ARKIVI:
23 Dhjetor 2024

Mësues i Mësuesve Shqiptarë, elbasanasi Mehmet Gjevori

Shkrime relevante

Zëri i ndërgjegjës kombëtare thërret për ndryshim!

Shqiptarë të Plavës dikur..., para se pasardhësit e tyre të bëheshin...

Ja si mund të duket Anglia e bukur, e së ardhmes…!

Jorgo Mandili 21 dhjetor 2024 ___ Britania ishte përpara të gjitha vendeve perëndimore në...

Si i dëboi UÇK-ja hoxhëllarët dhe predikuesit e fesë islame nga frontet e luftës

Luan Dibrani, Gjermani ___ Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e...

Interesat kombëtare të Kosovës, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe konteksti më i gjerë gjeopolitik

Agim Vuniqi, New York ___ Roli i Shqipërisë dhe deklaratat e kryeministrit Rama Fjala...

Shpërndaj

-“Unë Mehmet Gjevori nga Elbasani, por tani që gjendem në Kosovë, prej vitit 1941, kur erdhëm rreth 350 mësues nga Shqipëria dhe hapëm shkollat e para në gjuhën amtare në të gjitha viset e Kosovës, në vitet 1945-47 kam pas ardhur në disa shkolla të Drenicës dhe i kam pas udhëzuar mësuesit e parë të rinj, një ndër ta ka qenë edhe babi i heroit Adem Jashari, Shaban Jashari”, shkruante mësuesi i mësuesve shqiptarë në librin e madh të përshtypjeve, të pafund e të përjetshëm, në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz.
Gazeta DIELLI dhe portali DRINI , sot në Ditën e Mësuesit – 7 Mars 2023, ribotojnë shkrimin e korrespondentit në Kosovë Behlul Jashari të 7 Marsit 2010:
KUJTESË – MEHMET GJEVORI, I LINDUR NË ELBASAN PARA 100 VJETËVE, MËSUESI I MËSUESVE TË KOSOVËS
PRISHTINË, 7 Mars 2010/ Elbasanasi Mehmet Gjevori, mësuesi i mësueve të Kosovës, këtë vit do mbushte 100 vjet. “Ndonëse jam i lindur në Elbasan, vendlindje të dytë kam Kosovën”, thoshte ai.
Autori i abetarës së parë në gjuhën shqipe në Kosovë, botuar në vitin 1946, dhe i shumë teksteve shkollore e të tjera, veterani e njeriu i kontributit shumë të madh në arsimin kosovar, Mehmet Gjevori, i lindur më 1910 në Elbasan, ka ndërruar jetë më 1 maj 2007 në moshën 97-vjeçare në Prishtinë.
Në shtator të vitrit 1941 iu përgjegj vullnetarisht apelit të ministrit të atëhershëm të Arsimit të Shqipërisë Ernest Koliqi për të ardhur në shërbim në Kosovë. Në atë kohë, misionarët e arsimit në trojet shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë u bënë 400 normalistë, shumica e tyre djem dhe vajza të Elbasanit.
Emrin e Mehmet Gjevorit, sot në Ditën e Mësuesit dhe në këtë 12-vjetor të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e gjejmë edhe në librin e madh të përshtypjeve, të pafund e të përjetshëm, në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz.
Në atë libër, në Prekaz të Drenicës, në vendin e shenjtë të pavdekësisë së Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare, Kryemësuesi i Kosovës ka shkruar:
“Më 11. 8. 2002
Unë Mehmet Gjevori nga Elbasani, por tani që gjendem në Kosovë, prej vitit 1941, kur erdhëm rreth 350 mësues nga Shqipëria dhe hapëm shkollat e para në gjuhën amtare në të gjitha viset e Kosovës, në vitet 1945-47 kam pas ardhur në disa shkolla të Drenicës dhe i kam pas udhëzuar mësuesit e parë të rinj, një ndër ta ka qenë edhe babi i heroit Adem Jashari, Shaban Jashari. Pikërisht gjatë atyre ditëve kam pas buajtur në disa familje, emrat e të cilëve mjerisht nuk më kujtohen, e më kanë pas pritur përzemërsisht.
Një ndër mësuesit e parë, që ka pas ardhur e ka shërbyer vullnetarisht në dy shkolla fshatrash të Drenicës, ka qenë edhe Ahmet Meha Kelmendi, …Geci e të tjerë. Më kujtohet se të gjithë nxënësit e katër shkollave fillore të Drenicës i kanë pas ndjekur mësimet me zell të madh dhe pasi shumë nxënës ishin edhe pak të rritur, ne i kalonim edhe nga dy klasë disa, pra prej klasës II në klasën IV. Të paharrueshme kanë qenë ato ditë të atyre dy viteve që i kam pas kaluar në rrethin e Drenicës.
Lavdi u qoftë Adem Jasharit si dhe të gjithë anëtarëve të familjes Jasharaj!
Mehmet Gjevori”.
Pas ardhjes nga Elbasani, fillimisht, Gjevori emërohet në Prizren si drejtor i shkollës fillore “Abdyl Frashëri”, ndërsa nga 1944 deri më 1950 shërbeu si kryeinspektor i shkollave shqipe të Kosovës, e pastaj redektor në shtpinë botuese “Mustafa Bakija” në Prishtinë. Nga viti 1958 e deri në pensionim më 1975 ka punar redaktor e kryeredaktor në Redaksinë e Botimeve Rilindja.
Gjevori tregonte: “Krahas detyrës kryesore si redaktor i botimeve kam bërë edhe detyrën e lektorit në gazetën Rilindja. Para dite punoja në Redaksinë e Botimeve kurse pasdite në redaksinë e gazetës Rilindja… Kontrolloja gjuhësisht shkrimet e gazetës që do të jipeshin për botim.”
Mehmet Gjevori ka marrë shumë dekorata, mirënjohje dhe falënderime, por ai, gjithnjë veçonte dy nga ato: “Nga të gjitha dekoratat që kam marrë deri më tani, unë veçoj këtë të Presidentit të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugovës, dhënë më 10 qershor 2003, si dhe medaljen e artë ‘Naim Frashëri të klasit I” të Kryetarit të Republikës së Shqipërisë, Dr.Sali Berishës, dhënë në Tiranë, më 11 prill 1994, për shërbimin në shkollat shqipe në Shqipërinë Veriore e Lindore, jashtë kufijve politikë të vitit 1913 të shtetit shqiptar”, ka shkruar Gjervori.
“Me sinqeritetin më të madh njerëzor veçoj e theksoj se këto dy dekorata të arta i konsideroj jo vetëm si sukses timin personal, por edhe të të gjithë punonjësve të arsimit, që kanë shërbyer e kontribuar në Kosovë e në viset e tjera shqiptare”, shkruante Gjevori në një letër falënderimi drejtuar Presidentit historik Ibrahim Rugova për dekorimin me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit, për kontributin e dhënë në fushën e arsimit të Kosovës, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj në mbarëvajtjen e shkollës në Kosovë, në fushën e hartimit të teksteve shkollore, si dhe të përkrahjes së Lëvizjes Demokratike të Kosovës për liri e pavarësi.
“Mironjohje të veçantë, jam i informuar këto ditë, do të më bëjë edhe Bashkia e Elbasanit për kontributin tim gjatë gjatë këtyre gjashtë dekadave e gjysmë në arsimin në Kosovë”, ka thënë Gjevori në një intervistë për numrin jubilar të 60-vjetorit të gazetës Rilindja më 12 shkurt 2005. Atë vit në dhjetor Bashkia e Elbasanit ka nderuar me “Certifikatë Mirënjohjeje” 149 normalistë të qytetit të Elbasanit, ndër të cilët Mehmet Gjevorin, për shembullin që kanë dhënë për përhapjen e arsimit shqip.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, me rastin e shuarjes së Mehet Gjevorit ngushëllonte:
“Mehmet Gjevori është nga emrat e rrallë të arsimit shqip në Kosovë, i cili gati një shekull të plotë jetën ia kushtoi edukimit dhe arsimimit të brezave në Kosovë. Erdhi në Kosovë atëherë kur na u desh më së shumti dhe qëndroi në Kosovë për gjithë kohët e vështira që kaluam si popull për të qenë këmbëngulës në misionin e tij të shenjtë. Si autor i abetares së parë shqipe në Kosovë, Mehmet Gjevori me përkushtim të rrallë shpërndau shkronjën shqipe gjithandej nëpër Kosovë.
E gjithë krijimtaria edukativo-arsimore dhe botuese e Mehmet Gjevorit ka një mision të përbashkët në përhapjen e dijes dhe të kulturës shqiptare.
Për rolin e veçantë të tij prej mësuesi dhe atdhetari, Presidenti Rugova e ka dekoruar me Medaljen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që u jepet personaliteteve të rralla për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në veprimtari atdhetare.
I falemi përgjithmonë përkushtimit të tij jetësor!”

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu