Nga: Bajram SEFAJ, shkrimtar
Rilexim nostalgjik
Mbresë (e thellë) leximi, në formë reportazhi
Zi, pa shumë të kuq*!
(Romani më ri i Mehmet Krajës, “E zeza dhe e kuqja”, ka 461 faqe dhe është botim i ShB “Onufri” nga Tirana – 2015).
Në një si prelud vetëm të them se e kam lexuar (fjalë për fjalë e pikë për pikë), romanin më të ri dhe, po aq voluminoz, të Mehmet Krajës, “E zeza dhe e kuqja”, është (déjà), lajm i mirë, madje, pa hezitim, mund të cilësohet edhe ashtu! Por, ç’ti besh kur ky konstatim nuk mjafton, vetëm për vetëm. Atij duhet shtuar edhe shumëçka. Madje shtresa të tëra mendimi e meditimi…
Do të provoj ta bëj edhe këtë “mëkat” në vijim, vetëm sa, për një çast, t’i kthehem fjalisë së parë. Pse mbërtheva midis kllapash faktin, si të panevojshëm, në të këtilla raste: fjalë për fjalë e, pikë për pikë!
Kjo ngreh pas vetës një detaj të vocërr që, do të përpiqem, ta rrëfej sa më shkurt e mundshme, dhe, në formë qesëndie, (gazmoreje) ta them.
Ndodhi (kjo), një ditë vjeshte (“…vjeshtë në natyrë, vjeshtë në zemrat tona!”) të vitit, tashmë të largët 1990, kur tek sa kisha filluar ta lexoj romanin e, asokohe, më të ri të M. Krajës, “Net bizantine”, kur ishte po aq, i trashë (lexo: voluminoz!).. Ishte stina kur shkrimtarët tanë të ri, Ymeri, Beqiri, Tekiu, Musai… e, shumë të tjerë të gjeneratës se tyre, ëndërronin që të botojnë libra sa më të vëllimshëm!.
*
Nën hijen (e këtejme) të Pallatit të Shtypit, në Prishtinë: Mehmet, i fola Mehmetit, nisa të lexoj romanin tënd. (Kuptohej se për cilin ishte fjala, (për “Net…”, pra!). U falënderua, sa për sy e faqe, dhe vazhdoi ecjen përpara. Pas disa javësh, si ta kisha bërë namin, plotë gëzim e hare, e lexova, i thashë dhe shtova se, ato “Net bizantine” të tij, ishin net pa gjumë, për mua! Ani, ma ktheu Meti shkurt, dhe, pa menduar gjatë, shtoi: ke lexuar 20-30 faqet e para, diçka në mes, dhe, krejt pak faqe, në fund!
Eh, sikur ta kisha dit këtë “matematikë” hileqare!
Njëmend, më lehtë do i lexoja gjashtëdhjetë, së gjashtëqind, faqe!
*
Kjo “histori”, në vërtetësinë e saj prej hiri, bëj bé, nga se aq shpesh e kam përsëritur ndërkohë, në raste e (çaste) të ndryshme, ka lidhje të ngushtë më romanin “E zeza dhe e kuqja”, katërqind e gjashtëdhjetë e një faqesh, të cilin, posa e mbarova. Me gjithë porosinë (dyshimin) e Metit dhe të njohurisë që kam (se, bëka edhe ashtu!), “Të zezën dhe të kuqen” e tij e kam lexuar më shumë se, fjalë për fjalë, germë për germë, e kam lexuar!
Dhe se në ato (shumë) faqe, që i ka ky roman grandioz, në ato tri pjesët e tij, të pjesëtuara në nga nëntë kapituj, secili. Si ka ndodhur që, në pjesën e dytë të shënojë dhjetë, kur janë nëntë, kapituj, aq sa ka edhe në dy pjesë tjera!
Me një fjalë, në ata tre libra, që secili mund të ishte tërësi në vete, (më nga njëqind e pesëdhjetë e kusur faqe secili!) ngjyrë të kuqe, a tjetër bojë, nuk ka shumë!.
*
I vetëdijshëm se veprat e mëdha letrare (në këtë rast), nuk deshifrohen dhe nuk zbërthehen kollaj, nuk durojnë lëndim e cenim e vlerësim të çdo kujt, këtë roman të madh e, me peshë të madhe letrare, e lexova me kënaqësi e respekt ndaj autorit. E lexova dhe e përjetova thellë.
Kush ka (sot) e nerva, të lexojë roman aq të voluminozë? Me afro 500 faqe, e, në anën tjetër, sot, sot hiç më larg, as më moti, janë humbur hiç më pak se pesë-gjashtë sahat, tjerrje e fjalë pa fund, duke “bërë” politikë, por, kjo është temë tjetër! Kur është fjala për vëllim të madh, të përkujtohet (vetëm) ky shembull: “Shkrimtari me emrin Yann Moix, ka shkruar romanin me titull “Naissance” (Lindja), për të cilin u nderua me çmimin e rëndësishëm letrar, Renaudot, për vitin 2013 në Francë, ka hiq më pak se 1.152 faqe, edhe peshon një kilogram e treqind gram!
*
Me mbyt dilema: a të përzihem në çështjen e vetë titullit të këtij romani, apo fjalën në çast, tua japë tre të dijshmëve Ali Aliut, Zija Çelës dhe Basri Çapriqit, kur janë recentë të kësaj vepre letrare. Trios, pra, që romanin “E zeza dhe kuqja” e kanë lexuar (gjersa ishte në dorëshkrim) përpara se të botohej e të bëhej publik.
Që të ngatërrohem në çështjen e bëhet shkas faqja 102, gjithnjë e pjesës së parë të romanit. Aty, midis tjerash, thuhet edhe kjo:”Në të vërtetë, zonjë, (zonja Durham, shtim imi!), me Faik beun sapo mbaruam një diskutim të gjatë për ngjyrën kuqe dhe të zezë, të zezë dhe të kuqe, dhe erdhëm në përfundim se është një kombinim i çuditshëm, ndërsa nuk gjetëm një shpjegim si mund të rrinë ato ngjyra në harmoni, si mund të përfshihen në një tërësi, e kuptoni, e bardha dhe zeza po, kjo dihet, por e zeza dhe kuqja është diçka abstrakte, pastaj, cila ngjyrë është primare cila është sekondare, në të vërtetë, nuk gjetëm një shpjegim as për Stendalin, prej nga ideja e tij…”.
Sado që ky citat mbaron më tri pika (tri pika!), mbase ka shpjegim të mjaftueshëm prej nga titulli i romanit “E zeza dhe e kuqja”. Pos që Stendhal (Henri Beyle 1783-1842), është aty, e zeza dhe e kuqja, kanë lidhje me dy ngjyrat tona, kur janë simbol yni kombëtar. Ec e beri në fije!
*
Për një çast, fjalën e kanë tre recensuesit, tre kompetentët, tre miqtë e Krajës, të cilëve ai, ua ka besën, që llogaritë në dijen, njohurit dhe në vlerësimin e tyre objektiv. I pari është akademik, Ali Aliu, që merr në shqyrtim detajin në këtë roman dhe, plotësisht më të drejtë, thotë se: “Në kuadër të këtij mozaiku, detaji merr peshë të veçantë, sidomos detaji i zgjedhur, vërejtur me origjinalitet, mprehtësi dhe inteligjencë, detaji që të përkujton narracionin a neorealist…”. Pikërisht, në atë detaj, (në atë përimtim!), në atë sitje e stërhollim, (herë-herë ka edhe ka edhe tejkalime e përsëritje, për të mos thënë abuzime, them unë!), dhe, njëherësh ngutëm që mendimin (tim) ta mbështjell me kundërthënie: pikërisht detaji, sa do i përsëritur, është “loja” e madhe, që letërsinë e romanit “E zeza dhe e kuqja” letërsi të madhe! (Mund që fitohet përshtypja,e pse jo edhe bindja, se Meti nuk ia varë veshin mospajtimit tim edhe, të askujt tjetër, dhe me krenari e vetëbesim, për të mos thënë, me arrogancë, vazhdon ecjen rrugës së shkrimit në mënyrë krahane. origjinale dhe parexellance!, Gjithnjë duke bluar në mendje: “i di Meta punët e veta!”.
Edhe, nuk gabon kur mendon kështu, “E zeza dhe e kuqja”, më së miri, dëshmon për këtë!
Recensuesi i dytë është Zija Çela, kur edhe vetë, është mjeshtër i pakontestueshëm i letrave shqipe, merr në shenj gjuhën e përdorur në romanin “E zeza dhe e kuqja”. Pasi thotë se: “Kraja është shkrimtar plot kërkime, vëzhgime inteligjente dhe qortime të hidhura përballë ndërgjegjes kombëtare. Eseist në letërsi. Analist në politikë. I flakët në publicistikë…”. z. Çela shton: “Në pasurinë, lirinë dhe elegancën e përdorimit, Kraja është një nga kampionët e gjuhës letrare. Ne të gjithë historinë e letrave tona, prej fillimit deri më sot, haset rrallë ndonjë shkrimtar që ekspresionizmin e mjedisit dhe natyrës ta ketë në nivelin e këtij autori” – thotë, ndër të tjera Zija Çela, dhe, ka plotësisht të drejtë, kur mendon kështu e shkruan kështu për Krajën, them unë!
Basri Çapriqi, profesor universitar, është recensuesi i tretë. Ai romanin “E zeza dhe kuqja” të Krajës, e kundron me tejqyrën e prizmit historik dhe, ndër të tjera, thotë kështu: “Autori shpesh ndërton histori duke kombinuar dijen me prekjen konkrete, atë që e zhvillon si pjesë e mbetur nga a kaluara me atë që e sheh sot me syrin empirik. Në udhëkryqet e perandorive, të doktrinave dhe në përplasjet e strategjive luftarake që kanë synim shtrirjet globale, prehen fatet e njerëzve, fatet e popujve të vegjël, rrafshohen kulturat e tyre dhe unifomohen diversitetet në emër të ideve të mëdha”. Ekzakt! Nuk ka çka t’i shtohet as t’i mungohet këtij konstatimi të Basriut, kur është i qëlluar, i saktë dhe i pastër sit loti!
*
Ani pse jam plotësisht i bindur (“tout a fait”, sikurse thonë francezët) dhe pajtohem më atë që lexova diku, ku thuhej se “E zeza dhe e kuqja” është një rrëfim vërshues mbi historinë dhe aktualitetin që ende nuk është bërë histori, për “Shqipërinë e brendshme” dhe “Shqipërinë e jashtme”, për të zezën dhe të kuqen nga të dy anët, mbi kufirin që i ndanë dhe absurdin në mes…”, është i qëlluar edhe konstatimi se: “Mehmet Kraja në këtë roman voluminoz, sublimon përvojën e gjatë si autor në fushën e prozës romanore”, së në këtë roman: “Janë përfshirë njëqind vjet “Shqipëri të matanshme”, tri gjenerata që e pësojnë nga një atdhe që është fat dhe mallkim njëkohësisht. Karaktere dhe heronj të paharrueshëm, realitet sureal, jetë njerëzore që rri pezull mbi të gjithë kufijtë ndarës, të jetës dhe të vdekjes, të qenies dhe mosqenies. Një roman plot aromë letërsie, i shkruar me dorë të rëndë, tekst me sfidën autoriale ndaj rregullave që ngurosin stilin dhe me pasuri të shprehjes deri në pamundësitë e gjuhës”. Por, nu ke si të jesh dakord me cilësimin:”… i shkruar me dorë të rendë”!
Ç’është kjo?
Pse kështu?
Absurd!
Kur, në anën tjetër,ë mendoj se romani “E zeza dhe e kuqja”, është shkruar nga dorë e lehtë pendël! Kokë e rëndë (plumb), e mbushur (e ngarkuar) me dije e njohuri, të pa shoqe, historike, filozofike, me plotë eksperiencë, jetësore e letrare.
Shkruar nga një dorë e rëndë(!), ndoshta, një keqtrajtim i matjes kuturu të peshës!.
*
Pas kësaj odiseje, djalli nuk me le të qetë e rehat dhe, grihem, (piqem, hi e pluhur le të bëhem…) e nuk durohem (të ngujohen në ngushtësinë (time) të ngushte!), pa i shtuar edhe vetëm pak fjalë (të buta për këtë) roman të madh të letërsisë tonë më të re.
Romani “E zeza dhe kuqja” është festë të (madhe) për letërsinë më të re shqipe. Më shumë, më fort, më zë edhe më të lartë e kumbues: mund të quhet roman monumental!
Shembull, si shkruhet romani i madh.
Yrnek!
Një lumë i shkumëzuar!
Një det i trazuar!
Një oqean i pagjumë!
E, kur një roman krahasohet me një det (edhe nëse qëllon i pa dallgëzuar, madje, nuk është as oqean), mjafton që ringjallësh ekspresionin e lashtë kur thotë kur thotë:çka s’ka në deti!?!
Në këtë roman, det ose oqean, (quaje si të duash), ka edhe gjera që nuk t’i rrokë rradakja hafif, e cekët dhe e pakët nga mendja!
Aty ka në daç seks, në daç bythë, në daç herdhe, ka dhi e dele, ka hardhuca e gjarpinj, ka qenë e kudra, në daç ka univers zoologjik, të botës bimore, të botës shtazore (florë e faunë, pra!), në daç toponimet, të njohura e të panjohura, male e qafa, ka Shtegvashë, ka Rumi…, në daç ka kofshë femërore e mashkullore (dhe diçka mes tyre!), në daç ka gra bythë dhe cicëmëdha (bregore të haresë, i quan Kadare!), në daç ka qejf mishi, (“Pashë Zotin, m’kallxo nji gja, ti ke luftue, duhesh me e dijtë këtë punë, kur t’bahet Shqipnia tamam, a ka me pasë kurva pa pare?”, në daç ka histori (përcaktohet me jetën e tri gjeneratave (im gjysh, Halil Bogdani, im at, Sali Bogdani, djali i dytë i Halil Bogdanit, dhe, unë (ai) me motër, (me mbiemër Bogdani, (supozoj, a!), disa vjet më re a e vjetër, kjo e fundit nuk është gjeneratë plotë, nga se i takon narratorit vetë, por ndoshta edhe mund të llogaritet si gjeneratë e plotë!, nga se rrëfyesi “rron për te kallxue” edhe pas vdekjes!, në daç ka personazhe, sa të gjallë sa të vdekur!, (Konicë, Ymer Agë, Nevinson, Durham, Pjetër e Kel Marub e Fishtë…), aty është edhe Shaban Dyli i Kurtajve, Mark Dubashi e të tjerë e të tjerë…, (mos e nga atë punë!), aty ka spiunë, edhe mustaqe ka (të Bllazha Jovanoviqit dhe të Stalinit), aty, këmbëkryq, është Tito dhe Enveri, (mos e nga këtë punë!), pos im gjyshi, im ati dhe unit me të motrën, personazhet sa vijnë të gjatë nga shtati, sa të hollë e të gjatë, sa të lidhur nga shtati, sa të shkurtër e sakatë, sa çehrengrysur, (rrallë, shumë rrallë, ka çehreçelur), të gjithë ata e bëjnë një gjumë të vogël, shohin një ëndërr të vogël, bëjnë një pordhë të vogël, një shurrë të hollë, një të fenë, në përdorimin dytë, fena, pëson metamorfozë e bëhet Fendë (e madhe), por halli nuk është aty, është diku tjetër, është hera e parë, përgjithësisht është hera e parë (garant!), që kjo fjalë, ndër me të ndyrat e gjuhës shqipe, krahas asaj suxhuk, fjala fenë ose fendë, për herë të pare hyn në letrat tona dhe gëzon legjitimitet, kjo njëkohësisht dëshmon se fjalori i një shkrimtari të madh, siç është Mehmeti ynë, në këtë rast, është lumë i madh vërshues, që nuk ka të ndalur, vokabulari i tij është ngrehinë shumëkatëshe, në këtë roman, n’daç ka gjeografi, ka Shkodër, që fillon më kroin me dy currila, e vazhdon me Kafen e madhe, (dhe m kafe e mejhane më të vogla, gjithandej), me Parruc, me Bahçallëk, sidomos, Shkodër, që kurrë, (s’)do të bëhet Shqipni(!), ka Kala, ka Krajë (shtatë fish mushama!), Virpazar ka pak, siç ka, madje shumë pak, Ulqin, ka shumë, (madje tepër) Liqe të Shkodrës, ka urë të hekurt mbi Bunë e, Bunë ka shumë, ndërkaq fare pak ka Podgoricë e Prishtinë, (në përgjithësi, Kosovë¨)…, Shkodra famëmadhe, me liqenin e saj famëmadh homonim, sinonim i lakmisë së përmotshme dhe i sëmundjes kronike e të shtatë krajlave malazezë që ta kenë ( kur aq shumë herë e patën) të vetën, (kujto rastin më të ri të ditëve tona, kur “krajlat” modernë malazez ia hëngrën (mutin, do të thoshte Mehmeti), Kosovës duke ia çndukur madje nëntëmijë hektarë tokë!, Shkodër e Liqen ka shumë, me sul dhe shumë varka e lundra, ka stivë gurësh kufitarë, dhe nga fundi e sipër ka komunistë e partizanë, deri sa mbyllet kufiri e, jo vetëm që nuk shkohet më në Shkodër, por, nuk bën as shikim t’ia hedhësh, spiunët janë aty…, ka, pra çka nuk ka në këtë roman të madh e lapidar, nga çfarë do ane ta vështrosh e kundrosh, edhe nga maja e Rumit e përpjetë e teposhte…, ka filozofi e urtësi, jetë mbi tokë, e nën tokë, të matanshme e të kësoanëshme, ka të gjallë e të vdekur njëkohësisht…, me një fjalë ka çka nuk ka në “E zeza dhe e kuqja” të Mehmetit, ka shumë raki manash e ndonjë meze e vogël, dhe pos salepit, shih ti çudinë e kësaj bote, nëpër tërë atë botë të madhe, aq pak, ose fare hiç, hahet, çudi, a!?!.
*
Krejt në fund, me vjen të them se, edhe në vdeksha ,ndërkohë, sytë do të me mbeteshin çelë, pa e lexuar bashkë me ju, këtë skenë (thua se është e vetmja!), kur, nuk e di pse, me duket antologjike në zhanrin që i përket: “Në një ditë të asaj vere të gjatë dhe mbushur me taft vape dhe erë të rëndë sherbele, gjyshi im i sapomartuar me një vajzë që këndonte bukur nëpër dasma dhe vetëm katër gisht vinte më e shkurtër se ai, e mori gruan për llëre dhe e shpuri në pyllin e gështenjave, i cili gjendej jo më larg se treqind hapa nga jerevia jone, atje, në një vend të përshtatshëm, midis gjethnajës së dendur dhe hijes që mbulonte djerrinën e ngushtë, gjyshi preu me kmesë një deng fier të butë dhe i bëri gruas së tij një vend ku të shtrihej, nën hijen freskët të bimësisë erëmirë, ia hoqi çitjanet pak me nxitim dhe ia shtyri anash xhamadanin, që t’ia zbulonte kraharorin me thithka si kokrra lajthie, pas një përkundjeje kalamendëse të burrit mbi trupin e saj, gjyshja ndjeu shkulmin e farës, e cila u shpërnda si valë si valë e ngrohte gjithandej fundit të barkut dhe më thellë, deri në lugun e kërthizës, në atë çast ajo u ndje sikur humbi peshën e trupit dhe pluskoi nëpër ajër bashkë me hijesimin dhe fëshfëritjen e prajshme të pyllit, kjo ndjesi e pushtoi si ofshamë e kraharorit dhe ia mori me vete të gjitha hamendjet, dhe nuk e la të mendohej gjatë pse burri i saj nuk e puthi vetëm në faqe e në gushë, siç bënin të gjithë burrat e katundit tonë, por me mustaqe njëherë ia çiku dhe ia gudulisi buzët dhe pastaj me buzët e veta ia thëthiu me afsh dhe me një dëshirë të pamatur”.
Nuk jam pishman, fare hiç nuk jam pishman, që e kopjova këtë pamje bukur të gjatë, kur ai doli siç thotë ekspresioni ynë i moçëm: “me një të rame, dy të vrame”, buria e skenës dhe detaji, të cilin e veçuan ata që dinë më shumë se unë e ti bashkë!
*
Këtë udhëtim të këndshëm dhe shoqërim me “E zeza dhe e kuqja”, shtrohet si detyre imediate e përkthyesve tonë të vyer (të supozuar) ta përkthejnë ne sa më shumë gjuhë të botës, këtë kryevepër, që nuk është e tillë në përmasa të një letërsie, por shumë me gjerë. E ju, ju lexues të nderuar, çka pritni? Nxitoni e qepojuni leximit të kësaj vepre të mrekullueshme letrare!
(Gaillard, 28 Nistor 2016)
(*Romani më i ri i Mehmet Krajës, megjithatë, është ai me titull “Liria ime”, që SHB “Onufri” nga Tirana, e botoi në fund të vitit 2021).