ARKIVI:
20 Nëntor 2024

Mark Marku: Dukuria kulturore françeskane

Shkrime relevante

Intervistë e Lis Bukurocës dhënë gazetares Rudina Xhunga (Video)

Erdha në Shqipëri të bëj dhëmbët dhe zbulova sekretin e madh!...

Me rastin e 20 vjetorit të kalimit në amshim të Primus Prenkë Ndrevashaj

Kisha “Zoja Pajtore e Shqiptarëve” në Southfield të shtetit Michigan, themeluar...

Shpërnguljet për në Turqi dhe historitë e trishta të vrasjeve të organizuara të shqiptarëve të rinj

Nga: Sami Islami, Londër ___ (Sipas një ngjarjeje të vërtetë) ___ Edhe pse Kosova kishte...

Prindër të dashur, tregoni se si është e mundur që fëmiu juaj të përfundoj në pranga…?!

Monika Braja, Selanik ____ Prindër të dashur , Nena dhe Baballarë , që...

Në 15 vjetorin e shkuarjes në amshim të Babait, Halil Zeqës…!

17.04.1933-19.11.2009 Mga: Florim Zeqa Halil Zeqa largëpamës dhe vizionar Halil Zeqa lindi më 17.04.1933...

Shpërndaj

Nga: Mark Marku

Françeskanët shqiptarë shfaqen si një grup i strukturuar kulturor, aty nga fundi i shekullit të 19-të, paralelisht me shfaqjen e grupeve të tjera të Rilindjes Kombëtare. Qysh në fillim françeskanët shfaqin tre karakteristika, që i bën ata të dallueshëm nga grupet e tjera kulturore:
së pari, ata shfaqen si një elitë kulturore vendase, në ndryshim nga grupet e tjera që janë grupe të diasporës,
së dyti ata janë një elitë kulturore e strukturuar dhe koherente, në ndryshim nga grupet e tjera që nuk janë të tilla, dhe së treti ato shfaqen si një grup kulturor dhe fetar në ndryshim nga grupet e tjera që e zhvillojnë veprimtarinë kulturore jashtë patronazhit të fesë dhe nganjëherë edhe në konflikt me të.

Deri para shfaqjes së françeskanëve, elita kulturore shqiptare ishte elitë e diasporës. Madje është paradoksale që ideja kombëtare dhe projekti kombëtar shfaqen tek ajo pjesë e diasporës, që e kishte më të madhe distancën kohore me vendin e origjinës: tek arbëreshët. Lidhja e tyre është e largët dhe kjo bën që projekti i tyre të zhvillohet kryesisht si lëvizje romantike nga pikëpamja kulturore dhe si utopi nga pikëpamja politike. Në ndryshim nga arbëreshët, elita kulturore e pjesës tjetër të diasporës ishte më organike, (dhe këtu kam parasysh elitën kulturore të mbledhur rreth shoqërisë Drita të Stambollit dhe zgjatimet e saj në Bukuresht, Sofje, Egjipt e më vonë në Evropë dhe SHBA) është më e lidhur me territoret e banuara nga shqiptarët dhe ka një projekt më konkret kulturor e politik. Të vetëdijshëm për zhbërjen e Perandorisë Otomane, fragmentet e kësaj elite të copëzuar, synonin krijimin e shtetit kombëtar shqiptar. Por para se të krijojnë shtetin kombëtar, atyre u duhet të krijojnë kombin dhe e krijojnë atë së pari kulturalisht. Gjuha dhe letërsia do të shihen si instrumente të domosdoshëm në këtë sipërmarrje dhe ata i vënë në zbatim. Klerikët përkundrazi shfaqen si elitë kulturore e lidhur me popullsinë dhe gjeografinë e vendit. Ata e kanë ushtruar veprimtarinë e tyre në kushte shumë të vështira në Veri të Shqipërisë, kanë pasur një ekzistencë të rrezikuar por pikërisht këtu buron edhe forca e tyre. E njohin mirë vendin, banorët dhe dinë t’u përshtaten mirë rrethanave. Ekzistenca e tyre buron më tepër prej kësaj marrëdhënie të çuditshme me banorët, territorin dhe besimin sesa prej fuqisë institucionale fetare. Askush nuk ishte më i vetëdijshëm se ata për burimin e forcës së tyre dhe asgjë nuk e shpreh më mirë thelbin e ekzistencës së tyre se kjo frazë e nxjerrë nga një letër drejtuar mbretit Zog në vitin 1930, “ne jemi këtu në Shqipëri prej dy mijë vjetësh, katolikë atëherë, katolikë sot, shqiptarë atëherë, shqiptarë sot dhe gjithmonë”. Me degradimin e pushtetit perandorak, pozicioni i tyre konsolidohet dhe ata pak nga pak e shndërrojnë Shkodrën në qendrën e tyre fetare e më vonë kulturore. Shkodra si qytet kishte qenë një qendër e rëndësishme urbane dhe tregtare që nga koha e venedikasve, por si metropol kulturor u themelua nga klerikët katolikë. Dhe si i tillë është i pari në Shqipëri. Françeskanët të armatosur me forcën e maleve shqiptare dhe me dijen bashkëkohore e “ripushtojnë” Shkodrën, dhe e bëjnë atë kryeqytetin rrezatues të kulturës shqiptare. Këtë fuqi qyteti e ruan deri në vitet 30, kur këtë rol e merr Tirana, kryeqyteti politik i vendit. Por ajo që e bën dukurinë kulturore françeskane me shumë ndikim, mendoj se ka të bëjë me faktin se ata shfaqen si një grup kulturor, i cili synon të shndërrohet në një sistem kulturor më vete brenda kulturës shqiptare. Grupi kulturor françeskan synon t’i përmbyllë të gjitha brenda vetes.

Në vitin 1861, françeskanët themelojnë Kolegjin françeskan, dhe me këtë hedhin hapin e parë në drejtim të prodhimit dhe përhapjes së dijes, si dhe riprodhimit të vetvetes si elitë kulturore. Më vonë ata sjellin shtypshkronjat, krijojnë organet e shtypit dhe Hylli i Dritës shndërrohet në institucionin kryesor të prodhimit dhe përhapjes së kulturës së tyre. Natyrisht pjesë e rëndësishme e këtij sistemi është produkti kulturor i tyre, dhe ata institucionalizohen në hierarkinë e kulturës shqiptare me grup veprash dhe autorësh, ndër më të rëndësishmit e kulturës shqiptare. Sistemi i tyre kulturor nuk mjaftohet vetëm në fushën e letërsisë, pasi ata krijojnë muzikën dhe institucione të përhapjes dhe ushtrimit të saj si orkestrat dhe grupet artistike, krijojnë teatrin si institucion dhe veprën dramatike dhe më në fund krijojnë edhe publikun. Pra ata krijojnë pikërisht atë që ka parasysh Sapir, kur i referohet termit kulturë, kulturën si sistem komunikimi. Ky sistem komunikimi është i plotësuar dhe i përmbyllur në vetvete, pasi prodhon edhe veprën, edhe kanalin e komunikimit edhe marrësin e veprës. Këtej, besoj se buron edhe fuqia e këtij grupi kulturor, dhe kjo është një pikë e fortë e tyre në raport me grupet e tjera kulturore.

Në një moment historik, kur ata e ndjejnë veten shumë të fuqishëm, si në rastin e periudhës 1920-1924. ata përpiqen të dalin edhe jashtë sferës kulturore dhe të institucionalizohen politikisht duke u shndërruar në forcën drejtuese të opozitës politike dhe parlamentare, forcë që kishte përfaqësuesit e saj fetarë dhe laikë në Qeveri, madje edhe media të fuqishme në dispozicion si gazeta Ora e Maleve. Për një periudhë të gjatë kohe, sistemi i tyre kulturor ka qenë i konkurueshëm vetëm brenda strukturave fetare dhe jezuitët ishin grupi kulturor me pretendime për ta bërë një gjë të tillë. Edhe ata si fraçeskanët krijuan kolegjin e tyre, atë saverian, sollën shtypshkronja, u ushtruan në letërsi dhe në artet e tjera, studiuan gjuhën dhe kulturën shqipe, krijuan organe shtypi, madje edhe më parë se françeskanët (e kam fjalën për Zanin e Shna Ndoit, të themeluar në vitin 1891). Dy grupet kulturore u konsoliduan për raport me njëra-tjetrën, por të dyja bashkë e ruajtën primatin e kulturës deri në vitin 30, kur grupet e reja kulturore kryesisht laike e vunë në diskutim autoritetin e tyre. Karakteristika e tretë e dukurisë kulturore françeskane ka të bëjë me faktin se ajo shfaqet si një dukuri kulturore-fetare.

Della Roka në librin e tij “Feja dhe kombësia në Shqipëri”, kur flet për katolikët shqiptarë thotë se “ka të ngjarë që ata nuk ndjenin ndonjë kontradiktë mes identitetit katolik dhe atij shqiptar, përkundrazi njëri konsiderohej si një aspekt përplotësues i tjetrit dhe anasjelltas”1. Këtij realiteti i përshtaten edhe klerikët katolikë, madje duhet pranuar se nëse klerikët e urdhrave të tjerë i përshtateshin disi me zor një realiteti të tillë, françeskanët e bënin në mënyrë të natyrshme të vullnetshme, madje në njëfarë mase ishin ata vetë krijuesit e këtij realiteti. Në përshtatje me këtë realitet, mund të thuhet se në kulturën françeskane dallohen tre përmasa ose konstante: përmasa kombëtare përmasa kulturore perëndimore përmasa universale fetare. Harmonia e këtyre tre përmasave më duket se përbën një rast unik kulturor te kultura katolike e veriut dhe sidomos tek ajo françeskane. Jashtë paradoksit shqiptar, një harmoni e tillë do të ishte e paimagjinueshme. Mendoj se ky paradoks, vetëm nëse e shohim kulturën shqiptare së jashtmi, na rezulton i tillë, pasi nëse e njohim atë në ind është i shpjegueshëm. Shpjegim për të është historia e vendit dhe rrethanat e krijimit të elitës kulturore të brendshme françeskane. E thamë më sipër se kjo elitë u kishte shpëtuar për mrekulli rrethanave asgjësuese, ashtu sikurse u kanë shpëtuar për mrekulli rrethanave asgjësuese vetë shqiptarët. Ajo elitë ishte pjellë e maleve shqiptare. Bashkë me besimtarët e famullive të vogla dhe të rrënuara të veriut, ata kishin krijuar një histori, historinë e ruajtjes së vetvetes. Bashkë me të edhe historinë e ruajtjes së besimit dhe gjuhës. Mendoj se pikërisht te gjuha, ata e projektojnë harmoninë e tyre. “Problemi i raporteve mes gjuhës dhe kulturës – thotë Levi-Strauss janë ndër më të ndërlikuarat e mundshme. Një gjuhë mund ta trajtojmë si një produkt të kulturës… por në një tjetër kuptim ajo është pjesë e kulturës. Por kjo nuk mjafton, pasi ajo na shfaqet edhe si kondicion i kulturës dhe kjo si në planin diakronik, ashtu dhe në atë sinkronik”2 Buzuku, Budi e Bogdani veprojnë vetëdijshëm në këtë sens.. Gjuhë për ta do të thotë së pari besim, së dyti vazhdimësi, së treti kulturë dhe së katërti botë ose, më saktë, botë e mbyllur dhe e hapur ndaj botës.

Në shekullin e 20-të, pasi kanë shpëtuar edhe gjuhën, edhe genin edhe besimin, ata i realizojnë të gjitha këto duke i harmonizuar në kulturë. Mendoj se ky është një çelës për shpjegimin e dukurisë kulturore françeskane. Të tjerat dihen: pas kulturës vjen kombi, pas kombit shteti dhe prapë kombi e kështu me radhë. Ndërkohë dukuria kulturore françeskane vazhdon të rrezatojë edhe pse në kushte të vështira. Këtë radhë si dëshmi e asaj se çfarë i bëmë vetes.

Panorama, 25 mars 2010

K O M E N T E

1 KOMENT

  1. Ky asht thelbi i veçante i katolikve shqiptar:
    Della Roka në librin e tij “Feja dhe kombësia në Shqipëri”, kur flet për katolikët shqiptarë thotë se “ka të ngjarë që ata nuk ndjenin ndonjë kontradiktë mes identitetit katolik dhe atij shqiptar, përkundrazi njëri konsiderohej si një aspekt përplotësues i tjetrit dhe anasjelltas”

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu