Nga: Sali Bytyçi, Prishtinë
Aty nga viti 1997, një mik imi, atëherë njëri nga udhëheqësit e LKÇK-së, më erdhi në shtëpi dhe, në mes të tjerash, më tha: Ti, Sali, si njeri i penës që je, pse nuk po shkruan për “Çlirimin”?
Unë ia ktheva atij se, derisa shumica e materialeve që i lexojmë në gazetën “Çlirimi” i kemi edhe në gazetat tjera, si “Koha ditore”, “Kombi”, më duket një ka qenë “Gazeta shqiptare”, po nuk jam i sigurt, e disa gazeta të tjera të djathta që tani nuk më kujtohet emri, dhe derisa botuesit e tyre i shpërndajnë lirisht dhe edhe marrin para për botimin e tyre, për shkrimin në gazetën “Çlirimi” burgosesh, ndërsa unë më nuk dua të burgosem për shkrime: Por mos harro, i thashë, kur të fillojë organizimi i kryengritjes luftarake më bëj zë dhe nëse nuk të përgjigjem, atëherë më thuaj çfarë të duash.
Dhe, shkoi si shkoi, në organizim e sipër unë u zura rob, por të mos e çoj gjatë, të dal aty ku dua.
Në Burgun e Nishit, në mesin e dyqind e sa të burgosurve që ishim në një kat, ishte edhe një i ri, ndoshta më i riu, B.N., i rrethit të Prishtinës. Nxënës i Medresës, të cilin ndonjëherë e thërrisnim edhe “hoxhë”. Pasi jemi kthyer nga burgu e kam takuar ndonjëherë rrallë në Prishtinë, por pasi është larguar me familje në Francë, kishte më shumë se 15 vjet pa e takuar.
Ndërkaq, verën e kaluar, në Velipojë, ndërsa po notoja, kur e shoh B.N. U gëzova shumë, u përqafuam dhe shkuam në lokalin e Nokës, te hotel “Fantazia”, pimë kafe dhe kujtuam kohën e shkuar. Në një moment, biseda arriti te arrestimi i tij në kohën e bombardimeve, në Prishtinë. Ai, nxënës i Medresës, në këtë kohë kishte mbetur në Prishtinë. Një ditë e kapin forcat serbe, e bëjnë bashkë me të tjerë dhe e dërgojnë në një ndërtesë.
Njeriu që i ka përjetuar këto, edhe vetë nuk arrin ta dijë ku e kanë çuar! Frika më e madhe është se do t’i vrasin, por nuk ndodh vrasja. Para se t’i çojnë në Burgun e Lipjanit, në atë vend arrin një botues i asaj kohe, një botues i një gazete të djathtë, të mos jap më shumë të dhëna se zbulohet emri, dhe unë nuk jam për t’u zbuluar emri, por për ta kuptuar fenomenin. Këtë person e kam njohur unë, ka qenë i respektuar nga të gjithë, shkurt njeri i shquar, të cilit as te thembra nuk i arrijnë këta portalistët e tashit, mos t’i përmend me emër.
Dhe, sipas jush, çfarë bëri ky botues?
Po ia lëmë fjalën B. M.-së:
“Erdhi aty, i shoqëruar nga forcat serbe, dhe bëri me gisht: – Këtë, këtë, atë, atë tjetrin… Nja gjashtë gjithsej. Ata i lëshuan, ne na dërguan në Burgun e Lipjanit, pastaj, me përfundimin e bombardimeve na dërguan në Serbi”.
Për të mos e çuar më gjatë këtë shkrim, ju them se çdo njeri që do ta kishte dëgjuar B. N. të përmendte emrin e atij botuesit, i cili tanimë nuk është në jetë, do të habitej, por unë ka kohë që nuk habitem më pothuaj për asgjë.
Sa i përket besimit, unë kam besim të plotë në dëshminë e B.N. Dhe, po të kishte Republika e Kosovës shërbim të vërtetë inteligjent, që punon për të mirën e këtij shteti që nuk po bëhet shtet, do të merrte dëshmi nga çdo njeri që e ka pësuar në luftë, e edhe nga unë, për të mirën e përgjithshme.
P.S. Nuk lejohet përmendja e ndonjë emri në këtë postim!