Fahri Dahri, studjues
Disa vit më parë, udhëtova nga Elbasani, Cërriku, Belshi, Kuçova për në Berat. Ndjeva kënaqësi që dora e njeriu ka ndërhyrë “rëndshëm” për të mirë në krahinën e Dumresë. Rrugë të asfaltuara, kodrat plot gjelbërim, të mbjella me ullinj, vreshta, grurë. Nga xhami makinës në disa kodra shiheshin që kullosnin dhentë, në disa vende plugonin traktorat. Kudo punohej. Një pamje shumë e bukur, krejt ndryshe nga si ishte para 44 viteve, kur jam larguar prej andej. Ndjeva vërtet një frymëmarrje të pastërt, kudo punohej.
E nisa kështu hyrjen e shkrimit, por qëllimi është tek ndjenjat që të jep fshati, mjedisi “bio” që ndodhet në katunde, ndërsa në mjediset e qyteteve, nuk ka ndjesi “bio”. Në qytete ndeshesh me ndjesinë e nënprodukteve të rrjedhura nga “biot” e katundeve, të cilat përfitohen nëpërmjet përpunimeve të ndryshme. Sepse atje ka lindur kjo, e sotmja, qytetërimi, “civilizimi”!.
Mos nënvlerësoni”, “mostrat”‘, “modelet”, “shëmbëlltirat” e natyrës, ato duhen vrojtuar me kujdes dhe përshtatur sipas kohës dhe nivelit të zhvillimit të njerëzimit, ndryshe kalohet në fallsitete që shpejtojnë shpërbërjen.
Vini re: Përse janë vendosur halat tek peshqit?, Pse janë vendosur brinjët tek kafshët dhe njerëzit, po kockat tek shpendët?. Apo unazat kurrizore?. Edhe më tej, shikohen damarët tek gjethet e rrapit, pemëve, etj. Sigurisht të gjithë e kanë të gjetur përgjigjen. Por vrojtimi i kujdesshëm dhe tepër i vëmëndshëm ndaj gjithçkaje që na rrethon, është i paplotë prej shumicës, përveç të “përzgjedhurve”.
Le të ndalemi tek bujqit, apo fermerët që gjatë mbjelljeve të pemëve, vreshtave, bostanoreve, etj. përdorin me kujdes distancat ndaj njëra-tjetrës dhe në një kohë mbas mbirjeve përdor rrallimin, sqetulloret, sipas rasteve edhe shartesat, që ato të rriten të shëndetshme.
Kujtohuni se bujku përdor edhe “taracat”, si mbrojtëse për të mos rrëshqitur dherat, ashtu si natyra ka vendosur halat tek peshqit, apo brinjët e bagëtive, tonat, nese nuk do ishin halat dhe brinjët, sado të fortë të ishin muskujt, të gjithë trupat do të ishin si “pelte”- të qullta!.
Po në qytete? Në qytete mes njerëzve ka shum rremujë, kaos, nuk mbahen distanca, kjo domosdoshmëri kërkohet të korigjohet për të ndërtuar një shoqëri të shëndetshme. Është një prej rasteve të mundshme për të marrë përvojat që natyra rreth nesh i ka me bollëk.
Po thuaj është kaluar pandemia dhe ne duhet që COVID-19 të na bëjë të vetëdijshëm, të ndryshohen sjelljet, të rrisim masat mbrojtëse ndaj vetes dhe shoqërisë në tërësi.
Shtimi i popullsisë rrit kontaktet mes njerëzve të ndryshëm, shtohen lëvizjet, marrëdhëniet mes tyre zgjerohen në hapësira të mëdha, dikur të kufizuara. Të gjithë këta faktorë kërkojnë, ose i bëjnë të detyrueshme ndryshimet e sjelljeve tona ndaj vetvetes dhe ndaj të tjerëve. Le të “vrasin pak mendjen” specialistët, profesionistët e këtyre profileve, për të përputhur sjelljet, rregullat që i duhen njerëzimit, me stadin e sotëm hapësinor, sasior dhe cilësor të arritur. Le ti “vjedhim” natyrës më të mirat që i ka dhe të vihen në shërbim të jetës. Kjo do të na ndihmojë të gjithëve drejt më të mirave, duke u larguar pak nga “politika”, e cila ka dekada dhe shekuj që është kthyer në “opium”, me ndikim negativ në shumë aspekte të jetës shoqërore.
Meqënë se nuk na ndahet politika dhe meqënë se përmendëm “opiumin”, të ndalemi tek ç’farë është politika. Është përcaktuar nga të tjerët para nesh që “Politika është përgjigje ndaj problemeve të shoqërisë me anë të vendimeve të detyrueshme për gjithë shoqërinë, është marrëdhënie ndermjet njerëzve, grupeve a shoqërive lidhur me vendime apo mosvendime të detyrueshme për gjithë shoqërinë ose ndërmjet shoqërive si dhe për zbatimin dhe ndryshimin e këtyre vendimeve”.
Nëse i marrim me radhë përgjigjet që duhet të japë politika, dallojmë se aktualisht “Politika“, të paktën tek, ne nuk jep asnjë përgjigje. Vërtet vendimet merren të detyrueshme, por ja që nuk zbatohen njelloj për të gjithë; por as marrëdhëniet ndërmjet njerëzve nuk ka treguar se i pëlqen, përkundrazi, stimulon dhe mbron anëtarësimin e grupimit të saj partiak edhe kur vjedhin, manipulojnë, fallsifikojnë, terrorizojnë dhe shkatërrojnë. Nëse je i kësaj apo asaj partie, edhe kur del nga binarët e ligjeve, apo sjelljeve dhe rregullave të shoqërisë, je i mbrojtur nga grupi që aderon. Dhe Janë pikërisht këto “mbrojtje” të padrejta që kanë dëmtuar shoqërinë tonë për dekada të tëra në ekonomi, në drejtësi, në jetën sociale deri edhe vetë politikën, duke i çuar në atë derexhe sa që nuk mbetet njeri për të treguar sadopak respekt apo interes. Pikërisht këto sjellje të partive kanë çvlerësuar profesionin e politikës dhe rrjedhoja është e dukshme tek përkeqësimet e shumë natyrshme të shoqërisë tonë.
U ndalëm pak tek politika aktuale, sepse ajo na është “qepur” dhe nuk na ndahet edhe kur pihet kafe me miq dhe shokë. Aftësia jonë, në raport me njohjen e ekzistencave në natyrë dhe vënien e tyre në favor të njerëzimit, nuk mund të themi se është e thjeshtë. Dihet ajo është shumë e vështirë. Ato aftësi arrihen vetëm nga individë të rrallë, që duan përparimin. nga të diturit, të përgjegjshmit, as nga pasanikët dhe as nga të varfërit. Tek fshati nis, zhvillohet dhe sigurohet jeta. Përpara kësaj të vërtete, kërkohet që gjithkush, duke filluar së pari nga politika, t’i kushtojë vëmëndjen, të kujdeset dhe t’i jepet përkushtimi përkatës. Fshatin e kemi, ujin po ashtu, klima nga më të mirat, diellin më të zgjatur se vendet e tjera në çdo ditë. Nuk na mungon tjetër gjë, veçse duhet të ndërgjegjësohemi se të mirat e më të mirave i kemi këtu, në vendin tonë. Nuk na ka munguar asgjë në përmbushjen e kushteve të jetës. Po. Është krijuar një mungesë, ajo e administrimit, nikoqirllëkut të pasurive të shumta që na rrethojnë. Për fat të keq, të keqen kryesore na e kultivon politika, që nuk di (do) të na udhëheqë. Dhe kjo duhet korigjuar, jo me rotacionin politik ekzistues, por ndryshim rrënjësor, pa riciklime. Këto arrita të konstatoj dhe ti rendis si të nevojshme për aktualitetin.
Prill, 2023.