Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FSK-së mbajtën sot konferencën vjetore ndërkombëtare “FSK dhe partnerët 2023”, me moton “Kosova është suksesi ynë i përbashkët”. Në panelin kryesues të konferencës morën pjesë: ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zëvendësministrat e Mbrojtjes, Shemsi Syla dhe Adnan Jagcilar, zv.sekretari i përgjithshëm i MM-së, Gafurr Dugolli, drejtori i Departamentit për Inteligjencë dhe Siguri, gjeneral major Gëzim Hazrolli, Inspektori i Përgjithshëm i FSK-së, gjeneral major Irfete Spahiu, shefi i stafit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Ilir Qeriqi, drejtori i NALT-it, gjeneral brigade Ralf Peter Hammerstein, shefi i Shtab-it të KFOR-it, John Bozicevic, zv.ministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, oficerët e lartë dhe atashetë e FSK-së, si dhe ambasadorë, atashe të mbrojtjes dhe përfaqësues tjerë diplomatikë dhe ushtarakë të të gjitha shteteve partnere të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, ministri Ejup Maqedonci falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë konferencë ku theksoi se Republika e Kosovës, Ministria e Mbrojtjes dhe FSK janë të vendosura që të vazhdojnë dhe rrisin bashkëpunimin me partnerët, për të formësuar rrugën drejt integrimit në institucionet euro-atlantike dhe në NATO dhe se roli i partnerëve në këtë drejtim nuk është vetëm i rëndësishëm, por themelor dhe vendimtar. Ai theksoi se rëndësia e një bashkëpunimi të tillë në arritjen e suksesit operacional u dëshmua së fundmi në pjesën veriore të vendit tonë, ku më 24 shtator, grupet e organizuara paraushtarake terroriste, të inkurajuara dhe të mbështetura nga institucionet serbe, kryen një sulm terrorist kundër Policisë së Kosovës, me qëllim të kapjes së terrenit dhe destabilizimit të vendit tonë.
Me këtë rast, ministri Maqedonci inkurajoi vendet partnere dhe forcat e tyre të armatosura që të vazhdojnë mbështetjen e tyre në rrugën drejt zhvillimit dhe fuqizimit të FSK-së.
Ndërsa më fjalën e tij, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari tha se pa përkrahjen e vendeve mike, FSK nuk do të kishte arritjet që ka sikur mos të ishte mbështetja e vazhdueshme nga vendet aleate përmes trajnimeve, shkollimeve dhe pajisjeve.
Gjeneral Jashari theksoi se sulmi i fundit i 24 shtatorit, si dhe zhvillimet e sigurisë në botë, janë tregues të qartë që FSK duhet të jetë çdoherë e gatshme të kryejë misionin e saj kushtetues dhe ligjor.
Gjeneral Jashari ritheksoi se mbështetja e vendeve partnere mbetet kyçe në këtë fazë, si në aspektin e ngritjes së kapaciteteve ashtu edhe në përpjekjet tona për anëtarësimin në PfP dhe në qëllimin tonë përfundimtar, anëtarësimin në NATO.
Me fjalimet e tyre të pranishmëve iu drejtuan edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, zv. ambasadori i Britanisë së madhe në Kosovë, Jacob Webber, shefi i Shtabit të KFOR-it, gjeneral brigade John B. Bozicevic dhe drejtori i NALT-it, gjeneral brigade Ralf Peter Hammerstein.
Objektivat e konferencës “FSK dhe partnerët 2023”, janë për informimin e vendeve partnerëve lidhur me qëllimet dhe objektivat strategjike dhe planin zhvillimor të FSK-së 2024-2026, sinkronizimi i aktiviteteve bilaterale me vendet partnere, rritjen e bashkëpunimit bilateral dhe multilateral si dhe informimi për të arriturat e MM/FSK gjatë vitit 2023.