Jeffrey Paul Bieley: Korrik 19, 1971 — Korrik 22, 2024
Nga: Frank Shkreli
Kështu deklaroi Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani pas lajmit për kalimin në amshim të Jeff (Xhef) Paul Bieley, ish-zyrtarit të lartë amerikan në Misionin e OSBE-së në Prishtinë, i cili ndërroi jetë me 22 Korrik, 2024, në moshën 53-vjeçare në shtetin Florida. I ndjeri Jeff Bieley, sipas shumë prej atyre që e kanë njohur për së afërmi, sidomos në Kosovë për më shumë se dy dekada, ai ia përkushtoi veprimtarinë e tij diplomatike, në veçanti lirisë së Kosovës dhe në përgjithësi, të drejtave të shqiptarëve në rajon! Sipas OSBE-së veprimtaria e Jeff Bieley si zyrtar i këtij enti, por dhe puna e tij me organizata të tjera ndërkombëtare, ishte tepër e rëndësishme për zhvillimin e deritanishëm të Kosovës. Sipas tyre, ai ishte pjesëmarrës në projekte dhe nisma të ndryshme që kanë për qëllim promovimin e paqës, stabilitetit dhe forcimit të demokracisë në rajon
I ndjeri Jeff ka punuar, fillimisht, si gazetar, duke raportuar për shumë media ndërkombëtare gjatë luftërave dhe konflikteve në rajon gjatë dekadës së 1990-ave, në Ballkanin Perëndimor. Nga kjo përvojë si gazetar atje, ai qe frymëzuar që karrierën e tij afatgjatë t’ ia kushtonte marrëdhënieve diplomatike, duke shërbyer në Misionin e Kombeve të Bashkuara (UNMIK) në Kosovë si dhe në Zyrën për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë (OSBE) – në detyra të ndryshme me rëndësi në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. “Jeff besonte, me gjithë zemër, në demokraci dhe në të drejtat e njeriut, ndërsa ishte shumë krenar për punën e tij kur Kosova u shpall shtet demokratik në vitin 2008”, thuhet në reagim-deklaratën e Zyrës së OSBE-së në Prishtinë me rastin e kalimit të tij në amshim. “Me keqardhje të thellë mësuam për vdekjen e parakohëshme të kolegut tonë të ngushtë, Jeff Bieley. Gjatë kohës që punonte për OSBE-në në Kosovë si dhe në misione të tjera ndërkombëtare, ai kontriboi shumë për zhvillimin e Kosovës”, thuhet mëtej në reagimin e Zyrës së OSBE-së në Prishtinë.
Në reagimin e OSBE-së në Prishtinë pas vdekjes së tij theksohet gjithashtu se “Jeff Bieley ishte shumë i interesuar në zhvillimet politike botërore dhe ishte një katolik i devotshëm dhe mik i ngusht i shumë njerëzve me të cilët vinte në kontakt” – shumë prej tyre shqiptarë të Kosovës, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut.
Për vdekjen e parakohëshme të Jeff Bieley-t reaguan dhe dërguan ngushëllimet e tyre autoritetet e Kosovës, miq të tij me të cilët kishte punuar gjatë viteve, përfshir gazetarë, si dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare dhe kombëtare në Kosovë dhe rajon
Për vdekjen e Jeff Bieley – “mikut të madh të Kosovës” – siç e cilësoi ajo të ndjerin Jeff, reagoi edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, duke u shprehur me anë të një postimi në portalin e saj, se për më shumë se dy dekada ai ia ka kushtuar punën e vet, ndërtimit të miqësive dhe lidhjeve të qëndrueshme të Kosovës me botën, duke u shprehur se, “Jemi të trishtuar për humbjen e një miku të madh të Kosovës, Jeff Bieley. Për më shumë se dy dekada, Jeff ia kushtoi punën e tij ndërtimit të miqësive dhe lidhjeve të qëndrueshme me Kosovën dhe për të ndihmuar vendin tonë të bëhet një demokraci e qëndrueshme. Trashëgimia e tij e mirësisë dhe përkushtimit do të vazhdojë. Pusho në paqe, Jeff”, ka shkruar Presidentja Osmani me rastin e vdekjes së ish-zyrtarit amerikan me shërbim në organizatat ndërkombëtare, me shërbim në Kosovë.
Ai fliste rrjedhëshëm gjuhën shqipe dhe komunikonte shumë mirë me bashk-biseduesit shqiptarë kudo. Sipas shumë burimeve, i ndjeri Jeff Bieley ishte berë si në shtëpinë e vet në Kosovë dhe pjesë e shoqërimit me shqiptarë. Jeff Bieley ishte shumë i respektuar nga organizatat ndërkombëtare ku punonte si edhe nga populli i Kosovës dhe nga shumë miq e kolegë anë e mbanë Kosovës dhe trojeve shqiptare, përfshir Kishën Katolike në Prishtinë.
Në një njoftim për Meshë drite në ditën e varrimit të Z. Jeff Bieley, “mikut të madh të Kosovës dhe kombit tonë” – siç thuhet në njoftimin e Katedraljes, ditën e shtunë, 27 Korrik 2024, Katedralja “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë – e cilësonte Jeff Bieley, si një njeri të “përkushtuar për liri dhe barazi mes popujve, humanist dhe veprimtar i denjë i vlerave euro-atlantike”.
“Duke qenë mik i dashur dhe i vlerësuar i shumë aktivistëve për paqe në Kosovë, në nderim të ndjerit Jeff Bieley dhe për të shprehur falënderim për kontributin e tij, edhe ne bashkohemi me ta në lutje për shpirtin e tij”, thuhet në deklaratën e Katedraljes, “Shën Nënë Tereza”, në Prishtinë.
Sipas kolegëve të tij, shqiptarë dhe ndërkombëtarë, Jeff Bieley ishte edhe një analist i mrekullueshëm i cili dinte më shumë se kushdo tjetër mbi gjendjen në Ballkanin Perëndimor dhe në Kosovë – pasi fliste edhe gjuhën shqipe shumë mirë.
Më në fund duhet të shënoj se ashtu siç kam shkruar në të kaluarën për shumë personalitetete amerikane që kanë ndihmuar çeshtjen shqiptare gjatë dekadave të shekullit të kaluar e deri tani, anë e mbanë trojeve shqiptare – e konsideroj me vend që edhe Jeffrey Bieley t’i bashkohet listës së gjatë të zyrtarëve të lartë, dhe jo aq të lartë amerikanë, të cilët për fatin e Shqipërisë, të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, kanë kontribuar — bazuar në vlerat e vërteta perëndimore — për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës dhe për të drejtat e të gjithë shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor.
Si i tillë, megjithëse largimi i tij, i parakohëshëm, nga kjo jetë, le një boshllëk të madh në radhët e atyre shqiptarëve që e kanë njohur dhe që kanë punuar me të, por jam i sigurt se, njëkohësisht, kujtesa e trashëgimisë së tij do të frymëzojë — shqiptarët dhe të tjerët që kanë bashkpunuar me ‘të – që ata vet të punojnë edhe më shumë për ndryshime pozitive në botën ku jetojnë e punojnë, qoftë në trojet shqiptare, qoftë kudo tjetër në botë. Me këtë rast, le t’i bashkohemi Presidentes së Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmanit duke ngushëlluar familjen e tij për humbjen e rëndë dhe duke uruar, njëkohësisht, që trashëgimia e Jeff Bieley — e mirësisë dhe përkushtimit — të vazhdojë në të ardhmen, jo vetëm në Kosovë, por anë e mbanë botës shqiptare, me të cilën ai kishte kontakte për më shumë se dy dekada – me qëllim që të gjithë të përpiqemi ta lemë këtë botë pak më mirë se ç’e kemi gjetur.
“Për më shumë se dy dekada, Jeff ia kushtoi punën e tij ndërtimit të miqësive dhe lidhjeve të qëndrueshme me Kosovën dhe për të ndihmuar vendin tonë të bëhet një demokraci e qëndrueshme”, ka kujtuar Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani diplomatin amerikan Jeff Bieley me rastin e largimit të tij nga kjo botë.
Në Katedraljen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, të shtunën që kaloi u celebrua mesha për shpirtin e diplomatit amerikan, Jeff Bieley — “Mikut të madh të Kosovës dhe kombit tonë për liri dhe barazi mes popujve, humanist dhe veprimtar i denjë i vlerave euro-atlantike”, siç theksohet në deklaratën e Katedraljes, me rastin e kalimit në amshim të njeriut të përkushtuar Jeff Beiley.