ARKIVI:
28 Nëntor 2024

Malli për Ibren …!

Shkrime relevante

Pjesëza nga intervista e Nënkolonel Vëllazërim Qerimi, në “Dita e Hapur” me rastin e Ditës së Forcës dhënë RTK-së

Gani I. Mehmeti DIÇKA NGA INTERVISTA E NËNKOLONEL VËLLAZËRIM QERIMI, NË «DITA...

Mërgata Shqiptare në Botë ua uron Shqiptarëve 28 Nëntorin

MËRGATA SHQIPTARE NË BOTË ME SELI NË NJU JORK Gjithë shqiptarëve, ku...

Shpërndaj

Nga Bajram SEFAJ

Ripoodhohet me rastin e gjashtëmbëdhjet vjetorit të shuarjës së Presidemtit historik të Kosovës, Irahim Rugova.

Malli për Ibren*
(ose homazh plakut të menqur të epokës sonë të re!)

I çmuari dhe fort i dashuri, vëlla Ibro!
Unë nuk e zgjodha çastin për të shkruar këtë letër mallëngjimi. Ai me zgjodhi mua! Dhe, le të thuhet menjëherë, çast më i lig nuk mund të imagjinohej se që është ky!
Kam shumë vështirësi, të papërballueshme dhe të pa kapërcyeshme fare, për ta shkruar këtë letër. Ashtu si prej kohësh, dëshiroja dhe ëndërroja ta shkruaja. Nga ajo mori pengesash që me dalin përpara në këtë synim e që bënë të hezitoj e të lejoj të parakalojnë një milion vjet pranë meje, si pranë një të vdekuri, pa ta shkruar këtë letër, me këtë rast, po i veçoj, vetëm dy, kur janë më të mëdhatë dhe më të papërballueshmet. E para, respekti i lartë, dashuria e madhe dhe pikëllimi i thellë, që ndjej për Ty, zoti President. Pengesa e dytë, sasi e madhe dhe kallaballëk mllefi, deri në shkatërrim, ndaj të gjithë atyre hasretxhijnve dhe shpirtligjve, kur aq pamëshirshëm e në mënyrë trupërisht spektakolare e kryeskandaloze, iu gëzuan fatit tënd të lig! Gëzimit për fatkeqësinë e tjetrit dhe kënaqësinë për vuajtjet e tjetrit, ti e di mirë madhi Ibro, i thonë Sadizëm! Zoti të ruajt prej të prekurve nga kjo dergjë e rëndë! Fati, njëmend, ishte i tillë. Por, sa më i egër dhe tragjik që shfaqej, në destruktivitetin e tij makabër, ai fat e çast, në anën tjetër, nxori në pah fisnikërinë, burrërinë, besnikërinë dhe trimërinë tende të pashoqe!
Veprimi dhe qëndrimi yt burrëro, kur pa mëdyshje, pa dilema dhe pa më të voglin hezitim e luhatje, gjete shtëpinë tënde Kosovë! Shkove atje për të vdekur bashkë me anëtarin e fundit të familjes së madhe shqiptare të Kosovës, (zot shtëpie i së cilës je tani e njëmijë vjet!), kur automatikisht e përnjëherësh, hyre në odën e burrave të pavdekshëm shqiptarë. Iu ngjite, kështu, plejadës së trimave më të shtrenjtë të kombit tonë, për të cilët janë thurur dhe këndohen, legjenda. U bërë plak i ri i epikës sonë të re!
Po që se them se ke pasur një milion mundësi të ngelësh jashtë Kosovës, në vend të sigurt, komod e me benefise, kjo do të ishte vetëvrasja (vetë) ime më banale. Shthurje e shkrirje e pamëshirshme e flakës së kësaj letre! Shumë herë, më mirë të menduar sesa të shkruar, të folur! Të realizuar. Je shkrimtar e filozof, i çmuari im Ibro, e beson dhe e njeh (mirë) këtë dhimbje të thellë!
“Et, je me demande?”. E bëj pyetje, me ç’rrobë të zezë e çoroditëse tradhtie do të vishej qenia jote fisnike, sikur, përnjëmend, të ngjante ajo që kurrsesi, nuk mund të ndodhte Ty, të ikje e rrije larg popullit tënd!
Lehtë e kanë të tjerët, kur ti, në anën tjetër, nga diktatura fashiste ke kllapa në duar (pas shpine). Ke gojë të kyçur. Sy të mbyllur. Ke pranga në këmbë. Ke helm në gjak e në zemër të lënduar… Ke fëmijë e familje të kërcënuar vdekjeje. E, si të vritet vdekja! Me jep përgjigje kush?
Tash, keq, dhimbshëm e dhunshëm përnjëherësh, po e përfundoj këtë letër, kur dora e dridhur trishtimi, nuk arrin dot, ta shkruaj ndryshe pos ashtu si dikton zemra (ime) e plasur!
Më dhemb, po, po me djeg e më bluan fare, keqardhja për këtë vonesë të pafalshme mijëvjeçare! Kur, në anën tjetër, u kisha aq shumë zili, kolegëve të mi, odës së madhe të burrave të dheut, brenda dhe jashtë mëmëdheut tonë, kur shkruan e folën, kur ngritën zërin e indinjatës së thellë, ndaj tërë tragjedisë që ndodh rreth teje! Veçmas ndaj trillimeve e cilësimeve, pa fije hezitimi dhe tejet të pamatura, kur, në anën tjetër, dihet e njihet aq mirë, veprimi yt fisnik.
Ashtu sikurse jam i vonuar në çdo shteg të jetës, nga trungu i thatë i së cilës, kurrë nuk kam vjelë asnjë fryt të ëmbël, jam vonesëmadh edhe në shkrimin e kësaj letre. E shkruaj në çastin e lig e të dhimbshëm, kur fotografia me portretin tënd, mbi tryezën time të “punës”, dot nuk me gjegjet: je, apo nuk je më në jetë? Nuk me ngel, prandaj tjetër udhë, i dashuri Ibrahim, pos të fshijë lot pikëllimi e të qes (ngjis), një varg të ri, në poemën kushtuar Ty, që e kam nisur para shumë vjetësh, diku në mërgim. Diku në Parisin e rinisë sate. Kur ishe student (nxënës)i filozofit dhe mendimtarit francez, Roland Barthes, më të shquarit të epokës sonë. Autorit të veprës së madhe, mendore, filozofike, shkencore…
Fort e mirë e shoh se poema ime nuk do të përfundojë kurrë. Vepra jote del e denjë për penda shumë herë më të mprehta e talente shumëfish më të mëdha se që është imtësia ime e imët!
Sa me ka zënë malli, Ibro, të pimë bashkë nga një filxhan kafe në braserinë “Çarri”, në Prishtinë. E pastaj të nisim e të llafosim e të rrahim tema të letërsisë dhe të rrjedhave kulture në botën shqiptare dhe përgjithësisht. Sikur bënin shpeshherë, dikur. Të kujtohet, sigurisht! Qoftë edhe atëherë kur ishin bashkë, në emisionet e kulturës në gjuhën (tonë) shqipe të Televizionit të Prishtinës.
Ibro, me prit se ja, po “…lidh mbathcat…” sikur na porositë i pavdekshmi varg kushtrimi i poetit Azem (Shkreli), e po vij. Erdha, ma kij besën! (Rilindja Zürich, prill – 1999)

*( Ky tekst është botuar në gazetën ditore “Rilindja” që, asokohe, botohej në Cyrih të Zvicrës, në muajin prill të vitit 1999. Po e riprodhojmë, (pa asnjë intervenim) me rastin e përvjetorit të vdekjes se Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. (Redaksia).

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu