Idriz Zeqiraj , Gjermani
____
Dyshimi i bazuar: Çfarë mund të fshihet pas Draft-statutit për Asociacionin, të kryeministrit Edvin Rama, të propozuar presidentit Macron dhe kancelarit Scholz? Pse nuk u konsultua me Kurtin njëherë, po e dorëzoi fshehurazi këtë propozim?! A mjafton të besojmë me përfoljet se Ramës i pëlqen protagonizmi, personalizimi, bujëshmëria, qoftë edhe me daljen e tij “nudo”, lakuriq në plazhin publik, duke qenë pedagog dhe figurë publike?!
“Drafti për Asociacionin është konfendicial, pjesë e organizimit të jetës të Kosovës. Por nuk do të bëhet kurrë publik”, – deklaron kryeministri Rama!? Dhe, kjo ngjallë jo vetëm kërshërinë, për ta zbuluar brendinë e tij, por edhe dyshimin e madh e konspirativ, për dokumentin në fjalë, që “nuk janë deklarata, por dokumente që qarkullojnë”,- shton ai.
Vizita e Ramës, në shoqërim të presidentit Vuçiq, në qytetin më të afërm kufitar, në Nish, më 2018, kur lobimi i Hashimit, kulmoi edhe me pagesë zyrtare të një axhensie në Paris, pikërisht, për ndarjen e Kosovës, vizitë kjo e denoncuar nga kryetarja për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Serbi, Sonja Biserko.
Një dyshim tjetër, koxha i bazuar, është edhe përpjekja e Ramës, për ta shpëtuar Vuçiqin nga vet serbët e tij, të cilët, përtej një jave, kanë vershuar në proresta rrugëve e shesheve të Beogradit, me kërkesën e rrëzimit të autokratit Vuçiq, i cili ka shkatërruar opozitën serbe, njësoj si Rama rrënimin e pluralizmit politik në Shqipëri.
Kundërshtia dhe kërkesat e Ramës ndaj Kurtit, janë të njëjtat me ato të Vuçiqit:
- Duhet tërhequr policia e Kosovës menjëherë nga veriu, sepse aty është KFOR-i;
- Të largohen kryetarët shqiptarë të komunave, çfarë duan atje;
- Duhen shpallur zgjedhjet e reja menjëherë dhe “xhevahire” tjera “alla Rama”!
Kryeministri Rama nuk vlerëson fare ngritjen, për herë të parë, të flamurit të Kosovës, në godinat komunale. Dhe, as nuk merakoset se me largimin e policisë, flamurët do të hiqen e perdhosën nga bandat kriminale serbe, duke mos mbetur asnjë shenjë sovraniteti, duke e lënë veriun e Kosovës në mëshirën e pamëshirë të “milicisë fashiste të Beogradit”!
Detaje domëthënëse nga Drafti i Ramës: “Nuk merret fare me njohjen e Kosovës nga Serbia! Pra, Drafti s`ka lidhje me njohjen, do zgjidhë çështjen e Asociacionit. Asociacioni zgjidhë nyjen gordiane!” Pikërisht, në këto kërkesa ngulmon edhe Vuçiqi me serbët e tij!
Disa fakte që dëshmojnë për miqësinë e kryeministrit shqiptar, Rama, me Sorosët senior dhe junior, janë shqetësuese për shqiptarët. Së fundi, babë e bir, miratojnë pretendimet e Serbisë për Trepçën, e, ndoshta, edhe për Ujëmanin. Konspiracionin e Ramës me grekërit-amerikanë, e kishte denoncuar me kohë kreu i të djathtës shqiptare, Prof. Dr. Sali Berisha.
Afera e Ramës me ish-shefin e FBI-së, McGonigal, tashmë, i arrestuar në Amerikë, janë pjesë të intrigës, për të dhënë informacion tërësisht të gabuar DASH-it amerikan, me qëllim të shpalljes “non grata” të Dr. Berishës me familje! Në njërin nga televizionet shqiptare, të kryeministrit Rama, ishte i ftuar një avokat, enkas, nga Kosova, i hershëm në miqësinë me pushtetarët serbë, i cili fliste në emër të popullit të Kosovës, pa qenë fare i autorizuar, se “Kosova e ka mirëpritur dhe aprovuar shpalljen “non grata” të Sali Berishës me familje!”
Shkrimtari dhe ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Besnik Mustafaj, i pyetur, në një emision, për pasurinë e ish-presidentit Berisha, ai përgjigjet prerazi: “Po, e di, sa i pasur është Dr. Berisha, ka dy dhoma e një kuzhinë!” Ndërkohë, pasuria e fëmijëve të Berishës ka qenë çështje hetimi nga Gjykata e Tiranës. Rezultoi lehtësisht i hetueshëm, punë-dhënës UNMIK-u, me dëshmi pagese mujore, nga një Bankë e Prishtinës. Dhe, zero korrupsion!
Megjithatë, DASH-i amerikan, edhe pas intrigës të zbuluar, të “Trojkës”: Rama-Soros-McGonigal, ende nuk ka kërkuar falje, për një ndëshkim të padrejtë, që shqiptarët e përbotshëm kurrë nuk e aprovuan, përjashto Ramën me horrakët e tij. Opinioni intelektual akademik dhe politik amerikan, kanë reaguar ashpër, duke shprehur habinë e madhe, për ndëshkimin e pamerituar të mikut të madh dhe të sinqertë të Amerikës, Prof. Dr. Sali Berisha!
Kryeministri Rama del hapur palë me Serbinë. Dihet, “Ballkani i Hapur”, rivalizon “Procesin e Berlinit”, e vë të parë Serbinë në drejtimin ekonomik dhe politik në Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë që garanton tregun e Rusisë në këtë rajon. Njësoj, sikur ndryshimi i kufijëve, përkatësisht, ndarja e Kosovës, përmes Asociacionit, që prodhon një “Republika Srpska”, si ajo brenda Bosnjës, është nismë e krijimit të “Botës Serbe”. Për rrjedhojë, krijimi i preçedentit, që Rusia të aneksojë shtetet sllave, të ndara nga Federata Ruse, duke krijuar “Botën Ruse”, më saktë, “Perandorinë Ruse”, thënë troç – Supërfuqinë Ruse”!
Stopimi i çfarëdo Asociacioni njëetnik, brenda Kosovës, do të ishte barriera e parë, për dështimin e planeve ogurzeza serbo-ruse, për të krijuar “Botët” e tyre serbe dhe ruse. Ky plan, tashmë, është qartazi i lexueshëm, andaj BE dhe SHBA duhet ta parandalojnë, si një tragjedi të pritshme, jo vetëm për shtetet ballkanike, por edhe për Evropën. Urtësia na mëson: “Këmbanat bien për ata që kanë veshë për të dëgjuar”!
Referenca tek – Klausula Sic Stantibus Rebus”, si normë juridike ndërkombëtare, për prishjen një kontrate apo marrëveshje ndërkombëtare, kur rrethanat kanë ndryshuar rrënjësisht dhe dëmi që sjellë zbatimi i një marrëveshje të tillë, është fatal për vendin, shtetin, siç është Asociacioni njëetnik. Qëllimet janë të errëta, me prapavijë bërjen hisedare të Serbisë, duke krijuar një “Republika Srpska”, e cila paralizon funksionimin normal të shtetit të Kosovës, deri në shkëputjen e një pjese të saj.
Nënshkrimi i Marrëveshjes të Asociacionit është konspirativ, i fshehtë, i bërë me shantazh me dosje krimesh. Për ta shmangur humbjen e lirisë, burgun, nënshkruesi, Hashim Thaçi, ka zgjedhur sakrifikimin e territorit të Kosovës! Andaj, Klauzola e cituar është domosdo të vihet në veprim.
Funksionimi i shtetit ligjor filloi me ndalimin e kontrabandës, ndërmjet kriminelëve të “Listës Serbe”, me disa komandantë kriminelë të Kosovës. Ndërkombëtarët përshëndetën aksionet kundra-kontrabandë në veriun e Kosovës, duke shpallur “non grata” disa kriminelë faktikë në veri. Por, DASH-i amerikan veproi njëanshëm, sepse kontrabandistët kriminelë në pjesën tjetër të Kosovës, jo vetëm që nuk i ndëshkoi, por as nuk i denoncoi!? Tani, këta janë më të zëshmit, kinse, në mbrojtje të ndërkombëtarëve dhe kërkojnë dënimin, deri në linçim, të kryeministrit Albin Kurti!
Marrëveshja për ndërrimin e targave ishte arritur më parë, por kurrë nuk ishte zbatuar. Kur filloi zbatimi, pasoi kundërshtimi. “Keni të drejtë”,- i thanë Kurtit ndërkombëtarët, sepse askund në botë nuk lejohen targa të huaja, ilegale për makina, në një shtet legal! Serbët reaguan me mospërfillje të urdhërit qeveritar, për pajisje me targa legale të shtetit të Kosovës.
Ndërkombëtarët befasuan, duke thënë “targat janë teneqe!” Serbët u trimëruan, u barrikaduan. Dhe, ky veprim u përligj nga ndërmjetësuesit! KFOR-i dhe EULEX-i thonin se “jemi këtu për të garantuar të drejtat e njeriut, për lëvizjen e lirë të qytetarëve”. Ndodhi bllokimi një mujor, rast unik në botë, bandat bënin ligjin në Veriun e Kosovës! Ndërkombëtarët bënin sehir, madje filluan kritikat kundër qeverisë!
Tellalli i Ramushit, këshilltari Halil Matoshi, me lukuninë e tij, thotë se “nuk hiqen targat me dhunë!?” Realisht, vet ligji është dhunë demomkratike. Mbajtja e targave të një shteti tjetër, është dhunim i shtetit të Kosovës. Përndryshe, targat e huaja hiqen nga përdorimi me dhunën e ligjit, me tri shkallëzime:
Së pari, vërejtje me shkrim, me heqje të afatizuar të targave;
Së dyti, gjoba që përcakton ministria përkatëse;
Së treti, sekuestrimi i makinës, e cila lëvizë me targa ilegale, në territorin e shtetit të Kosovës.
Një bandit serb kishte shtenë me armë, kundër policisë në detyrë. Policia e Kosovës e arrestoi. Në shenjë proteste në 4 (katër) komunat e veriut serbët bojkotuan punën zyrtare; policia zhveshi, me ceremoni, uniformat, deputetët dorëzuan mandatet! Të gjitha këto u bënë me udhër zyrtar nga Beogradi, personalisht nga presidenti Vuçiq, me qëllimin e qartë, për ta “rritur pazarin” në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë.
Në ujdi me ndërkombëtarët, Kosova organizoi zgjedhjet në 4 (katër) komunat e veriut. Zgjedhjet, edhe pse u bojkotuan nga shumica serbe, ndërkombëtarët i pranuan dhe i përshëndetën. “Pavarësisht nga bojkoti i “Listës Serbe”, zgjedhjet janë të ligjshme “,- deklaroi ambasadori amerikan Hovenier dhe të tjerët. Kur kryetarët donin të fillonin punën, Beogradi reagoi me mosnjohje të zgjedhjeve.
Për çudë, ndërkombëtarët kishin kërkuar falje, fshehurazi, Serbisë, pse kanë aprovuar zgjedhjet në veri. Denoncimin për këtë -kërkim-falje- e bëri personalisht presidenti Vuçiq! Pabesi dhe hipokrizi e radhës! Kjo sjellje e ndërkombëtarëve nxiti reagimin, me protestimin e dhunshëm të serbëve, duke lënduar 30 ushtarakë të KFOR-it, djegie e dëmtim të makinave të policisë dhe të medieve, kur Qeveria Kurti tentoi t`i vendoste kryetarët në objektet komunale. “Sepse godinat dhe zyrat janë pronë e Kosovës dhe jo të “milicisë fashiste të Beogradit”, – justifikonte, zëshëm e botërisht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Dhuna enorme, stupca e plumba, u përdorën kundër ushtarëve të KFOR-it. Mirënjohje dhe falenderim për djemtë e NATO-paktit, të cilët duruan shumë dhe kursyen Specialen e Kosovës, që situata mund të eskalonte në përgjakje, me humbje jetësh. Sepse, për këtë skenar ishte përgaditur Beogradi dhe Moska.
Bëra këtë kronologji faktike, për rebelimin e porositur të bandave serbe, në veriun e Kosovës, nga Beogradi zyrtar, me qëllim të aneksimit, në tavolinë, të një territori të caktuar të Kosovës. Nga kërkesa për Asociacion me kompetenca ekzekutive, për komunitetin serb në Kosovë, kalohet në kërkesën për autonomi e deri ke referendumi për shkëputje të veriut të Kosovës.
Dhe, thuhet e shkruhet në Draft statutin të paraqitur në Bruksel, nga një palo komision serb, për menaxhim. Dhe, tragjikja qëndron tek vlerësimi i turpshëm e kriminal, që bënë sllovaku Lajçak, për Draftin në fjalë, se “është një pikënisje e mirë për bisedime!?” Qeveria e Kosovës duhej të protestonte fort, madje ta refuzonte ndërmjetësimin e tij të mëtejmë, me akuzën për anëshmëri skajore.
“Është i pakuptueshëm qëndrimi i Kosovës! BE dhe SHBA ka të drejtë, ndërsa Kurti nuk ka të drejtë”, – shkreton kryeministri shqiptar Edvin Rama, duke u bërë palë në akuzë me ndërkombëtarët dhe Serbinë! Cili është mëkati i Kurtit dhe i qeverisë së tij? Pse mbronë sovranitetin e Kosovës, në kufijtë e saj klasik?! Të mësuar me lëshimet fatale e tradhtare, të komandantëve sundimtarë të shantazhuar, me dosjet e krimeve vrastare e korruptive, të cilët nënshkruan marrëveshje fatale për Kosovën, ndërkombëtarët kërkojnë zbatimin e tyre verbërisht, pa llogaritur pasojat e dështimit të shtetit të Kosovës, të cilin vetë e krijuan me mirësi e përkushtim.
Opozita, sidomos PAN-i kriminal, është i zëshëm në kritika. Partitë-banda e kanë përgjakur Kosovën, duke ia shtuar jetimët Atdheut. Dhe, kurrë nuk janë ndëshkuar për krimet e tyre. Në një shtet-ligjor, ato duhet të shpalleshin të kundër-ligjshme, qoftë për krimet numerike vrastare dhe hajninë zyrtare industriale, qoftë për pazaret e bëra me territorin e Kosovës.
Në mënyrën më të turpshme e kriminale, vazhdojnë të mashtrojnë dhe të gënjejnë se gjoja “ne kishim shtrirë sovranitetin në veriun e Kosovës!” Në vend të sovranitetit, pushtetarët e djeshëm, kishin rënë në ujdi me bandat e “Listës Serbe”, duke ushtruar kontrabandën shpengueshëm, nga veriu në jug dhe anekënd Kosovës. Këtë e ka dëshmuar DASH-i amerikan, me shpalljet “non grata” të kriminelëve në veri, por vazhdon të heshtë për ata në jug e gjetkë në Kosovë. Sepse pa treg, nuk ka as kontrabandë.
“Albin Kurtin e fajson bota e tërë demokratike! Kurtin e dënon e tërë bota demokratike”, – shfrynë, gjithë mëllef e vrerë, kryeministri shqiptar, Edvin Rama! Një urrejtje patologjike, pse kryeministri Kurti po lëndon miqësinë e Ramës me Vuçiqin, pavarësisht se Vuçiq është një armik i egër i Kosovës, flet e vepron për ngulfatjen e saj, deri në tkurrjen e mundshme.
Këtë vlerësim paushall, të porositur dhe qëllimkeq të Ramës, e demanton, madje bindshëm, mbështetja e shqiptarëve të përbotshëm, dhënë Kurtit. Sepse mbrojtja e sovranitetit nuk është kryeneçësi, por është detyrë parësore e çdo shqiptari. Dhe, jo vetëm shqiptarët miratojnë qëndrimin e kryeninistrit Albin Kurtit, por e gjithë bota demokratike e paqëdashëse e përparimtare botërore.
“Shtëpia ma miq nuk mbahet”,- një porosi e artë e urtakut Rugovë. Shqiptarët e përjetuan këtë urtësi hyjnore. Përjetësisht mirënjohje miqve tanë botërorë, për lirinë që gëzojmë sot! Urojmë për mirëkuptimin e tyre, edhe në momentumin aktual, për ekzistencën tonë jetike, qoftë edhe në këto troje, skajshëm, të tkurrura, pikërisht, nga fqinjt lakmiçarë! Andaj, hap e kujdes, në bindjen dhe koordinimin me shtetet mike evropiane dhe Amerikën, si kupolë çlirimtare faktike të Atdheut tonë – Kosovë.