ARKIVI:
27 Dhjetor 2024

Monedha vendëse, monedhë e shenjt, leku, baza e transaksioneve në tregun e brendshëm

Shkrime relevante

Kryeministri merr rolin e gjykatësit!

Florim Zeqa I gjithpushtetshmi i vendit, Kryeministri i cili nuk i respekton...

Serbja Sonja Biserko, zëri i së cilës nuk po dëgjohet nga ndërkombëtarët, “analistët tonë” dhe disave nga opozita e Kosovës

Nga: Gani Mehmeti Biserko: Lista Serbe është përgjegjëse për gjithë situatën në...

Vargje me nismë të mbarë, recension për librin e Bashkim Halilajt, “Gjurmë ecjesh“

Shefqet DIBRANI VARGJE ME NISMË TË MBARË Bashkim Halilaj, “GJURMË ECJESH“, vargje, botoi...

Pabesueshmëria e absurdeve të “BIG BROTHER”

Nga: Lirim Gashi Sara nga Tirana dërgon çdo ditë lutje në qiell,...

Shpërndaj

             Nga: Agim Binaj                   dhe                            Fahri Dahri

Tregu dhe publiku në vëndin tonë janë duke përjetuar situata shumë të vështira ekonomike, të cilat I ka përkeqësuar akoma më shumë një luhatje e paparashikuar e kursit të këmbimit me lekun. Leku shqiptar është monedha kombëtare në vëndin tonë; ndërsa Euro është monedha e Bashkimit europian dhe njësia monetare në shumicën e vendeve të Europës dhe jashtë BE-së (eurozona). Banka e Shqipërisë zbaton në këmbimet valutore regjimin e lirë të kursit të këmbimit. “Vlera e lekut kundrejt valutave të huaja përcaktohet lirisht në tregun e këmbimit valutor. Luhatjet e kursit të këmbimit reflektojnë lëvizjen e lirë të mallrave dhe kapitalit shqiptar në shkëmbimet tregtare dhe financiare me partnerët e saj tregtarë”. Kursin zyrtar të këmbimit si dhe vlerën mesatare të çmimeve të blerjes (bid price) dhe të shitjes (ask price) për monedhat e euros, e llogarit Banka Qendrore bazuar në kuotimet, brenda standardeve të pjesëmarrësve, në tregun ndërbankar.

Teorikisht, në sjelljen ndaj kurseve të këmbimit që praktikojnë bankat qëndrore të vëndeve të ndryshme njihen dy lloje kursi këmbimi: Kurse fikse të këmbimit valutor, që përcaktohen zyrtarisht nga shteti dhe janë relativisht të pandryshueshme. Niveli i tyre përcaktohet dhe garantohet nga Banka Qëndrore, nëpërmjet blerje-shitjes së valutave në raport me nevojat e tregut valuator dhe përdorimit të rezervës valutore. Kurse fleksibël të këmbimit valutor që përcaktohen nga faktorët që përcaktojnë kërkesë-ofertën për valutën vendase në raport me valutat e huaja në treg.

Nëse kurset e këmbimit midis dy apo më shumë valutave dalin jashtë kufijve ekonomikë, jashtë raporteve llogjike apo që përcaktohen nga faktorë që konsiderohen si zhvillime të pakontrolluara të tregut, dalin jashtë limiteve të dëshiruara, siç është situata aktuale në vëndin tonë, shtetit i lind e drejta dhe detyrimi të ndërhyjë në tregun valutor për ruajtjen e ekuilibrave në ekonomi. Kur themi shtetit, kemi parasysh ato institucione të tij që e kanë detyrim ligjor dhe përgjegjësi institucionale një mision të tillë. Kurset e këmbimit valuator janë faktorë të riskut sistematik të ekonomisë së një vëndi dhe nëse ky faktor nuk mirëmenaxhohet, atëherë raportet e paarsyeshme të tij janë të mjaftueshëm për të deformuar në mënyrë të pandreqshme zhvillimin ekonomik.

Në vëndin tonë, përdorim të gjërë ka kursi fleksibël i këmbimit valutor, që kohët e fundit është përfshirë nga luhatje të mëdha në mbiçmimin e lekut dhe nënçmim të valutave, kryesisht të valutës europiane dhe asaj amerikane (euros dhe dollarit). Kursi i këmbimit lidhet me kërkesë-ofertën, ndaj kërkohet vrojtim rigoroz në zbatimin e hallkave të ndryshme të operacioneve të blerje-shitjeve me monedha valute.

Kur luhatjet në këmbimet valutore janë të pa kontrolluara dhe kurset e këmbimit veprojnë jashtë vrojtimeve (në liri të pakontrolluar), ndikohen nga faktorë jo ekonomikë dhe ekonomia e nëndheshme; është e nevojshme që blerësit (konsumatorët vendas) të kërkojnë mbrojtje nga institucionet përgjegjëse dhe të përdorin vetëm monedhën vendase-Lekun. Blerësave u duhet maturi, të jenë të kujdesshëm, të përqëndrohen kryesisht në kryerje të shpenzimeve bazë të të ushqyerit, të shërbimit, të transaksioneve financiare të huamarrjes dhe huadhënies dhe të investimeve. Vrojtim është i domosdoshëm edhe për faktin se sipas njësisë së Inteligjencës Europiane kundër pastrimit të parave të pista Moneyval, kohët e fundit vendi ynë është përfshirë në listën gri, duke e konsideruar ekonominë dhe mjedisin tonë me risk të lartë në fushën për pastrimin e parave të pista.

Sipas, portalit”sot.com.al (11/05/2023)”, qarkullimi i monedhës euro në tregun shqiptar ka arritur rekorde historike. Në tregun tonë të këmbimit valutor vendas, që realizohet në sistemin bankar dhe zyrat e këmbimit, janë konvertuar 7.9 miliardë euro për gjithë vitin 2022, ose gati 40-45 % e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto është e shprehur, matur dhe realizuar në euro. Vetëm në 4 muajt e parë të vitit 2023, vlera e euros e këmbyer zyrtarisht në sportelet e institucioneve tona financiare është 2.432 miliard €, 186 milion më e lartë se një vit më parë. Rritja e sasisë së euros në qarkullim gjatë viteve të fundit është më e lartë se progresioni i rritjes ekonomike apo prirjes natyrale të rritjes së saj. Të dhënat zyrtare të import-eksportit në dy vitet e fundit rezultojnë me rritje rreth 10%, ndërsa konvertimi i euros si në vitin e shkuar dhe gjatë kësaj periudhe paraqitet me një rritje prej 30%.

Mos përputhja mes import-eksport dhe rritjes së konvertimit (10% me 30%), tregon se në qarkullim ka sasi të konsiderueshme euro jashtë kontrollit, të cilat krijojnë informalitet me pasoja ekonomike dhe mundësojnë veprimet korruptive të gjithëllojshme. Flukset financiare jashtë sporteleve të institucioneve financiare bëjnë një presion të jashtëzakonshëm për të deformuar ekonominë. Luhatjet e kursit të këmbimit, ndodhin kryesisht nga monedha euro dhe valutat e tjera, të cilat hyjnë në treg përmes eksporteve; remitancave; investimeve të huaja direkte, nga shërbimet që kryhen për turizmin, por dhe nga frekuenca e lartë e kërkesë-ofertës gjatë dhe pas në fushatat zgjedhore, pastrimit të parave dhe transaksioneve të tjera. Në këto raste kemi flukse të futjes dhe hedhjes në treg të valutës të cilat deformojnë veprimin e ligjit të kërkesë-ofertës.

Është fakt shqetësimi i shumë prodhuesve dhe eksportuesve, të cilët nga luhatjet e kursit dhe zhvelësimit të vazhdueshëm të valutës, janë dëmtuar dhe po dëmtohen në bisneset e tyre. Mbiçmimi i lekut dhe nënçmimi i euros (dhe valutave të tjera), vitet e fundit ka ndikime të konsiderueshme negative në të gjitha degët e ekonomisë vendase. Madje edhe në falimentim të disa bizneseve. Mbiçmimi i lekut, ndikon në frenimin e zhvillimit të prodhimit vendas, si në industri, në sistemin e bujqësisë, në turizëm etj. Ndaj duhen ndërtuar politika të zgjuara financiare e ekonomike, ndryshe rrezikon ekonomia e vendit dhe automatikisht do të kalojmë thjeshtë vetëm në një shoqëri të orientuar nga zhvillimi në drejtime të paorientuara dhe konsumi të paparashikueshme. Luhatjet në këmbimin valutor, vërtet është element i thjeshtë ekonomiko- financiar, por mbart pasoja të rënda. Si shembull sjellim shqetësimin e Shoqatës “ProEksport”, tek e cila ka ndodhur që vetëm 4 muajt e pare të vitit 2023, humbjet e fasonëve ishin më shumë se 8 milionë euro”. Mosmbrojtja e bizneseve prej riskut sistematik të këmbimit valuator do të provokojë falimentime zinxhir.

Për të kuptuar më mirë dimensionin e efekteve të kësaj ekonomie, po i referohemi disa të dhënave shumë dmethënëse të marra nga shtypi.

“Bilanc i pagesave me jashtë për vitin 2022”:

Monedha euro të futura në treg, përmes eksporteve, remitancave, investimeve të huaja direkte dhe shpenzimeve për turizëm, 7,147 miliardë €.

Burimet e prurjeve:

a) nga eksportet me vendet e Bashkimit Europian dhe Kosova 3.01miliardë euro;

b) prurjet nga turistët e vendeve europiane përfshirë Kosovën (ekuivalente me eksportet) dhe vendet e Ballkanit; 2.463 miliardë euro;

c) nga dërgesat e emigrantëve 834 milionë euro;

ç) nga investimet e huaja të vendeve të Bashkimit Europian dhe Kosovës 698 milionë €.

d) nga operacionet në tregun e brendshëm nga banka qëndrore. 142 milionë €.

Gjithësej hyrjet nga burime të njohura 7.147 miliardë €.

Nga një vëzhgim i vëmëndshëm i tregut të këmbimeve valutore, rezulton se në tregun e këmbimeve valutore, të kryera në sistemin bankar dhe në zyrat e këmbimit valutor, janë konvertuar 7.9 miliardë €. Diferenca prej 753 milonë € ndërmjet fluksit të eurove të hyra nga burime të evidentuara (7.147 miliardë €), dhe eurove të konvertuara (7.9 miliardë €), vijnë nga burime të ndryshme, të paidentifikuara, kryesisht në rrugët informale.

Njihen rastet kur jo të gjitha flukset valutore këmbehen. Nje pjesë e operatorëve ekonomikë i mbajnë në kesh në trajtën e kursimeve, apo në pritje të përdorimit në momentin e përshtatshëm, si sjellje për të reduktuar riskun. Sipas specialistëve të fushës, rritja e flukseve të euros është shoqëruar dhe me mbiçmimin e monedhës kombëtare gjatë këtyre viteve. Kursi i këmbimit të euros në vitin 2014 ishte 140 lekë, sot (datë 01 korrik 2023) këmbehet me rreth 105.6 lekë. Euro është zhvlerësuar me më shumë se 20%. Fenomeni i shfaqur me luhatje të theksuara të euros, ka krijuar çrregullime në tregun valutor. Këto efekte kanë ndikuar negativisht, sidomos në subjektet tregtare të eksportit. Përballë këtyre situatave, mendojmë se duhet ndërhyrë ligjërisht në përdorimin e monedhave valutore. Jemi në një situatë konfuze, ku pranojmë si monedhë kombëtare lekun dhe realisht punojmë me euron në një numër pafund transaksionesh tregëtare dhe jo tregëtare. Kjo nuk është normale. Në këtë mënyrë autoritetet monetare të vëndit nuk do të kenë autoritetin e nevojshëm institucional.

Ka plot shtete të cilat nuk përfshihen në “euro-zonë” dhe që në tregjet e brendshme (shit-blerje) përdorin vetëm monedhat vendase. Përmëndim, Maqedonia e Veriut, Turqia, BosnjëHerzegovina, Zvicra, deri para pak kohësh edhe Kroacia.

Gjejmë shumë përkufizime për ekonominë. Më e përshtatshme dhe që është një nga më të përdorurat në ekonomi është përcaktimi i L. Robbins: “Shkenca ekonomike është studimi i sjelljes njerëzore si një marrëdhënie midis qëllimeve dhe mjeteve që janë të pakta dhe të ndjeshme ndaj përdorimeve alternative”.

Mendojmë, për kushtet tërësore ku gjendemi, që në ecurinë drejt një ekonomie tregu të modelit europian, më tepër na përshtatet, që në pjesën më të madhe të transakcioneve ekonomike, të veprojë kontrolli nga shteti dhe institucionet respektive. Vërtet në ekonominë e tregut, tregu nuk kontrollohet nga qeveria, por shkëputja e freskët nga sistemi totalitar, tregon se ende nuk jemi çliruar nga mentaliteti i drejtimit të centralizuar. Kjo për derisa të arrihet që tregu të sigurojë qeverisjen të bazuar në furnizimin e kërkesën e mallrave dhe të shërbimeve.

●●●

“I nderuar z. Kryeministër!

Në këto rrethana, propozojmë se:

a)- Këmbimet valutore të jenë e drejtë vetëm e bankave dhe agjensive të licensuara për këmbimet valutore, kundrejt dokumentave të posaçme për kryerjen e këmbimit valutor.

b)- Sugjerojmë të ngarkohen profesionistët e institucioneve financiare, ekonomike dhe juridike, të studjojnë efektet ekonomiko-financiare që rrjedhin nga qarkullimi i pakontrolluar i valutave në tregun e brendshëm.

c)- Gjithashtu të nxirren efektet ekonomiko-politike të heqjes nga qarkullimi në tregun e lirë të valutave.

ç)- Rezultatet nga studimet, mendojmë do të shpien në heqjen nga qarkullimi të euros e valutave të huaja dhe vendosjen që për të gjitha transakcionet brenda vendit, të kryhen vetëm me monedhën shqiptare që është LEKU.

d)- Rekomandojmë përdorimin e kushtëzuar të monedhave të huja në tregun e brendshëm. Konvertimi i tyre të jetë e drejtë e bankave shqiptare, të njësive të licensuara të këmbimit dhe për t’u ardhur në ndihmë turistave të huaj, të autorizohen edhe pikat e furnizimit me karburant të makinave.

Sinqerisht:

Profesor Agim Binaj,

Ekspert ekonomie Fahri Dahri

Tiranë, më 05/07/2023.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu