Tiranë, 28 shtator
__
Në vijim të veprimtarive të shumta për Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, si dhe Ditëve Europiane të Trashëgimisë, Muzeu Historik Kombëtar, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës organizuan në sallën “UNESCO” të Muzeut një diskutim për veprën shumëvëllimëshe “Kosova” të autorit Jusuf Buxhovi. Kjo vepër përfshin 8 libra dhe shtrihet në një hark kohor tejet të gjerë. Autori përqendrohet veçanërisht te dardanët dhe te Dardania si qendër e antikitetit në Ilirik dhe më gjerë, ndalet në identitetin kulturor e politik të botës arbërore, duke vijuar me Bizantin, kohën e Perandorisë Osmane dhe epokën skënderbejane, dramën e ndarjes së Kosovës nga Shqipëria, me Rilindjen Kombëtare, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe qeverinë e saj, pavarësinë e Shqipërisë, zhvillimet politike e kombëtare të shekullit XX dhe deri në ditët e sotme. Siç vihet re, tezat e Jusuf Buxhovit për historinë e shqiptarëve ndryshojnë nga ato të historiografisë pararendëse si në rrafshin historik, arkeologjik, gjuhësor dhe mitologjik.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, në fjalën e tij nënvizoi se libri i Buxhovit vjen si rrjedhojë e një pune të thellë kërkimore dhe jep një ndihmesë të shënuar për të plotësuar kuadrin historik e kulturor të Shqipërisë dhe shqiptarëve si pjesë e qytetërimit perëndimor. Më tej ai shtoi se është shumë e rëndësishme që të kemi teza dhe parashtrime alternative nga studiues e historianë që kanë formimin e duhur profesional e shkencor, po edhe pasionin dhe dëshirën për t’u marrë me historiografinë. Në këtë kuptim, patjetër që libri i Buxhovit do të jetë pjesë e diskutimeve të mëvonshme për historinë e shqiptarëve, pasi që tani kjo vepër shumëvëllimëshe është kthyer në një pikë takimi ndërmjet personaliteteve dhe institucioneve që merren me historiografi.
Ambasadori i Republikës së Kosovës, Skender Durmishi, vlerësoi punën dhe kontributin e J. Buxhovit si publicist, shkrimtar e së fundi si historian. Mbi të gjitha, është për t’u vlerësuar fakti se ky autor asnjëherë nuk mbajtur pishtarin e së vërtetës, por ka treguar se ka qenë i hapur për debat të argumentuar.
Ndërsa Nazmi Rahmani, nga shtëpia botuese “Jalifat Publishing”, njëkohësisht redaktor dhe botues i kësaj vepre, tha se autori, duke hulumtuar nëpër periudhat përkatëse të historisë kombëtare dhe duke analizuar ngjarjet në kohë të ndryshme, jep një pasqyrë të qartë për shumë etapa të rëndësishme historike.
Në fjalën e tij përshëndetëse, autori i librit, Jusuf Buxhovi, ndër të tjera tha: “Vepra ime, ndonëse titullohet “Kosova”, paraqet historinë e Shqipërisë së natyrshme që nga antikiteti e këndej. Është, pra, një projekt individual që mbështetet mbi konceptin kohë-hapësirë.” Më tej ai shtjelloi idenë se çdo shtet duhet të ketë historinë e tij, së paku atë politike.
Historiografia është një shkencë në zhvillim, sepse iu imponohet ndryshimeve. “Me këtë vepër kam dashur t’iu çel udhën historianëve alternativë, por që kanë të njëjtin ideal: të punojnë për të përmbushur të vërtetën historike.”