ARKIVI:
25 Dhjetor 2024

Mbresë, rilexim sentimental për koncertin e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe të Valleve “Shota” të Prishtinës në vjeshtën e parë të Lirisë

Shkrime relevante

Elegji kushtuar Martin Canit, vrarë pafajësisht, në ambientet e shkollës, më 18 Nëntor 2024, elegji nga Nikolin Shtjefën Lëmezhi

Nikolin Shtjefën Lëmezhi S’të vranë ty… (Elegji kushtuar Martin Canit, vrarë pafajësisht, në ambientet...

Po përsëritet historia! KQZ-ja (s) ka të drejtë!

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina Në vitin 2013 (si ish anëtarë...

Kontradikta dhe abuzimi politik i Edi Ramës, dëmton rëndë Kosovën dhe Shqipërinë

Nga: Luan Dibrani Kritika ndaj Edi Ramës dhe Pozita e Qeverisë Shqiptare...

Te Nënëlokja e UÇK -së, NËNË STANA!

Nga: Nusret Pllana BRUS - lagjja Peshter Me bashkëluftëtarin tim Ismet Sylejmani, vizituam...

Vuçiq, Albin Kurti nuk është KQZ!

Gani Mehmeti Pas Reagimit ti kryetarit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq me rastin...

Shpërndaj

Bajram Sefaj, shkrimtar

Jeta këngë, hapi valle… (uratë)

Mbi dallgët tunduese të koncertit të paharrueshëm (premierë) të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe të Valleve “Shota” të Prishtinës, në fundvjeshtën e vitit të parë në liri.

Kolanat e rubrikave gjegjëse të gazetave të ditës, shtypit të shkruar, por edhe në minutat e rezervuara për ngjarje të mëdha kulturore të medieve tona elektronike, sigurisht se, ndërkohë, duhet të jenë mbushur me shkrime, reportazhe, storie filmike, me fotoreportazhe dhe me sajesa të tjera plot lëvdata e fjalë të mira, sa të zgjedhura me shije, kushtuar koncertit (premierë) të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe të Valleve “Shota”, që u shfaq ditën e martë të datës tetëmbëdhjetë të muajit nëntor, në skenën e TKK-së. Por, ja se shpresoj (unë), ka ngelur bosh edhe një grimë hapësirë për një buqetë fjalësh mbrese të pashlyeshme që, si një grusht xhevahiresh i hedh në letër, në emër të të gjithë vizitorëve atë mbrëmje gjendeshin aty, që ishin dyndur në sallë, kur nuk ishte e zonja për të bërë vend për gjithë, sa shumë që ishin.
Pikat e shiut të imtë që, nuk do të vonojë (parashikohej) e do të shndërroheshin në flokë të bardhë dëbore në (këtë) fundvjeshtë, (na) ishin gërshetuar me gjashtë pika të rënda (sa të mallkuara që ishin) që nuk dihej se nga kishin shtegtuar dhe nëpër cilën rrugë të fshehtë kishin ardhur për të (na) e nxirë qiellin, tani në prag të përvjetorit të parë të proklamimit të pavarësisë dhe të sovranitetit të shtetit tonë, që është më i riu, ndaj edhe me vitali, në botë. Sa mirë i rri ky emër, o zot i Madh! (Impulset e para se, drejtpërsëdrejti jemi në prag të këtij përvjetori të parë, të kësaj ditëlindjeje të madhe e të mbarë, i marrim në Tiranën e ditëve të Panairit të Njëmbëdhjetë të Librit, kur atje, udhëheqja e galerisë së vogël në hapësirë, por të madhe në vepër “Zenit”, anës së majtë të rrjedhës së lumthit Lana, ishte në (krye)valën e përgatitjeve intensive të një ekspozite ekskluzive të arteve pamore, me autorë kosovarë kushtuar kësaj ditëlindjeje të shtrenjtë, sa të shenjtë. Ishte ky një gjest bujar (sado i imët e simbolik qoftë) dhe jashtëzakonisht i mirë e vëllazëror. Aferim!).
Bashkë me shkundjen e ombrellave, si për t’i trembur Gjashtë Pikat (kur ngjanin në gjashtë djaj të zinj, më parë se ato të shiut paralajmëtar të dimrit në prag), publiku me nxitim mbushi sallën, duke lënë jashtë (të ngrihen, të mërdhijnë, të asgjësohen krejt dhe bashkë me Katër Pikat e qeverisë sonë të re, që si shigjeta të rrufeshme (raketore), dërgonte atje ku duhej porosinë, kundërpërgjigjen e paluhatshme të kombit tonë, mbështjellë në shami të bardhë mëndafshi: Jo! Dhe, vetëm Jo! Kosova është një. Është e pandarë. Kurrë më! Për jetë të jetëve.
Publiku dyndej në sallë, me ndjesinë se të ligat ia fali natës vjeshtëvonë, dhe me terë qenien e shpirtin iu dha koncertit premierë të “Shotës”. Ky program artistik thua se ishte sajuar për atë natë të bekuar, kur gjashtë pikat duhej të shkrinin dhe të tretnin fare.
Vetë akti i ngritjes se siparit, kur në sfond qilimash shkëlqente mbishkrimi “Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve”, i derdhjes se gurgullimës së muzikës sonë shumëngjyrëshe popullore, kur sitet e pjesëtohet në mijëra e milion grimca të kristalta tingujsh tek burojnë telash çiftelie dhe instrumentesh të tjera (tona) të larmishme muzikore burimore. Atëherë, sakaq e përnjëherë, salla e TKK-së u shndërrua në det të paanë… Buçiti kënga. U hodh vallja. U kallen duartrokitjet. Shpalosja e programit filloi…
Nisi me vallen Malli, me motive të përpunuara nga koreografi ynë, aq sa i njohur aq edhe i dashur e i respektuar, Xhemali Berisha. Kishte diçka simbolike (të pashmangshme) në vetë titullin e asaj valleje. Pas afro njëzet vjetësh të jetës në mërgim, larg këngës e valles, më mirë të thuhet i ndarë me zor nga to, (kur i do aq shumë, më shumë se jetën vetë) Xhemali Berisha (lus korrektorët të kenë kujdes e të mos e shënojnë emrin e tij me një shkronjë “ j” të tepërt se atëherë e pat puna (ime!) dhe gëzimi eventual i Xhemës, për këtë letërshkëndijë!), Xhemaliu ynë, përsëri ishte aty, midis tingujsh muzikorë. Aty ku e ka vendin. Në botën magjike të tij. Midis vashash dhe djemsh hapimët dhe krahëlehtë… Ishte në skenë. Në Teatër. Nën vrushkujt e dritës së reflektorëve… Ishte në Prishtinën e rinisë dhe të gëzimeve djaloshare. Ishte në Kosovën e lirë. Të pavarur. Sovrane.
Duartrokitjet jo vetëm që ishin frenetike, por ato ishin të pambarim ishin shoqëruese dhe nuk pushonin as kur kënga apo vallja fillonte, as kur ato përfundonin, as… kurrë. As kur shkrihej kënga, “Kur me del në derë”- (Faik Guraziu), as kur “Me shikjon me buzë në gaz”-(Myrvete Bajrami-Haziri), as kur skenën e tund zëri burrëror i Riza Bytyqit, tek ia thek këngës emblemë të tij, “Unë ty të kam dashtë”, as kur Violetë Kukaj, ka një lutje të thjeshtë e të qartë kur thotë:”Ma fal atë buzëqeshje”…
Duartrokitjet jo vetëm që nuk prajnë, nuk meken për asnjë çast të vetëm, por ato bëhen gjithnjë e më të vrullshme, shungulluese, mund të thuhet, kur në skenë ngjiten valltarë e valltare për të rrëfyer “kallëzimin”, me motive krutane, realizuar nga koreografi, mysafir nga Shqipëria, Fehmi Shaqiri, artist i merituar… Ovacionet e publikut të ngazëllyer nuk pushojnë, as atëherë, kur nis seria e interpretimeve në duet: Selvie Marteti, së pari këndon bashkë me Faik Guraziun, këngën e njohur dhe të admiruar “O ma ke gishtin vashë (o) për unazë”, e herën e dytë, bashkë me Ismet Bogujevcin, “O moj Line”, as kur dueti Bytyqi, Bajrami-Haziri ia thotë këngës së njohur popullore “Një lule në Gostivar”… Tashti vjen pika kulminante e programit të koncertit premierë të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”. Në skenë ngjitet vallja “Suita Kosovare”, (lexo shqip: përcjellje!), koreografi e re e mjeshtrit Xhemali, që, le të përsëdytet, pas afro njëzet e më shumë vjetësh pauze, prapë gjendet në mesin e ansamblit (të tij!) me valltarë e valltare profesioniste. Që ajo koreografi doli e mirë, mirë e me korrektësi e realizuar, u pa nga duartrokitjet e paprera të publikut në sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Koreografi i talentuar, pas një shkëputjeje aq të gjatë, doli faqebardhë dhe ngadhënjyes, duke e pasuruar kështu opusin e tij edhe me realizimin tejet korrekt e një valleje të re. Kjo dëshmon, e mbush shpresë dhe optimizëm, publikun e gjerë që, më për së afërmi e njeh këtë krijues të spikatur të kësaj fushe, se ai është në formë të mirë, ka kondicion dhe, si ngaherë, energji dhe kreativitet, që bën,jo vetëm të shpresohet, por edhe të besohet se nga “duart” e tij të vyera, në të ardhmen e afërt, në ditët që vijnë, do të dalin edhe shumë vepra të tjera të mira, më të mira dhe gjithnjë më të goditura.
Fill pas këngës “Delja rudë”, në interpretim të Selvete Tërstenës, me paraqitjen, së pari solo, të vogëlushes Marigona Juniku, flautiste me talent premtues dhe menjëherë më pas edhe bashkë me dy moshataret e saj, po ashtu instrumentiste, Arta Pregadini dhe Ilire Avdiu, me daljen në skenë edhe të prof. Fahri Beqirit, udhëheqës artistik i këtij ansambli, koncerti premierë i “Shotës” u shndërrua në manifestim. Në festë të madhe muzikore, kulturore. Profesori hetoi momentin e duhur, si pedagog shumëvjeçar që është, kur duhet të dilte në skenë e të bashkohej me të “bijat” e tij vogëlushe (kur,veç pak, fare pak, ishin më të mëdha se instrumentet muzikore në të cilat loznin!) dhe t’u japë atyre krahun e ndihmës prindërore, t’ua trembë e tretë krejt frikën që, në raste të këtilla, mbërthen edhe muziktarë dhe artistë edhe me përvojë të gjatë, madje, le më çupëlinat, siç ishin ato, bukuria vetë. Çastet sa prof. F. Beqiri ishte në skenë, kur njëherazi ishte edhe dirigjent i zjarrtë, i gjallë, sharmant dhe dinamik, ishin momentet më të këndshme dhe më vitale të koncertit, njëmend premierë të Ansamblit “Shota”. Atëherë ra edhe rrebeshi më i madh i duartrokitjeve, si të ishin të pandalura kurrë. Pas paraqitjes së sërishme të I. Bogujevcit me melodinë “Këngë për Dibrën” dhe të Trio(s) instrumentale, koncertit të madh dhe të hijshëm në solemnitetin e tij solemn, po i avitej fundi. Kjo do të ndodhë sapo në skenë të shfaqej vallja me titull të qëlluar dhe aq gjegjës për çastin e dhënë, “Festa e lirisë”, vepër kjo, e koreografit F. Shaqiri nga Shqipëria. Ishte e tëra. Finalja logjike e kësaj feste të (për)njëmendtë kulturore. Mjeshtrit (sajuesit) e saj, dy koreografët (F. Shaqiri dhe Xh. Berisha) bashkë me udhëheqësin artistik (F. Beqiri) dhe koreopetitori (Nazmi Demaj), kur bashkë me valltarë e valltare u ngjitën në skenë humbën midis buqeta lulesh dhe dallgësh si të detit të trazuar duartrokitjesh, gëzimit dhe entuziazmit.
Në pamundësi që akëcilit veç e veç, t’i urojmë sukses dhe gjithë të mirat, që kënaqët zemrat tona, si të zhuritura përherë, për vallen dhe melosin tonë të kulluar folklorik, kur bëmë vetëm një përjashtim të vogël dhe duke ia shtrënguar dorën fort, kryevalltarit Besnik Grajqevci, veçse arritëm t’i themi se ylli që shndritë më së shumti, shihet prej (më) së largu, në ajër ndihej një si uratë kolektive, kur jehonte, si kor i madh, nga i gjithë publiku në sallë: jeta (na) u bëftë këngë e hapi valle! Në Kosovën tonë të lirë, të pavarur dhe sovrane…

Shënim në paranteza.

(Në atë koncert të madh, gjatë gjithë rrjedhës se tij, si lumë shkëmbor, me shkrepa të thepisura valësh, pse o Zot!, krahas gëzimit dhe përjetimit të thellë, hetohej edhe një tundim i thellë. Fitohej përshtypja se gjithë publikut në sallë, përpos lotëve në sy, i ishte riguar edhe thellësi e zemrës, më lot të brendshëm. Pse? A thua pse rosat e veta të njoma, për herë të parë i shihte të udhëhequra nga koreografët shqiptarë e jo koreografë të tjerë, joshqiptarë e të tjerë, kush e di tash kush ishin ata. Tash valltarë e valltare luanin të lirë, të gëzuar. Apo ndoshta bëhej fjalë për mallëngjimin, përmallimin e ardhjes se sërishme të Xhemës në mesin tonë, kur me një koncert edhe më të madh e solemn se sa ç’ishte ky, do të shënohet ditëlindja e parë e Republikës, Shtatëmbëdhjetë shkurti që vjen, festë kjo jona kombëtare, kur do ta festojmë solemnisht e bashkërisht, apo ndoshta ishin të gjitha së bashku, kush e di!).

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu