Nga: Gjergj Marku
MIRDITË. Nënshejt! E quajnë të tillë se gjendet pak metra poshtë Malit të Shenjtit, në bjeshkët më të larta të Mirditës verilindore. “Fshati më i bukur në Shqipëri, padyshim më i miri,- thonë një grup turistësh amerikanë, që kanë vendosur ta kalojnë fundjavën e një dite të nxehtë vere, atje lart në malet, që nga përfund luginës së Fanit duket sikur “takohen” me qiellin. Fshati i vogël, me fare pak shtëpi, ndodhet nën “sqetullën” e këtij mali me emër shenjtorësh. Dy male të tillë njihen në Evropë: një në krahinën baske të Spanjës dhe i dyti, këtu në majë të Oroshit.
Mali i Shenjtë në bjeshkët e Oroshit, shënohet si kryetempulli i Krishtërimit në Mirditë, një nga qendrat benediktiane kishtare më të famshme të vendit dhe më gjerë. Ndue Dedaj, një studiues i njohur i këtyre anëve, në librin e tij eseistik “Toka e Katedraleve”, thotë se ndoshta këtë tempull e themeloi ndonjë nga shenjtorët shqiptarë, që u sakrifikua aty. Gjithçka është “pronë” e shenjtit: Shkalla e Shenjtit (aty ai pat vënë këmbën e mbarë), Qafa e Shenjtit (pat kryer mbase ndonjë sakrificë sublime a heroizëm krishtëror), Kujt e Shenjtit, Qafa e Qirit` (ndizeshin qirinjtë e kremteve të mëdha), Nënshejti (fshat turistik në prehër të malit hyjnor) dhe mbi të gjitha: vetë Mali i Shenjtit.
***
Nuk është e lehtë për vizitorin të parashikojë se ç’ngjet me tërë qenien, kur ngjitet në atë mal të shenjtë dhe viziton fshatin në gjirin e tij. Jemi nisur pikërisht për atje, një ditë mesgushti në pikën e mëngjesit. Por, ndalesën e parë do ta kemi në Shpal, sepse nuk mund të kuptohet të mos ndalesh aty, jo thjeshtë se historitë janë kaq të lidhura në mes Shpalit dhe Oroshit, porse të duket si një pikë marrje energjish, për t’u ulur më pas deri në Reps, të ecësh tej luginës dhe për t’iu ngjitur kurrizit të maleve që vijnë e formësohen kaq përsosmërisht me njëri-tjetrin.
Prej Shpalit të historive mitike, mund të kundrosh si në pëllëmbë të dorës malet, kodrinat, lëndinat dhe livadhet e pafundme të Blinishtit, i jep të drejtë hovjes së brendshme të një gazetari të njohur, që e ka origjinën e lindjes në Blinisht, tek thotë këtu e ca vite më parë, se ky fshat është një mrekulli e veçantë. Në një prej lëndinave afër Kishës, janë bërë Kuvendet e famshme të Shpalit; miss Durham ka bërë një foto asisoj, që flet shumë në këtë vend, para 100 e ca vitesh. Por, për gazetarin, historia dhe bukuria e këtij vendi kanë qenë një simbiozë interesante, aq sa ia shtie paksa zilinë për Oroshin, që i rri “mbi krye” këtij vendi përsosmërisht të bukur: “Nuk e di përse Blinishti nuk është vënë në radhën e peizazheve më të mira të vendit tonë? Gjithnjë kam menduar se i bën hije Oroshi. Oroshi është fshati që çdo mëngjes zgjat dorën dhe nga prapa Malit të Shenjtit, merr lëmshin e ndezur të diellit dhe i thërret Blinishtit: “Ej, ja ku e ke diellin, gëzohu tani!”. E pra, në këtë ditë vere, dielli në lindje është vërtetë magjepsës.
Orosh, aty ku oshëtijnë legjendat kishtare
E lëmë Blinishtin e bukur, për t’iu afruar fshatrave më të afërt të Oroshit. Ka dy rrugë për të vijuar; njëra, ajo tradicionale, për nga ku vite më parë ngarkoheshin skodat e mëdha me trupa pishe, ahu, bredhi e arneni dhe uturima e tyre çante në mes pyjesh të larta e të harlisura, por që tashmë fatkeqësisht ngjajnë të përzhitura si sheshe lufte. Rruga tjetër, është ajo nga shumë e shumë vite më parë kalonte rruga e pajtoneve, mëse 600 vjeçare ndoshta, që lidhte Shkodrën me abacinë e më tutje, për Fanë e Prizren. Gjurmët e saj duken ngado…
Rruga fillon aty ku ndodhen si të lidhur, dorë për dorë, tetë lisa të gjatë shumëshekullorë. Quhen Lisat e Marpepajt. Mund të jenë 2 a 300-vjeçarë, si një simbol vendkuvendesh. Nuk dihet si ka ardhur kjo toponimi, thjeshtë si një kodër a sinor i dikujt, apo të sjellurit e faktit të një legjende, kur këtu ishin mbledhur njerëzit e urtë të Bajrakut, për të kuvendur se deri ku mund të shtrihej marrja dhe dhënia e vajzave për martesë. Kaloj atypari Mara e Pepës, me një barrë dru në shpinë dhe tha vetëm kaq fjalë: “A u lodhët, vllazën?!”. Kaq, sa më pas konstitucioni pleqësor ta zgjidhte problemin: Në bajrakun e Oroshit, nuk do merrej e jepej! Kështu i mbeti Lisat e Marpepës. Këta nuk janë prerë, por nuk duket gjëkundi nëse janë apo jo monumente natyrore, asgjë të shënuar nuk ka aty.
Rruga për Kodër Kolike, është bërë kohët e fundit dhe lidh Repsin me Grykë Oroshin. Është një rrugë dosido, por ka një pamje befasuese, teksa ngjitemi me makinë nën përkundjen e saj në gropa e karagjata. Dikund jemi ndalur për të filmuar luginën e Fanit të Vogël; poshtë kësaj kodre shtrihet Mashtërkori me tri lagjet e tij; Mashtërkorin vetë, Zajsin dhe Shmrinë. Pamja është ndjellëse, kësaj lugine pritet të kalojë dhe autostrada për të vijuar për Fan e më tej, për Thirrë e Kalimash, Kukës e Kosovë. Inxhinierë anglezë dhe francezë duken me instrumente në duar, tek përcaktojnë “gjurmën teknike” të rrugës së re.
Më tej, vjen Abacia e Oroshit, sot është një kishë e ngritur mbi rrënojat e të parës, aty ku dikur u përdor për zyra kooperative dhe stallë bagëtish. Ka qenë unikale në të ndërtuar, por dhe me një bibliotekë shumë të pasur, që u shkatërrua dhe u dogj. Mund të jetë ndër kishat që ndjekja dhe plaçkitja e ka shoqëruar, si kurrë ndonjë tempull të tillë. Nga rikonstruksioni i vonshëm, duket se origjinalitetin e ka ruajtur disi këmbanorja që rri përkundruall Grykë Oroshit dhe Bulsharit, në një vijë prerjeje të pjerrët nga lart, me rrënojat e Sarajeve trekatëshe të Gjomarkajve, derës së njohur të Kapedanit të Mirditës dhe nga poshtë me ish-Internatin. Aty tashmë nuk qëndron askush, qoftë dhe për faktin se atributet e hershme i ka marrë Katedralja e re Rrëshenit, por, sidoqoftë historitë është pak zor të zbresin prej këtu.
Duke u ngjitur prej këndej gjithçka të vjen si një oshëtimë legjendash kishtare dhe se malet e sipërme të Nënshejtit, këtij vendi të papërsëritshëm mbase në Ballkan, e kanë zbukuruar veten e tyre me mbiemrin “shenjti”. Ngjitemi sipër rrugës së re të hapur nga vetë ata pak banorë që i kanë mbetur këtij fshati piktoresk. Pamja sipër malit me shkëmbinj të bardhë dhe poshtë në luginë, që zgjatet e zgjatet drejt Fanit, janë një mrekulli më vete. Dikur kjo rrugë këmbësorësh fshihej e tëra nën hijen e pishave të larta me trupin kavall të drejtë, pyje të moçme e kroje freskuese ndër udhnaja, dhe bash për këtë, udhëtari nuk e ndjente lodhjen dhe udhën e gjatë të përpjetës. Krejt ndryshe është tani, rrënimtarët i kanë vajtur me sëpatë dhe pishës së fundit, mijëra ha pyje janë shuar si pa ndjerë. Vetëm dy a tri pisha aty, nuk i kanë prekur, sepse shenjat e kryqit i kanë shpëtuar këto dy pemë. Kryqe që janë stampuar me rifitimin e lirisë së besimit.
Fshat i kullave alpine
Pak metra na ndajnë nga Nënshejti, atje ku ne duam të rrimë gjatë me kamerën e A1TV. Fshati duket i heshtur. Fare pak frymë kanë mbetur aty. Dimri, thotë një banor, është ende më i trishtë nga tymi i pakët që del tek-tuk në ndonjë oxhak të këtyre kullave. Nënshejti dallohet për kullën tipike dykatëshe; numërohen tetë kulla të mëdha, të tjerat janë shtëpi alpine përdhese, ndërsa thuajse tërë kullat mbulohen me fruxha, me përjashtim të njërës që ka përdorur tjegullën.
Kanë mbetur në fshat vetëm të moshuar, të rinjtë janë larguar. Edhe ndonjë dorë qepë a hudhra mbillen nga pleqtë, që nuk e kanë dëshirë të shkulen nga dheu i të parëve. Por një gjë nuk arrin ta kuptosh këtu: edhe pse njerëzia ka zbritur në qytete a fusha, rrethimet me tela me gjemba të copave të arave, është gjëja më e padëshiruar për syrin e vizitorit. Ato sikur ua kanë vjedhur lirinë livadheve të bukura.
Por, edhe pse banorë të shumtë u kanë ikur kullave e shtëpive në një vend kaq piktoresk si Nenshejti, ka të tjerë që vijnë e kalojnë tërë verën e freskët si këtu. Njëri prej tyre është Gjovalin Ndoj, një mësues i nderuar në pension. Ka ardhur nga Tirana me gruan dhe mbesën e vogël, Algidën. Ai bëhet shoqëruesi ynë, me njohjen e admirueshme që ka për fshatin e tij të lindjes, ndërsa Algida e vogël zë shoqëri me ne pas disa minutash heshtjeje. Duhet përmendur një fakt: këtë shtëpi, Gjovalini e ka bërë me lekët e pensionit, një shtëpi e thjeshtë alpine, ku gjithçka e ka sajuar vetë, me drurin e veçantë të këtyre anëve. Është një bisedues i këndshëm, ndërsa pasioni i lexohet lehtë për këtë vend, që me freskun, ujin, bulmetin, qetësinë joshëse, po ia mban larg sëmundjen që vuan, ashtu sikundër i ka dhënë udhë frymëzimit të tij, për t’i dhënë këtu dorën e fundit një romani.
Ne vijojmë t’i biem kryq e tërthor fshatit dhe nuk dimë ku të ndalemi më parë, qoftë aty ku ka apo ku nuk ka njerëz; edhe ato kullat e kyçura “na presin” me shumë dashuri, na presin si dëshmitare të një jetë të bërë këtu e dhjetëra shekuj, anipse ky vend u popullua më së pari nga barinj të ardhur nga fshatrat poshtë të Oroshit, për t’i vendosur stanet e tyre këtu në prehër të Perëndisë! Mbase pa e ditur se po vinin në këtë vend me shumë histori, me histori që fillonte prej murgjish tradicionalë, e që më vonë me hreformimin e institucionit të kultit u bënë pastorues të denjë për besimtarët.
Kullat e këtij fshati, pos ndërtimit me gurë të bardhë dhe tavanet karakteristike, të veçantën e kanë pasur tek dyert; nuk dihet përse u është kushtuar kaq rëndësi atyre. Ustallarë të përmendur e kanë latuar e gdhendur mjeshtërisht gurin e fortë të këtyre viseve. Këtë na e shpjegon dhe Gjet Ndoj, duke përmendur ustain legjendë të ardhur nga Fani, Ded Halili, ndërsa na e servir një gotë “raki vendi” në oborrin e jeshiltë të rrethuar me gardhe karakteristike. Gjeta e ka organizuar jetën saktë dimër-verë, ndonëse djemtë kanë rënë poshtë, ata nuk harrojnë të vijnë tek prindi i tyre, dhe kjo mbetet lidhja më e mirë e breznive me dheun e të parëve.
Nënshejti shquhet për livadhet, era e luleve të tyre është tejet e këndshme. Kemi ardhur tamam në ditët kur mbi barin e livadheve bie kosa e kostarit nënshejtas. Në këtë livadh janë katër prej tyre, të vënë në një vijë të drejtë. Është profesion i lodhshëm, por i bukur dhe shumë special, jo kushdo mund të kosisë. Në mes katër vetëve, vetëm një i ri e preferon kosën. Sidoqoftë, një bisedë me ta, aty në livadhin barkplot, është shumë tërheqëse.
Por, fshati ka problematikë të theksuar, që nis nga rruga, qendra shëndetësore dhe arsimi. Janë tre komponentë që e kanë zbrazur me pa të drejtë këtë fshat. Zef Biba, njëri prej banorëve, na i thekson më me forcë këto probleme, duke shtuar se thjeshtë për një rrugë më të mirë, 15 fëmijë nuk vazhdojnë më tej se filloren.
Mikpritja, traditë e hershme
Gjovalin Prenga është nga ata djem, që i gjendet fshatit, mësuesi i dikurshëm, më pas biznesmeni i lëndës drusore, tepër i kujdesshëm në prerjen e pyjeve sipas “zonave të damkosura” nga organe kompetente. Ai ngjitet shpesh këtu në fshat. Nuk e ka harruar kullën dhe pleqtë që jetojnë këtu. Është pikërisht ai që na pret tek shtëpia e tij, me një ndjenjë miqësie të thellë dhe bujarie tipike mirditase. Rruga na ka lodhur dhe të hamë diçka të rastit e kemi të nevojshme; buka që gatuhet në furrën e oxhakut aty në odën e ndenjes, duket sikur na e bën me sy dhe e shoqëruar me qumësht të ngrohtë të sapo mjelë e mjaltë vendi, apo djathi i dhive, janë një ushqim shumë i shijshëm me cilësitë bio.
Kemi shtruar muhabetin me të atin, Gjonin, i cili për sëmundjen që e mundon prej kohësh, gjysmën e vitit e kalon në Tiranë afër spitaleve, ndërsa muaj të tërë veron këtu në këtë “spital” të madh natyror. Bora është më e vogla e shtëpisë dhe hapat e para i ka hedhur në këto lëndina të buta, si një qilim i hijshëm bjeshkor. Gjovalini flet me aq pasion për fshatin e tij të lindjes, duke na kujtuar se fillesat turistike duken dhe me këto ardhje të bijve të tyre. Është vend që mund të frekuentohet shumë tani verës, por dhe në dimër për fushat e gjera për ski, apo vende të tëra për alpinistë.
Të mbetet merak që nuk arrin të takosh një njeri, bir i këtyre anëve, piktorin dhe aktorin e njohur Llesh Biba, i cili ka blerë një tokë këtu dhe ka krijuar një ansambël surrealist natyror, ku shkëmbi i bardhë alternohet me ca baraka me dërrasë pishe, goma makinash, një bunar uji, dhjetëra arra “të lidhura” dorë për dore, të mbjella ndanë gardhit rrethues, dhe një “ekspozitë” me trungje pemësh të mëdha. Duken si një muze pemësh, sepse këto lloj pemësh me trashësi të tilla tipike për këto bjeshkë, tashmë nuk gjenden këndej, ato janë asgjësuar nga sëpatarët, pa pikën e mëshirës. Me këtë që dikur mund të shërbejë dhe si një muze natyral i fshatit, piktori, që duket se vjen nga legjendat, mbase don` t’u tregojë të ardhurave se pyjet e këtij vendi, të këtyre përmasave kanë qenë.
Duke u ngjitur pak më sipër fshatit, këtu bukuria natyrore flet vetë. Dominuese janë livadhet dhe pak më lart një krua, që është vënë mbi lugjet për t’u shuar etjen bagëtive. Të pish këtu duhet të matesh mirë, uji i kristaltë ka ftohtësinë e një shisheje të kallkanosur në frigorifer. Kanë ardhur këtu para dy ditësh një ekip turistësh amerikanë me helikopter dhe janë mahnitur nga këto pamje; pa mëdyshje, e kanë radhitur ndër fshatrat më të bukur të Evropës.
Fshati tashmë, është i tëri poshtë nesh, ndërsa dalin më në pah hiret e tij si një nuse e bukur, tek të duhet fare pak të zgjatësh dorën, si për “t’u takuar” me qiellin. Banorët e fshatit, na thonë se keni bërë shumë mirë që keni ardhur në këtë fshat. Kjo të çudit vërtetë, përse një gazetari, një grup të rinjsh, një grup studiuesish a njerëz të qeverisë e të pushtetit, u dashka thënë se “paskan bërë mirë” që kanë parë një vend që do ta kishte zili dhe Zvicra, për pamjen unike që paraqet! Prej këtu në majë të Nënshejtit, me Tiranën, shënohet kilometri i 123! Imagjinojmë sa afër jemi, e nuk njohim viset e vendit tonë. Na kujtohet një shënim i një studiuesi korçar, këtu e 80 vite të shkuara, kur pikërisht këtyre udhnajave në mes të dimrit, shoqëron dy antropologë amerikanë, burrë e grua. “Shqiptarë jemi, po Shqipërinë nuk e njohim mirë!”. Dhe reportazhi ynë, vjen si një lloj apeli për t’i kthyer sytë nga këto bukuri të virgjëra.
Tek Shpella e Akullit
Gjithsesi, këtu nuk është fundi i udhëtimit tonë, sepse pikërisht duke u ngjitur në majën e Shenjtit, fillojnë dhe surprizat, me histori, e sidomos monumentet e shumta natyrore tepër befasuese. Njëra prej tyre, është Shpella e Akullit. Gjendet në mes Breshtës së Oroshit; ka histori me këtë masiv të stërmadh malor, që lidhet me pyjet e dendura, sa të hyje aty në mes të ditës, nuk e merrje vesh nëse je një orë të ditës apo të natës. Kjo i ka ngatërruar jo pak herë udhëtarët lurianë, ndonjëri për të rënë dhe pre e vdekjes nga të ftohtit, mundimi nëpër labirinthet, ujqit dhe arushat. Por tani pylli, dikur aq i dendur, është zvillatur, sepse ahet, arneni dhe pishat, janë prerë pamëshirshëm dhe gropat karstike duken pa jetë, pasi mungesa e bimësisë nuk ua jep më mundësinë e mbajtjes së ujit. Minilivadhet e këtushme kanë gjithë llojet e luleve, por manadredha e egër alpine është fryti karakteristik shumë medicinal dhe i shijshëm. Nuk rrimë dot pa mbledhur prej tyre.
Më pas i afrohemi Shpellës së Akullit, deri tek buza e saj e fshehur tutje një livadhi, në mes shkurresh të larta. Të futesh brenda është aventurë, gjithsesi Pali, shoferi ynë, guxon më tepër dhe bie deri teposhtës së thiktë për të bërë dhe filmime. 7 metra dëborë është e brezuar aty poshtë, ndërsa tutje, në një kthinë shpelle, fshihen akullnaje në formë stalagmitesh e stalaktitesh. Janë një mrekulli, që dhe ne i shijojmë përmes pamjeve që ka mundur të filmojë kamera. Na thanë se jemi të vetmit, pas një grupi amerikan, që kemi filmuar aty, por amerikanët patën me vete shkallare e litarë. Pra, sa vlen për të vënë ca shkallë deri poshtë dhe për të thithur turistë në këtë vend?!
Më tutje është shpella tjetër, ajo e Stërçokëve, ka një thellësi shumë të madhe dhe fundi i saj takon me një rrjedhje lumi që bie në Urakë, provojmë të hedhim gurë që kërcasin pas disa sekondash, aty është vështirë të eksplorosh. Janë shpella që kanë shumë histori dhe legjenda të vërteta e të stisura. Por, një gjë është e vërtetë, të quajturit “komitët e maleve” e kanë shuar etjen në dëborën e shpellave në mes të verës, ashtu siç dhe njihen masakrat e serbit mbi 11 burra lajthizakë, kur trupa malësorësh të pafajshëm u copëtuan aty brenda.
***
Ngjitemi me makinë që çan në mes livadheve, aty ku dhen`, lopë e dhi të shumta, i janë lëshuar njomëzes së shijshme të malit. Jemi ndalur në Shkallën e Shenjtit, para një peme të lashtë me shumë histori. Quhet ULTI. Kanë qenë dy të tillë, por njëri nga binjakët iu dorëzua sfidës së jetës. Ato përbëjnë dhe dëshminë më autentike për moshën e Kuvendeve. Sipas gojëdhënës, 6 ultinjtë u sollën nga Roma, si fidanë të njomë nga themeluesit e Kuvendit Benediktian para ndo` 900 vitesh. Tani rron vetëm ky ulti me shumë degë, pritës dhe përcjellës të njerëzve, stinëve dhe moteve, si një predikues i mirësisë njerëzore, si një kronikan i historisë dhe mrekullisë së Malit të Shenjtë predikator.
Ansambli kishtar i kompozuar në mënyrë perfekte, abacia e vjetër e Shën Llezhdrit, kisha e Shën Gjergjit, kisha e Shëngjinit, Kisha e Shëlbuemit, Kisha e Petkut (për vendosjen e petkave të të vdekurve), akademia e hershme gjysmë laike, aty ku mendohet të jetë ndërtuar me xhama kristal, shenja të të cilëve janë gjetur deri vonë, qelat, kambanoret, rezidenca verore e abatit etj, etj, kroje dhe livadhe të pafundme…
Ky është Nënshejti, një dekor plot hijeshi dhe madhështi, një qytezë e rrallë e krishterimit, që të thërret dhe sot të ngjitesh të shijosh këto mrekulli të vendit tonë, anipse asgjëkundi ky vend, nuk është shënuar si Park Kombëtar apo Park Muzeal, nga më të rrallët në Shqipëri.