Florim Zeqa
Shqiptarët e Kosovës rezistencën aktive paqësore të viteve të ’90-ta dhe luftën çlirimtare e bënë për t’u liruar nga pushtimi i gjatë dhe për ta gëzuar jetën në shtetin e ëndërruar ndër shekuj, por assesi për të bredhur rrugëve të botës dhe të harruar nga shteti i tyre!
Luftën e fituam me ndihmën e miqve ndërkombëtar, po e humbim Kosovën e lirë nga politikanët tonë
Bota e civilizuar dhe demokratike na çliroi dhe na ndihmojë të ndërtojmë shtet ligjor dhe demokratik, por ne jemi ata që po e rrënojmë çdo gjë me dorën tonë.
Kosova sikurse çdo shtet i rajonit i ka të gjitha institucionet shtetërore, publike si dhe ato të pavarura të shkruara në letër, por të gjitha janë të ndikuara nga të fortët e politikës në pushtet dhe opozitë.
Kosova sikurse çdo shtet tjetër i rajonit e ka Kushtetutën dhe ligjet e shkruara në letër dhe të aprovuara në Parlament, por, për të mos thënë hiq, fare pak prej tyre zbatohen në praktikë.
Kapja e sistemit të drejtësisë nga të fortët e politikës dhe grupet e interesit, ka bërë që në shtetin e lirë dhe të pavarur të Kosovës të mos ketë barazi ligjore!
Njerëzit e veshur me pushtet dhe milionerët janë të paprekshëm nga ligji dhe drejtësia, sikurse që janë të paprekshme nga drejtësia bandat e parapolitikës që veprojnë në kundërshtim me ligjin dhe barazinë qytetare.
Mbrojtësit e rendit dhe ligjit gjithnjë mbeten të pafuqishëm në dënimin e veprave korruptive dhe kriminale të profilit të lartë. Si pasojë e kësaj situate, përformanca e prokurorëve dhe gjyqtarëve mbetet të demonstrohet vetëm tek peshqit e vegjël apo tek qytetarët që nuk janë të lidhur me grupet e interesit.
Të fortët e politikës “Cosa Nostra” kosovare
Të fortët e politikës dhe bandat e grupeve të interesit bëjnë çfare të donë në shtetin e lirë; vjedhin dhe dhunojnë, vrasin dhe plaçkisin qytetar të zakonshëm, rrahin polic dhe kërcënojnë prokurorë e gjyqtarë.
Me një fjalë janë bërë “Cosa Nostra” kosovare që kontrollojnë çdo gjë në këtë vend! Nuk njohin ligje dhe as drejtësi, nuk njohin shtet dhe as barazi!
Jam thellësisht i bindur sikur Kosova pas çlirimit nga Serbia të kishte arritur ta ketë një funksionim të mirëfillt të sistemit të drejtësisë dhe rend demokratik siq e kanë vendet e lira, sot do të ishte njëri ndër shtetet më të zhvilluara të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm.
Edhe përkundër faktit se jemi njëri ndër vendet më të pasura nëntokësore, resurse të bukura natyrore dhe me tokë të plleshme bujqësore, si pasojë e kapjes dhe uzurpimit të institucioneve të pavarura nga të fortët e politikës dhe bandat e parapolitikës, sot kemi mbetur vrimë e zezë dhe vend i pashpresë për jetë në Ballkanin Perëndimor.
Ikja nga vendi, zgjidhja më e dhimbshme e qytetarëve të zgjënjyer
Asnjëherë përgjatë pushtimeve të gjata, nuk e kemi pasur një largim kaq të madh dhe në vazhdimësi të shqiptarëve nga vendlindja e tyre siq po ndodhë viteve të fundit në Kosovën e lirë. Përllogaritjet e viteve të fundit tregojnë se për çdo vit kalendarik nga Kosova janë duke u larguar me dhjetramijrëra të rinjë dhe familje të tëra drejt vendeve evroperëndimore në kërkim të një jete më të mirë.
Shkaqet e largimit janë të shumta dhe të shumllojshme, filluar nga ato socio-ekonomike si produkt i pagave të ulëta, mungesës së përspektivës zhvillimore dhe mungesës sigurimeve shëndetësore.
Nuk ka gjë më të dhimbshme sesa ikja nga vendlindja, nga vendi ku je rritur dhe shkolluar me shpresën për një vend pune dhe ardhmëri në shtetin për të cilin ke punuar dhe luftuar deri në çlirimin e plotë.
Nuk ka gjë më të trishtë sesa rrëfimet e luftëtarit të lirisë, pjesëmarrësit të tri luftërave çlirimtare në fundin e shekullit të kaluar i cili dy dekada pas çlirimit detyrohet ta lëshojë Kosovën: “Në çfarë gjendje e sollën Kosovën politikanët dhe një pjesë e ish komandantëve të luftës, as Serbia nuk do të mund ta bënte më zi…”!
Mbase ky nuk është rrëfimi i vetëm i luftëtarëve të vërtetë të lirisë, të cilët u barazuan me tradhtarët dhe dezertorët nga abuzuesit e vlerave sublime të lirisë. Me siguri qytetarëve ju kujtohen edhe disa rrëfime dhe videoinçizime ku shihen çlirimtarët në shenjë pakënaqësie duke i grisur apo djegur librezat e UÇK-së!
Andaj, është momenti i fundit për reflektim për ndryshimin e kursit politik në vend.
Sa më parë dhe pa humbur kohë Kosova duhet të bëhet shtet funksinonal në kuprimin e plotë të fjalës, ku prokurorët dhe gjyqtarët nuk ua kanë më frikën njerëzve të veshur me pushtet dhe bandave të “ushtrisë së natës”, por e kundërta, politikanët e profilit të lartë dhe të ulët t’i kenë frikën ligjit dhe drejtësisë, siq është në të gjitha vendet e lira dhe demokrtatike.
Kjo mund të ndodhë vetëm atëhere kur pushtetarët dhe të fortët e politikë heqin dorë nga privilegjet e shtetit dhe e respektojnë ligjin dhe drejtësinë.
Vetëm në këtë mënyrë Kosova mund të bëhet vend i dashur për qytetarët e saj dhe tërheqës për investime kapitale të mërgatës tonë si parakusht për kthim të shpejtë në vendlindje. Në të kundërtën, nuk ka kush e ndal zbrazjen në heshtje të Kosovës nga qytetarët.