Shkendije Berisha – Pacolli
ANKTHI -EPIDEMIA E DEKADES !
Frika si ndjenjë bazë apo më shumë si instinkt është në secilin nga ne. Për mirëqenien tonë është e domosdoshme përderisa pas frikës nuk fshihet ndjenja e të qënurit i kërcënuar qoftë nga ana jonë subjektive apo objektive. Është pastaj perceptimi ynë që jo gjithmonë arrin të bëj këtë dallim. Kjo diskrepancë shpesh ndikon në fiziologjinë dhe psikologjinë tonë ku rezulton si tension emocional e që mund të zhvillohet edhe në një çrregullim ankthi social.
Ankthi social që mbetet i pa trajtuar, paraqet një faktor rreziku për depresion ku për ndryshim nga sëmundjet e tjera shëndetësore, çrregullimet mentale (emocionale) si frika, ankthi dhe depresioni shumë shpesh në shoqërinë tonë mbesin „të padukshme“ dhe jo gjithmonë janë të matshme edhe nga ana e familjarëve apo mjedisit ku jetojmë.
Sipas shumë studimeve një numër i madh i rasteve që po ndikojnë dhe ndihmojnë në rritjen e frikës sociale në vitet e fundit është edhe bullizmi virtual apo „Cyber Mobbing“. e që simbolizon një anë tjetër të komunikimit shumë negativ në mediat sociale me karakteristikat e ofendimit, ngacmimit (edhe seksual), turpërimit, e sidomos kërcënimit ndaj të tjerëve.
Veçanërisht këtu si të prekur përfshihen adoleshentët dhe të rinjtë ose më saktë brezi i ashtuquajtur „Digital Natives“ , të cilët ende nuk njohin jetën pa internet, ku likes dhe followers në botën virtuale janë eliksir i rëndësishëm jete për përcaktimin e vetëvlerësimit dhe vetëbesimit në vazhdimësi.
Pasojat e bullizmit virtual për të prekurit janë të paparashikueshme, por mund të jenë edhe shkatërruese e që kanë ndikim të njëjtë sikur se bullizmi klasik.
Nga rrjetet sociale ku ne të gjithë tani veq po kalojmë kohën më të madhe, komentet fyese dhe bullizmin e kemi gratis dhe nuk po e vërejmë fare se si neve si shoqëri na është rritur tendenca per të ofenduar dhe nënvlerësuar të tjerët në permasa jashtë çdo norme etike. Është krijuar një lloj trendi që sa me vullgarisht komenton, kritikon, paragjykon të tjerët aq me IN je, duke harruar se çfarë dhune emocionale i shkaktojmë tjetrit. Pasojat e bullizmit virtual përpos që ndikojnë në psikologjinë tonë, rrisin frikën , shkaktojnë stres akut deri në atë kronik, ankth, depresion, izolim social dhe në raste ekstreme deri në vetëvrasje.
Kjo dukuri e shëmtuar tani po ndodh në tërë botën, mirëpo ne si popull që jemi lënduar, paragjykuar, kërcënuar dhe më se keqi ofenduar më vite për të vetmin fakt se jemi këta që jemi, nuk na ka hije ¨që ti bashkangjitemi kopesë! Edhe pse këto të meta tek ne mund të jenë pikërisht pasojat që ne trashëguam nga bullizmi etnik , e që është ngulitur thellë në ndërdijen tonë kolektive.
Stresi postraumatik e që është në secilin nga ne në mënyrë të dukshme apo të pa dukshme na rritë urrejtjen të flasim më shumë për njeri tjetrin, sesa me njeri tjetrin. Të hutuar në kërkim të „gabimeve“ harrojmë urtësinë se „gabimet“ që nuk përseriten nuk janë gabime por investime dhe përvojë jetësore.
Nuk ka brez që nuk lenë gjurmë , e ne çfarë po zgjedhim si investim? E vërtetë se nuk jemi brezi i internetit dhe as brezi i analfabetëve funksional , por mos të mbetemi as brez neutral i trishtuar nga lufta dhe pasojat e saj, brez i brishtë në kërkim të identifikimit personal e shpirtëror. Një brez që ka humbur shumë nga jeta, duke harruar se kur humb diçka jo medoemos mbetet zbrazëtirë, shumë shpesh krijohet edhe një hapësirë.
Prandaj të bëhemi brezi i martirëve që këtë hapësirë do e mbushë me dashuri e dhëmbshuri , duke larguar frikën se paku në komunikimin e ndërsjelltë virtual dhe atë real që të behemi shembull për fëmijët tonë tashme veç se vendas digjital.
- Shkëndije Berisha, është psikologe klinike .