ARKIVI:
23 Dhjetor 2024

Miratohet nga Kuvendi rezoluta kundër referendumit të Serbisë në Kosovë

Shkrime relevante

Zëri i ndërgjegjës kombëtare thërret për ndryshim!

Shqiptarë të Plavës dikur..., para se pasardhësit e tyre të bëheshin...

Ja si mund të duket Anglia e bukur, e së ardhmes…!

Jorgo Mandili 21 dhjetor 2024 ___ Britania ishte përpara të gjitha vendeve perëndimore në...

Si i dëboi UÇK-ja hoxhëllarët dhe predikuesit e fesë islame nga frontet e luftës

Luan Dibrani, Gjermani ___ Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e...

Interesat kombëtare të Kosovës, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe konteksti më i gjerë gjeopolitik

Agim Vuniqi, New York ___ Roli i Shqipërisë dhe deklaratat e kryeministrit Rama Fjala...

Shpërndaj

Kuvendi i Kosovës

Kronologjia për ndalimin e mbajtjes së referendumit serb në Kosovë nga ana e Kuvendit të Kosovës

 

– Kjo është rezoluta e miratuar sot në Kuvend për ndalimin e referendumit serb

Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot me 76 vota për rezolutën për ndalimin e mbajtjes së referendumit serb në Kosovë.

Përkrahje rezolutës i dhanë edhe dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Më poshtë është teksti i plotë i rezolutës që mori miratimin e Kuvendit të Kosovës.

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës, si përfaqësues i qytetarëve të Republikës së Kosovës, shpreh qëndrimin e përbashkët se organizimi i referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës, cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me kushtetutën, dhe ligjet e Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare.

2. Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria dhe institucionet gjegjëse të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet brenda kompetencave të tyre për të mos lejuar cenimin e sovranitetit dhe rendin kushtetuese të Republikës së Kosovës nga mbajtja e referendumit të një shtetit të huaj në territorin e Republikës së Kosovës.

3. Kuvendi rithekson përkushtimin e Republikës së Kosovës për të garantuar dhe mbrojtur të gjitha të drejtat e shtetasve të Republikës së Kosovës në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjet.

4. Në këtë frymë Kuvendi i Republikës së Kosovës vë në pah të drejtën e qytetarëve me dyshtetësi që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në përputhje me standardet kushtetuese dhe praktikat ndërkombëtare. Në rastin konkret të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë edhe shtetësinë e Serbisë iu garantohet e drejta të votojnë përmes postës, apo zyrës ndërlidhëse në Kosovë.

6. Kuvendi shpreh kundërshtim ndaj veprimeve të vazhdueshme të Serbisë për të instrumentalizuar dhe keqpërdorur qytetarët serb të Kosovës në shërbim të politikave të veta armiqësore kundër Republikës së Kosovës.

7. Kuvendi i Republikës së Kosovës mirëpret qëndrimet e prera të Bashkësisë ndërkombëtare për sundimin e ligjit në Kosovë dhe pret mbështetje për të drejtat legjitime dhe qasjen parimore të Republikës së Kosovës, meqë vetëm duke trajtuar në mënyrë të barabartë gjitha shtetet e rajonit garantohet stabiliteti, demokracia dhe fryma euroatlantike e rajonit tonë. Gjithashtu, kërkon nga qeveria të vazhdojë bashkërendimin me partnerët strategjik të Kosovës në interes të ruajtjes së kushtetutshmërisë dhe sovranitetit shtetëror.

8. Kuvendi i Republikës së Kosovës mbetet i përkushtuar për të dhënë kontributin e tij për mbrojtjen e sovranitetit dhe rendit kushtetues, si dhe të drejtave kushtetuese të të gjitha qytetarëve të saj. Si dhe avancimin e demokracisë dhe agjendës euro-antalinke në rajonin tonë.

​Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 76 vota për rezolutën për ndalimin e mbajtjes së referendumit serb në Kosovë.

Përkrahje rezolutës i dhanë edhe dy partitë opozitare, LDK dhe AAK.

PDK nuk ka marrë pjesë në seancën e sotme, ndërsa Lista Serbe ka braktisur seancën.

***

Kuvendi ka miratuar rezolutën kundër referendimit të Serbisë në Kosovë.

76 kanë votuar për, një abstenim dhe asnjë kundër.

​Kuvendi shkon në pauzë

Shefi i deputetëve të LDK’së, Arben Gashi, ka propozuar një pik që të përfshihet në dokumentin për rezolutë të paraqitur në Kuvend nga kryeministri Albin Kurti e që mban firmën e shefes së deputetëve të VV’së, Mimoza Kusari-Lila.

 “Marrë parasysh gjendjen e krijuar dhe paaftësinë e Qeverisë për të menaxhuar me situatën dhe të vetëdijshëm për rolin e faktorit ndërkombëtar, propozon këtë projekt rezolutë: Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria që të përdor praktikat më të mira ndërkombëtarë dhe të jetë në koordinim me partnerët ndërkombëtar”, ka thënë Gashi.

Ai ka deklaruar se kërkojnë që një pikë e tillë të përfshihet në propozim rezolutën e propozuar nga Kusari-Lila.

Pas kësaj, Kuvendi ka shkuar në pauzë për të diskutuar lidhur me draftin final të rezolutës.

​Abdixhiku pyet Kurtin: Çfarë vlere të shtuar i jep rezoluta për të ndaluar referendumin serb?

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abidixhiku, ka pyetur kryeministrin Albin Kurti se çfarë vlere të shtuar i jep miratimi i rezolutës në Kuvend për të ndaluar mbajtjen e referendumit serb në Kosovë.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, Abdixhiku tha se mbajtja e referendumit është i papranueshëm që cenon dhe integritetin territorial të Kosovës dhe rendit kushtetues. Por sipas tij, seanca e sotme është vetëm dramë e kryeministrit për populizëm.

Abdixhiku: Çfarë vlere të shtuar i jep rezoluta ndalimit të referendumit serb

“E paqartë mbetet nevoja e kësaj seance. Nxjerrja e një rezolute rekomanduese për qeverinë. Këtë s’mundem të kuptoj dot. Pasi së pari kryeministri ka detyrim dhe obligim kushtetues të zbatojë në plotëni dhe pa hezitim të gjitha mekanizmat që të sigurojë këtë rend kushtetues në Republikën e Kosovës. Edhe sikur të kishte një rezolutë tjetër këtu në Kuvend është Kushtetuta që ia ndalon një rekomandim të tillë. […] A ka diçka rezoluta që të ofron si mjet që përgjegjësia kushtetuese dhe definimi i rolit tënd kushtetuese nuk ta jep. A ka diçka shtesë që Kuvendi duhet të ofrojë ty si kryeministër që nuk mundesh ta zbatosh rendin kushtetues në tërë territorin e Kosovës. A të duhen mjete, të duhem forca shtesë, duhet shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, çka të shton si vlerë të shtuar rezoluta”, tha ai.

Deputeti Abdixhiku tha se Kosova ka arsye të dyfishtë për të refuzuar mbajtjen e referendumit serb në territorin e vendit tonë.

Abdixhiku: Kosova ka arsye të dyfishtë për të refuzuar këtë referendum

“Kjo tendencë është praktikë e papranueshme ndërkombëtare dhe është praktikë në kundërshtim me parimet bazike të demokracisë dhe relacionet që shtetet sovrane tregojnë ndaj njëra-tjetrës. Në rastin specifik të referendumit të Serbisë, mohon integritetin territorial të Kosovës, rendin kushtetues dhe me referendum kërkon të dëshmojë shtrirjen e sovranitetit serb mbi Kosovën bëhet edhe më i papranueshëm. Prandaj Kosova ka arsye të dyfishtë për të refuzuar këtë referendum”, shtoi ai.

Megjithatë, Abdixhiku kritikoi Kurtin për mos unitet me bashkësinë ndërkombëtare për këtë vendim.

Abdixhiku: Refuzimi i referendumit është shoqëruar me përplasje me komunitetin ndërkombëtar në Kosovë

‘Është e shoqëruar me përplasje me komunitetin ndërkombëtar në Kosovë, në veçanti me shtetet e QUINT-it. Një qeveri që i trajton problemet me kohë do të kishte me veti edhe komunitetin ndërkombëtar edhe moslejimin e referendumit. Se kjo qeveri s’mundet të sjellë asnjëherë zgjidhje të mira kjo veçse po bëhet e ditur dhe e zakonshme. Ajo sikur shijon tensionin dhe përplasjen me faktorët ndërkombëtarë. Në muajt në vijim kjo përplasje mund të bëhet më e theksuar. Prandaj kryeministër më lejo që t’i kujtoj disa fjalë të një burri të madh shqiptar që nuk lejonte të krijonte asnjëherë dilema të tilla për popullin e vet, por i mbante edhe popullin edhe aleatët bashkë. ‘Drejtimi i shtëpisë pa miqtë është i pamundshëm’. Ibrahim Rugova, 16 tetor 1998”, përfundoi ai.

Kujtim Shala – Kurtit: Pse propozim-rezoluta e prezentuar mban firmën e Mimoza Kusari-Lilës!?

Nënkryetari i Kuvendi të Kosovës nga radhët e LDK’së, Kujtim Shala, e ka pyet kryeministrin Albin Kurti se pse rezoluta e propozuar është e nënshkruar nga shefja e deputetëve të VV’së, Mimoza Kusari-Lila.

“Po e pyes kryeministrin a është projekt rezolutë projekt propozim i Qeverisë, sepse në fund të tekstit është emri i shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka pyetur Kujtim Shala.

Kurti është përgjigjur, duke thënë se rezoluta është e të dyve dhe se s’dallojnë asnjë pik në qëndrim.

“Është edhe e imja edhe grupit parlamentar, dhe kemi vënë firmën e njërit, pikërisht që të mund të diskutohet me grupet parlamentare, për versionin final”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti: Ka diçka të veçantë në referendumin serb

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është hera e parë që Serbia po tenton të mbajë referendum të saj në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.

Ka diçka të veçantë sepse më herët s’ka pasur referendum të Serbisë ka pasur zgjedhje, herën e fundit ka qenë referendumi i tyre në vitin 2006. Prej se është shpallur pavarësia kjo është hera e parë që Serbia dëshiron të mbajë referendum kushtetues në Kosovë. Tash të gjithë deputetët e kanë tekstin për çka ne se përjashtojmë edhe mundësinë e kontributit të të tjerëve”, tha Kurti.

Ai tha se Kuvendi e ka thënë gjithnjë fjalën e vet për çështje të sovranitetit.

“Kuvendi i Kosovës gjithnjë e ka thënë fjalën e vet për çështje të sovraniteti me këtë seancë kjo bëhet aktuale edhe sot, Kuvendi edhe rezolutën e vitit 2012 ka kërkuar nga qeveria është normale që Kuvendi kërkon nga qeveria dhe as tash s’ka si të jetë ndryshe. Kuvendi  e tregon vullnetin e vet politik dhe unë kam menduar që më së lehti është përmes kompetencës së kryeministrit për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme”, tha ai.

Gashi i LDK-së: Kam frikë për frikën që po e shfaq kryeministri 

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë që kryeministri Albin Kurti e ka shkelur Rezolutën për referendumin e Serbisë në Kosovës, duke mos e ndarë me deputetët, por duke e hartuar vet.

Gashi në Kuvendin e Kosovës tha se një nga pikat e kësaj Rezolute i është dukur epike.

“Vet kryeministri e ka shkelur që në fillim që tha një rezolutë të përbashkët e që prezantoi një Rezolutë që ne nuk e kemi. Akoma nuk e kemi në posedim. E lexoj kryeministri por besoj që pak nga ne mbajnë në mend se çfarë tha kryeministri, përveç një pike që mu duk pak më epike si pikë, ku kryeministri tha që Kuvendit t’i kërkojë kryeministrit që ta zbatojë Kushtetutën”, tha ai.

Deputeti i LDK-së deklaroi se nuk ka sens e as kuptim që një kryeministër t’i kërkojë Kuvendit që këta të fundit t’i kërkojnë atij që të respektojë kushtetutën.

“Nuk ka kurrfarë sensi dhe kuptimi kryeministër. Por ne jemi këtu për të diskutuar për çështje me interes shtetëror dhe nacional. Kur bëhet fjalë për këto diskutime ne jemi këtu të gjithë dhe kjo është një nga temat që ne jemi krejt bashkë dhe do të duhej që të ishim krejt bashkë, port çështja është se si të veprojmë drejtë”, tha ai.

Më tutje, Gashi deklaroi se është detyrë e kryeministrit që të veprojë në rastë të tilla pa e ngarkuar Kuvendin.

“Të them të drejtën kjo është detyrë e kryeministrit. Kryeministri e ka për detyrë, obligim kushtetues, ligjor dhe politik që të veprojnë. Ka nevojë që të ketë një ombrellë nga Kuvendi , hajde ta diskutojmë këtë draft-rezolutë  të shohim cilat janë pikat, të shtojmë edhe pikat e tona dhe t’ia japim atë mbështetje. Nuk po dalë këtu që ta dobësojë kryeministrin. Nga mënyra se si tingëllonte e draftuar Rezoluta e hartuar nga kryeministri, tingëllonte i frikësuar, i dobësuar. Ka nevojë për këtë trimërinë nga Kuvendi, këtu jemi dhe mundemi me ja dhënë”, ka thënë ai.

Gashi tha se ka frikë për frikën që po shfaq kryeministri Kurti në këtë rast.

“Nuk ka arsye që Parlamenti ta bëjë punën tënde. Nuk je kryeministër me korrespodencë, por je kryeministër i rregullt në të gjitha raste për të gjitha çështjet që të ngarkojnë me ligj dhe Kushtetutë. Këto janë detyrat e tua kushtetuese. Kryeministër po kam frikë për frikën që po reflekton sot ti në Kuvend”, tha ai.

Lista Serbe braktis seancën e Kuvendit për ndalimin e referendumit të Serbisë në Kosovë

Lista Serbe ka braktisur seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për ndalimin e mbajtjes së referendumit për ndryshime kushtetuese të Serbisë edhe në Kosovë.

Slavko Simiq nga Lista Serbe vendimin e institucioneve të Kosovës për ndalimin e mbajtjes së këtij referendumi e ka quajtur “shkelje të të drejtave të njeriut” dhe ka thënë se nuk dëshirojnë të qëndrojnë më tutje në seancë.

Simiq: Lista Serbe nuk do të merr pjesë në vazhdimin e seancës për referendum

“Me ndalimin që serbët të shprehen në referendum të dielën, kjo qeveri po vazhdon serinë e hapave antiserbe. Do të përkujtoj dërgimin e policisë speciale të armatosur deri në dhëmbë në mjediset serbe në veri, inicimin e proceseve gjyqësore të pabazuara kundër njerëzve tanë të shquar… Dhe tash si kurorëzim të gjithë kësaj, dëshironi që në zemër të Evropës të shekullit 21, të thyeni demokracinë dhe t’ua merrni serbëve të drejtën e shprehjes në referendum. E përsëris, ju po e shkelni të drejtat njerëzore dhe të drejtat demokratike, duke dashur që t’i mohoni… Ju bëj thirrje në emër të popullit serb dhe Listës Serbe që të rishikoni vendimin tuaj dhe të mundësoni shprehjen përmes referendumit në pajtim me parimet e deritanishme që kanë vlejtur në vitet e kaluara…Për të gjitha ato që u thanë, ju njoftoj se deputetët e Listës Serbe nuk do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës së sotme”, tha Simiq.

​Kurti paraqet rezolutën 8 pikëshe për referendumin serb

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paraqitur rezolutën tetë pikëshe para deputetëve për ta ndaluar mbajtjen e referendumit serb në Kosovë.

Në foltoren e Kuvendit, gjatë seancës së jashtëzakonshme, kreu qeveritar tha se përmes ndalimit të referendumit serb, askush, askujt s’po ia cenon të drejtën e votës, por vetëm po respektohen Kushtetuta dhe ligjet. Sipas tij, qytetarët serbë të Kosovës mund të votojnë përmes postës dhe Zyrës ndërlidhëse në Prishtinë.

Ai tha se praktikat e gabuara të kaluara nuk e arsyeton vazhdimit të gabimit të njëjtë.

Kurti: Një praktikë e gabuar e vendosur ndër vite nuk e arsyeton vazhdimin e gabimit të njëjtë

“Në situatën konkrete, askush, askujt s’po i cenon të drejtën e votës. Thjesht nisur nga fakti që detyrën e Ambasadës së Serbisë në Republikën e Kosovës e ushtron Zyra ndërlidhëse në Prishtinë, votimi për referendum mund të bëhet në këtë zyre në pajtim me ligjin dhe kushtetutën tonë. Natyrisht se duhet adresuar elefanti në dhomë, të gjithë e dinë se mbledhjen e kutive të qytetarëve të Kosovës për zgjedhjet në Serbi e ka bërë OSBE-ja në vitin 2012-2014-2016 dhe 2017. OSBE-ja këtë e ka bërë pas pëlqimit nga autoritetet vendore, por organizimin e zgjedhjeve siç e dimë e kanë bërë strukturat ilegale të Serbisë që janë financuar nga Beogradi. Serbët e Kosovës këto vite nuk kanë votuar si votues jashtë vendit, por si votues brenda vendit. Problemi nis te kushtetuta e Serbisë që e trajton Kosovën si njësi brenda Serbisë. Një kushtetutë që daton para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, përkatësisht nga vitit 2006. Megjithatë një praktik e gabuar e vendosur ndër vite nuk e arsyeton vazhdimin e gabimit të njëjtë. Pëlqimi i autoriteteve nuk është mbi ligjin e as më pak mbi kushtetutën. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe duhet të trajtohet si e tillë. Organizimi i votimit jashtë Zyrës ndërlidhëse është kundër parimeve kushtetuese të Kosovës”, tha ai.

Ai duke paraqitur rezolutën, tha se mbajtja e referendumit cenon sovranitetin dhe rendin kushtetutës në Kosovë.

Kurti: Mbajtja e referendumit cenon sovranitetin dhe rendin Kushtetues në Kosovë

“1. Kuvendi i Republikës së Kosovës, si përfaqësues i qytetarëve të Kosovës, shpreh qëndrimin e përbashkët se organizimi i referendumit të Serbisë në Kosovë cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Kosovës si dhe është në kundërshtim me kushtetutën, ligjet dhe praktikat ndërkombëtare. 2. Kuvendi kërkon nga Qeveria dhe institucionet gjegjëse të Kosovës që të marrin të gjitha veprimet brenda kompetencave të tyre për të mos lejuar cenimin dhe rendin kushtetuese të Kosovës nga mbajtja e referendumit të një shtetit të huaj në territorin e Kosovës. 3. Kuvendi rithekson përkushtimin e Kosovës për të garantuar dhe mbrojtur të gjitha të drejtat e shtetasve të Kosovës në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjet. Në këtë frymë Kuvendi i Kosovës afirmo të drejtën e qytetarëve me dyshtetësi që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në përputhje me standardet kushtetuese dhe praktikat ndërkombëtare. 4. Në rastin konkret të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë edhe shtetësinë e Serbisë iu garantohet e drejta të votojnë përmes postës, apo zyrës ndërlidhëse në Prishtinë. 5. Kuvendi thekson se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës, sikundër përfshirja e grupacioneve apo strukturave ilegale përbënë shkelje të qartë të Kushtetutës dhe praktikave ndërkombëtare. 6. Kuvendi shpreh kundërshtim ndaj veprimeve të vazhdueshme të Serbisë për të instrumentalizuar dhe keqpërdorin qytetarët serb të Kosovës në shërbim të politikave të veta armiqësore ndaj Kosovës. 7. Kuvendi mirëpret qëndrimet e prera të Bashkësisë ndërkombëtare për sundimin e ligjit në Kosovë dhe pret mbështetje për të drejtat legjitime dhe parimore të Kosovës. Pasi vetëm duke trajtuar në mënyrë të barabartë gjitha shtetet e rajonit garantohet stabiliteti, demokracia dhe fryma euroatlantike. 8. Kuvendi mbetet i përkushtuar për të dhënë kontributin e tij për mbrojtjes e sovranitetit dhe rendit kushtetues, si dhe të drejtave kushtetuese të të gjitha qytetarëve të saj. Si dhe avancimin e demokracisë dhe agjendës euro-antalinke në Kosovë. Ky qëndrim është parimor dhe nuk është kundër askujt. Është për të mirën e të gjithëve pa diskriminuar dhe privilegjuar asnjëri. Është edhe vlerë dhe dobi edhe e drejtë edhe drejtësi”, shtoi ai.

Kurti tha se shtetasit me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në shtet tjetër, por vetëm duke respektuar rregullat e shtetit përkatës.

Kurti: Shtetasit me shtetësi mund të votojnë duke respektuar rregullat nga shteti përkatës

“Votimi për referendumin që do të mbahet nga Serbia i garanton komunitetit joshumicë serb në bazë të kushtetutës dhe ligjeve në fuqi në Kosovë. Por ushtrimi i kësaj të drejte mund të bëhet nën ombrellën e normave juridike tonave, duke respektuar në mënyrë analogjike rregullat për votim jashtë vendit që vlejnë për qytetarët e Kosovës dhe të parapara me ligjin për zgjedhjet. Kjo nuk është diçka e paprecedent, përkundrazi edhe praktika evropiane e thotë të njëjtët që shtetet anëtare duhet t’i mundësojnë qytetarëve të tyre të marrin pjesë në procese zgjedhore. Ne këtu e dimë se shumë qytetarë tanë që kanë dyshtetësi nuk është e thënë që votojnë vetëm në njërin shtet, e shfrytëzojnë të drejtën për të votuar edhe në shtetin tjetër kur kanë më shumë se një nënshtetësi. Por gjithmonë duke respektuar rregullat e vëna për këtë proces nga shteti përkatës kur kryhet votimi”, përfundoi ai.

Kryeministri Kurti i përgjigjet Listës serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është përgjigjur Listës Serbe, e cila ka thënë se qeveria po vepron kundër serbëve dhe ka përmendur aksionet ne vëri për krimin dhe korrupsionin, duke thënë se po bëhet qëllimshëm ndaj tyre.

Gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit që po mbahet për të diskutuar për referendumin serb që dëshiron të mbahet në Kosovë, Kurti ka thënë se qeveri nuk është anti serbe dhe se ka ministër serb në qeverinë e tij, zëvendësministra e këshilltarë, përcjell Bota sot.

Ndërsa, për aksionet në veri, ai ka thënë se policia nuk zbaton urdhrat e qeverisë por të prokurorisë dhe se për krimin e korrupsionin nuk ka etni e nuk mund të ketë vetëm një etni që e bën atë.

Lista serbe ka thënë se nuk do të vazhdojnë të jenë pjesë e seancës pasi sipas saj është anti serbe.

Haradinaj: E mbështesim Qeverinë për referendumin serb

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se AAK-ja e mbështet vendimin e Qeverisë së Kosovës për moslejimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë.

Haradinaj tha se votimi përmes postës dhe ai përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë i përmbush praktikat ndërkombëtare.

“AAK vlerësojnë se referendumi kushtetues i Serbisë në Kosovë është jo kushtetuese dhe jo ligjor. Votimi me postë dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse në Kosovë i përmbush standardet ndërkombëtare të cilat poashtu i respekton edhe Republika e Kosovës. AAK=-ja kërkon nga institucionet e Kosovës që të mos lejojnë cenimin e rendit kushtueses”, tha ai.

Më tutje lideri i AAK-së u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

“AAK poashtu i fton qytetarët e Kosovës, veçanërisht të komunitet serbë në Kosovë që të respektojnë ligjet e Kosovës dhe poashtu mbështesin institucionet e Kosovës në zbatimin e ligjit. Me këtë rast AAK dhe grupi parlamentar i fton aleatët dhe ata të sigurisë që ta përkrahin Kosovën per ruajtjen e rendit kushtues të Kosovës”, ka thënë ai.

Lista Serbe vjen me një kërkesë për kryeministrin Kurti

Kryetari i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Slavko Simiq, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që ta ndryshojë vendimin dhe të lejojë mbajtjen e referendumit kushtetues të Serbisë në Kosovë.

Simiç tha se nuk do të vazhdojnë të marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme pasi sipas tij është anti-serbe.

“Nuk dëshironi që t’i lejoni serbët të shprehen në referendum, diskriminmi i popullit tonë është i qartë. Ju keni cenuar popullin tonë dhe t’ia vështirësoni serbëve jetën këtu. Çfarë të mirë ka sjellur aksioni që ju keni zaptuar disa shtëpi në veri. Në emër të Listës Serbe ju bëj thirrje që ta ndryshoni vendimin tuaj dhe të veproni mbi të gjitha ato parimet që jeni thirrur dhe të mos veproni në këtë kampanjën anti-serbe”, tha ai.

Tutje Simiq tha se s’do të vazhdojnë të jenë pjesë e seancës.

Ne nuk do të vazhdojmë të jemi pjesë e kësaj seance sepse nuk dëshirojmë të legjitimojmë diçka jolegjitime dhe anti-serbe”, tha ai.

Abdixhiku i drejtohet Kurtit: Nuk po guxon të marrësh vendime

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka folur në seancën e Kuvendit të Kosovës për çështjen e Rezolutës  për mbajtjen e referendumit serb në Kosovë.

Abdixhiku ka thënë se qëndrimi i LDK-së në këtë çështje është i ditur.

“Kjo nuk ka nevojë për trajtim të shumtë dhe parlamentar. Për LDK-në, mbajtja e referendumit të një shteti tjetër është çështje e mbyllur para se të nis. Përveçse jo-kushtetuese, është praktikë e papranueshme ndërkombëtare dhe në kundërshtim me parimet bazike të demokracisë. Në rastin specifik, referendumi i Serbisë mohon integritetin territorial të Kosovës dhe rendin tonë kushtetues”, ka thënë Abdixhiku.

Tutje, Abdixhiku ka thënë se Rezoluta s’ka kurrfarë fuqie, dhe një një situatë të tillë Kurti e ka obligim kushtetues që të veprojë për të siguruar mos-cënimin e integritetit territorial.

“LDK mirëpret respektimin e Kushtetutës, ky është qëndrimi ynë politik. E paqartë mbetet nevoja e kësaj seance dhe nxjerrja e një Rezolute. Këtë s’mund ta kuptoj dot. Kryeministri ka obligim kushtetues të zbatojë pa hezitim mekanizmat që sigurojnë rendin kushtetues.  Rezolutat janë shprehje e vullnetit politik që është shprehur publikisht dhe këto vullnete politike nuk guxojnë të definojnë vullnetin tënd kushtetues. A ka diçka rezoluta që të ofron si mjet, e që s’ta jep përgjegjësia kushtetuese.  Nëse në këtë seancë është provuar që të luhet pak shfaqje e fajësime, e shumë dramë, duhet ta kuptoni kryeministër për dallim nga praktikat destruktive në këtë Kuvend sa herë që Kosova është përballur me Serbinë, LDK refuzon të shkaktojë përçarje. Ne shohim përtej ngushtisë partiake”, ka thënë Abdixhiku.

Madje ai tha se një gjë është e qartë në këtë mes, se Kurti nuk po guxon të marrë vendim.

“Kryeministri nuk po guxon të marrë vendim. Ka zgjedhur Kuvendin ta ndajë presionin. Si duket, si me çdo temë. Ai nuk po arrinë t’i jap zgjidhjeve problemeve. Këto probleme që nuk zgjidhen me kohë, krijojnë situata tensioni”, ka thënë Abdixhiku.

“Në muajt në vijim, përplasja me faktorin ndërkombëtar do të vazhdojë. Ndërtimi i shtëpisë pa miq është i pamundshëm”, tha kreu i LDK-së.

Kusari-Lila (VV): Është momenti të mësojmë nga gabimet e së kaluarës – referendumi s’mund të mbahet

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë në seancën e thirrur për mbajtjen e referendumit të Serbisë se ky proces nuk mund të mbahet në territorin e Kosovës.

“Nuk bën të  mbahet referendumi i asnjë shteti në një shtet tjetër dhe as në territorin e Republikës së Kosovës. Nuk haset praktikë e tillë në vendin tonë dhe asnjë shteti sovran”, është shprehur ajo.

Ajo ka pyetur vendet aleate “nëse shtetësia e Kosovës kontestohet apo statusi llogaritet si i papërfunduar për të bërë koncesione me Serbinë?”.

“Për Republikën e Kosovës nuk ka asnjë dilemë sa i përket zbatimit të ligjit në territorin e saj.  Nëse kemi gabuar si shtet është momenti të mësojmë nga gabimet”.

Kurti tregon pikat e Rezolutës për referendumin serb, kërkon nga Kuvendi t’ia votojë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur sot në seancën e Kuvendit për Referendumin që Serbia po tenton ta mbajë edhe në Kosovë.

Kurti ka treguar një pjesë të tekstit të Rezolutës që do të miratohet ose jo sot në Kuvend

“Kuvendi duke u mbështetur në Kushteutë që përcakton se sovraniteti është i pandashëm dhe i pacenueshëm. Duke theksuar obligimet për mbrojtjen e sovranitetit me të gjitha mjetet dhe duke u thirrur në ligj. Si dhe faktin që praktika ndërkombëtare nuk njeh rast të votimit të një referendum nga një shtet në shtetin tjetër. Duke riafirmuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës që qytetarët me dyshtetësi të realizojnë të drejtën e votës. Duke përsëritur përkushtimin e Kosovës për fqinjësi të mirë. Në mbështetje të nenit 65 të Kushtetuës, në mbledhjen e seancës miraton këtë rezolutë si më poshtë”, thuhet në fillim të Rezolutës.

Rezoluta ka disa pika të cilat i ka cekur Kurti:

Kuvendi shpreh qëndrimin e përbashkët se organizimi i referendumit cenon sovranitetin dhe është në kundërshtim me Kushtetutën.

Kuvendi kërkon nga Qeveria që të ndërmarrin të gjitha veprimet për të mos lejuar cënimin e integritetit dhe sovranitetit.

Kuvendi synon përkushtimin për mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve.

Kuvendi afirmon të drejtën e qytetarëve me dyshtetësi për ushtrimin e të drejtës së votës.

Kuvendi thekson se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në Kosovë si dhe përfshirja e strukturave paralele, përbën shkelje të sovranitetit.

Kuvendi shpreh kundërshtim ndaj veprimeve të Serbisë për të instrumentalizuar serbët e Kosovës.

Kuvendi mirëpret qëndrimet e prera të bashkësisë ndërkombëtare për mbrojtjen e stabilitetit dhe ligjit.

Kuvendi mbetet i përkushtuar për të dhënë kontributin e tij për mbrojtjen e sovranitetit, avancimit të demokracisë dhe agjendës demokratike.

Tutje, Kurti ka thënë se askujt s’po i cenohet e drejta e votës, mirëpo se kjo duhet të bëhet në bazë të rregullativave në fuqi.

“Dua të bëj të qartë se askush askujt s’po i cënon të drejtën e votë. Nisur nga fakti që rolin e ambasadës e ushtron Zyra Ndërlidhëse, votimi mund të bëhet aty. Të gjithë e dijmë se mbledhjen e kutive të votimit e ka bërë OSBE në vitet e kaluara me pëlqimin e institucioneve të Kosovës por me organizim të strukturave paralele. Serbët e Kosovës nuk kanë votuar si votues jashtë vendit, por brenda vendit”, tha Kurti.

“Një praktikë e gabuar e vendosur në vite, nuk e arsyeton vazhdimin e gabimit të njëjtë. Kosova është shtet i pavarur. Organizimi jashtë Zyrës është jashtë ligjeve. Votimi në këtë referendum mund të bëhet edhe përmes postës. Për ta bërë të qartë që një qëndrim vetëm i Qeverisë, unë ju ftoj që ta votoni një Rezolutë”, tha tutje kryeministri.

“Kosova është shtet i ri dhe jo i madh, po kjo nuk do të thotë që ne duhet të shkelim mbi ligjet tona. Nëse dikush nuk na njeh, kjo s’duhet të na lëkund neve për njohjen që duhet t’ia bëjmë vetvetes”, ka thënë kryeministri.

Kurti: Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, askujt s’po i mohohet e drejta për votim

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka qenë i pari që ka folur në seancën e jashtëzakonshme për çështjen e mbajtjes së  referendumit të Serbisë në Kosovë.

Kurti ka thënë se votimi mund të bëhet vetëm me postë apo në zyrën ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë dhe në asnjë formë tjetër.

Kreu i ekzekutivit thotë se Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik dhe nuk i mohon askujt të drejtën e votës.

“Po e filloj këtë fjalë duke përmendur disa nocioni që të gjithë këtu i dimë, dhe për të cilat edhe krenohemi shpesh: sovraniteti, barazia, demokracia, pavarësia. Të gjitha këto nocione integruara në Kushtetutë marrin kuptim të plotë dhe kanë vlerë. Kushtetuta jonë shprehimisht përcakton që qytetarët janë të barabartë para ligjit. Përcaktohet saktë edhe përkufizimi i shtetit tonë si i pavarur, sovran dhe demokratik. Shtet që është multietnik dhe që qeveriset në mënyrë demokratike. Shtet që garanton liritë dhe të drejtat e njeriut. Liritë dhe të drejtat themelore vlejnë për të gjithë qytetarët, vlejnë edhe për votimin.

“Ushtrimi i kësaj të drejte të votimit duhet të bëhet nën ombrellën e normave juridike tona. Duke respektuar normat për votimin jashtë vendit dhe ligjin zgjedhor. Askush askujt s’po i cenon të drejtën e votës. Votimi për referendum mund të bëhet në zyrën ndërlidhëse në pajtim me ligjin dhe kushtetutën tonë. Serbët e Kosovës në këto vite nuk kanë votuar si votues jashtë vendit, por si votues brenda vendit. Problemi nis te kushtetuta e Serbisë që e konsideron Kosovën brenda vendit”, ka shtuar tutje kryeministri Kurti.

“Megjithatë një gabim i tillë, nuk e arsyeton vazhdimin e një gabimi të tillë. Kosova është shtet sovran. Organizimi i votimit jashtë zyrës ndërlidhëse është jashtë ligjeve. Votimi në këtë referendum mund të bëhet në këtë zyrë apo përmes postës.

Për ta bërë të qartë që një qëndrim i tillë është i të gjithëve edhe Kuvendit dhe qytetarë, do ta lexojë tekstin e një Rezolute pas pak”, ka thënë Kurti.

Kuvendi me një minutë heshtje për Reçakun e fillon seancën e jashtëzakonshme

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mbajtur një minutë heshtje në nderim të viktimave të Masakrës së Reçakut.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka kërkuar nga deputetët që me një minutë heshtje të nderojnë të rënët e Reçakut.

Image

 Kuvendi me një minutë heshtje për Reçakun e fillon seancën e jashtëzakonshme

FOTO GALERI

Të shtunën është shënuar 23-vjetori i masakrës së Reçakut, ku 45 civilë shqiptarë të pafajshëm ishin vrarë nga forcat ushtarake dhe policore serbe më 15 janar 1999.

LDK-ja e AAK-ja marrin pjesë në seancën për referendumin e Serbisë

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme në lidhje me referendumin e Serbisë në Kosovë.

Kurse deputetët e PDK-së nuk e shohin të arsyeshme mbajtjen e një seancë të tillë, prandaj edhe kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë.

Image

LDK-ja e AAK-ja marrin pjesë në seancën për referendumin e Serbisë

Kurti arrin në Kuvend, bashkë me të edhe LDK-ja

Kryeministri Albin Kurti ka arritur në sallën e Kuvendit për seancën e jashtëzakonshme rreth çështjes së mbajtjes së referendumit serb në Kosovë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila deri më tani ishte diskutabile nëse do të merrte pjesë, u pa në sallën e Kuvendit.

Image

LDK

Mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës.

Sot mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë të jashtëzakonshme, ku do të diskutohet lidhur me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në Kosovë. Seanca është thirrur pas kërkesës së kryeministrit Albin Kurti drejtuar kryeparlamentarit Glauk Konjufca.

Seanca do të mbahet në orën 14:00.

“Diskutim në lidhje me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Përmes një komunikate për media, Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se në seancë do të synohet të nxirret një rezolutë e përbashkët ku shprehet vullneti i deputetëve për mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i është drejtuar Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca,  me kërkesë për Seancë të jashtëzakonshme të Kuvendi/ Në përputhje me nenin 69 paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38 paragrafi 2b të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti i është drejtuar Kuvendit me kërkesë për Seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, për nesër, e shtunë, me datë 15 janar 2022, në orën 14:00. Në rend të ditës së kësaj seance të jashtëzakonshme është diskutimi në lidhje me synimin e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës.  Diskutimi nga kjo seancë ka për qëllim të nxjerrë një rezolutë të përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbi çështjen e lartshënuar”, thuhet në komunikatë.

BE-ja dhe shtetet e QUINT-it po kërkojnë nga kryeministri Kurti që të lejojë votimin e serbëve të Kosovës për referendumin që do të mbahet në Serbi të dielën bazuar në praktikat e më hershme të votimit, ku OSBE-ja ka mbledhur votat.

Këtë gjë po e kundërshton shefi i qeverisë së Kosovës me arsyetimin se “mbajtja e një referendumi në një shtet sovran i një shtetit tjetër s’është praktikë që pranohet nga asnjë shtet demokratik”.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se serbët e Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes dy formave, asaj me postë dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

Ambasadorët e ShBA-së, Britanisë, Gjermanisë, Francës e Italisë sot i kanë shkuar në zyrë edhe presidentes Vjosa Osmani. Pas këtij takimi të përbashkët ka folur kryeministri Albin Kurti, i cili ka treguar se do të thërrasë seancë të jashtëzakonshme.

Më pas, përmes një deklarate të përbashkët, kryeministri Kurti, presidentja Osmani dhe kryekuvendari Konjufca, pas takimit me QUINT-in, kanë njoftuar se nuk janë lëkundur nga qëndrimi për mos lejimin e organizimit të referendumit të Serbisë në Kosovës, ku OSBE-ja do të merrej me grumbullimin e votave sikur në votime të së kaluarës.

Në këtë komunikatë tri institucionet kryesore të shtetit kanë përsëritur qëndrimin se serbët me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë me postë apo në zyrën ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë.

Qytetarët e Serbisë, më 16 janar, do të deklarohen me “po” apo “jo” për një pyetje: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.

Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Serbia është obliguar për to në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Siç kanë shpjeguar vazhdimisht përfaqësuesit e BE-së, qëllimi i ndryshimit të kushtetutës së Serbisë është që të arrihet një gjyqësor i pavarur, pa ndikim politik dhe për sundim të ligjit.

Si rrallë herë, partitë opozitare në vend i kanë dalë në mbështetje Qeverisë së Kosovës. LDK, PDK dhe AAK po e kundërshtojnë mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.

Përkundër presionit ndërkombëtar ndaj Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë, liderët e tri partive opozitare janë në një vijë me kryeministrin Kurti, kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovës.

Në anën tjetër Departamenti amerikan i shtetit ka publikuar në faqen zyrtare kërkesën e ambasadave të QUINT-it për lejimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë.

Zyra për media e Departamentit amerikan të shtetit e ka publikuar deklaratën e përbashkët mbi Referendumin Kombëtar të Serbisë më 16 janar.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu