Nikolin Sh. Lëmezhi
Mbaje të ndezur dritëzën time!
Poezi
Shumë i afrova
tek Burimi,
e ujë s’po pinë;
të tjerëve
iu dhurova Jetën,
e seç po vdesin;
disa i mbusha
me Dritë,
e pas territ po shkojnë!
Sa lule i nxora
nga balta,
e prapë baltën kërkojnë!
O Zot,
kështu po të lutem:
mbaje të ndezur dritëzën time!
Heshtja ka çdo përgjigje
Kam kuptuar
se Heshtja
ka çdo përgjigje.
Ajo i jep secilit
atë që meriton!
Si Flaka e fundit
Oh, ç’po digjem,
ç’po konsumohem,
si flaka e fundit
e qiriut
dhe askush nuk sheh!
Ndalu pak!
Krejt Sekreti është që të ndalesh,
pa menduar shumë,
pa menduar fare.
Të rrish ashtu i qetë,
të marrësh frymë thellë,
duke qëndruar në Heshtje
pa sforcim,
aq sa të duash,
sa më shumë që të jetë e mundur.
Rri ashtu në paqe,
pa ndier asgjë,
pa menduar,
pa u shqetësuar!
Rri derisa të dëgjosh
zërin e bukur të Heshtjes!
E, pasi ta dëgjosh,
ngrihu dhe shko
atje ku Heshtja të thotë!
Shkodër, më 10. 09. 2024
Gjaku i një fetari
Në kohë të regjimit,
dënojnë një meshtar,
duke i thënë shkakun:
– Ti je besimtar!
E rrahën të gjorin,
shpinës i japin dru.
Nga burgu s’do dalësh,
fenë pa e mohu’.
I thonë: Shkele Kryqin!
Do të dalë më mirë.
E kështu së shpejti,
do të jesh i lirë.
S’mendojnë të mjerët,
bijtë e robërisë,
se është vetë Kryqi,
shenja e lirisë.
Papritmas meshtari,
Kryqin përqafoi.
Bam! – krisi pushka,
në ballë e qëlloi.
Gjaku i derdhur,
bukur në mur shkroi:
Për Krishtin vdiqa,
me Krishtin jetoj.
Shkodër, nëntor 1996
Heshtja që e dua
Do t’i thur
vargje Heshtjes,
e s’do të resht
së lëvduari Atë,
me gjithë qenien time,
por në Heshtje,
derisa të hesht përgjithmonë.
E do të jem
vazhdimisht i dehur
me gëzimin e plotë,
i lirë prej çdo gjëje të kotë,
ndërsa dëgjoj në këtë botë,
e pasi të dal prej saj,
Fjalën.
Shkodër, më 03. 10. 2023
Në mes…
E do të jetë
si fjala e parë
fjala e fundit:
Dashuri.
Ne jemi në mes.
Lutje e thjeshtë…
O Zot Jezus!
Nëse të kryqëzuarit
do ta shpëtojnë botën,
unë dua të kryqëzohem
bashkë me Ty.
Më merr aty
pranë Teje
te kryqi Yt!
Do të rri në heshtje
të ndiej gurët,
goditjet,
akuzat që mbi Ty peshojnë.
Nga më vjen gjithë kjo Paqe
kur të shoh ashtu të katandisur?
Më lër këtu,
në kryq, o Zot,
pranë Kraharorit Tënd të shporuar!
Të ndiej me Ty,
të ndiej si Ti!
RINGJALLJE…
Varri im bosh është
e pranë tij
varre të tjera rrinë
në pritje për Ringjallje…
Blinisht, Pashkë 2008
Zgjohu, o njerëzim!
Mos kaloni asnjë ditë pa dashur dikë,
pa dashur diçka, pa dashur veten tuaj!
Pa një gjest të vogël apo të madh dashurie,
në këtë Planet jeni si të huaj!
Një ditë pa Dashuri është një ditë pa jetë;
një kohë bosh një minutë pa dashuri,
një sekondë pa Të si një çast jo i vërtetë,
pa Shpirtin e Jetës që ju jep liri!
Zgjohu, o njerëzim, zgjohu:
Është një Dashuri që të bën të lumtur!
Zgjohu, o njerëzim, dhe Duaj:
Zgjohu se jeta është kaq e bukur!
Duaj me të vërtetë e bëj çfarë të duash!
E mëso të harrosh, o njerëzim!
Mëso se është një rrugë e bukur para teje,
rruga e Paqes së zemrës, vëllai im!
Se për të dashur ti ke qenë krijuar!
E duke dashur Paqen të gjesh,
ndërsa je duke luftuar për Paqen,
çdo luftë, me gëzim, në PAQE ta kthesh!
Gurëz, më 31. 07. 2020
Do të dëshmojmë gëzimin…
… edhe ju gjithashtu do të dëshmoni për mua,
sepse jeni me mua që në fillim. (Gjn. 15, 27)
Kemi kuptuar, o Zot, se buzëqeshja që dhurojmë
është shenja dalluese e jona.
E ne buzëqeshim falë gëzimit që na vjen prej pranisë sate.
Kur e dimë se je me ne, kërcejnë zemrat tona,
krejt qenia jonë dridhet për ty
e i madh është gëzimi në ne e përreth nesh.
Më në fund, Ti je gëzimi.
Ti je gëzimi i të kushtuarve të tu;
Ti je gëzimi i atyre, që me zemër të pastër të kërkojnë;
Ti je gëzimi i foshnjës që sapo lind dhe i të moshuarit që në paqe
pret takimin e lavdishëm me Ty.
Ti je gëzimi i fëmijëve
që lozin dhe rrezatojnë pafajësinë e fillimit.
Ti gëzimi i të rinjve,
në përpjekjet dhe angazhimin e tyre për një botë më të mirë;
Ti, o Zot, Jezu Krisht, gëzimi i grave dhe i burrave, që çdo çast e çdo ditë
bëjnë hapa dhe gjeste dashurie.
Ti, burimi i gëzimit dhe gëzimi vetë,
paqja e njeriut je, që në çdo rrahje të zemrës
shpreson e beson se për Ty e me Ty
mund të ndërtohet Qytetërimi i Ri.
Kemi kuptuar, o Zot, se trashëgimi më i madh,
që mund t’ju lëmë brezave të ardhshëm është gëzimi,
ai gëzim qiellor, që Ti e ke mbjellë
me Fjalën tënde në secilin prej nesh.
Do të dëshmojmë gëzimin, pra, o Zot,
e duke bërë kështu e dimë se do të dëshmojmë për Ty.
Do të dëshmojmë gëzimin, o Zot,
por gjithmonë me buzëqeshje në gojë e zemrën plot hare
me sigurinë që na ke dhënë se gjithmonë je me ne.
E do ta shpallim gëzimin mbi pullazet e shtëpive,
nëpër rrugët e thjeshta të fshatrave ku kemi lindur
e në ato të zhurmshmet, ku tashmë jetojmë;
do ta shpallim gëzimin tek të pikëlluarit, tek të burgosurit,
tek ata që janë të dënuar me vdekje.
Do ta shpallim gëzimin atje ku gëzim nuk ka,
por gjithmonë me Ty, o Zot,
sepse vetëm Ti ke mundur ta shndërrosh pikëllimin tonë
në një gëzim që kurrë nuk do të mbarojë.
Po, o Zot, do të lëvizim gjithmonë në gëzim,
do ulemi e do ngrihemi gjithmonë në gëzim…
Edhe frymë do të marrim në gëzim…
E çdo ditë do të zhytemi në Eukaristinë tënde,
që të mund të jemi me të vërtetë
misionarë sa më të denjë të gëzimit. Të gëzimit tënd. Amen! Aleluja!
Shkodër, më 30. 05. 2011
Një lule për ty, Nënë
Nënë!
Jeta jote është një jehonë,
një jehonë e vazhdueshme në histori.
Nënë!
Ti je dhimbja,
je e vrara që hesht.
Nënë!
Prit akoma edhe pak të lutem,
gjersa të vijë dita kur unë të vdes!
Nënë!
Atëherë zemra ime do të hapet
e mbi varrin tënd një lule do të çelë.
Nënë!
Një lule si shpërblim,
për drejtësinë që dikush ta ka mohuar.
Nënë!
Një lule nga shpirti im,
sepse jam biri yt.
Vetëm një lule!
Një lule që do të shuajë ferrin,
që më bën të vuaj,
ferrin e pikëllimit e të dhunës,
ku je djegur, ti, o Nënë!
Shkodër, 1997˗1998
Vëlla Nikolin Sh. Lëmezhi
Shënim i Autorit: Kam preferuar që fjalën «Heshtje» ta shkruaj gjithmonë me të madhe gati sikur të ishte një emër i veçantë i Zotit.
Recension për Artistin e njohur si Poet i Urës së Vjetër (Ponte Vecchio)
Nikolin Sh. Lëmezhi
HESHTJA QË DUA
Hyrje për autorin
“Kam filluar ta kuptoj se heshtja mund të dëgjohet
dhe të mësohet prej saj.”
(Chaim Potok)
Poezia e Nikolin Sh. Lëmezhit lëviz në kufirin e hollë midis dimensionit shpirtëror dhe konkretësisë së gjendjes njerëzore, me një frymë universale që përqafon tema si heshtja, besimi, dhimbja, dashuria dhe gëzimi. Çdo varg buron nga një përvojë thellësisht e jetuar, e rrënjosur në historinë personale dhe kolektive, por gjithnjë e drejtuar drejt një kërkimi të tejdukshëm. Poezia, e vërtetë dhe e pastër, është e ngarkuar me kuptime simbolike dhe me referenca teologjike e ekzistenciale, që e gjejnë fjalën si një mjet meditimi dhe dialogu të brendshëm.
«Kam kuptuar
se Heshtja
ka çdo përgjigje. […]
Ajo i jep secilit
atë që meriton!
(“Heshtja ka çdo përgjigje”)
Primati i Heshtjes shihet si një dimension njohjeje dhe shpirtëror. Nikolini e koncepton heshtjen jo si boshllëk, por si një hapësirë e ngarkuar me prani dhe kuptim, një gjendje në të cilën çdo përgjigje shpaloset. Kjo temë, e pranishme në disa poezi, sjell ndër mend poetikën e Thomas Merton, i cili shkroi: Heshtja është porti i fjalës: këtu ajo lind, këtu ajo kthehet. Për Nikolinin, heshtja nuk është vetëm një gjendje contemplative (soditëse), por një udhë për të dëgjuar thellë Zotin dhe vetveten, siç del qartë në pah në “Ndalu pak!” dhe “Heshtja që dua”.
Dimensioni shpirtëror mbizotëron në gjithë krijimtarinë e Nikolinit. Poezia e tij është shpesh lutje, rrëfim apo meditim. Marrëdhënia me Zotin është qendrore, jo vetëm si objekt adhurimi, por si vend takimi intim. Besimi, megjithatë, nuk është kurrë pasiv, por një dëshmi e gjallë, siç shihet në “Gjaku i një fetari”, ku martirizimi bëhet shenja më e lartë e lirisë.
Në veprat e Nikolinit, dhimbja dhe gëzimi janë të ndërthurura në një dialektikë që pasqyron gjendjen njerëzore të shpëtuar nga hiri hyjnor. Dhimbja përjetohet si një kalim i domosdoshëm drejt një gëzimi të përjetshëm. Po ashtu, gëzimi shihet si dëshmi dhe dhuratë hyjnore, një forcë transformuese që përshkon çdo aspekt të ekzistencës: Kemi kuptuar, o Zot, se buzëqeshja që dhurojmë/është shenja dalluese e jona. Ky polaritet mes dhimbjes dhe gëzimit kujton poetikën e David Maria Turoldo, i cili shkroi: Vetëm ai që ka qarë shumë mund ta kuptojë gëzimin.
Poezia e Nikolinit është një dëshmi e thellë dhe autentike e besimit, shpresës dhe dashurisë. Nëpërmjet gjuhës së tij të thjeshtë dhe imagjinatës së pasur me simbole, autori arrin të përkthejë përvoja personale dhe kolektive në mesazhe universale që flasin drejt zemrës së çdo lexuesi. Aftësia e tij për të ndërthurur fytyrat e kundërta të së njëjtës medalje, e vendos atë ndër poetët që dinë t’i japin zë të papërshkrueshmes, duke e shndërruar fjalën në lutje dhe meditim. Për Nikolinin, poezia nuk është kurrë qëllim në vetvete, por një mjet për të arritur një të vërtetë më të lartë, një dritë që udhëheq dhe ngushëllon.
Mbaje të ndezur dritëzën time është një thirrje për të qenë të qëndrueshëm në besim dhe kërkim, pavarësisht errësirave që përshkojnë ekzistencën.
«Shumë i afrova tek Burimi,
e ujë s’po pinë; […]
të tjerëve iu dhurova Jetën,
e seç po vdesin; […]
disa i mbusha me Dritë […].
O Zot, kështu po të lutem:
mbaje të ndezur dritëzën time!».
(“Mbaje të ndezur dritëzën time!”).
Marrë nga vëllimi poetik “I Poeti di Ponte Vecchio vëll. 1 ˗ Dantebus Edizioni, Roma 2025, 75˗76. Teksti origjinal në italisht nga Massimo Gherardini”.