ARKIVI:
17 Nëntor 2024

Magjia e Sharrit – Qarri i katër stinëve …

Shkrime relevante

O Stano, zëdhënësi i Serbisë, Kosovës nuk ka çka t’i duhet integrimi europian “me Serbi” brenda saj!

Gani I. Memeti Zëdhënësi i BE-së ka thënë se çështja e institucioneve...

Lirim Mhehmetaj dhe fjalori i tij trashaman…!

Afrim Caka, Gjakovë ___ …SE MOS E KA PARË DIKUSH TË JETË SKUQUR...

Popesku, turpi bije mbi ata që në shtëpinë e vet i sulmojnë mysafirët…!

Gani I. Mehmeti Në minutat shtesë, tifozët vendas nisën thirrjet raciste, me...

Kryeministri Albin Kurti mirëpriti Përfaqësuesin e ri Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Eirik Nestås Mathisen

Prishtinë, 14 nëntor 2024 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti sot...

Shpërndaj

Syrja Etemi, pedagog, Tetovë

Sharri… Eh, Sharri…Sharri…! Sharri që të magjeps. Sharri që të shashtrisë në të katër stinët. Ky masiv i madh malor, (në të cilin, shumë vonë kuptova se edhe “Unë paskam hise në këtë mall brezash”), për banorët rezidentë të kësaj zone, nuk paraqet dhe nuk duhet të paraqesë vetëm një reliev efiçentë me male e bjeshkë, kodra e shpatije, lugje e shullane, lumenj e xhole, por të “imponohet” edhe me një laryshi të jashtëzakonshme të specjeve të shumta të kafshëve, shpezëve, drunjve, pemëve e bimësive, me të cilat, banorët vendas kanë krijuar, bile edhe po krijojnë, përveç tjerash, edhe “idare” plotësuese për ekzistencë. Këtu, kah të kthesh kokën, gjen fruta plot shije të merme, që mbulojnë pjesë apo sipërfaqe të mëdha të kodrinave të maleve hijerënda e bjeshkëve nazemadhe. Diçka e ngjajshme është gjendja edhe me bimët “ilaçlie” apo shëruese…

Përveç brezave pyjorë me luginat lumore, livadhet dhe pllajat malore, lendinat e gjëra e të gjata, siç theksuam edhe më lartë, këtu lëshojnë shtat edhe numër të madh bimësh e barishtesh. Lulet e tyre parajsore, sidomos në stinën e pranverës dhe të verës, madje edhe të vjeshtës, me koloritin dhe tonet e larmishme, mbushin botën e mahnitshme të këtyre hapësirave, në të cilën pulson gëzimi dhe bukuria e jetës.
Fauna e Sharrit të stërmoçëm, nuk ngec për nga pasuria natyrore, në krahasim me masivet tjetra simotra. Këto bjeshkë e male të paana janë një mbretëri e vërtetë edhe për botën shtazore. Ujërat e cemtë të këtyre zonave, sikur janë të destinuara kastile për llojin e veçantë të peshkut, siç është trofta e Sharrit; gjeografia e këtyre hapësirave – për llojin special të qenit, siç është rasti me Qenin e Sharrit apo Deltari ilir, madje edhe të drurit nazeqar e të veçantë – vojzës shtathedhur që kap retë. Ajo që është më karakteristike për florën dhe faunën e këtushme, është “ekskluziviteti”, që të duket sikur çdo gjëje i lejohet të zhvillohet ashtu si kërkojnë ligjet e natyrës, luftës për ekzistencë dhe seleksionimit e përzgjedhjes së saj.


Kushtet tekanjoze klimatike të Sharrit janë mjaft specifike. Edhe pse ky masiv paraqet një hapësirë relativisht të vogël gjeografike, këtu ndërveprojnë edhe disa dukuri të veçanta mikroklimatike. Nga vendpozita dhe nga karakteristikat relievore të tij, mund të përshkohet klimë me karakteristika mediterane dhe kontinentale lindore. Për këtë, është evidente edhe klima lokale e lartësive. Vetëm në saje të këtyre ndryshueshmërive klimatike, determinohen edhe temperaturat e ajrit, variacioni i ndriçueshmërisë së diellit,
shpejtësia e erërave, intensiteti dhe sasia e të rreshurave në stinë të caktuara dhe ndryshimet tjera klimatike. Kështu, kur në qershorin e hazdisur apo korrikun e harbuar, ndodh që teperaturat në Pollog të jenë skajshmërisht të larta, në majat dhe luginat e Sharrit, vende-vende ende mund të zbardhëllojnë shtresat e dëborës. Për këtë arsye, këto terrene paraqesin një atraksion për turizëm veror apo pushime verore. Gjatë periudhës së dimrit, madje, kur në vendbanimet e Rrafshit të Pollogut temperaturat janë shumët të ulta, dhe, kur mbi kokat e tyre rëndojnë mjegullat e bezdisshme, në majat e larta të Sharrit, shpesh mund të zotërojë “verë e çoroditur”, dhe kështu, përveç skijimit dhe rrëshqitjes, edhe rrezitja dimërore mund të paraqesë një atraksion të vërtetë për shumë dashamirë të natyrës. Për këtë arsye, Sharri është tërheqës dhe me interes për pushim dhe rekreacion në të gjitha stinët e vitit.
Krejt këto mbushullime natyrore me spektaklet shpërthyese me bukuritë mahnitëse të Sharrit, indicojnë kushte reale për zhvillim të turizmit, si degë koxha fitimprurëse ekonomike. Këto perla të natyrës, ka mundësi që të valorizohen edhe materialisht.
Kohëve të fundit, të gëlon përshtypja se më në fund edhe bashkëvendasit e mi sikur janë zgjuar nga kllapia e injorancës, neglixhencës dhe arrogancës shekullore, dhe, gjithnjë e më shumë po pretendojnë të shfrytëzojë këtë mundësira, përkatësisht mundësinë e shfrytëzimit të resurseve natyrore që i ofron Sharri. Përveç objekteve të shumta (veçmë të njohura turistike)me hotele e pushimore të ndryshme për të gjitha moshat dhe kategoritë, është për t’u pikasur sidomos Qendra turistike: Kodra e Diellit, madje edhe Treujnat, Vërtishta, Mellova, ku kanë filluar dhe po vazhdojnë edhe mëtej ndërtimet e objekteve të reja e luksoze sipas shijes, stileve dhe preferencave e trendeve të kohës, si: vila, kamp – shtëpiza, vikendica etj. Kjo gjë nuk i ka lënë indiferent edhe banorët vendas të fshatrave të Sharrit dhe të Rrëzës së Sharrit në zhvillimin e turizmit rural-me hapjen e shumë lokaleve e restoranteve me gatime dhe shërbime: “a ll a-sh q i p t a r ç e”, si: “Parajsa e Sharrit”, “Driada”, “Matoshi”, “Te Gryka” etj.


Duhej të kalonte një kohë kaq e gjatë, për t’u bërë krejt kjo që dikur e bënin dhe po vazhdojnë ta bëjnë vendet e zhvilluara me pasuritë natyrore – për t’i shfrytëzuar ato për nevojat e veta. Janë këto vlera burimore shumë të begata – me pyjet e panumërta, majat atraktive për sporte dimri, hapësirat e paskajshme me fruta malore, bukuritë estetike të pejzazheve të papërsëritura, flora dhe fauna që mund të konsiderohen si “mall” shumë kualitativ, i cili mund edhe të “shitet” në hesap, dhe, kështu, nga këto resurse, s’ka pse të mos ketë qarr apo fitim e të mos jetohet mirë… Prandaj, mos të lakmojmë “të huajën”, duke e pasur tonën “në kopsht”! Të mendojmë për atë që kemi, jo për atë që na mungon.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu