ARKIVI:
21 Dhjetor 2024

Me rastin e 80 Vjetorit të lindjes së shkrimtarit Nazmi Rrahmani

Shkrime relevante

Këshillë për të krishterët në Kosovë…!

Agim Bajrami  Qëlimi i të gjithëve neve që civilizmin e krishterë e...

Klasë politike më të pafytyrë dhe pakarakter se ne shqiptarët, në Europë nuk ka askush !

Driton Statovci Kur po i lexoj reagimet e politikanëve tonë për sulmin...

Ago Agaj, “Kosovari nga Vlora”, në 30 vjetorin e kalimit në amshim

Dr. Ago Agaj, bashkpuntor politik i çeshtjes kombëtare dhe mik i...

Shpërndaj

 Shefqet Dibrani, shkrimtar e publicist nga Zvicra

Shënim në këtë përvjetor:

“MALËSORJA” ROMANI MONUMENTAL I KOSOVËS

Sot, shkrimtari ynë Nazmi Rrahmani, 7 maj 1941, i mbush plot 80 Vjet, ndërsa romani “MALËSORJA”, i botuar në vitin 1965, i ka mbushur pesëdhjetë e gjashtë vjet, dhe është romani i vetëm në Kosovë që për më shumë se gjysmë shekulli është pjesë e sistemit edukativo-arsimor në të gjitha nivelet arsimore, prandaj e bënë edhe më të rëndësishëm përvjetorin e tetëdhjetë të lindjes së autorit.

Në tetëdhjetëvjetorin e lindjes së shkrimtarit Nazmi Rrahmani, dhe në këtë përvjetor të rëndësishëm edhe për shkollën dhe arsimin shqip në Kosovë, po veçmas për Letërsinë Shqipe që krijohet në Kosovë, ne kemi realizuar një studim letrar (në dy vëllime), për romanin monumental të Kosovës “Malësorja”. Pjesa e parë e këtij studimi letrar, do të jetë në duart e lexuesit gjatë javës tjetër, ndërsa pjesa e dytë është në procesin e redaktimit! E në këtë jubile, për autorin dhe për shkollën dhe arsimin shqip, po veçmas për Letërsinë Shqipe që krijohet në Kosovë, ne po publikojmë këtë fragment, (marrë nga pjesa e parë e këtij studimi), të cilin po e shoqërojmë me ballinën e librit, duke i uruar shkrimtarit tonë Nazmi Rrahmani shëndet dhe jetë të gjatë, duke i shprehur falënderimin tonë për kontributin e shkrimtarit në fushën e letërsisë dhe të librit shkollor!

 

Si prolog

Romani “Malësorja”, është një vepër letrare e cila për më shumë se gjysmë shekulli ka qenë, dhe është vazhdimësi e planprogrameve shkollore, andaj “Malësorja”, është romani monumental i Kosovës, i Letërsisë Shqipe që krijohet në Kosovë.

Duke u marrë më seriozisht me trajtimin e këtij romani, duket se shënimet kritike dhe studimet letrare për këtë roman janë të pakta?! Prandaj na shfaqen dy antagonizma kundërthënëse:

E paraPranimi i romanit si vlerë letrare e artistike në sistemin shkollor e pedagogjik duket të jetë i nivelit të kënaqshëm!

E dyta: Shpërfillja dhe heshtja, e kritikës profesionale, duket si fenomen klanor, që ka dominuar mentalitetin letrar në Kosovë dhe përgjithësisht në hapësirën kombëtare.

Mënyra për të injoruar gjithçka që nuk i përket rrethit a grupit të caktuar, ka bërë që shumë vepra të mos zënë vendin e merituar, karshi ndikimit që kanë ushtruar në sistemin edukativo arsimor, pasi në planprogramet shkollore e pedagogjike, ka përfshirje admiruese, d. m. th. heshtja shpërfillëse e kritikës letrare nuk paska ndikuar në shkolla.

Kushdo që do të merret me romanin “Malësorja”, do t’i paraqiten vështirësi dhe huti të kësaj natyre?! Si ka mundësi një vepër letrare e këtij niveli, për 56 vjet, të jetë pjesë e pandashme e sistemit edukativo arsimor, e sistemit shkollor e universitar në Kosovë, dhe kjo ka të bëjë për një periudhë më shumë se gjysmë shekulli. Në anën tjetër nuk i kemi të përmbledhura shënimet bibliografike rreth jetës së romanit, të paktën t’i gjenim në një dosje të gjitha temat e diplomave, të të gjitha niveleve të mësimit akademik, që për trajtim dhe studim kanë pasur romanin “Malësorja”, të Nazmi Rrahmanit. Fatkeqësisht për këtë roman, nuk gjejmë as shënime të sistemuara për ribotimet dhe prezantimet e romanit në fjalë, nuk kemi shënime as për sistemimin e romanit nëpër biblioteka, qoftë në shkallë vendi e qoftë nëpër ato ndërkombëtare, duke i përfshirë edhe bibliotekat e katedrave albanologjike kudo në botë, aty ku romani “Malësorja”, është pjesë e programit të studimeve përkatëse dhe askund institucionet tona arsimore e kulturore nuk kanë as prezantim të kënaqshëm në internet, ku mund të orientoheshin të gjithë hulumtuesit e kësaj fushe.

Subjekti i romanit

Subjekti i romanit, është shtresëzuar si koncept që lidh marrëdhëniet e karaktereve si dhe raportin që ekziston në mes tyre. Ngjarja perceptohet si konflikt në marrëdhënie gjinore, ku mbizotërimi i gjinisë mashkullore ndaj asaj femërore zhvillohet si raport i veprimit të brendshëm, por lënda si tërësi organike pasqyron ambientin e jashtëm, gjendjen sociale e kulturore të shoqërisë, që e karakterizojnë jo vetëm kontradiktat në familje, por pasqyrojnë konflikte etnosociale të shoqërisë si tërësi. Kjo gjendje shihet nga zhvillimet dramatike brenda rrëfimit në të cilin ngjarjet e krijuara, ndodhitë dhe situatat e caktuara, kanë nxjerrë një heroinë e cila do të arrijë për t’i sfiduar të gjitha vështirësitë që ia sjell faktori njeri. “Ajo, me gjithë çka pëson mbi kurrizin e saj si dhe me qëndrimin protestonjës”, deri sa i thotë “jo!” të ungjit dhe gjithë atyre, që ende duan ta marrin nëpër këmbë jetën e gruas shqiptare,”[1] ndërsa e tërë ngjarja është e strukturuar si mozaik i atyre zhvillimeve, e që janë përshkruar me hollësi, si manifestim emocional i vetë Hajrijes.

Struktura e romanit

Struktura e romanit, është e standardit gjuhësor që shkruhej në atë kohë, pa ndonjë përpjekje për të nxjerrë ndonjë shkollë të re interpretimi. Siç duket, autori më tepër dhe kryesisht iu ka përkushtuar mozaikut të brendshëm familjar, gjegjësisht raporteve sociale në familje, se sa hulumtimit për shkolla të reja të shkrimit letrar, kur dihet se ky roman ishte ardhje e re e romanit shqip në Kosovë. “Malësorja”, është roman i realitetit ekzistues, me përshkrim të thjeshtë, i ndërlidhur mirë, si strukturë estetike të fjalës, fjalisë dhe frazeologjisë gjuhësore, prandaj shpeshherë përjetohej dhe është komentuar edhe si ngjarje reale. Përndryshe, romani “Malësorja”, “ka një motiv shumë interesant nga jeta bashkëkohëse në fshatin shqiptar ndër ne. Shkrimtari i ri tregon këtu në një mënyrë të thjeshtë por shumë të drejtpërdrejtë për njerëzit e ambientit të vet”[2], e mbase për disa nuanca vetëm kështu ka arritur për të mbijetuar, duke i ndërlidhë marrëdhëniet e karaktereve të romanit, të cilët janë narratorët e mendimit artistik të vetë autorit, situata këto që i kanë ndërlidhur ngjarjet e shumta, përmes të të cilave kanë përshkruar realitetin që mbretëronte kudo në Kosovën e asaj kohe dhe më tej.

Vlerat humane të romanit

“Malësorja” veçohej për qasjen dhe mënyrën e shqiptimit të realitetit e të botës së njeriut tonë, sidomos të botës së femrës, vuajtjet dhe fatkeqësitë në veprimin konkret.”[3] Ky roman, vë në pah vlera të humanizmit dhe modernizmit në letërsinë shqipe të viteve të shtatëdhjeta, që pat marrë hov kudo në Kosovë. Ishte kohë e iluminizmit kulturor e arsimor që krijoi mundësi veprimi, nxitje e përparimi, kudo dhe në të gjitha nivelet edukativo arsimore, prandaj as autori nuk e ka “fshehur tonin iluminist të rrëfimit, një pamje të gjerë të nacionales si mentalitet.”[4] Pashmangshëm, Nazmi Rrahmani, ka ushtruar ndikimin e tij intelektual! Romanet e tij janë kontributi më i madh që i bëhej shkollës dhe letërsisë shqipe që përparonte atyre viteve, dhe ky përparim është bërë jo ngadalë, por me hapa gjigantë.

Autori ishte vetëm 21 vjeç kur e shkroi, dhe 24 vjeçar kur e botoi romanin “Malësorja”. Ishte shumë i ri, edhe pse ishte romani i parë dhe punimi i parë i tij i botuar, ai e mori Shpërblimin e Redaksisë së botimeve të Ndërmarrjes Gazetare Botuese “Rilindja” për vepër më të mirë letrare të botuar gjatë vitit 1965.[5]

Nazmi Rrahmani, sivjet i mbush plot 80 vjet, një jubile që rrumbullakon angazhimin e tij në jetën publike e kulturore në vendin tonë. Por ky studim ka qëllim parësor të shënoj 55 Vjetorin e jetës së romanit “Malësorja”, 1965–2020, dhe të realizohet si projekt më i kompletuar, me rastin e 80 Vjetorit të lindjes së autorit 1941–2021. Megjithatë, studimi ynë, është vlerësim i pjesshëm, i krijimtarisë së gjithmbarshme letrare, të Nazmi Rrahmanit.

 “Malësorja” romani monumental i Letërsisë Shqipe në Kosovë

Romani u bë objekt studimi, sidomos nëpër shkollat e mesme, në universitet dhe në studimet pasuniversitare, prandaj do të ishte në interesin nacional sikur të ndërtohej bibliografia e temave të diplomës, aspektet e studimit, specifikat e tyre, tiparet dhe qasjet e ndryshme, për të orientuar këtë kronologji me interes më të gjerë, studimor e hulumtues, qoftë në fushën e studimeve linguistikës, e qoftë të studimeve nga fusha e të drejtës zakonore dhe të aspekteve të tjera nga fusha e psikologjisë dhe e pedagogjisë.

Studimi ynë, është më specifik, pasi kemi bërë përpjekje ta kundrojmë dhe studiojmë vlerën letrare të romanit “Malësorja”, nga shumë aspekte, qofshin studime kritike, gjuhësore e zakonore, për romanin që ka shëmbëllyer për 55 vjet, në sistemin arsimor në Kosovë, që është monument kulturor i prozës moderne në Kosovë. Dhe ky pohim ka të bëjë me faktin se “Malësorja”, është romani i pestë i botuar nga Redaksia e botimeve Rilindja, përkatësisht i gjashti i publikuar deri në atë kohë[6].

Janë këto arsye, pse ne kemi bërë përpjekje për të sjellë argumente shtesë rreth këtij romani, të cilat në optikën tonë kemi veneruar[7] detaje që ndërlidhen me aspektet tematike rreth këtij romani, sa modern po aq edukativ dhe në planin arsimor edhe pedagogjik. Duke i shqyrtuar figurat letrare e stilistike, aspektet gjuhësor, frazeologjinë dhe fjalët e rralla, me të cilat kemi ndërtuar “Fjalorthin”,[8] për të kompletuar mozaikun e vlerës letrare, artistike, pedagogjike që ka romani “Malësorja”. Me një fjalë, ne vetëm po materializojmë atë që është thënë për romanin “Malësorja”, duke mos përjashtuar mundësinë e interpretimeve dhe shqyrtimeve të reja.

Romani “Malësorja” dhe romanët e tjerë të Nazmi Rrahmanit, janë veprat më popullore në letërsinë shqipe që është krijuar në Kosovë dhe në hapësirën shqiptare në ish Jugosllavi. Ky sukses i romanit lidhet edhe me marrëdhëniet politike të ngrira në mes të sistemit jugosllav komunist dhe atij socialist në Shqipëri, raporte këto që kishin prekur edhe fushën e kulturës dhe sferat e tjera të studimeve shoqërore.

Tashmë po dihet se romani “Malësorja”, është shkruar kur autori ishte vetëm 21 vjeç, dhe i botuar tre vjet më vonë, andaj studimi ynë ka të bëjë edhe me një vepër letrare kaq e arrirë e shkruar nga një 21 vjeçar, që u publikua në vitin 1965. Shikuar nën prizmin e fatit që kanë popujt, përkatësisht letërsitë e tyre, edhe Kosova e ka pasur fatin e vet, pikërisht me romanin që iu ka dhënë kahe iluministe vlerave kulturore të asaj kohe, që patën filluar të lëshonin rrënjë edhe në hapësirën tonë.

Ne i kemi bërë një lexim më të kujdesshëm romanit, dhe jemi përpjekur të komentojmë ato elemente të cilat na janë dukur se janë me interes dhe më të përshtatshme për t’i trajtuar e komentuar, ndërsa sot shkrimtarit Nazmi Rrahmani, edhe një herë i urojmë shëndet dhe jetë të gjatë!

Prishtinë, 7 maj 2021.


[1] Dy fjalë lexuesit, “Malësorja”, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” Tiranë, 1970.)

[2] Vehap Shita, “Malësorja e Nazmi Rrahmanit”, “Gjurmave të letërsisë, “Rilindja”, Prishtinë 1970.)

[3] Anton Nikë Berisha: “Romanet e Nazmi Rrahmanit, shqiptojnë një botë dramatike dhe tragjike”, gazeta “Bota sot”, 10 Korrik 2018. Prishtinë, 2018.

[4] Kujtim Rrahmani, “Letra e Ideologji”, botoi “99-AIKD”, Prishtinë 2012, faqe 166.

[5] Vehap Shita, “Malësorja e Nazmi Rrahmanit”, “Gjurmave të letërsisë, “Rilindja”, Prishtinë 1970.)

[6] Romani “Gjarpijt e gjakut”, i Adem Demaçit, është i botuar në revistën letrare “Jeta e re”.

[7] Hetuar, vëzhguar.

[8] Shefqet Dibrani, “Karakteri dhe Arketipi”, në romanin “Malësorja”, të Nazmi Rrahmanit”, Prishtinë 2021.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu