Recensë
Nëse e konceptojmë si një triptik të temës shumë të rëndësishme që trajtojnë, atë të tjetërsimit e të robërimit të atdheut, në këtë tipologji, së bashku me romanin e Ismail Kadaresë “Sjellësi i fatkeqësisë”, në të cilin ai rrëfen për prijësin naiv dhe injorant të karvanëve Haxhi Miletin, i cili një ditë ngarkohet nga Sulltani të çojë gjysmë milioni shami për mbulim fytyre dhe trupi në krahinat e Ballkanit të banuara nga shqiptarët kryengritës; mision ky që ndërlidhet me përpjekjen e përgjakshme të osmanëve që ato territore, të cilat ata i kishin pushtuar në Mesjetën e vonshme në Ballkan dhe Evropën Qendrore dhe të cilave u kishin dhënë autonomi relative, tani të futeshin nën tutelë edhe në aspektin fetar; së dyti, si pjesë e këtij triptiku të hipotezuar, me romanin “Nata në Sion” të Dr. Anton Gjuravçajt që jep mjeshtërisht teknologjinë e sofistikuar të pushtuesve turq osmanlinj për të depërtuar e robëruar jo vetëm mbi territoret shqiptare, por, mbi të gjitha, në shpirtin e shqiptarit, duke ia sulmuar pandërprerë e zhdukur çdo gjurmë të konstitucionit të tij shpirtëror nga çdo shenjë e paganizmit dhe e kristianizmit, me pikësynim për t’u ngulur gjatë në trojet shqiptare e me ëndrrën për të mos u shkulur prej andej, siç dhe ngjau, për mbi pesë shekuj; ndërsa në pjesën e tretë të këtij triptiku, gjithnjë të hipotezuar, të shkruar në kohë të ndryshme dhe secili autor me “skedën” e vet të dallueshme: me aftësi, këndvështrime të ndryshme, me forcë talenti po të ndryshëm e mesazhe të përbashkëta dhe përveçësuese, me simbolika e ndërkallje intertekstuale të veçanta do të rendisnim padyshim edhe romanin e shkrimtarit Muharrem Blakaj, i cili përkundër dy romaneve më të para, që, siç thamë, na japin artistikisht përgatitjen terrenit e kushtet e Natës së gjatë si e Jona të gjysmëhënës mbi trojet shqiptare, te “Paraardhësi” artistikisht me mjeshtëri autori jep, se si “produkti” i kësaj nate të gjatë të gjysmëhënës rikthehet nga shkretëtirat arabike për të përhapur e krijuar terrenin e përshtatshëm për rrënjosjen (edhe ky i tjetërsuar nga zanafilla humane) të islamit fanatik, por jo vetëm atë, por islamin ekstrem e terrorist, gangrenë në trojet shqiptare, sidomos ato Veriore, ku fokusohet autori. Përkimet e autorëve në këtë triptik të hipotezuar, të cilit mund t’i qasen edhe vepra të tjera (të pa trajtuara këtu) të autorëve tanë këndej e përtej Drinit, sa është si rastësi (apo një korelacion i yni studimor), aq shpreh dhe shqetësimet e autorëve për këto realitete si në diakroni e sidomos në sinkroni, siç është dhe “Paraardhësi”.
Ardhja e hoxhës, “misionarit”, si “sjellësi i ri i fatkeqësisë” jo më me shami e burka si Haxhi Mileti i Kadaresë, por me misticizma, me ideologjinë e islamistëve ekstremë në një terren të parapërgatitur prej paraardhësve të mëparshëm disi të strukur, vitet e shekujt zërohen për mynxyrën që i sjellin vendit të tyre. Kësisoj hoxha i ri “misionari” Kurt Lula, “në vend të emrit e mbiemrit të pakuptimtë Kurt Lula, mbaj emrin e ndritur islam, Abdallah Abdul Mutalib” pra, Kurt Lula alias Abdallah Abdul Mutalib të krijon përshtypjen e një jeniçeri islamik fanatik, që e ka marrë me zell të madh e përkushtim përmbushjen e misionit të tij që, në fund të fundit, rezulton antikombëtar. Edhe pse në këtë prolog të romanit, nuk mungojnë notat sarkastike e groteske të autorit “në vend që t’i bashkojë karabushi i qepës, për çudi po i ndan cipa e hollë e saj” etj., apo “Nuk kisha aspak dëshirë të takohesha në oborr vetëm për vetëm me Imamin”(vizatim grotesk i imamit në tërësi), Kurt Lula alias Abdallah Abdul Mutalib (i konvertuar) sepse të kujton kontaktin e parë të karvanit të Haxhi Miletit me tokën shqiptare, me gratë e vajzat e zbuluara evropiane mbi të cilat do të hedhë përsipër perçet dhe burkat (nënkupto robërimin, fanatizmin e tyre, pa u ndalur më gjatë në nëntekstin alegorik të kohës, kur e shkruante Kadareja). Kurt Lula alias Abdallah Abdul Mutalib i kthyer nga studimet, për t’u bërë misionar vëren me imtësi kontrastin e vendit që ka lënë me vendin që zë. Pa dyshim që janë faqet më prekëse e, në të njëjtën kohë, përtallëse e të një ironie të hollë, siç ngjet rëndom me absurdin (s’ka më fantastike se realiteti, thoshte Dostojevski) e kontakteve të tij të para pas tjetërsimit që ka pësuar tragjikisht në vendet ku ka studiuar ose, më saktë indoktrinuar për faqe të zezë, kur rikthehet në tokën shqiptare, pas një ikje relativisht të gjatë për studim e përgatitje për “misionin” e tij, kur lidhjet me vendlindjen i mbante përmes letrave që i çonte rregullisht “paraardhësi” tjetër i tij, imami, në të cilat e vinte në kontakt me gjithçka ndodhte në shtëpinë e tij, në fshat, vdekjet, në botën shpirtërore dhe në besimin herë-herë të lëkundur të bashkëfshatarëve të tij ndaj islamit, ose e anasjelltë, siç shkruhet edhe në roman: ”Imami, veç vdekjeve që më kishin ndodhur në shtëpi, më kishte njoftuar se në fshehtësi të plotë kishte filluar punën me seleksionimin e rinisë drejt rrugës së shenjtë të regjistrimit të tyre në anëtarësinë salafiste. Pastaj imoraliteti, shkruante më poshtë Imami, është bërë një plagë e rëndë në shoqërinë tonë të pasluftës.” Në fakt, nga këtu e deri në faqet e fundit të romanit, autori, duke u fokusuar herë në thelbin e herë në shfaqjen (dukjen) e islamit terrorist, apo duke i miksuar e alternuar mjaft bukur, u ka çjerrë maskën e vetëvënë, duke na dhënë degjenerimin moral të tyre, të fshehur me sloganistikë e veprime që mbështeten në islamin fanatik e terrorist.
Autori, Blakaj, me një gjetje të bukur e sinjifikative, si të thuash, e paralajmëron lexuesin me mynxyrën që kanë bërë mbi të “ustallarët” e indoktrinimit a të tjetërsimit islamist dhe, për rrjedhojë brezat e “Paraardhësve”, mbi Kurt Lulan alias Abdallah Abdul Mutalib etj., kur ai kujton gjyshin e vet: “Sa herë që e përfundonte këngën (gjyshi) na thoshte: “Gjëja më e shëmtuar në jetë është tjetërsimi. Kur njeriu tjetërsohet, ia mohon vetes, vëllezërve, miqve e të dashurve të tij të drejtën të kenë qasje në atë së çfarë janë në të vërtetë. Prandaj, qëndroni ashtu siç ju ka krijuar i madhi Zot e mos u tjetërsoni në atë së çfarë nuk jeni…”. Ky është kryekumti i këtij romani ose rreth tij sillet i tërë romani, i cili na jepet që në faqet e para të tij dhe gjithçka që ngjet më pas rrjedh në të kundërtën historike të kësaj porosie-amanet të gjyshit, kundër tjetërsimit dhe pasojat, si në efektin domino, në jetën e një populli, që e fitoi lirinë me çmim të lartë dhe po e humbet ca nga ca për shkak të depërtimit të islamit fanatik e terrorist.
Kurt Lulan alias Abdallah Abdul Mutalib, me të mbërritur sheh ndryshimet në kohën e mungesës së tij, tashmë nën një optikë krejt tjetër, të metamorfizuar në kufijtë e absurdit (ç’kiamet ka ndodhur në mendësitë e tija!?), çka nis që nga ftohja me njerëzit më të afërt, me shokët e fëminisë, si Hili, Maksuti apo vëllai Xuni; ftohja me Zejnebën, për të cilën ka ndier simpati. Dhe, pasi “mbaron” me këtë rreth më të afërt, Kurt Lulan alias Abdallah Abdul Mutalib i drejtohet thelbit, apo misionit të tij zhbërës, fshirës të së shkuarës, të konstitucionit të dallueshëm shpirtëror: “Rreth e qark saj (varrezës) nuk kishte ndryshuar asgjë, përveç disa varreve të reja. Sytë m’u ndalën mbi epitaf. Në heshtje i shkoqita shkronjat kaurë… ishte emri i vëllait. Sytë m’u mbushën me lot.
Jashtë rrethojës me tela gjemborë, ashtu siç i kisha lënë, ishin varret e të krishterëve me ca kryqe të thyera. Sytë m’u ndalën mbi varrin e vithisur të kaurit, i cili shekuj më parë e kishte vrarë përhapësin më të denjë të islamit në këto anë, Sulltan Muratin e Madhërishëm, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të. Kur isha fëmijë, me rastin e festave, gjyshi me sillte pranë varrit të tij dhe faleshim me përulje duke e lavdëruar Zonjën e Madhe. Mos e harro o bir, ky është varr dëshmori. Pastaj, kur ktheheshim në oden e burrave, gjyshi e këndonte me nostalgji këngën epike për trimërinë e këtij kundërshtari të ashpër të islamit. Oh, sa zë të ëmbël që kishte. Sa me tundonin tingujt e zgavruar të lahutës… dhe në vesh, sikur me buçiti zëri i tij i zgavruar nën telin e lahutës.
Sa e sa herë i kisha kënduar me gjithë afsh ato këngë të lashta, pa e ditur se këndoja haram.” Lexon këtë pasazh dhe vetvetiu të shkon mendja te pasojat e paraardhësve në jetën politike e sociale të Kosovës, kryesisht, në qëndrimin ndaj figurës madhështore të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, te “kuraja” deri dhe për të dëmtuar monumentin e tij apo dhe shkëlqimin dhe evokimin e epokës skënderbejane etj. prej disa psikopatanalistëve puthadorës të reaksionit më të zi ndaj popullit shqiptar këndej e matanë Drinit, po sidomos andej, ku dhe terreni është më i përshtatshëm. Dhe, saora vjen përtallja autoriale e shëmtimit të pësuar: “Allahu m’i faltë gjynahet dhe me gjithë afsh këndova këtë ajet nga surja Llukman: “Po ka nga njerëzit që blenë tregime boshe („tregime boshe” nuk janë gjë tjetër veçse këngët) e me qëllim që t’i largojnë njerëzit prej rrugës së Allahut pa pasur kurrfarë fakti dhe për t’i marrë ato (ajetet) e Allahut si tallje. Për ta me siguri është përgatitur dënim i turpshëm!”… i mjeri gjyshi im… në botën tjetër e pret dënimi i turpshëm…”. Se në ç’shkallë degradimi ka përfunduar Kurt Lulan alias Abdallah Abdul Mutalib, dëshiroj të vë në spikamë edhe disa detaje të tjera, ku shprehet ironia therëse e shkrimtarit Muharrem Blakaj: 1.- “Dritaret m’u duken të vogla, ndërsa oxhaku që vazhdonte të nxirrte tym, ishte shtrembëruar aq shumë nga lindja, sa që nga çasti në çast, dukej sikur do të binte. Mashalla, mendova i ngazëllyer. Edhe oxhaku e paska marrë anën e mbarë.”2.- Apo tentimi gjyshes së Zejnebës për ta përqafuar e malluar hoxhën e ri, si dikur fëmijë: “E pashë (gjyshen e Zejnebes) që i mbeten duart e ngritura drejt meje që i bëri gati të më merrte në përqafim ashtu siç me kishte përqafuar kur isha i vogël… ka kaluar ajo kohë, tani nuk më përqafon dot plakushë e dreqit, – mendova pasi isha larguar tutje”, që arrin kulmin në takimin e Kurt Lulan alias Abdallah Abdul Mutalib me nënën dhe motrën e tij: 3.- Nëna e malluar do ta përqafojë dhe hoxha i ri i largohet duke thënë: “U çmend kjo (nana), apo ç’pati? Përqafimet e tilla nuk i lejon islami. Kjo plakë e krisur, para se të jetë nënë është femër, e përqafimi i femrës i zgjon ndjenja epshi çdo myslimani. Allahu e ndëshkoftë që me mbushi haram… Subhanallah. gjuhën e saj haram (gjuha e s’ames).
“Trus bythën (i thotë motrës) aty! Ku e ke mbulesën islame, ë? – i fola ashpër. E hapa torbën. Nxora dy burka i keni dhuratë nga unë. Po ju pashë me këto rroba haram, do ndëshkoheni sipas udhëzimeve të sheriatit famëmadh”.
Dhe, në vijim romani s’është gjë tjetër veçse një ndërthurje e përshkallëzuar në mes të “verifikimit” të asaj me të cilën ndeshet hoxha i ri i porsa kthyer nga studimet me realitetin e kohës; përsiatjeve të tija mistike e të fanatizmit të tij islamik; me mënyrën se si funksionojnë institucionet fetare islame atje, de jure e de facto, si rasti i Profesorit apo dhe i të dërguarit të Allahut, kundërshtitë e vazhdueshme që kanë radikalët me islamistët e zanafillës, tradicionalë e stoikë si rasti i Hafiz Hoxhës, mësuesit të Kurtit, që ndodhet gjithmonë nën trysninë e kërcënimin herë të fshehtë e shpeshherë të hapur deri dhe për jetën (?!) për t’iu bashkuar atyre, i cili gjatë një debati gjoja fetar ua përplas në fytyrë: “Unë nuk dua të jem pjesë e këtyre ndarjeve, nuk dua që populli im të infektohet me viruse të tilla, nuk dua që populli im paqedashës, tolerant, i mirënjohur për mikpritje e bujari, të jetë viktimë e përçarjeve sektare orientale. Me një fjalë; dua ta ndajë kulturën nga feja. Ne duam vetëm besimin islam e jo traditat e kulturën pagane arabe. – ia kthej pa pikë turpi Hafizi. Prandaj, myslimanët, që ju po përpiqeni t’i shëroni me mbidozë, i keni kthyer në kancer të rrezikshëm në trupin e sfilitur islam… duke i armiqësuar, në fillim me njëri tjetrin, e pastaj me gjithë botën e qytetëruar… pasha Zotin, do ta shkatërroni islamin dhe do të dështoni me turp… etj; përmbushjes së misionit të tij, sidomos aty ku kanë pikësynimin kryesor, ndër breza të rinj për të cilën është kthyer në atdhe, në burkizimin e grave e vajzave e në çdo aspekt të jetës shpirtërore të popullit për ta transfuzuar atë, ku ndër të tjera, dëshiroj të vë në spikamë detajin e mëposhtëm, që përbën një nga drejtimet e përçarjes, deunitizimit, e shpërbërjes së arritjeve shekullore të popullit shqiptar, konkretisht: “O i dërguari im, kalëroje Burakun e bardhë e nisu. Jo për Miraxh por, për t’i vrarë kaurët dhe myslimanët e pavërtetë që në kundërshtim me urdhrat e mi, bënë miqësi me çifut e të krishterë… pastaj do vish tek unë, ku të pret xheneti dhe shtatëdhjetedy hyritë virgjëresha… Estagfirullah… klithi i përdëllyer kur dëgjoj zërin e Tij” (Kurt Lula alias Abdallah Abdul Mutalib).
Romani “Paraardhësit” i autorit Muharrem Blakaj, tashmë si botim i dytë (nuk kam dijeni për jehonën në Kosovë a në arealin shqiptar, ku mund të jetë lexuar dhe, gjithashtu, nuk jam në dijeni, – as dhe e thotë në dorëshkrimin e sjellë, – nëse është riparë a ripunuar nga autori në këtë variant të sjellë, por përshtypja ime personale është se autori ka ndier, – me të drejtë – nevojën edhe të një “vistoje” (lexo: mirëpritjeje të merituar) nga prestigjiozja “Toena” në atdheun amë, për shkak të problematikës së mprehtë, aktuale dhe mezi “të përtypshme” ndoshta nga komunitete të caktuara atje, përtej Drinit, – objekt dhe subjekt edhe i romanit edhe pikërisht për këtë arsye (nëse i duhet krijuar mundësia e botimit) është një vepër komplekse, vlerat e së cilës s’mund të suazohen në kuadrin e një recense të tillë, sa do e përimtë të jetë. Shpreh mendimin e bindshëm jo vetëm se romani është i botueshëm, por edhe si një vepër që përplotëson “triptikun” e hipotezuar, me të cilin nisëm këto shënime, me theksa edhe më aktualë, mbase diku-diku edhe më të drejtpërdrejtë duke e quajtur kësisoj një kontribut në letrat shqipe jo vetëm për temën e rëndësishme, por edhe nga mjeshtëria e niveli artistik i spikatur. Vlen për t’u theksuar, sipas gjykimit tim, fryma e qartë progresiste kundër neootomanizmit, reagimi ironiko-tragjik i tjetërsimit të njeriut shqiptar e bashkë me të edhe islamit tradicional jo me propagandë, por me argumente teologjike, duke stigmatizuar me një mjeshtëri të rrallë e me një sens të hollë ironik e sarkastik, por dhe paralajmëruar mbi rrezikun kërcënues të radikalizmit islamik si natësim i denduruar i jetës politike, sociale, religjioze e shpirtërore të popullit përtej Drinit, si të ishte zgjedhur enkas bashvendi i eksperimentit (edhe ky i hipotezuar) në kohën e ndërmjetme pothuajse nga dalja prej një skllavërie të gjatë serbe në atë të dyfishtë tashmë të përgatitur tinëzisht si për të vërtetuar nga ana strategjike dhe praktike tezën e Profesorit të Harvardit (1993) Samuel Huntington-it mbi përplasjen e qytetërimeve dhe përgatitje terreni natësimi fetar fanatik me gjithë rrjedhojat sociale të tij (a fakt i kryer tashmë) si strehë a rezervat i përgatitjes së kontingjenteve për pasardhës të tjerë të paraardhësve të tyre (tingllon si sofizëm?!) dhe për strukturat përplasëse të qytetërimeve si ISIS etj.
Personalisht, me gjithë njohuritë e pasistemuara e të pathelluara, mbase sipërfaqësore, s’do ta konsideroja veten si njohës, le më ekspert i teologjisë (paçka se jo pak njohuri përcjell edhe romani në këndvështrimin sarkastik të autorit si një rrjet merimange, ku herë merret vesh qartazi e herë mjegullohet enkas në interpretim, gjithçka dhe sipas “pikëpamjeve” të paraardhësit, ose të autorëve të mynxyrës që i kanë përgatitur ndër dekada e vite Kosovës në këtë sundim a alternim pushtimi serbo-islam radikal!?), por përshtypja ime është se nën veshjen “fetare” autori Blakaj jep një pasqyrë besnike e reale të gjithçkaje që ngjet në jetën politike, sociale e kryesisht religjioze si strumbullar të Kosovës në diakroni e, sidomos, në sinkroni dhe në ndërlidhjen e tyre të pashqitshme në aleanca e në shërbim të njëra-tjetrës gjithnjë për përfitime të ndërsjella dhe në dëm të ardhmërisë e prosperitetit të vendit. Me siguri lexuesi atje, sidomos ai progresist, antikonformist e atdhetar, si rasti i gjyshit të Kurtit, Hafiz Hoxhës, ose në tërësi të gjithë atij substrakti personazhesh që përbën themelitë kombëtare të Kosovës, të cilët në njëfarë mënyre bartin edhe shpresën e çnatimit të islamit fanatik e ekstremist apo të kundërvënies së vazhdueshme ndaj tij për të ruajtur e zhvilluar vlerat e identitetin tonë kombëtar etj., e kanë më të lehtë të identifikojnë me saktësi se cila ka qenë dhe është “lënda e parë” faktike e cila, siç thoshte dikur M. Gorki, i ka shërbyer Blakajt, për të nxjerrë e portretizuar një sërë personazhesh të romanit që të mbeten në mendje. Mbase është pikërisht ky takëm i “lëndës së parë” që mund ta ketë pritur me këmbët e para romanin, ka heshtur mbi të, pasi romani, në këtë sens, është zgjues, është, siç e kemi theksuar edhe më parë, kambanë alarmi për të sotmen dhe ardhmërinë europiane të vendit tonë.
Në këtë recensë, për shkak të kompleksitetit dhe të realizimit artistik të veprës, recensentit i duket e pamjaftueshme dhe ndihet ligsht pa dëshirën e tij, pasi s’mund të ndalet më gjatë në çdo element, anë a aspekt të romanit jo të trajtuar apo më gjerësisht këtu, si struktura kompozicionale, teksti, konteksti dhe ndërteksti, gjuha e pasur, karakterizimi i personazheve dhe portretizimi i situatave, zhbirimet psikologjike, humori dhe ironia, përçudnimi, degjenerimi moral i skajshëm dhe jeta hedoniste që bëjnë për vete krerët e islamit fanatiko-terrorist, ndërkohë që ndryshe predikojnë e kërkojnë nga xhemati e ndjekësit e tyre apo dhe në përmbajtjen e romanit për dyfytyrësinë e tinzaninë e klerit radikal terrorist islam dhe një sërë çështjesh të tjera.
Së fundi, gjykoj se romani ka nevojë për redaktim e, sidomos, korrektim të kujdesshëm.
- D. Tiranë, Prill 2017
Pune muslimansh hesapi. Ha,ha,ha.