ARKIVI:
25 Dhjetor 2024

Mal me mbresa leximesh

Shkrime relevante

Pabesueshmëria e absurdeve të “BIG BROTHER”

Nga: Lirim Gashi Sara nga Tirana dërgon çdo ditë lutje në qiell,...

Doli nga shtypi libri MALL E DASHURI PËR ATDHE i autorit Florim Zeqa

Sot, nga Shtëpia Botuese “Libri im” në Pejë doli nga shtypi...

Bashkëkombës të dashur, Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2025 !

Uron dhe shkruan Luan Dibrani Kremtimi i Krishtlindjeve në hapësirën shqiptare ka...

Shpërndaj

Nga: Bajram Sefaj

Meny – jo, gjullurdi librash – po!

(Momentalisht nëpër duar kam këta libra: Illsions perdues (Balzac); Një fije shprese një fije shkrepëse, (Ag Apoloni); Sëmundja e ëndrrave – Trilogji për vendlindjen, (Mehmet Kraja); La vie est un roman (Guillom Musso (Myso)), edhe një vepër tjetër të këtij autori relativisht të ri francez që, decenien e fundit, me romanët e tij tërheq dhe thith interesimin e lexuesit, jo vetëm francofon por edhe atij botëror, La Jeun fille et la nuit; Bonjur tristesse (François Sagan); Hiroshima mon amour, (Marguerite Duras); précis de décomposition, (E. M. Cioeran); Orët e shahut, (Luljeta Danaj); Guaska e veshit, (Remzi Limani); romanin më të ri Zemër të (njëfarë) B. Sefajt e kështu më radhë.

Që në nisje, sikur detyrimisht, duhet të bej një shpjegim sqarues. Nuk është vërtetë se bëj pjesë të korpusin e lexuesve të pasionuar, që me libër në dorë, janë err e terr. Por as atje nuk bëj pjesë, në grigjën e, idioteve të mjerë që, ky vit po se po, viti i kaluara gjithashtu, por, edhe viti i ardhshëm, me siguri, do të ikën, (haj medet haj), pa lexuar asnjë libër! Unë për vetën time, nuk jam tjetër pos një lexues skamnor, i rëndomtë, mesatar që, as nuk vdes mbi libër, as kurrë në jetë, sidomos gjatë vjetëve sa jam i syrgjynosur në dhe të huaj, me përmallimin përvëlues për vendlindjen e Mëmëdhe, nuk jam larg librit, sidomos të atyre që për autorë kanë shkrimtarë shqiptarë!
Jo për dëshmuar “naj’sen”, askush një llogari të tille s’e kërkon nga unë, po me që ra fjala, momentalisht para vetës kam librat që i shënova në fillim të kësaj odiseje.
“lllusions perdues” i Honore de Balzac, ani pse është Le Livre de Poche (libër xhepi), ka 864 faqe dhe veçohet si teksti më i gjatë letrar i Balzac-ut, në përgjithësi. Ashtu si “Le temps perdues”, i tjetrit shkrimtar të njohur francez, Marcel Proust, edhe “Illusions perdues”, kanë lidhje të ngushtë më mua. Jam kabahati i kohës së humbur dhe, mëkatar edhe më i madh i iluzioneve të humbura. Këto të dytat, iluzione të humbura kanë ardhur në shprehje, sidomos prej se jam Francë. Kam pasur shumë iluzione për Francën e, sidomos për Parisin. Që ky qytet është iluzioni im më i madh i humbur, deri diku, jam përpjekur të shpjegoj, arsyetoj dhe dëshmoj në romanin tim “Parisi kot”, përkthyer ndërkohë në rumanisht, në kroatisht dhe në frëngjisht.
Dy libra të shkurtër, të dy shkrimtareve franceze: “Bonjour tristesse” – François Sagan dhe “Hiroshima mon amour” – Marguerite Duras (Dyras), lexohen me kënaqësi, jo vetëm pse, autoret e tyre janë të njohura në krejt botën e madhe, por sepse serish ushqejnë iluzionet (e humbura) së, gjuhën e vështirë, franceze e flas ujë, sikurse ia thonë fjalës, dhe së këtë gjuhë kuptoj gjithçka dhe e flas mirë e pa gabime, gjë që nuk është aspak e vërtetë. Në parantezë ( Gjuhën frënge e ka zotëruar, dhe folur e shqiptuar mirë e me korrektësi të pa shembullt në botë, vetëm një shqiptar i vetëm e, ai ishte maestro Jusuf Vrioni, tash e sa vjet i ndjerë. Me ndjenje të tillë, të rreme gjithsesi, edhe më shumë, e ngjallë tek unë, edhe romani me titull La Jeune fille et la nuit, gjithnjë shkrimtarit të popullarizuar, Guillaume Musso (Myso), i cili “roman apres roman…” u bë i njohura në botën e letërsisë.
Gjithë këta autorë të njohur francez, pa e harruar, për asnjë çast, as E.M. Cioran (Sioran, që nuk ishte francez, ishte rumun me origjinë), por që famën botërore si filozof i shquar e arriti, duke shkruar pikërisht në gjuhën frënge, i përmend, jo për tjetër, jo për të shitur mend assesi, pos për të treguar se, sidomos, disa prej tyre me kripshin e mbushnin me iluzione të rreme se edhe në gjuhën frënge që, nuk e flas, mund të lexoj pa vesvese!
Tash u kthehem autorëve shqiptarë dhe veprave letrare të tyre, kur leximi (si frymëmarrja) është më e lehtë, si në ajër të pastër. Oh, sa mirë të lexosh shqip!
*
Po ia nis ashtu siç edhe ndodhi. Me një lloj kronologjie!.
Më të parin e lexova romanin më të ri, jo shumë voluminoz, “Guaska e veshit”, të mikut tim, artist polivalent, Remzi Limani, kur është edhe poet, edhe piktor, edhe… Unë nuk di të them, as më pak as më shumë, pos që ky roman i R. Limanit është diçka e jashtëzakonshme. E përsëris, është roman i jashtëzakonshëm. Këtë përgjigje të vetme e kam edhe njëmijë herë po të me pyeste ndokush. Dëshiroj që të mos i besoni kësaj deklarate! Kjo do të thotë se, do të uleni e vetë t’i lexoni 150 faqet e këtij romani, botim i Sh. B. “ArsA”.
Njërin pas tjetrit, lexova dy romane të dy shkrimtarëve shqiptarë (të preferuarve të mi), “Një fije shprese, një fije shkrepëse” të Ag Apollonit dhe romanin e ribotuar “Sëmundja e ëndrrave” – Trilogji për vendlindjen, të Mehmet Krajës. (Pandeha të shënoj se qëllon të jem lexues me fat, por e lashë se këtë trill e kam përdorur njëherë tjetër, me një rast të ngjashëm!). Romani që mban titullin “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, kur është aq origjinal, aq fantastik dhe provokues, kur të bën që me padurim ta rrëmbesh e t’i qasesh leximit, pavarësisht ese kush është autori i tij e, aq më parë, kur ai qëllon të jetë Ag Apolloni, emri më i ndritshëm shkrimtari edhe intelektuali, në letrat shqipe, në përgjithësi, sidomos në dhjetëvjetëshin e fundit. Pa humbur kohë, pa bërë truç fjalë boshe, po e riprodhoj në fragment të shkurtër nga kjo kryevepër e letërsisë tonë më të re, kur aq bukur, në mënyrë aq madhështore e origjinale, gërsheton dokumentaren (aktualen) me artistiken, imagjinaren.
Masakra e Mejës
(Fragment për Masakrën e Mejës dhe për nënën Pashkë, që dogji veten, pasi ia kthyen trupat e dy djemve, Milanit dhe Gjovalinit, të vrarë më 27 prill 1999, në Mejë).
***
Pashka u dogj nga indiferenca. Djemtë e saj ishin më të mirët, dhe ajo donte t’ia tregonte botës këtë. Armiku ia mori, ia vrau, si gjithë të tjerët, pa dallim. Ia sollën në qese si gjithë të tjerët, pa dallim. Ushtria i varrosi si gjithë të tjerët, pa dallim. Ky mosdallim, kjo indiferencë, e sosi durimin e saj. Djemtë e mi, mendonte ajo, ishin më të mirët, ishin ndryshe për së gjalli, ndryshe duhet të jenë edhe për së vdekuri. Ajo nuk e kishte inatin vetëm me dheun indiferent që i mbulonte të gjithë njësoj. Një inat, më të madh, e kishte edhe me Hyjin. Si kishte mundur të rrinte indiferent ndaj lutjeve të saj dhe ndaj krimeve mbi bijtë e saj? Para se të vdiste, diçka brenda saj kishte vdekur. Tashmë për të, ai atje lart nuk ishte qiell, po qefin. Prandaj ajo, në mëngjes, kaloi rrugën, shkoi pranë një shkurreje dhe dogji veten. Po të ishte ndonjë Mojsi në malin përreth, do të shihte shkurren që nxirrte flakë. Një shkurre që djeg Zotin brenda saj, si një e dashuruar që vret të dashurin, për shkak se nuk mund ta durojë xhelozinë e vet, apo shpërfilljen e tij.
Kështu, Pashka e dogji veten dhe e dogji vdekjen. Guri gjigant, i vënë për kujtim të saj në vendin e ngjarjes, do të thërrmohet një ditë, do të harrohet një ditë. Por, vepra e saj do të jetojë sa të ketë qiell indiferent sipër. E, sa të kujtohet ajo, do të kujtohen edhe dy bijtë e saj.
(…)
*
Me një fragment të shkurtër, nxjerrë nga Agu, me një fragment shkëputur nga mbresë imja mbi romanin e ribotuar të Krajës “Sëmundja e ëndrrave” – Trilogji për vendlindjen, po e vazhdoj: Edhe kësaj radhe, si gjithmonë, kur kam në dorë, krijim letrar të çfarë do gjinie, të Mehmet Krajës, edhe romani “Sëmundja e ëndrrave” – Trilogji për vendlindjen, me qet në pikë të hallit: nga cila anë, nga cili drejtim a shteg, t’i qasëm shkundjes së mbresave të thella që më lëne veprat e tij pasi që, endje t’i kam lexuar me kujdes të veçante e pasion të thellë. Por, shih ti mrekullinë zotit, kësaj radhe nuk me përvëlon siklet i tillë. Vepra e tij më re, që posa e mbarova leximin, nuk është punë e re këtij shkrimtari. “Sëmundja e ëndrrave” – (Trilogji për vendlindjen) është ribotim i “Onufrit” të Tiranës. Se e qysh erdhi deri të ky botim i dytë dhe, ndërhyrjet (ndryshimet e plotësimet eventuale) që i janë bërë botimit të Prishtinë (1987), këtij botimi të dytë, nuk merrem, prandaj, as më kritike, aq më pak me eseistike, as me gramatikë! Kam punë me matematikë, (mathematikë, për nostalgjiket!). Që të bëj një gjë të tillë, me nxitë, me shtynë, thuaj se me detyron, edhe vetë autori librit “Sëmundja e ëndrrave” (Trilogji për vendlindjen) e Mehmet Krajës, shkrimtari im i dashur dhe i preferuar, që nga admirimi dhe respekti që kam për të, Meti e quaj. Këtë libër me trilogjinë për vendlindjen Krajën, Metit, pra e kam lexuar, me kohë, qysh se është shfaqur në tregun letrar në Prishtinë ( më 196/7). (Për mall dynjasë, sikurse thuhet shpesh, nuk do ta jepja atë botim dhe të shoh unë vetë, ndërhyrjet që i ka bërë). Ndonëse në parathënien e botimin të dytë, autori jep shpjegime të hollësishme. Nuk është, pra, që nuk i besoj, por ja që…!
*
Romani “Orët e shahut”, para plot 21 vjetësh e ka botuar Buzuku i Prishtinës, me këtë shënim në krye: “Ky roman është nderuar me Çmimin e Dytë në konkursin e “Buzukut”, me rastin e 10-vjetorit të themelimit”. Asokohe Luljeta ishte shtalb e re dhe akoma, ende, hala mbante mbiemrin Danaj . Tash ka evoluuar dhe quhet Luljeta Dano. (Pse e si, punë e saj). Romani i saj “Orët e shahut” – Letër me gjasë romani, shpesh me gjendet në dorë. Për shumë arsye. Përherë në 193 faqet mund të gjesh perlë të re, të cilën herën e fundit nuk e ke pikasur. Kësaj radhe nuk po i shprishi shtatë kapitujt e këtij romani, të kësaj Letre me gjasë romani. Mjafton të ndalesh në faqen e parë, të mbledhësh shënimet-porosi të Lules, atëbotë të re, e të mahnitesh: “Për gjeneratën time, që në vitin 2000, ka moshën e shenjtë, tridhjetë e tre vjeç”, ose: Dhe për Marian, vajzën time, kur t’i bëhet e ardhmja e shkuar dhe e shkuara e ardhme”. Autorja faqen e parë të romanit të saj “Orët e shahut” e përmbyll me një citat nga Pablo Pinia, kur thotë: “Me dashurinë, e cila kurrë nuk los pa hile, e të rrëzon si një sëmundje”. E po të shfletosh tërësinë e librit, do të mbetesh pa mend nga ai thes(ar) që gjesh aty, si dukati mbështjellë në letër.
*
Nuk është aspak e rastit që këta dy libra, “Orët e shahut” dhe “Zemër” gjendën ngatë a ngatë njeri tjetrit. Ata, jo librat, por autorët e tyre , lidhë një fije e padukshme sekreti që mëton të mbetët i tillë, ani pse nuk ka asnjë mëshefin as me të voglën mësheftësi. E pse romani im “Zemër” me gjendet shpesh në dorë mëkatar është M. Kraja, që ishte recensues i tij. Mehmet Kraja: “E lexova librin tënd. Së pari e printova dhe u mora me të, gjatë dhjetë ditëve të shkuara, duke e me kujdes dhe me konsideratë. Megjithëse quhet roman, si zhanër vështirë për t’u identifikuar. Si procede: një kombinim, them, i letërsisë dhe publicistikës. Manifeston një kulturë shkrimi që duhet marrë në konsideratë nga lexuesit dhe njohësit e letërsisë. Subjekti i dekompozuar jep shkas që vepra të quhet prozë postmoderne, letërsi e pëlqyer për një lexues me shije e kulturë. Uroj që libri ta gjejë atë lexues. Të uroj sukses dhe shëndet! (16 shtator, 2019).
Ja, për këto dy fjalë të ëmbla, të qqëlluara të akademikut Kraja, këtë bibë e dua aq fort!

(Gaillard, 4.5.2021)

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu