Florim Zeqa
Imazhi dhe forca e një shteti me themele të forta dëshmohet kur ndërrohen pushtetet. Për të mos u ndalur në secilin shtet me traditë demokratike, po e marrë shëmbullin e shtetit amerikan, ku edhe përkundër ndërrimit të pushteteve, ambasadori i tyre në Republikën e Kosovës mbeti i njëjti nga pushteti paraprak. Ky është shëmbulli më i mirë i shtetit demokratik, i cili, edhe përkundër ndërrimit të pushteteve, nuk e ndërron çasjen diplomatike dhe as politikën e jashtme.
Një vend që i vjen era shtet, ndërrimet e pushteteve i kalon pa tronditje politike
Kurse tek ne, në shtetin e vogël dhe pa themele të forta, por të çudirave dhe paradokseve të mëdha, ndërrimi i pushteteve shkakton tronditje të mëdha në të gjitha segmentet e jetës, në veçanti të politikës së brendshme dhe të jashtme.
Shkarkimi i 13 ambasadorëve u përcjell me euforizëm të ekzaltuar nga mbështetësit e pushtetarëve të rinjë; “Po i vjen era shtet”, duke harruar se edhe para ardhjes së tyre në pushtet kemi pasur shtet!
Pas njohjes ndërkombëtare të Kosovës (17 shkurtit 2008), gjegjësisht pas fillimit të hapjes së përfaqësive diplomatike, përzgjedhja e stafit diplomatik dhe konsullor bëhet sipas kriterit “kush qet në def më shumë”, e jo sipas kriterit profesional apo aftësive diplomatike të individit, siq kishte ndodhur me rastin e hapjes së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Romë, me ç’rast kandidati për staf diplomatik nga Treviso, edhe pse i përgatitur në aspektin profesional, veprimtar i dalluar dhe njohës i mirë i gjuhës italiane, nuk erdhi në shprehje për shkak se nuk e përmbushi kushtin kryesor të “nxehjes së defit” të ish pushtetarëve…!
Kur jemi tek shteti italian, me keqardhjen më të madhe e konstatoj se në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Romë e kemi gjendjen më të keqe sa i përket përfaqësimit se në secilën përfaqësi diplomatike, por, për habi mbeti jashtë objektivit të MPJD për riformatim!
Riformatimi i Ambasadës në Romë dhe hapja e Konsullatës në Treviso duhet të jenë ndër prioritetet e para të Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Mosbërja publike e emrave të kandidatëve për ambasador dhe konsuj si dhe mosbërja publike e kritereve të përzgjedhjes së diplomatëve të rinjë, krijon dyshimet për abuzim në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve!
Tani është një rast i mirë për një klasë servilësh politik që t’i nënshtrohen “testit diplomatik” Nuk është e rëndësishme përgatitja shkollore as profesionale, e rëndësishme është të jenë të urtë dhe të dëgjueshëm, por mbi të gjitha të përmbushin në plotni “ofertën” qeveritare, në të kundërtën i pret fati i kandidatit të sipërcekur, emrin e të cilit nuk do e bëjë publik pa i bërë publik pushtetarët emrat e të gjithë kandidatëve që kanë konkuruar për 13 ambasadorët e rinjë.
Zavendësimi i diplomatëve të shkarkuar, test i pushtetarëve të rinjë
Mbetët të shihet nëse 12 diplomatët e shkarkuar do të zavendësohen me diplomatë të karrierës që s’kanë lidhje partiake dhe as familjare, të cilëve nuk iu kërkohet ta nxejnë “defin”, por vetëm ta plotësojnë kriterin profesional.
Nëse vazhdohet me avazin e vjetër, e të bërit biznes me kandidatët për ambasador apo të përfilljes së kritereve familjare dhe partiake, atëherë do të lëndohet akoma më tepër imazhi i shtetit tonë në botë!
Siq dihet, deri më tani ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës kanë qenë strehë e rehatimit të militantëve të partive në pushtet dhe familjarëve të politikanëve të fuqishëm.
Nëse iu referohemi emërimeve të deritanishme në krye të bordeve dhe agjensioneve, në veçanti të institucioneve shtetërore, ku po vendosen njerëz pa kredibiltet njerëzorë dhe profesional, atëherë kemi të drejtë të dyshojmë edhe në përzgjedhjen e 13 diplomatëve të rinjë për ambasador të Republikës së Kosovës!
E nderuara presidente, i nderuari kryeministër dhe e nderuara ministre e punëve të jashtme, ju lutem, mos i përsëritni gabimet e pushteteve paraprake duke bërë biznes me diplomatët e rinjë, lirohuni nga nepotizmi dhe klientelizmi në isntiucionet e larta të shtetit, bëni transparente të gjitha kandidaturat për ambasador, përzgjedhni më të përgatiturit në aspektin profesional dhe më të dëshmuarit në aspektin kombëtar për përmirësimin e imazhit të shtetit tonë në botë.
Për t’iu besuar se do t’i përzgjedhni më të mirët pa ndikime familjare dhe partiake, ju lutem bëni publik emrat e të gjithë kandidatëve për ambasador (konsuj) të Republikës së Kosovës, në të kundërtën, do ta bartni targën e abuzimit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare, për arsye se nuk janë vetëm 13 ambasadorët e shkarkuar të emëruar politik siq po i quani ju, por janë një armatë e tërë e të emëruarëve politik nëpër përfaqësistë tona diplomatike, në mesin e të cilëve janë edhe bashkëshort dhe familjarë të krerëve më të lartë shtetërorë dhe partiakë.
Andaj, punoni me nderë dhe drejtësi, me përkushtim dhe përgjegjësi, nuk keni fare nevojë të na shitni moral politik, do të jenë rezultatet e punës tuaj që do ta dëshmojnë se a keni punuar mirë apo keq!
Kritikat dhe sugjerimet e mia qëllimira, të shëndosha dhe të pandikuara nga ambicia për poste politike (diplomatike), të pavarura dhe të paanshme, janë të prira si gjithnjë nga dashuria për vendin dhe bashkatdhetarët. Shkrimet e mia për qëllim e kanë arritjen e mirëqenjes së qytetarëve dhe krijimin e shërbimeve cilësore për mërgimtarët. Sikurse deri më tani, edhe në të ardhmen do të jemë zë i fuqishëm i interesave të bashkatdhetarëve dhe ushtarë besnik i atdheut tim.