Foto: Sant Petersburg
SHPENDI TOPOLLAJ
NJË LIBËR ME TË VËRTETA TRONDITËSE I PROF. DR. ESHREF YMERIT
(Rreth librit “Rezonanca magnetike” për Rusinë dhe rusët”)
Fill pas 24 shkurtit të vitit 2022, kur për turpin e saj, Rusia nisi sulmin barbar ndaj popullit të pafajshëm ukrainas, duke bombarduar pa mëshirë qytetet, deri edhe kopshtet, shkollat e spitalet, pra duke vrarë e masakruar edhe fëmijët, gratë e pleqtë, unë në shenjë revolte dhe proteste, publikisht dorëzova çmimin “Pushkin” të cilin LSHA të Rusisë ma pati akorduar. Arsyetimi im ishte se nuk mund ta mbaja më tej atë nderim, kur shkrimtarët dhe artistët e atij vendi, pra intelektualët në përgjithësi, heshtnin, ngaqë ose ishin frikacakë për ta ngritur zërin e mospajtimit me agresionin e tipit fashisht, ose e mbështesnin atë veprim të poshtër të qeverisë së tyre. Por pasi lexova librin e Prof. dr. Eshref Ymerit “Rezonanca magnetike” për Rusinë dhe rusët” botim i Intergrafika, ndërrova mendim në arsyetimin e këtij vendimi personal; fajtor për këtë sulm sa të pabesë, aq dhe të pakuptimtë, ishte së pari vetë populli rus. Ai popull që qysh nga koha e Rurikut, e kanë gënjyer se ashtu sikurse thosh me ironi filozofi pacifist britanik Bertrand Russell (1872 – 1970), “Patriotizëm do të thotë të pranosh të vrasësh dhe të vritesh për arsye të parëndësishme”. E vërteta është, se dashje pa dashje të gjithë kemi menduar se populli rus është me vlera të mëdha, pasi nga gjiri i tij ka nxjerrë personalitete të shquara të kulturës, arteve dhe shkencës, si dhe është për t`u respektuar kontributi që dha në fitoren mbi hordhitë hitleriane. Dhe sa për politikën ekspansioniste, ndjenjën e supremacisë dhe urrejtjes ndaj të tjerëve apo manifestimin e forcës për shtrirjen e influencave të saj, deri dhe ideologjike, mundësisht në mbarë botën, kemi menduar se fajin e ka qeveria ruse, ku carët e gjithëpushtetshëm, pavarësisht emrit që mbajnë, kanë zëvendësuar njëri – tjetrin, pa ndryshuar asnjë mendësi. Po ashtu, dhuna masive brenda vendit, torturimet, burgosjet, krijimi i GULAG – ve famëkëqinj, pushkatimet, gjenocidi ndaj pakicave, mungesa e fjalës së lirë, shpërfillja e të drejtave të njeriut, prapambetja ekonomike, izolimi e deri varfërimi, ishin vepër e politikave të mbrapshta po të qeverisë. Mirëpo, ja që nuk qenka plotësisht kështu, pasi tek e fundit, çdo popull ka qeverinë që meriton. Po pse populli rus i ka merituar ndër shekuj monarkët që e kanë drejtuar? Pikërisht kësaj i jep përgjigje në mënyrë bindëse ky libër i shkruar nga Eshref Ymeri me durim dhe pa asnjë arsye për të qenë i padrejtë ndaj një vendi dhe një populli, ku dikur pati kryer studimet. Historia dhe e vërteta nga ana e tyre nuk influencohen nga reminishencat, emocionet, mirënjohja, kujtimet e përjetimet vetjake. Ajo kërkon arsyetim të ftohtë, fakte dhe argumente të pakundërshtueshme, referenca tërësisht të besueshme, njohje dhe sidomos guxim, cilësi këto që asnjëherë nuk i kanë munguar këtij autori të mirënjohur. Është domethënës fakti që ai këtë libër ia kushton Popullit heroik ukrainas dhe Forcave të tij të lavdishme të armatosura… të cilat iu kundërvunë asaj ushtrie që mesa duket ende ruan në mendjen e saj, thënien e Stalinit se “pas fitores së sistemit komunist në mbarë botën”, gjuhë kryesore në rruzullin tokësor… do të bëhej gjuha ruse. Libri edhe pse përveç opinionit të autorit i cili shprehet se qysh kur ishte student në Sankt Peterburg (aso kohe Leningrad), kishte konstatuar se rusët fetishizonin dhe gati e quanin hyjnor udhëheqësin dhe nuk kishin respekt për vendet e vogla, është një përzgjedhje aspak e lehtë e mendimeve të shprehura nga personalitete të ndryshme në kohë të ndryshme. Dhe nuk janë pak, por plot 426 të tillë, nga të cilët afro gjysma, janë rusë. Dhe ka aty burra të shquar shteti, filozofë, politologë, diplomatë, strategë, shkencëtarë, letrarë, gazetarë, disidentë, të arratisur etj. etj. I lexon ata dhe çuditesh teksa sheh se të gjithë nuk i largohen konstatimit të Pjetrit të Parë që thosh “Unë kam të bëj jo me njerëz, por me kafshë të cilat duhet t`i kthej në njerëz”. E di se nuk është aspak etike dhe e moralshme të fyesh një popull të tërë, por kur vetë ai popull fyen veten e tij, duke mbetur historikisht pa dinjitet dhe i nënshtruar deri në pështirosje, kur të falenderon kur e rreh me kamzhik dhe e ndëshkon, sikurse shkruan dëshmitari okular Adam Oleari qysh në shek. e XVII – të, atëherë si mund të flitet tjetërsoj? Po si mund të vësh në dyshim atë lumë përcaktimesh se ata kanë qenë dhe kanë mbetur popull me psikologji skllavi. Dhe këtë, për “delepopullin” e atij vendi të paanë, për të cilin F. Dostojevski vëren se “Në vuajtje … gjen kënaqësi”, nuk e thonë vetëm të huajt si fjala vjen iluministi Sharl Monteskje, mendimtari Deni Didëro, markezi de Kystin, presidenti Xhohar Dudajev, diplomati Xhails Fletçer, shkrimtari Xhon Barkllaj, astronomi Zhan – Shapp d`Otrosh, gazetari Dhimitër Gordon, teologu Anri Leklerk, por edhe vetë rusët, si teoricieni Nikollaj Çernishevski, filozofi Aleksandër Hercen, kritiku Visarion Bjelinski, filozofi Nikollaj Berdjajev, historiani Nikollaj Karamzin, shkrimtari Maksim Gorki, publicist Aleksandër Njevzorov, aktori Gjergj Burkov, publicist Ivan Shmelov, historian Mihail Jampolski, filozofi besimtar Nikollaj Berdjajev etj. Dhe si rrjedhojë e këtij mentaliteti, trashëguar sikurse thotë vetë Karl Marksi; qysh shekuj më parë, kur “qe edukuar dhe rritur në shkollën e tmerrshme dhe të shpifur të skllavërisë mongole”, ndofta erdhën të gjitha të këqiat e karakterit rus. Këtë e pohon edhe shkrimtari rus Igor Shestkov kur thotë se “Gjatë 280 vjetëve, rusët tashmë kaq shumë qenë pleksur me ekzistencën e vet prej skllavi, saqë e kishin të pamundur të jetonin ndryshe”. Prandaj në mbi 400 faqet e këtij libri gjejmë një pafundësi cilësimesh që të vjen zor t`i përsëritësh. Njeriu rus paraqitet dembel, qylaxhi, hileqar, mashtrues, pijanec i pashoq, gënjeshtar, grindavec, gojështhurur, i pamoral, i pagdhendur, i pabesë, rushfetçi, pisanjos, dhe që gjithmonë ka pasur nevojë për një sundimtar të egër dhe inatçor. Mësuar me urrejtje për të tjerë, ku e kërkon edhe shkakun e fatkeqësisë së vendit të tij, çka e kishte konstatuar dhe gjyshi i përrallave, Krillovi, rusi është i gatshëm të vrasë, të pushtojë dhe të bëjë krime nga më të paimagjinueshmet. Nobelisti Ivan Bunin që iku nga sytë këmbët drejt Parisit, qysh në vitin 1920 ka thënë se “Rusia klasike është vendi i njerëzve të lindur për sherre”, kurse nobelisti tjetër, poeti Josif Brodski që e detyruan të linte atdheun e të shkonte në Vjenë, nuk ka ngurruar të shpallë se i vjen turp që është rus, çka e kanë deklaruar pa mëdyshje edhe shumë e shumë të tjerë si fjala vjen, diplomati Boris Bondarjov, eseisti Vasil Botkin, Valeria Novodvorskaja me anë traktesh të shkruara me dorë etj. Se është kjo situatë e padurueshme shkaku sipas Aleksandër Vojlloshnjikovit përse “Miliona rusë nga më të talentuarit e kanë braktisur Rusinë, duke mallkuar atdheun e tyre të poshtër”, siç gjejmë në këtë libër edhe gazetaren Ksenjija Llarina, prima balerinën e “Balshoit” Olga Smirnova, politikanin Vladimir Basmanov, dramaturgen Zinaida Gipsus, zbuluesin – shkrimtar Viktor Suvorov, autori i librit të bujshëm “Akullthyesja. Kush e filloi Luftë II – të Botërore”, ku thuhet se atë do e niste B.S. qysh më 6 qershor të vitit 1941 sipas operacionit “Shtërngata”, dhe opozitarë të tjerë të rëndësishëm që shërbimi i fshehtë rus i ka eliminuar edhe fizikisht atje ku shkuan. Por barbarinë e tyre të plotë e treguan ushtarët rusë kur hynë fitimtarë në Gjermani e sidomos në Berlin, ku me epshe shtazarake përdhunuan dymilion gra e vajza nga tetë në tetëdhjetë vjeç, sikurse tregon historiani amerikan Uiljam Pirs dhe kino regjisori Zahar Agranenko, pa folur për nobelisten bjelloruse Svjetllana Aleksijeviç e cila ka intervistuar tetëqind femra për librin e saj “Lufta nuk ka fytyrë femre”. Janë veprime rrëqethëse e çnjerëzore që u bënë gjoja në emër të hakmarrjes, por të cilat nuk mund t`i pranojë edhe llogjika më elementare. Përfytyroni skenat e përdhunimeve në grup, ku duke abuzuar kafshërisht, ushtarët zbardhnin dhëmbët dhe pastaj i vrisnin ato të gjora. A është kjo në nderin e një ushtrie? Duke vijuar leximin e këtij libri, trishtohesh kur sheh se të gjitha veset e popullit rus, kanë mbetur po ato dhe kjo del e qartë si drita e diellit tek ajo që po ngjet me Ukrainën dhe që vetë auori e quan sulm fashist kundër një vendi fqinj, masakrat e të cilit të kujtojnë të kaluarën kriminale të Rusisë. Që Rusia nuk ka ndryshuar, por ka mbetur po ajo perandoria e dikurshme, e thonë edhe shumë nga të cituarit apo opinionistët e këtij mozaiku politik. Dhe gazetari rus Aleksandër Genis në bisedën e tij me profesorin Mark Lipovecki, i larguar nga ai vend, pajtohen me termin përfaqësues rashizëm, të cilin e përdori dhe përhapi në Amerikë historiani Timoti Snaider, që konkludon se edhe pse studimi i kësaj dukurie është ende në fazë fillestare, dihet se ai përmbledh ideologjinë putiniane, ku nxitja e urrejtjes deformon realitetin. Ai mbetet vazhdimi kokëfortë i “mongolizmit” … me pikësynimin për sundim botëror në frymën e Çingiskhanit”. Dhe në këtë drejtim, të jeni të sigurtë se ushtria ruse duke zbatuar “Testamentin e Pjetrit të Parë”, ia ka kaluar asaj të mongolit të pashpirt. Ja sesi e sheh atë publicist rus Aleksandër Njevzorov: “E ashtuquajtura “ide ruse”, sido që ajo të formulohet që në fillim, gjithmonë çon vetëm tek e njëjta gjë – te domosdoshmëria për t`i mbështjellë zorrët e botës në zinxhirët e tankeve tona”. Mos harroni se Çingiskhani kishte vetëm kuaj. Le t`ia lemë lexuesit të njihet vetë me krimet e ushtarëve rusë në Ukrainë gjatë këtyre tre vjetëve. Por prof. Eshrefi duke theksuar se aty po vriten si mizat edhe vetë djemtë e nënave ruse, është gati e pabesueshme se si populli e miraton dhe e mbështet këtë sulm. Pikërisht kjo e ka shtyrë atë që t`i japë përgjigje pyetjeve “Ç`është Rusia?”, “Ç`është populli rus?”. Dhe ja konkluzioni: populli është fajtor si për mjerimet e veta ashtu dhe për vuajtjet që u shkakton të tjerëve. Populli rus nuk e do demokracinë. Madje ai nuk e do as lirinë. E keni lexuar besoj romanin kryevepër të Lev Tolstoit “Ringjallja” dhe silleni ndër mend çifligarin Nekludov i cili teksa kërkonte të jepte shembullin se bujkrobëria ishte një turp dhe tokat e tij do t`ua falte fshatarëve, kur i thirri për të firmosur, pra për t`u bërë ata pronarë, nuk pranuan kurrsesi me arsyetimin se këtu ka ndonjë hile. Ja, kjo është psikologjia e rusit; të pajtohet edhe me varfërinë, mjaft që ai, Stalini e Putini atje lart, të ndihen mirë. Kjo është dhe arsyeja, përse këto figura kriminale, gëzojnë admirim e përkrahje edhe sot e kësaj dite. Kjo ka bërë që ata të jenë të lumtur e të kënaqur, kur bombardojnë popujt e tjerë. Kjo është edhe arsyeja përse në Rusi “Shteti thotë: te ne e tillë është real – politika, ne bëjmë atë që duam, kurse shoqëria reagon: po, pra, e drejtë, kështu duhet vepruar”. Por ndofta askush më saktë se autori i “Arkipelagut Gulag” A. Sollzhenjicini nuk e ka tipizuar atë popull, kur thotë: “Në këtë botë nuk ka qenie më të ulët, më të poshtër dhe më të vrazhdë sesa rusomjekroshi. I lindur në një vend nazistësh, i ushqyer me propagandën e nazizmit, – ky bastard nuk ka për t`u bërë kurrë Njeri. Në vendin e tij nuk ka miq, ka ose lakej, ose armiq. Vendi i tij është i aftë vetëm për të kërcënuar dhe për të vrarë. Dhe për ruajtjen e një gjendjeje të tillë nga ana e Rusisë, rusomjekroshi i rëndomtë është gati të sakrifikojë jetën, jetën e prindërve dhe të fëmijëve, cilësinë e jetës së popullit të vet. Që të themi atë që është, rusomjekroshët janë egërsira. Janë të tërbuar, gjakësorë, por…të vdekshëm”. Ata nuk e johin keqardhjen dhe vlerën e njeriut. Juri Nesterenko, tani shtetas amerikan thosh “Rusia i ka pushkatuar njerëzit e vet me miliona dhe nuk ka ndier keqardhje, kurse ju po i flisni për ca ushtarë të vrarë”. Se vetë mustakoçi i Kremlinit, gjeorgjiani që pushkatoi edhe shokët e tij të afërt, thosh dikur se vrasja e një njeriu është krim, kurse vrasja e milionave, statistikë. Dhe rreshtohern në libër, natyrisht rastësisht, gjashtë gra me emrin Anna që e mbështesin Sollzhenjicinin duke i quajtur respektivisht rusët, sifilis i njerëzimit, (popull) mazokizt, të çmendur, përdhunues seksualë, derra me zile dhe vetë Putinin si shenja e barazisë me luftën. Dhe kush guxon të ngrerë zërin apo të kundërshtojë hapur, natyrshëm që e pret fati i Litvinjenkos, i Novalnit, i Njemcovit, i Stomahinit, i Hazanovit apo i Politkovskajas që u pushkatua në ashensor. E ku ndryshon kjo situatë nga koha e diktaturës staliniane? Në këtë trullosje, ku ata kanë mbetur po ata orangutangët që i quante W. Çërçilli, nuk mund të mohohet edhe roli që kanë luajtur veç historianëve, edhe shkrimtarët me librat e tyre, filmat, teatrot dhe artet në përgjithësi e deri te Kisha Ortodokse, për të cilat në libër, shembujt janë të shumtë. Në këtë shkrim nuk dua të ndalem te ato që thonë disa personalitete si Leon Trocki, pasi ata mund të paragjykohen se kanë inate të vjetra me atë vend, por nuk mund të le pa përmendur se janë këtu edhe dy anekdota, njërën nga të cilat po e sjell: pyeti dikush se çfarë kombësie kishin Adami me Evën dhe ja përgjigja: Ata ishin rusë, pasi vetëm rusët mund të vrapojnë zbathur, dhe me prapanicën zbuluar, pa një strehë ku të fusin kokën, të hanë një mollë dy veta dhe të bërtasin se po jetojnë në Parajsë. Por ja që parajsën e tyre e kanë quajtur “Shtet nekrofil”, “Simbol të vdekjes”, “Një gabim të historisë”, “Kolos me këmbë argjili”, dhe popullin e tij që lind Putinë, “një mallkim”. Por nuk kam sesi të mos pranoj se gjatë leximit të këtij libri trishtues, qëmtuar me durim e skrupulozitet nga një intelektual i shquar e atdhetar, si i nderuari Eshref Ymeri, kam gjetur mjaft përgjigje për qëndrimin e politikës aspak dashamirës ruse ndaj çështjes tonë kombëtare, dhe këtu kam parasysh Kosovën tonë të shtrenjtë, si dhe shumë pika takimi me psikologjinë e popullit tonë në reagimin ndaj padrejtësive. Le të nxjerrim edhe ne mësimet tona në duam të kemi një demokraci të vërtetë me njerëz të ndershëm, të guximshëm dhe plot dinjitet. Por, gjithashtu edhe vetë u binda akoma më shumë se bëra mirë që e ktheva atë çmimin që më kishin akorduar dikur.