ARKIVI:
15 Nëntor 2024

Mareshali osman Dervish Pasha, drejtuar popullsisë së Shkupit më 8 prill 1881 :“Do t’ua djeg qytetet e fshatrat me themel!Do t’ju shfaros krejt”

Shkrime relevante

Presidentja Vjosa Osmani priti në takim gjeneralin Wesley K. Clark

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim...

Gjenerali Vesli Clark me të birin takojnë Albin Kurtin, ZKM jep detaje

Pamje nga takimi Gjenerali Clark me të birin takojnë Kurtin, ZKM: Ushtaraku...

Jerusalemi – nga 20 janari 2025 kryeqendër e hemisferës perëndimore?

Sadri Ramabaja. Prishtinë Duke ndjekur rikthimin e Donald Trumpj, në shtëpinë e...

Shpërndaj

Shkupi në koleksionin fotografik “Ballkani Perëndimor gjatë periudhës 1876-1900” të Sulltan Abdyl Hamitit II

Mareshali osman Dervish Pasha 

***

Fjalimi cinik dhe kërcënues i mareshalit pushtues osman Dervish Pasha drejtuar popullsisë së Shkupit më 8 prill 1881; fjalimi po ashtu drejtohet kundër Lidhjes së Prizrenit“Nëse besoni se mund t’ia ktheni shpinën këtij padishahu aq të madh, i cili ju do si baba, dhe t’i rregulloni vetë punët tuaja, atëherë e keni shumë gabim! A mund të ekzistoni vetëm pak ditë pa qeverinë e tij? Armiqtë vetëm presin ditën kur ju do të shkëputeni nga perandoria për të ndarë territorin tuaj dhe për t’ju përbuzur dhe përqeshur nga distanca. Të gjithë ata që i konsideroni miq e ndërrojnë politikën dhe do të bëhen armiqtë tuaj nëse për këtë kanë interes, nuk duhet dyshuar për këtë. Hajde ta zëmë se u ndatë nga perandoria dhe doni të ballafaqoheni me Serbinë, për shembull! Me cilat mjete? Sa topa i keni dhe çfarë materiali luftarak keni në dispozicion? Sall me fjalë s’kryhet punë! Ku ishin shqiptarët kur shpërtheu lufta? Pse nuk u kyçët atëherë në luftë? Në atë kohë kam qenë në Jenipazar [Novipazar] dhe gjithçka e kam parë me sytë e mi. Madje e di se shqiptarët atëherë hynin në fshatra për t’i grabitur dhe plaçkitur dhe pastaj iknin. Uniteti dhe forca nuk krijohen vetvetiu në këtë botë; vetëm dorë më dorë me qeverinë ato janë të mundshme. Nëse jemi të bashkuar dhe unikë, atëherë mund ta mbrojmë territorin tonë dhe t’u kundërvihemi armiqve!

[Pas kësaj përgjigjet një hoxhë]

Allahu i dhëntë ymër të gjatë, Shkëlqesisë Suaj! Edhe ne jemi të këtij mendimi dhe nuk themi që nuk e njohim Sulltanin dhe qeverinë e tij, dhe kur t’i rikthejmë sërish territoret që na i ka pushtuar armiku, do ta dëgjojmë qeverinë edhe më shumë se më parë dhe do të japim gjithçka dhe bëjmë gjithçka që kërkohet prej nesh. Të gjithë jemi të lumtur që na është caktuar në krye një mareshal si ju.

[Vijon fjalimin Dervish Pasha]

Madje kam dëgjuar se janë bërë përpjekje për të djegur një fshat afër Prishtinës, sepse kishte refuzuar të rekrutojë bashibozukë. Sa lehtë është që një fshat i tillë të bëhet hi padrejtësisht! Le ta djegin, por pastaj do ta shohin se çka do të bëj me ta!

Zoti dhe perandori ynë më ka dërguar këtu si të ngarkuarin e tij të posaçëm për ta paqësuar këtë pjesë të Shqipërisë. Në njërën dorë sjell falje, në tjetrën zjarr. Ndaj atyre që dëgjojnë urdhrat e padishahut dhe u nënshtrohen ligjeve dhe dispozitave, do të tregoj tolerancë dhe mirësi. Atyre që nuk dëgjojnë, qoftë mysliman apo i krishterë, do t’ua djeg qytetet e fshatrat me themel! Si mareshal unë kam nën urdhër 300 batalione. Kam në dispozicion edhe një numër të konsiderueshëm topash dhe në qoftë e nevojshme i sjell këtu 150 batalione. Atëherë do t’ju shfaros krejt dhe fëmijët dhe familjet tuaja do t’jua hedh në mjerim.

S’mund të ekzistojnë dy qeveri në një vend. Urdhrat e Sulltanit duhen respektuar. Nëse në shtëpitë dhe familjet tuaja vjen një i huaj dhe dëshiron të luajë rolin e zotit të shtëpisë, kjo me siguri nuk do t’ju pëlqente, madje do të ishte e pakëndshme për ju. Po aq e pakëndshme dhe shqetësuese, madje më shqetësuese kjo është për padishahun. Nëse djali mbetet pa babë, atëherë ai do të marrë fund si pijanec në kafehane; nëse një vajzë është pa nënë, ajo përfundon në bordel [shtëpi publike]. Kështu do të ndodhë edhe me një popull pa padishah dhe pa qeveri! Do të fundoset në fatkeqësi dhe do të shkojë në ferr dhe në theqafje!

[Fillon të qajë]

Bijtë e mi dhe vëllezër besimi! Jam shërbëtor mëkatar i Allahut dhe shërbëtor modest i Sulltanit të zotit tonë! Kam ardhur t’ju ruaj dhe ju dua si jetën time!

[…]

Tregojuni edhe atyre që nuk i kanë dëgjuar fjalët e mia, që këto fjalë t’i marrin parasysh e t’i respektojnë dhe dërgojeni dikë andejpari (nga Prizreni etj.) dhe jepuni lajmin dhe shkruajuni që të mos rezistojnë. Miku e baba ynë më i mirë është Sulltani!

[…]

Nuk do t’ju pyes tani se kush prej jush i përket Lidhjes (së Prizrenit) dhe kush jo! Pasi që nuk i jeni bashkuar rezistencës dhe nxitjeve, unë me këtë rast po ju fal. Por atje lart matanë disa cuba dhe llumi i paarsimuar kanë thënë se duan të jenë vali, mytesarif, kajmekam, bimbash etj. dhe të shtyrë vetëm nga interesat e tyre personale e kanë mashtruar popullsinë dhe shtyrë drejt kryengritjes! Këta nuk janë as miq të Sulltanit, as të popullit, as të atdheut, andaj duhet ta dini se ata janë armiq të qeverisë dhe tradhtarë të atdheut dhe këtë mund t’ua thoni të gjithëve që nuk e dinë.

[…]

Tani po shkoj dhe po ju lë nën mbrojtje të Allahut”.

Përktheu dhe përgatiti: Enver Robelli

Burimi: Politika dhe shoqëria në Vilajetin e Kosovës dhe në Kosovën e sunduar nga serbët. Raporte të konsujve austro-hungarezë nga Ballkani qendror (1870-1914), botoi Akademia Austriake e Shkencave, Vjenë 2020. Edituar nga Oliver Jens Schmitt dhe Eva Anne Frantz. [Tekstet janë botuar në origjinal në gjuhët që kanë shkruar konsujt, gjermanisht dhe herë-herë frëngjisht].

Xhamija me emrin e Dervish Pashës në Fatmić, Travnik

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu