Poezi nga Behlul Jashari
___
Një këngë arbëreshe natë e ditë të këndon
MOJ E BUKURA MORE
Më vjen si valët e Jonit si puhi e Alpeve
Det as bjeshkë se ndanë as s’e ndalë
Dashurinë e mallin për Arbërinë
Moj e bukura More
Poeti Serembe përtej shtatë deteve të kërkoi
Deri në çmendi deri në vdekje
Në det iu mbytën vargjet këngët
Përjetë mberti ajo dashuri ajo këngë për Ty
Më vjen si valët e Jonit si puhi e Alpeve
Më vjën si nga ëndërrat E Bukura More e Re
Me emrin e lashtë të tokës arbërore
A ta dua si bukurinë a si atdheun a si motrën
A mundem të mos e dua kur shumë e dua
Det as bjeshkë se ndanë as s’e ndalë
Ndjenjën për dashurinë etjen për bukurinë
Edhe kur e fshehim edhe kur e kemi të ndaluar
Edhe kur vetëm një Dritë e kam dritë në jetë
Që veç një herë lind kurrë pa përënduar
Dashurinë e mallin për Arbërinë
Një këngë arbëreshe përjetë e këndon
Moj e Bukura More
Ajo këngë shetitë nëpër kohë e botë
Herë mbushë zemrat gëzim herë mbushë sytë me lotë
***
(Shënim i 8 Shtator 2024: Kjo është një vjershë imja e fillimit të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, që e përshkruajta sot nga dorëshkrimi, ku ishte pa titull. Është një nga dorëshkrimet e mia letrare të pakëta që i shpëtuan zjarrit e zhdukjes gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999. Pas muajëve që i kalova si refugjat lufte, kur u ktheva në Kosovë shumë dorëshkrime të tjera, mes tyre tre libra poezishë (Ora e Diellit, Prohona, Kurdelkuqja), nuk i gjeta ku i kisha lënë a fshehur bashkë me librin tim Ecim kah një mrekulli, të botuar në vitin 1973 nga Shtëpia Botuese Rilindja në Prishtinë. Forcat serbe edhe kishin uzurpuar banesën time, ku nuk munda të shkoja kur duke raportuar si gazetar i akreditur te forca më e madhe ushtarake planetare nga kolona e tankeve të para të NATO-s që hyri në Kosovë në Ditën e Lirisë – 12 Qershor 1999 mbërrita në Prishtinë…)