ARKIVI:
24 Nëntor 2024

Mbrojtja dhe patronazhi i Austrisë

Shkrime relevante

NALT: FSK ballafaqohet me sfida të mëdha drejt transformimit në ushtri

Përgatiti: Fadil Gashi/ Radio Kosova Ekipi Këshillimor dhe i Lidhjes i NATO-s,...

Depolitizimi i mërgatës!

Florim Zeqa Partitë politike siq shihet nuk kanë nevojë për intelektual, por...

Traditat Ilire-Arbërore, po prehen kirurgjikisht nga antishqiptarizmi islamik

Nga: Engjell Gishti, historian  TRADITA ILIRO - ARBERORE, PAGANE DHE E KRISHTERE...

Vjosa Osmani, “kush kërcen, kafja falas…!”

Shkruan : Refiqe R.Hamiti ___ VJOSA OSMANI, KUSH KËRCEN ,KAFJA FALAS "S'ka ku...

Shpërndaj

Në foto: Maria Amelie, Baroness von Godin

___

Tanimë në veriun katolik shqiptar filloi të gjallojë një jetë e re dhe e lulëzuar, si në atë kullotën e bjeshkës pas shiut të ngrohtë të majit.
Në shkollën e madhe të qytetit, në gjimnazin e shkëlqyeshëm, pas pak vitesh fëmijët nxituan rreth mësuesve të tyre françeskanë.
Konvikti i ri i kuvendit të Shkodrës u zbukurua më së miri. Nëpër oborrin e mbushur me lule të mrekullueshme të kuvendit, tufa e dishepujve gjithnjë në rritje të Shën Françeskut, nxitonte për të shkuar në lutje apo në biseda diturake. Klerikët e rinj shqiptarë shkuan në shkollat e Insbrukut dhe të Hollandës. Pastaj u kthyen në vendlindje dhe ushtruan veprimtarinë e tyre me zell përvëlues. Gjimnazi po bëhej gjithnjë e më i ngushtë, derisa më në fund pas zmadhimeve të njëpasnjëshme, arriti të nxë më shumë se 600 nxënës.
Në malësitë katolike shqiptare, qela e famullitarëve françeskanë u bë shumë shpejt qendra e jetës fisnore. Për shkak të gjakmarrjes, por edhe për shkak se tokat arë ishin shpërndarë anembanë shpateve pjellore të luginave, malësorët shqiptarë nuk jetojnë më në zona të mbyllura; anëtarët e fisit ikin nga kullat e tyre mbrojtëse dhe ngulen më shumë në tërë krahinën e fisit. Por tani në zemër të trevës së fisit, nën lisin e pleqësimit u ngrit faltorja e Zotit; kisha, famullia dhe ara e Zotit.
Çfarë lumturie, kur më në fund sërish, edhe pse pas shumë orësh rruge, në dymbëdhjetë të mesditës, malësorët mund të marrin pjesë në meshën hyjnore të së dielës dhe pastaj, me famullitarin e nderuar françeskan në qendër, të mund të mbajnë këshillin e fisit! Çfarë lumturie edhe për famullitarin që në atë mëngjes të së dielës të sodisë malësorët me veshjet e tyre të bukura, tek derdhen ashtu si lumë nga të gjitha anët drejt faltores së Zotit.
Pas rreth 30 vjetësh françeskani i fundit tirolez mund të ikte sërish nga Shqipëria.
Suksesi erdhi edhe për françeskanët, stigmatinet, të cilat së bashku me tri murgesha tiroleze kishin ngritur një kuvend në Shkodër, katërqind hapa larg kishës françeskane. Konvikti i tyre u mbush me vajza shqiptare; shkolla e tyre bashkë me konviktin numëronte më në fund 700 konviktorë, dhe kjo në një kohë kur në vend vështirë se ekzistonin shkolla të tjera vajzërore.
Françeskanët e parë e panë të nevojshme të ndërtonin menjëherë një kuvend të dytë dhe një kishe tjetër në Shkodër, përpara portave të qytetit edhe një të tretë, ndërsa stigmatinet një kopsht fëmijësh bashkë me kapelën dhe pranë liqenit në Shirokë një shkollë për vajzat e fshatit. Këto shkolla mbetën më të mirat në vend deri në ditët tona. Prindër nga e gjithë Shqipëria i kanë dërguar fëmijët e tyre, edhe shumë myslimanë, vetë familjet më fisnike.
Dhe sa shumë varfëri është zbutur para të gjitha portave të kuvendeve françeskane duke shpërndarë me dashuri të madhe bukën e Antonit!
Erdhi puna që mos të kishte asnjë çështje private apo publike në qytet dhe vend ku të mos thirreshin për këshillim françeskanët; dhoma e tyre e pritjes në Shkodër nuk mbetej asnjëherë bosh nga vizitorët që kërkonin ngushëllim dhe këshillë. Françeskanët marrin vendime edhe për çështjet familjare më intime, shpeshherë edhe për politikën, tregtinë dhe punët publike. Të varfër dhe të pasur e dëgjojnë fjalën e tyre dhe ata vetë nuk kursehen, nga mëngjesi në darkë vonë. Ata nxitojnë te të sëmurët dhe në burgje, ata sigurojnë farë të mirë për mbjellje, kultivojnë patate në famullitë e tyre anembanë vendit, merren me mbjelljen e duhanit, kujdesen për hardhitë. Ato botonin në atë kohë edhe revistën e tyre me nivel të lartë “Hylli i Dritës” dhe shumë vepra popullore – shkencore, shumë të dobishme. Ata filluan të mbledhin arkivin e tyre të fshehur nëpër qela françeskanësh në kohën e përndjekjes, hulumtuan në bibliotekën e Venedikut shumë dokumente nga e kaluara shqiptare, mblodhën objekte arti nga antikiteti dhe mesjeta shqiptare, pjesë të bukura veshjesh kombëtare, vepra të çmueshme të artit të pasur shqiptar në punimit e arit, në qëndisje, në endje dhe në teknikën e të gjitha llojeve të metalit, gdhendjen në dru, armë dhe në filigran. Ata u kujdesën për të mbrojtur zakonet e vendit dhe në shumë raste gjakmarrjesh kanë luajtur rolin e gjyqtarit dhe të ndërmjetësit.
Shumë shqiptarë, në atë kohë kur mungonte ende zbatimi publik i ligjeve, kur fiset e maleve i zgjidhnin vetë konfliktet nëpër kuvendet e tyre sipas të drejtës së lashtë zakonore, u kundërviheshin shpërdorimit të zakoneve shqiptare për hakmarrje, por aspak marrëveshjes kryekëput të pranueshme, sipas mendimit të tyre. ndaj edhe populli e ka ndjerë se ia vlen të dëgjohet fjala e tyre dhe i është nënshtruar kudo vullnetit dhe këshillës së tyre; si rrjedhojë ata qenë në gjendje që t’i luftonin me sukses shumë zakone të këqija, edhe kur ato ishin kaq shumë të rrënjosura. Kështu, me anë të dëimeve të rrepta të kishës, ata arritën të zhdukin zakonen e keq dhe të përhapur gjithandej të lënurjes së fytyrës nëpër morte – si të papajtueshme me besimin e krishterë për ritakimin në qiell. Ngjarja e mëposhtme do ta qartësojë sesa të lidhur me popullin ishin ata edhe në luftën e tyre kundër shpërdorimeve të zakoneve tradicionale.
Në disa vise të malësisë, çdo i ri që kërkonte nuse, për të pasur ndonjë farë shansi, duhej të kishte vjedhur së paku tre qe. Mirëpo meqenëse barinjtë i mbronin tufat e tyre me armë në dorë, dhe meqenëse tek e fundit, një ka nuk mund të grabitej si një qengj i butë, vjedhja e një gjedhi çmohej si provë trimërie, ndërkohë që grabitësist e lopëve dhe të deleve përbuzeshin. Edhe françeskanët e kanë vlerësuar deri në njëfarë mase këtë logjikë. Por në Lurë, famullitari P. Fabian Barkata, duke menduar se për shkak të këtij zakoni askush nuk do të guxonte të kulloste më qetë në bjeshkë, e quajti atë si një zakon që e kalonte masën. Kështu një të dielë ai predikoi me ton të ashpër” Është e lehtë që në këtë botë të vjedhësh një dem, por do ta keni të vështirë që ta ktheni atë sërish në botën e përjetshme!” Pas predikimit dhe meshës bajraktari i Lurës shkoi te famullitari i dashur dhe i tha: “Patër, sot për herë të parë na ke gënjyer vençe. Ti the se qenka punë e lehrë të vjedhësh qe. Po a e ke provuar ndonjëherë vetë?” Këto fjalë më tepër e argëtuan se e pezmatuan patër Fabianin.
Françeskanët kanë qenë gjithashtu syçelë dhe janë përpjekur pareshtur të sigurojnë pronësinë e tokës së besimtarëve të tyre ndaj padrejtësive të Portës, e cila vazhdimisht ka qenë e prirur që tokën e truallin e fiseve katolike tua kalonte myslimanëve. Dhe falë mbështetjes së Austrisëata ia kanë dalë thuajse gjithmonë kësaj pune.
Është pra, një mrekulli që këta dishepuj trima të shën Françeskut, gjaku i gjakut të tij, janë bërë kudo si etër të popullit besimtar dhe ata i do dhe i nderon çdo shqiptar katolik.
Në të njëjtën kohë, e meqenëse në këtë mënyrë krijonin sferat e tyre të veprimit, edhe jezuitët italianë kanë hapur një seminar priftërinjsh në Shkodër, ku përgatisnin klerin shekullar shqiptar. Ato kanë shkolluar shumë priftërinj të denjë. Famullitë e malësisë, që për mungesën e çdo komoditeti dhe të izolimit shpesh pothuaj të tmerrshëm, ndonëse romantik të egër të faltoreve të Zotit, u takon të përballen me mungesat më të hidhura, u kanë mbetur françeskanëve. Për popullin e Shkodrës, dishepujt e shën Françeskut çmohen sidomos sepse ata kujdesen për të mirën materiale të atdheut të tyre më tepër si vendas, sesa si pjestarë të Urdhrit.
Pas Krishtit dhe Kishës së shenjtë, ata kanë popullin e tyre, malet e tyre të mrekullueshme dhe lumturinë, por edhe besnikërinë dhe trimërinë e burrit, pastërtinë e shpirtit.
Ata janë françeskanë shqiptarë; duke buzëqeshur, gjysmë me shaka, gjysmë me seriozitet, ata thonë se edhe kur të shkojnë në qiell Zotit do t’i luten në gjuhën shqipe.

Në shqip nga PhD. Elda GJANA-BORIÇI
Marrë nga libri: Shqipëria e re. Skica politike dhe kulturore – historike

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu