dhe si për çudi të gjithë këta personazhe ishin ish funksionarë të lartë në kohën e shtetit komunist. Gazi D, Fon B. dhe Xhim Kopsa (pseudonimi që kishte ky njeri në komunizëm kur bënte spiunin me pagesë 80 lekë) ishin “njeriu i ri” që mbeti gjithë kohën i njëjti njeri e që nuk ndryshoi asnjëherë. Në lojën e tyre të mashtrimit ata herë herë përdornin dhe bashkëpunëtorë periferikë që hynin e dilnin nga “loja” me mision shpërqëndrues.
Nuk jam e sigurtë nëse miqtë e mi europianë dhe qytetarët europianë në përgjithësi e kuptojnë dot tmerrin që përjetohet në Shqipëri nëse je bir i një familjeje fisnike e të pasur. Për këdo në shumicën e vendeve të botës së lirë e të qytetëruar ky do të quhej fat i madh, por jo në Shqipëri. Të përballesh me të qenit pronar si trashëgimtar i një familjeje fisnike në Shqipëri do të thotë të përballeshe jo vetëm me vjedhjen dhe persekutimin e vazhdueshëm prej keqbërësve por edhe të zyrtarëve të korruptuar të qeverisë, gjyqtarëve, prokurorëve etj. Po ju tregoj vetëm rastin konkret të një prone X të familjes time nga ana e gjyshit dhe skemën sesi funksiononte vjedhja.
Familja ime nga ana e gjyshit, zotëronte një pronë të rëndësishme në bregdet të cilën qeveria e mbante të bllokuar për të përfituar prej saj sa më shumë të mundej, një herë nga familjarët të cilët kërkonin rikthimin e pronës dhe më pas nga ndërtuesi i cili duhet të paguante shuma të majme që këtë pronë të mund ta zhvillonte, por nuk mbaronn me kaq sepse të ardhurit nga vende të tjera të Shqipërisë e kishin zaptuar këtë pronë në masën 70% duke ndërtuar pa leje e pa asnjë kriter por që kërkonin të hynin në pronë e të bëheshin bashkëpronar me të drejtën që u jepte mbështetja e qeverisë diku lokale e diku qendrore, sipas zonave nga vinin banorët e rinj, në këmbim të votave të tyre kur të vinte koha e zgjedhjeve elektorale. Por cila e drejtë është ajo që pronën ia grabit dikujt në emër të forcës dhe më pas e ligjëron po në emër të forcës ose parasë? Në Shqipëri kjo gjë ka ndodhur fare rëndom e madje vazhdon të ndodhë. Sepse në Shqipëri doktrinat, ligjet ndërkombëtare, filozofia politike mbi çeshtje të tilla nuk njihet. Ne shqiptarët veprojmë sipas instiktit, sipas forcës së pushkës e të parasë.
Endi L., i cili vazhdonte të mbante një post të rëndësishëm qeveritar, ndërhyri tek “politikanët e mëdhenj”, miq të tij, që prona t’u rikthehej pronarëve të ligjshëm dhe të gjithë në familje e mbështetën sigurisht, por duhej paguar një çmim i lartë. Zotëria në fjalë i komunikoi familjes se për këtë nder “të mëdhenjtë” lart (pra zyrtarët e qeverisë) kërkonin 50% të pronës për vete në mënyrë që pjesa tjetër t’u kthehej pronarëve legjitimë. Dilema ishte e madhe sepse një luftë e hapur në shumë fronte kërkonte dhe pagesë të madhe për mbylljen e saj. Pas shumë diskutimesh familjarët vendosën që “ta falnin” 50% të pronës në këmbim të rikthimit të 50% të saj. Por kjo gjë duhej ligjëruar dhe menjëherë filluan të firmosen “dokumentet në të bardhë” (ku shënohej vetëm firma e pronarëve legjitimë, pa asnjë tekst të shkruar, tekstin e formulonin vetë zyrtarët sipas dëshirës së tyre, mjafton që letra të ishte më parë e firmosur, siç shqiptarët i njohën mirë në ato periudha), në të cilat firmosej pa tekst se të gjithë pjestarët ishin dakort duke miratuar atë çka njerëz të panjohur do të shkruanin. Por shumica e firmave u falsifikuar sepse jo të gjithë pronarët, trashëgimtarë legjitimë të pronës, ndodheshin në Shqipëri në atë moment. Këto lloj dokumentesh që firmoseshin në të bardhë e pa tekst janë juridikisht dhe ligjërisht dokumente të papranuara dhe në shumicën e rasteve kanë sjellë padrejtësi të reja të kryera në emër të përfitimit personal. Mbi këto letra të bardha mund të shkruhej çdo lloj teksti, ndaj praktika të tilla u bënë të zakonshme në lidhje me çeshtjet e pronave prej mjeshtarve të mashtrimit e përfitimit pa të drejtë.
Pasi prona iu dha për ndërtim firmës së fuqishme “X” e cila ishte në bashkëpunim të ngushtë me çdo qeveri që vinte në pushtet, sa kohë paguanin këdo, dolën dhe mashtrimet e radhës. Në të vërtetë nga 50% që ishte kërkuar nga të “mëdhenjtë në pushtet” vetëm 15% kishte shkuar realisht në xhepat e tyre sepse 35%-shi tjetër i kishte kaluar vetë Endi L., e grupit të tij për “punën e kryer”, i cili rezultonte pronari më i madh në atë zonë, duke përvetësuar pjesën më të madhe të të gjithë pasurisë së familjes së tim eti. Falsifikimet dhe tjetërsimet për të mbuluar gjurmët e vjedhjes dhe mashtrimit ishin me dhjetëra për të njëjtën prone por edhe për prona të tjera të familjes. Të mendosh se një dhëndër komunist në fund del dhe pronari më i madh i tokës së stërgjyshit që u pushkatua po nga komunistët për atë tokë, kjo as ironi nuk quhet më, është çmenduri, siç ndodhin vetëm në Shqipëri.
Gazi D, bashkëpunëtor i ngushtë në krimet e falsifikimit dhe tjetërsimit, funksionar i lartë në zyrat e shtetit në demokraci, njësoj si babai i tij në diktaturë, përdori një tjetër dredhi për një tjetër pronë të madhe të familjes. I siguroi të gjithë pjestarët e familjes se firmën ndërtuese do e gjente ai vetë për ta zhvilluar pronën dhe në fshehtësi të të gjithëve lidhi më ndërtuesin e firmës një kontratë personale ku pjesa që i përkiste atij do të ndërtohej me koeficent përfitimi 50%, ndërsa pjesës tjetër të familjes me 20%. Ishte i lumtur që kishte arritur një tjetër fitim kolosal personal në kurriz të të tjerëve që i kishin besuar pronën e tyre dhe që e paguanin me rrogë mujore që kujdesej për këtë gjë.
E njëjta situatë e ngjashme ishte edhe në prona të tjera me vlerë në kryeqytet, me sipërfaqe të mëdha. Për më tepër qartësi e për të evituar surpriza apo humbje eventuale, Endi L. kishte bërë ndarje të punës e të ‘përgjegjësive’ me Gazi D., me një formulë të “mençur” midis personash të “mençur”. Ndërsa Endi L. do të merrej më çeshtjet e lidhura më pronat në bregdet, Gazi D. do të merrej me pronat e tjera në kryeqytet. Kështu ndaheshin më drejt si fitimet e pritshme po ashtu edhe reziku i mundshëm nga ndonjë “i çmendur” i familjes që një ditë ndoshta do të kuptonte sesi ishin vjedhur të gjithë e do të kërkonte drejtësi për pronën e vjedhur të të parëve të tij…. Kështu në respekt të punës, Gazi D., pasi kishte lidhur kontratë ndërtimi në dy vende të tjera në kryeqytet në emër të familjes, sigirurisht duke fituar qindra mijëra euro për secilën pronë si shpërblim, këtë herë ndoqi kontratën e madhe, më të madhen e jetës së tij, për rikthimin e pronës Y në emër të familjes. Por këtë herë taktika ndryshoi: ndërsa ai miratoi që kompania të ndërtonte në këtë pronë në këmbim të 20 për qindëshit të përgjithshëm familjar, ai mori për vetë 30 përqind, gjysma e të cilës me para në dorë e pjesa tjetër në ndërtime të ndryshme si pronë e patundshme. Ishte e tmerrshme edhe për vetë biznesmenin që do të ndërtonte në këtë pronë i cili (pasi gjërat filluan të zbardhen e të gjenden dokumentet përkatëse) pohoi se ishte më e vështirë të kënaqte kërkesat e babëzitura të Gazi D., për përfitimin e tij personal sesa të kënaqte egon dhe dëshirat e kryetarit të bashkisë në nxjerrjen e lejes së ndërtimit dhe firmosjes prej tyre të dokumentacionit përkatës.
Të gjitha këto afera korruptive e të jashtëligjshme por edhe të tjera të lidhura me to ku nuk munguan emrat e kryetarëve të bashkive, punonjësve të hipotekave, kryetarëve të kthimit të pronave etj., u zbuluan nga babai im dhe një pjestar tjetër i familjes të cilin pasi kishin provuar shumë herë ta korruptonin “pasanikët” e familjes, jo vetëm që nuk kishte pranuar por u vu në dispozicion të të bërit drejtësi me shumë vështirësi të shtuara e shpenzime krah babait tim në zbulim të së vërtetës dhe ç’maskimit të hajdutërisë. Ky ishte një proces i gjatë, me vështirësi të panumërta e shumë problematike në vetvete. Për shembull, rastësisht duke ndenjur me orë të tëra nëpër zyra duke kërkuar dokumentacionin e pronave e duke zbuluar hap pas hapi veprimet e keqbërësve, zbuluan një pronë të familjes që ishte mbajtur e fshehtë nga personat që merreshin me këtë punë, pra nga ata të cilët paguheshin nga familja me rrogë mujore për t’u marrë me nxjerrjen e pronave dhe që rezultuan dhe vjedhësit e saj më të mëdhenj. Gazi D., kishte arritur deri aty sa me disa nga këto prona luante kumar siç pohonin miqtë e tij, me shifra marramendëse për “çdo dorë të hedhur” ndërsa njerëz të tjerë në familje kishin vështirësi ekonomike ta çonin muajin deri në fund.
Gazi D., për pronën e fshehur të familjes të ndodhur në një prej vendeve më të bukura të Tiranës kishte ligjëruar një dokument me firma të gjitha të falsifikuara, ndër to edhe firma e babait tim, i cili nuk ndodhej fare në Shqipëri në atë kohë, edhe të familjarëve të tjerë sikur ata kishin pranuar ta shisnin atë pronë me një çmim qesharak për kohën (9000 Euro në një kohë kur kjo pronë realisht vlen më shumë se 500.000 Euro) dhe se ai më pas ua kishte shitur këtë pronë 2 zonjave mikesha të tij po me të njëjtin dokument të falsifikuar, të cilat më pas kishin ndërtuar në këtë truall një super objekt luksoz. Askush nuk dinte asgjë për këtë pronë të familjes të vjedhur dhe të fshehur në këtë mënyrë nga vetë bashkëpronari i tyre të cilin ata e paguanin për t’i ndihmuar në këto mbarëvajtje. Kur kjo aferë u zbulua dhe sigurisht Gazi D., ishte gjithë kohën në bashkëpunim të plotë me Xhim Kopsën e Endi L. dhe kishin marrë tashmë pjesët e tyre takuese nga prona e shitur me firmat e falsifikuara, për të mbuluar aferat e njëri tjetrit arritën deri aty sa thanë që ata nuk dinin asgjë, dikush tjetër ua kishte punuar pas krahëve. E gjithë kjo pronë në zyrat e hipotekës së shtetit ishte regjistruar në emër të Gazi D. dhe Xhimi Kopsës, por këto lloj dokumentesh mbaheshin të fshehura në rafte e sirtarë drejtorësh të cilët ishin paguar majmur për të mos nxjerrë dokumente të tilla. Por e vërteta del një ditë dhe rezultoi se zonjat të cilat e kishin mbështetur në kryerjen e krimit ishin njëra e dashura e Gazi D., dhe tjetra e Xhimi Kopsës. Po ku duhet të ankoheshim ne, të vjedhurit? Duke qenë se në organet e drejtësisë shumica ishin super të korruptuar në këtë drejtim, atëherë e vetmja mënyrë mbetej “të bëje vetë” drejtësinë.
Kërcënimet u shtuan, frika gjithashtu. Ne duhet të largoheshin nga shtëpia, të fshiheshim për periudha të caktuara në vende të ndryshme. Nuk ishim aspak të sigurtë, asnjëri prej nesh. Babai im që ishte njeri i arsimuar e i pajisur me disa diploma europiane, i cili nuk kishte shkelur kurrë asnjë ligj në jetën e tij, kishte shërbyer si nëpunës shteti me devotshmërinë dhe ndershmërinë maksimale qytetare, baba i përkushtuar i dy fëmijëve të mitur, sot duhet të përballej me kriminelë që të vrisnin pa shumë skrupuj për të vjedhur ose mbrojtur vjedhjet e kryera. Këtë lloj Shqipërie dhe “lirie” i la vendit diktatura në tranzicionin e saj shumëvjeçar me simbolin e “njeriut të ri” gdhendur pambarimisht prej dekadash në filozofinë shtetbërëse.
Mamaja ime, që nuk po kuptonte më prej kujt duhet të ruhej më shumë e se cili do të ishte ai prej gjithë kësaj lukunie që do të shkelte këmbëzën një ditë, nuk mundi të durojë më një gjendje të tillë. Përsëri, pa i thënë askujt shkoi drejt e në zyrën e Endi L., për t’ia “numëruar të gjitha në sy” dhe për t’i thënë se sido që të ishte ajo nuk do të hiqte dorë nga drejtësia. Por qenie të tilla si Endi L., të etur për para e pushtet zor se tremben prej drejtësisë dhe kurajos së një gruaje që vazhdonte të besonte tek virtytet dhe vlerat më të bukura njerëzore: ndershmëria, zbatimi i ligjit, e drejta etj. Idealizma si këto, njerëzit si Endi L., vetëm i bënin për të qeshur.
Mamaja ime: Deri kur do të vazhdoni të mashtroni e të përvetësoni atë çka nuk është e juaja? A nuk ka një kufi çdo gjë? Njeriu një herë në jetë, qoftë edhe për dëshirë e moral, dëshiron të jetë i drejtë dhe i ndershëm, por ju s’paskeni pasur të ngopur! Jeni kthyer në djaj të verbër që nuk njihni asnjë vlerë tjetër përveç parasë!
Endi L – Ti Ina, e ke të thjeshtë të flasësh e të japësh mendime mbi të qenit i drejtë dhe i ngopur por këtë çeshtje ne të dy e shohim nga këndvështrime të ndryshme. Ti dhe Deni jeni mësuar të sakrifikoni e ta shtyni muajin me pak, ndërsa për mua, gruan dhe djalin tim kjo është e pamundur. Ato çka ju fitoni në një vit mua më vlejnë vetëm bileta avioni në një muaj, pastaj shpenzimet e mia janë shumë të mëdha në krahasim me tuajat. Djali im shkollohet në një kolegj shumë të shtrenjtë në Amerikë, duhet të mendoj për masterin e tij që do të kushtojë përsëri shumë. Kam 6 vila në bregdet të cilat kërkojnë shpenzime. Nuk kam dëshirë t’i lë me qera sepse nuk dua që njerëz të panjohur të futen në pronën time. Njerëzit sot janë bërë të këqinj! Ne nuk mund të krahasohemi bashkë dhe sado që unë të fitoj do të kem nevojë gjithnjë për më shumë për të jetuar sepse kështu jam mësuar e nuk mund të ndryshoj sot pas kaq vitesh. Ndaj dhe jeta nuk na jep të gjithëve të njëjtin fat, unë kam qenë më i zgjuar, më i fortë në disa gjëra ndërsa ju keni qenë më të ndershëm. Tani gjithsecili nga ne do të gëzojë atë çka ka mbjellur në jetë, juve ndershmërinë dhe unë pasurinë. Kështu është jeta!
Mamaja ime: Do me thënë ju me qetësinë më të madhe nuk keni asnjë problem që jeni kapur me falsifikime në duar, që keni përvetësuar pronën e tjetërkujt me mashtrim, për të mos thënë akuza të tjera që nuk do të rri t’ua numëroj juve këtu, dhe me këtë e keni ndërgjegjen tuaj plotësisht të pastër?
Endi L – Sigurisht, sa kohë që gjërat janë kështu përse nuk duhet ta kem ndërgjegjen e pastër? Pjestarët e familjes i firmosën vetë ato fletë të bardha duke qenë dakort që dikush tjetër të merrte më shumë se ata. E ç’rëndësi ka nësi ai dikushi jam unë apo një tjetër? Unë i mendova gjërat më mirë e fitova. Jua thashë gjithsecili nga ne gëzon atë çka ka investuar në jetë.
Mamaja ime: Dhe ju mendoni se ne do t’ju lemë juve të gëzoni atë çka është e fëmijëve të tanë? Atë çka gjyshërit e tyre e paguan me jetë, kur babai juaj me të tjerë firmoste lart e poshtë urdhrat për ekzekutimet e tyre dhe internimet tona? Juve mendoni se mua jeta s’më ka mësuar mjaftueshëm? Gaboheni rëndë, sepse unë nderin dhe moralin jam mësuar t’i mbroj e të paguaj shtrenjtë për to, siç kam bërë deri tani.
Endi L – Ekzakt! Pikërisht kjo është. Juve jeni gati të sakrifikoni gjithçka për nderin dhe moralin, sidomos kur bëhet fjalë për emrin e gjyshërve e prindërve, për të lartësuar atë çka ata përfaqësonin ndërsa unë jam ndryshe jua thashë. Dhe e dini përse jam i bindur që në një betejë kundër meje ju nuk do të fitoni kurrë? Sepse unë ndryshe nga ju e njoh mirë pushtetin dhe prestigjin që të sjell paraja dhe nuk kam asgjë tjetër në jetë më të shtrenjtë sesa pasurinë. Unë nuk luftoj për atë që luftoni ju, mua nderin dhe moralin ma sjell pasuria dhe nëse ju keni fëmijët dhe familjen gjënë më të shtrenjtë unë kam paranë, sepse djali im është i lumtur sa kohë babai i tij ka para e kështu jam i bindur se nëse do të kishte një baba të varfër nuk do e donte sa më do mua. E nderuar zonjë, paraja blen këdo, jam i bindur se gjithkush e ka një çmim! Më lejoni t’ju jap një këshillë: mos vazhdoni me beteja të kota kundër meje, nuk do të fitoni kurrë e nuk do të dëshiroja që një zonjë bukuroshe si ju të plakej para kohe nga dëshpërimi i humbjes. Thjesht pranojeni fatin dhe vazhdoni jetën tuaj si t’ju vijë për mbarë. Njerëzit e mençur dinë ta pranojnë humbjen dhe të mos rrezikojnë më shumë kur s’kanë ç’të humbin tjetër përveç jetës.
Mamaja ime: Kursejini këshillat tuaja prej profesionisti! Ne do të vazhdojmë të luftojmë kundër të keqes që ju keni mbjellë derisa të kemi jetë sepse në zemrën time jam e bindur që e keqja nuk mund të triumfojë gjithnjë. Mjaft më! Do të vijë dita që ju me gjithë paratë e pasurinë që keni vjedhur nuk do ta paguani dot lirinë tuaj, dhe as paqen tuaj dhe atë ditë unë do të jem aty, në rresht të parë, për t’i treguar vetes dhe fëmijëve të mi që nderi, morali, pastërtia e shpirtit nuk blihen dot me paratë tuaja të pista. Këtë jua premtoj! Do të shihemi përsëri z. Endi L., dhe ajo ditë do të jetë e hidhur për ju.
Sigurisht, pas përplasjesh të tilla njeriu ndjen dhimbjen, dëshpërimin, frikën dhe pasigurinë. Duket sikur nuk do t’ia dalësh kurrë sepse ka shumë vërtetësi për fat të keq në ato çka tha Endi L. Sado që mamaja ime ishte një grua e fortë dhe e mençur, ajo e dinte që beteja të tilla nuk do të ishin të lehta. Por ka një moment në jetë kur njeriu e di që duhet të qëndrojë fort e të mos ketë më frikë. Prindërit e mi ishin nga ata njerëz që nuk do e kishin menduar kurrë veten të ngatërruar me të tillë individë e në të tilla situata ku do i vinin kërcënime me jetë nga të 4 anët e kur nuk do të mundeshin të bënin një shëtitje të thjeshtë me 2 fëmijët e tyre nëpër qytet. Dhe janë pikërisht frikëra e ankthe të tilla që njeriu i drejtë e i ndershëm nuk mund t’i durojë dot më. Prindërit e mi e kishin vendosur, do të luftohej deri në fund për të drejtën!
Endi L., Adri K., Adir D., Gazi D. dhe e gjithë banda e kriminelëve që vazhdonin të korruptonin këdo që dilte në skenë dhe të pengonin me të gjitha mënyrat babanë tim nuk i kishin bërë ende llogaritë me Zotin….
Përballë padrejtësisë, një lloj llumi që fillon nga një mijë metra nën pus e arrin përtej majës, vdekjes së ndërgjegjjes, të moralit, të së drejtës, të vetë ligjit që mbron pandershmërinë, të gjitha ato çka shkolla e klasikëve i ka trumbetuar me të madhe përgjatë 2 shekuj histori qytetërimi, në Shqipëri, fshihen me një të rënë të lapsit. Sepse gjithçka blihet në vendin tim të dashur dhe askush nuk mban përgjegjësi për shkatërrimin dhe degradimin që korrupsioni sjell. Sa të habitshme duken, kur ke jetuar histori të tilla, ato çka filozofët, intelektualët e shtetbërësit e perëndimit u kanë lënë si testament të pavdekshëm shoqërisë! Sa e pakuptimtë duket shkolla e së drejtës kur një ditë në jetë të duhet të përballesh me njerëz e eksperienca të tilla?
Sa herë kemi diskutuar kur unë u rrita, me babanë tim mbi këto tema, mbi nocionin e pronës si nocion para social, një e drejtë natyrale që shpreh të drejtat e njeriut të cilat qëndrojnë mbi shtetin dhe ligjin. Kërkonim të kuptonim diçka më shumë rreth asaj çka është logjike dhe alogjikes, rreth degradimit të njeriut siç e kishim parë tek njerëzit që na rrethonin, “njerëzit e rinj” dhe asaj çka ekzistonte në botë si logjikë normale dhe e ligjshme. Siç duket kërkonim shumë!
A i kishin shfletuar ndonjëherë veprat e Hugo Grotius, Samuel von Pufendorf, John Locke, Immanuel Kant, George W. F. Hegel, Thomas Hobbes, David Hume, Adam Smith, Jeremy Bentham, Emile Durkenheim, Max Weber, etj., ata që jepnin mend e mend të tilla edhe i shisnin në Shqipëri? A e dinin këta njerëz se prona përpara se të jetë nocion ligjor është nocion social, një e drejtë e krijuar instrumentalisht nga komuniteti, e mbrojtur nga ligji dhe shteti sepse si e drejtë sociale dhe ligjore sjell të mirat zinxhir në shoqëri në dobi të të gjithëve? Por ndoshta tek ne, dobia më e madhe që prona mund të sjellë është të pasurojë edhe më shumë gjyqtarë, prokurorë e politikanë, të shërbejë për të blerë të pandershmit e për të shpërblyer të korruptuarit.
Po këta filozofë të mëdhenj të përmendur më lart, për t’ua bërë jetën më të lehtë njerzve si ne sot, kanë diskutuar shumë mbi lidhjen ndërmjet pronës dhe virtytit, një temë natyrale që nxit diskutim, sepse justifikimi i pronës private ngre çështje shumë serioze mbi legjitimitetin e aktivitetit të vetinteresuar. Është aq i hershëm ky debat sa Platoni që në vitin 462 para Krishtit argumentonte se pronësia ishte shumë e rëndësishme për të promovuar interesin e përgjithshëm dhe të përbashkët mbi pronën në vetvete. Kështu do të shmangeshin edhe dasitë sociale që do të ndodhnin kur disa njerëz do të brengoseshin prej pronës dhe disa të tjerë do t’i gëzoheshin asaj. Aristoteli shkruante se prona private promovonte virtyte si maturinë dhe përgjegjësinë. “Kur të gjithë kanë interesa të ndryshme e të dallueshme njerëzit nuk do të ankohen për njeri tjetrin dhe ata do të bëjnë më shumë progres sepse gjithkush do të merret me punën e tij dhe jo me të tjetrit”. (Aristoteli, On politics fq. 69…). “Madje edhe altruizmi” – vazhdon ai – “mund të promovohet më së miri duke fokusuar vëmendjen etike në atë mënyrë që një person ushtron të drejtën e tij të pronës private sesa të verë në diskutim institucionin e saj”. (po aty, fq. 82) Lidhja ndërmjet pronës dhe lirisë dhe kontributi që pronësia i bën njeriut duke e bërë atë të lirë, zot të vetes, e kështu edhe të përshtatshëm për qytetarinë janë themele të hershme të ligjeve të shkruara e të pashkruara njerëzore. Virtytet e një shoqërie shprehen më së miri nëpërmjet përdorimit që personi i bën pronës. Asnjë ndarje e burimeve bazuar mbi ligjin njerëzor nuk mund të prevalojë mbi nevojat që lidhen me të drejtën.
E drejta! Sa e rëndësishme është kur e ndjen këtë fjalë kaq të pushtetshme që të takon, që të përket e sa e tmerrshme është kur ta mohojnë ata që të drejtën e kanë shkelur me të dyja këmbët. Sepse e drejta bëhet e padrejtë kur e zotërojnë, e nënshtrojnë dhe e përdorin sipas dëshirës e nevojës njerëz si ata që më zgjuan këtë pasdite të kujtoj historinë e dhimbshme të familjes time.
. .
(Vazhdimi i shtatë) Vijon…

K O M E N T E

4 KOMENTE

  1. Mos depono ose investo vleren tende shpirterore,. morale, materiale, kulturore dhe intelektuale ne prone te patundshme, pasuri ose kapital, por investo vleren dhe pasurine tende ne te miren dhe lumturine e te tjereve. (Etika Protestante)

    -Shija e vertete e ujit njihet dhe provohet ne shkretetire, ndrrsa vlera e vertete e intelektualit, besimtarit dhe patriotit kulmimant, provohet dhe vertetohet ne edukaten, kulturen, nderin, moralin, besimin dhe sakrificen e tij. (Proverbe arabe)

    Ne te kunderten, fjalet e verteta dhe te sinqerta, sipas Konfuqit, asnjehere nuk jane te dashura, te kendshme dhe te bukura, ndersa fjalet e bukura ose te zgjedhura, asnjehere nuk jane te verteta.

    C´mendim keni ju….?

  2. FAMILJA E TOPTANVE i ka sherby pushtuesve turq-osman.
    Turqit-osman ia kan shperblye sherbimin TOPTANVE tue ia marre tokat shqiptarve dhe tue ua dhane TOPTANVE.
    Pra kjo PASUNI ASHT HARAM. Nuk kan se si ta gezojne trashigimtart e Toptanve KETE PASUNI HARAM.

  3. Njerezit..gjate jetes se tyre, i percjellin ose shoqerojne dy emra dhe mbiemra te ndryshem: Emri dhe mbiemri, te cilet ua kane vere dikur prinderit ose familjaret e tyre, kur kane lindur, dhe emri dhe mbiemri tjeter, te cilin njeriu ia ve vetes me artin, edukaten, kultureve, vepren dhe shembelltyren e tij.

    Zonja Eriva Toptani per mendimin tim eshte nje krijuese ose artiste robuste, pikante, ekzotike dhe teper ekselente.

    Pa asnje te keq ndaj atyre qe kane mendim ndryshe. Po flasim ( shkruajne) per artin e shkrimit si filozofi dhe filozofine si art.

  4. Njerezit..gjate jetes se tyre, i percjellin ose shoqerojne dy emra dhe mbiemra te ndryshem: Emri dhe mbiemri, te cilet ua kane vere dikur prinderit ose familjaret e tyre, kur kane lindur, dhe emri dhe mbiemri tjeter, te cilin njeriu ia ve vetes me artin, edukaten, kultureve, vepren dhe shembelltyren e tij.

    Zonja Eriva Toptani per mendimin tim eshte nje krijuese ose artiste robuste, pikante, ekzotike dhe teper ekselente.

    Pa asnje te keq ndaj atyre qe kane mendim ndryshe. Po flasim ( shkruajne) per artin e shkrimit si filozofi dhe filozofine si art.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu