ARKIVI:
17 Nëntor 2024

Mehmet Berisha (Dyzi) dhe ati i tij

Shkrime relevante

Broçkullat e Albin Kurtit, trimërim për neootomanët…!

Belisar Jezerci, historian ____ Deklaratat e kryeministrit Kurti në medrese "Alauddin" në Prishtinë,...

O Stano, zëdhënësi i Serbisë, Kosovës nuk ka çka t’i duhet integrimi europian “me Serbi” brenda saj!

Gani I. Memeti Zëdhënësi i BE-së ka thënë se çështja e institucioneve...

Lirim Mhehmetaj dhe fjalori i tij trashaman…!

Afrim Caka, Gjakovë ___ …SE MOS E KA PARË DIKUSH TË JETË SKUQUR...

Popesku, turpi bije mbi ata që në shtëpinë e vet i sulmojnë mysafirët…!

Gani I. Mehmeti Në minutat shtesë, tifozët vendas nisën thirrjet raciste, me...

Shpërndaj

Nga: Mithat Lepaja
___
E quanin Mehmet Dyzi edhe pse mbiemrin nuk e kishte Dyzi, por prejardhjen e kishte nga ky fshat i Llapit. Ishte i moshës mesatare, por neve na dukej plak. Banonte pak metra më tutje Gjimnazit “Sami Frashëri” në rrugën “Emin Duraku” në Prishtinë. Vishej bukur me tirq, xhamadan, xhurdi, shokë lahuri të dredhur dhe me plis të bardhë si bora. E ka pas një atë që nuk i gjendej shoqi.
Mehmet Dyzi ngjallte paraftyrimin për kreshnikët që mund t’i njohim nëpërmjet këngëve epike popullore. Për të qenë kreshnik i vërtetë i mungonin vetëm armët që në ato rrethana të kohës i mbante sigurisht diku të fshehura në shtëpinë e tij. Ati i tij mund të krahasohej me atin e Ali Pashë Tepelenes, për të cilin kënga popullore thotë: “Ali Pashë Tepelena e ka atin me sylejbena”. Mbase ishte i ngjashëm me atin e Ali Pashë Gusisë që Gjergj Fishta në “Lahuta e Malësisë” e përshkruan kështu:
Edhe u ulka në katue
Kû nis gjokun me shilue,
I vên frênin prej florini,
I vên shalen telatinit,
I a shterngon me tre kallana:
Hidhet gjoku porsi Zâna….
Me gjasë pamja e Mehmetit dhe atit të tij dhe veprimet e tyre e kanë frymëzuar Adem Demaçin të shkruajë një ndër tregimet e tij më të mira “Toka nuk sillet vetëm rreth boshtit të vetë”, ku e përshkruan aq bukur Sherif Gllamnikun.
Mehmet Dyzi dhe ati i tij, që bishtin dhe jelët i kishte të lyerë me kanë të Turqisë dhe kishte stoli të tjera si sylejbenat e atit të Ali Pashë Tepelenes, ishin atraksion për të gjithë qytetarët e sidomos për fëmijët. Patkoit e atit krijonin rrapllimë të veçantë në rugët me kubëza të Prishtinës së atëherëshme. Kjo zhurmë thuaja se ishte një muzikë e kompozuar nga ndonjë muzicient i njohur. Mehmeti e dinte kohën kur nxënësit e gjimnazit kishin pushimin e gjatë dhe në atë kohë dilte në platonë para Xhamisë së Madhe dhe fillonin ekzibicionet që ati i kryente sipas urdhërave të pronarit. Ishte mrekulli t’i shikoje ato veprime të atit për çka Mehmeti e shpërblente kohë pas kohe me sheqer guri.
Në kohën kur Mehmeti i zhvillonte këto aktivitete argëtuese për qytetarë, në Prishtinë patë ardhur Cirku italian “ORFEU”. Isha, si fëmijë, në shfaqjen e këtij cirku, që ne e quanim Qirkuz, e që kishte edhe dresura me kuaj, por asnjë nga kuajt e cirkut nuk mund të krahasohej me atin e Mehmet Dyzit as përkah bukuria e as përkah zhdërvjellësia.
Mehmet Dyzi, e merrte shpesh atin dhe e shetiste nëpër qytet. Ati i vështruar nga kalimtarët ecte me jardam ashtu si ecin sot manekenet më të njohura nëpër Pistat e modës nëpër botë. Një herë ishte drejtuar kah pjesa e qytetit ku sot është Sheshi “Skenderbeu” ku ishte një rrugë që fillonte me reklamat e filmit, pastaj vinte libraria “Rilindja” e më poshtë Restauranti i peshqëve përballë të cilit ndodhej Bashqja verore “Kozara”. Kur mbërriti te reklamat e filmit, që ishin të vendosura në një kornizë brenda xhamave, ati e pa veten në xham si në pasqyrë, hingëlloi fort u mbajt në dy këmbët e mbrama dhe me dy të parat i bani xhamat copë e grimë. Fatmirësisht ato ditë nuk reklamohej ndonjë film për LNÇ (Luftën Nacional Çlirimtare) apo Titon se Mehmeti bashkë me atin do të përfundonin në burg si armiq të popullit. Ai shpëtoi me një pagesë për dëmet materiale.
Në një rast tjetër, thonë se ishte duke shkuar me atin për në rrugën UÇK (atëherë APJ e para kësaj DIVANJOLL) dhe i kishte ra shkurt nëpër Përmendoren “Vëllazërim-Bashkim”. Në fund të përmendores e kishte ndaluar milici (atëherë kështu quheshin policët) i komunikacionit dhe i thotë: Ke bërë shkelje të rregullave të komunikacionit. Mehmeti u mundua të arsyetohej se as ai e as ati i tij nuk kanë haber për këto rregulla. Arsyetimi nuk piu ujë bile e revoltoi milicin, i cili i shqiptoi gjobë prej 5 dinarësh. Mehmet Dyzi i nxori dhe ia dha 10 dinarë dhe kur milici po donte t’ia kthente kusurin, ai nuk e mori me motivacion se pas një ore do të kthehet rrugës së njejtë dhe që tash po e paguante dënimin.
Për Mehmet Dyzin mund të flitet edhe më gjatë. Unë kësaj radhe e kujtova duke konsideruar se ai ishte një nga trimat, që i ka dhënë kuptim e bukuri qytetit tonë në ditët e fëmijërisë së brezit tim.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu