ARKIVI:
28 Dhjetor 2024

Me origjinë nga Vukli i Kelmendit të Malësisë së Madhe në karrigen e gjykatësit në Amerikë

Shkrime relevante

Kryeministri merr rolin e gjykatësit!

Florim Zeqa I gjithpushtetshmi i vendit, Kryeministri i cili nuk i respekton...

Serbja Sonja Biserko, zëri i së cilës nuk po dëgjohet nga ndërkombëtarët, “analistët tonë” dhe disave nga opozita e Kosovës

Nga: Gani Mehmeti Biserko: Lista Serbe është përgjegjëse për gjithë situatën në...

Vargje me nismë të mbarë, recension për librin e Bashkim Halilajt, “Gjurmë ecjesh“

Shefqet DIBRANI VARGJE ME NISMË TË MBARË Bashkim Halilaj, “GJURMË ECJESH“, vargje, botoi...

Pabesueshmëria e absurdeve të “BIG BROTHER”

Nga: Lirim Gashi Sara nga Tirana dërgon çdo ditë lutje në qiell,...

Shpërndaj

____

 

Në shkrimet e mia modeste në të kaluarën – duke shënuar raste suksesi në fushë të ndryshme të jetës tonë këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jam përpjekur të pasqyroj individë me prejardhje shqiptare, që e kanë dalluar veten në fusha të ndryshme si në politikë, ekonomi, financë, arsim, kulture, tregti, e të tjera. Vazhdimisht, kam bërë thirrje dhe vazhdoj të inkurajoj, në atë mënyrën time, sa më shumë rininë shqiptaro-amerikane të shkolluar në këtë vend, që të angazhohen sa më shumë në të gjitha aspektet e jetës amerikane, sidomos në ekonomi, politikë e drejtësi. Për fat të mirë, komuniteti shqiptaro-amerikan ka një numër të konsiderueshëm histori suksesi në të gjitha fushat, përfshirë edhe avokatë të diplomuar, në rritje e sipër, në universitetet më të njohura amerikane dhe të angazhuar në sistemin e drejtësisë të këtij vendi. Disa herë kam pasqyruar edhe fillimet sado të rralla, por disa të suksesshme e disa jo aq të suksesshme të shqiptaro-amerikanëve në përpjekjet e tyre për t’u angazhuar në proceset e politikës amerikane në nivel vendor, shtetëror dhe federal. Unë jam i bindur se është vetëm fillimi dhe është një fillim që premton, kur të merret parasysh numri i madh i shqiptarëve që kanë kërkuar strehim këtu në Shtetet e Bashkuara pas shembjes së komunizmit dhe çlirimit të Kosovës. Këtu në Shtetet e Bashkuara, diaspora e tre dekadave të fundit, përbëhet nga Shqipëria, nga Kosova dhe nga mbarë trojet shqiptare, që për fat të keq dhe si rrjedhojë e politikave dështuese në dy shtetet shqiptare, numri i shqiptarëve që po largohen nga vendlindja për në botën perëndimore, po rritet gjithnjë, edhe këtu në Amerikën e largët. Shumë prej tyre, kanë përfunduar në punë shumë të mira dhe po konkurojnë me më të mirët në Amerikë, për të dhënë kontributin e tyre për zhvillimin e komunitetit tonë dhe të shoqërisë ku jetojnë.

Gjykatësi shqiptaro-amerikan John (Gjon) Vukli me origjinë nga Kelmendi i Malësisë së Madhe

Megjithëse një komunitet i madh, pra dhe shumë të përgatitur shqiptaro-amerikanë nga pikëpamja e arsimit të lartë dhe zotërimit të gjuhës anglisht: gjatë gjithë kësaj kohe, nuk kisha dijeni për ndonjë rast që një shqiptaro-amerikan të jetë zgjedhur në detyrën e gjykatësit, të paktën në rajonin veri-lindor të Shteteve të Bashkuara ku jeton shumica e shqiptarëve në Amerikë. Jam shumë i kënaqur të njoftoj lexuesit se: më në fund, mund të themi me krenari se kemi një gjykatës shqiptaro-amerikan i zgjedhur me vota dërmuese, nga zgjedhësit e zonës Pleasantville të rajonit Westchester të shtetit Nju Jork. Me 3 Prill, 2023 bëri betimin John (Gjon) Vukeli, i zgjedhur nga votuesit e Westchesterit në Nju Jork. Me 21 Mars, 2023, si gjykatës në Pleasantville. Me sa dimë është i pari shqiptaro-amerikan në një detyrë të tillë të lartë të drejtësisë, të pakën në këto anë. Zgjedhja e tij në detyrën e gjykatësit këtu në Amerikë, besoj se shënon vetëm fillimin e shqiptaro-amerikanëve, që zgjedhin këtë fushë të veprimtarisë së tyre si gjykatës në sistemin amerikan të drejtësisë në nivele të ndryshme rajonale.

Gjykatësi i ri i posa zgjedhur shqiptaro-amerikan, John (Gjon) Vukli rrjedh nga një familje e njohur anti-komuniste nga Vukli i Kelmendit të Malësisë së Madhe – asaj diasporës anti-komuniste shqiptare të arratisur nga regjimi komunist enverist. Familja e Sokol Dedës, babait të gjykatësit të ri shqiptaro-amerikan, nuk qe pajtuar me regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe si pasojë familja e tij e pësoi shumë keq saqë është detyrua të arratisej nga vendlindja për të shpëtuar jetën e vet dhe të familjes së tij, ndërkohë që familja e Sokol Dedës është vendosur në Bronks të Nju Jorkut, si shumë bashkatdhetarë të tjerë refugjatë politikë nga malet tona, më shumë se një shekull më parë për të kërkuar lirinë dhe të drejtat bazë të njeriut.

Në fjalimin e tij me rastin e betimit në detyrën e re, Gjykatësi shqiptaro-amerikan me origjinë nga Vukli i Malësisë së Madhe, duke pasur parasysh historinë dhe vuajtjet e familjes nën komunizëm në Shqipërinë e pas Luftës së dytë Botërore, shprehu krenarinë për origjinën e tij nga Kelmendi i Malësisë së Madhe dhe mirënjohje  për strehimin që Amerika i kishte ofruar  familjes së tij dhe për mundësitë që ky vend i ka ofruar atij për të arritur karrierë, që gëzon sot si gjykatës i zgjedhur. Ndër të tjera, gjykatësi shqiptaro-amerikan, John (Gjon) Vukli https://www.youtube.com/watch?v=bX3VG2hRtIY – foli, shkurtimisht, për jetën, karrierën dhe për familjen e tij të vuajtur dhe të persekutuar nga komunizmi: “Mësimet më të rëndësishme që mund të nxjerr nga kjo përvojë e fushatës politike është se ne jetojmë në një vend të mrekullueshëm. Ne, si individë, nuk jemi dakort për çdo gjë, por mendoj se të gjithë ne dëshirojmë të kemi të njëjtat gjëra, të drejta dhe mundësi të barabarta në jetë. Fushata për këtë detyrë, më ndihmoi të kuptoj se nëqoftë se i trajton njerëzit me respekt edhe ata do të respektojnë ty. E gjithë kjo përvojë do të jetë e vlefshme për mua, ndërsa filloj detyrën e re si gjykatës”,- theksoi John Vukli gjatë fjalimit, pasi bëri betimin në detyrën e re. Ai u tha të pranishmëve se kishte edhe diçka tjetër për të ndarë me ta dhe me të tjerë, që mund të jetojnë jashtë komunitetit, ku ai do të shërbejë si gjykatës. “Kam edhe diçka tjetër për të ndarë me ju”, vazhdoi ai.

Prindërit e gjykatësit të ri shqiptaro-amerikan John Vukli. Nëna Gjystja dhe i ndjeri babai Sokol Deda Vukli, nga Vukli i Kelmendit të Malësisë së Madhe, i Lahutës dhe i Xhubletës – Sokol Deda Vukël – VENDIT TIM – këndon Vasel Shkreli – YouTube – Kangë me lahutë nga lahutari shqiptaro-amerikan, Vasel Shkreli kushtuar Sokol Dedës dhe familjes së tij.

Krenar se është shqiptar! “E kam fjalën për komunitetin shqiptaro-amerikan. Nuk e di nëse ka pasur gjykatës shqiptarë amerikanë më parë, qoftë këtu në Nju Jork, qoftë anë e mbanë Shteteve të Bashkuara. Ndoshta, po, ndoshta jo. Por, unë jam shumë i vetëdijshëm për mbështetjen, që kam marrë nga komuniteti shqiptaro-amerikan ç’prej kohës që kam njoftuar vendimin për të shpallur kandidaturën time për gjykatës të kësaj zone adminstrative. Komuniteti shqiptaro-amerikan ishte plot krenari për kandidaturën time dhe unë gjithashtu, si pjestar i këtij komuniteti, “jam krenar që jam shqiptar”,- theksoi ai në fjalën e tij përshëndetëse pas betimit. Gjykatësi i ri ndau me të pranishmit disa të dhëna mbi origjinën dhe historinë e familjes së tij: “Prindërit e mi kanë emigruar në Shtetet e Bashkuara. Vëllëzërit e mi dhe unë kemi lindur këtu në Shtetet e Bashkuara. Në familjen tonë kemi folur shqip, kemi dëgjuar muzikë shqiptare dhe kemi marrë pjesë në një grup kërcimtarësh pranë Kishës Katolike shqiptare në Nju Jork. Duke u rritur në këtë vend, mësuam për persekutimet ndaj përindërve të mi, familjes dhe popullit tonë në Shqipëri. Mësuam për vështirsitë me të cilat prindërit e mi dhe paraadhësit tanë ishin përballur, gjë që i detyroi të arratiseshin nga vendi i të parëve për t’u vendosur në Shtetet e Bashkuara. Kjo histori padrejtësisht, vuajtjesh dhe persekutimesh të prindërve dhe të para-ardhësve tanë, më ka ndihmuar të përvetësoj një përspektivë në jetë dhe më ka nxitur për të vazhduar studimet në degën e drejtësisë. Unë dhe vëllezërit e mi jemi përballur me sfidat, me të cilat përballen të gjithë ata të brezit të parë emigrantësh në këtë vend, përfshirë sfidën se si të, “nderosh Atdheun e të parëve, dhe njëkohësisht, të bëhesh pjesë e këtij vendi të adaptuar? Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje më ishte bërë e qartë që në fillim nga prindërit e mi shumë të mençur”,- u tha Z. Vukli pjestarëve në ceremoninë e betimit të tij. “Ata depërtuan atë mjegullën, që i rrethonte, duke na dhënë ne fëmijëve të tyre, këshillat dhe vlerat më të mira amerikane: studio shumë, pastaj edhe pak më shumë, shumë më shumë e ashtu me radhë… Sot mendoj për babain tim, Sokol Deda Vukli. Jam i sigurt se ai është duke shikuar nga lart dhe jam i bindur se e ndjen veten shumë krenar në këtë ditë…”, tha ai. Më në fund, gjykatësi i ri shqiptaro-amerikan John (Gjon) Vukli, bir i Sokol Dedës; i një familjeje fisnike e bujare, por edhe trime e patriotike nga Vukli i Kelmendit, kreshnik të Malësisë së Madhe, që nuk u përkul kurrë para padrejtësive. Falënderoi të gjithë ata, që votuan për të, ndërsa shprehu krenarinë e tij me rezultatet e votimeve në favor të tij. Me këtë rast, ai shprehu gjithashtu mirënjohjen e tij të thellë për ndihmën e familjes, miqve, komunitetit shqiptaro-amerikan në përgjithësi, përfshirë dhe personelin e gjykatës ku do punojë ai për punët e tyre, ndërsa u zotua se do t’i shërbejë me përkushtim komunitetit Pleasantville të rajonit administrativo-juridik Westchester të shtetit Nju Jork. Si një hap i parë në këtë drejtim, ai ka vendosur që angazhimet dhe premtimet që u ka dhënë votuesve gjatë fushatës elektorale, të vazhdojnë të jenë të postuara në portalin e tij, si një kujtesë për votuesit, se cilat ishin premtimet e tij dhe si do t’i zbatojë ato premtime gjatë mandatit të tij në detyrën e re. Përgjegjësi ndaj votuesve dhe respekt për mbështjen e tyre, bazuar në premtimet e bëra!

Një hap i parë, por i rëndësishëm për gjykatësin e ri shqiptaro-amerikan drejt një karriere të frutshme e të suksesshme. Urime shqiptaro-amerikanit John (Gjon) Vuklit dhe përparime të shpejta atij në nivele edhe më të larta në fushën e drejtësisë dhe të gjykatave shtetërore e federale në Shtetet e Bashkuara. Lartë e më lartë!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu