Nga: Gjokë M. Gjoka
(Gjokë M. Gjoka, për vite me radhë ishte anëtarë i kryesisë së Nëndegës së LDK-së në St. Gallen, dhe veprimtar i njohur i çështjes kombëtare!)
Ing. Nazmi PECI-BOLETINI, u shqua, si veprimtar besnik i programit politik që udhëhiqej nga LDK-ja dhe elita intelektuale e saj. Ishte i rreptë në qëndrime dhe si asnjë tjetër besnik i fjalës kur e thoshte. Te Nazmiu, kthim prapa s’ka pas kurrë, dhe asnjëherë nuk të tradhtonte. PO-ja për te ka qenë PO dhe pikë!…
Kam pas fat ta takoj qysh në vitet e nëntëdhjeta, dhe sa herë vinte në St. Gallen, si mik i kryesisë së Nëndegës së LDK-së në këtë kanton, pas takimve ai ka vazhduar ndejat me miq e shokë që ishin veprimtarë të LDK-së, në mesin e të cilëve isha edhe unë.
Sa isha duke banuar në Waldaustrasse, Nazmiu bashk me mr. Shaip Latifin, Shaban Mulollin dhe Bacën Hysen Gërvalla, kanë qenë edhe në shtëpinë time, pastaj vite më vonë, në muajin Prill 2002, për Festën e Pashkëve, Ing. Nazmi PECI-BOLETINI, i shoqëruar nga miku i tij i idealit Shaban Mulolli dhe Muhamet Ymeri, ishin për ngushëllime me rastin e vdekjes së axhës tim Ndue Gjoka, i cili kohë më parë kishte vdekur. Rastisi të qëllonte aty edhe nëna ime Liza, që kishte ardhur nga Kosova, tashmë edhe ajo e ndjerë. Si sot më kujtohet, kur Nazmiu i kërkoi falje Lokës pse kishin qëlluar të vinin në ditë feste. Jo lum lokja i tha Nëna Lizë, pikërisht në festa të tilla shkohet edhe për ngushëllime, sidomos kur vdekja është e freskët, kurse për ne ishin Pashkët e parë pa Bacën Ndue. Ju na keni nderuar neve dhe të ndjerin, po më shumë veten tuaj i tha Nëna Lizë, Nazmiut. Më pas ata dy kanë biseduar gjatë dhe sikur iu shkonte biseda. Kur mysafirët shkuan Nëna Lizë, më tha: Paske shokë të mirë djali jem. Qofshin të bekuar, dhe bashk me ty ju ruajt i lumi Zot, pasi kësi djemsh i duhen Kosovës. Nuk dëshiroj t’i nënvleftësoj bisedat e Shabanit dhe të Muhametit, por ky rrëfim ka protagonist Nazmiun, andaj theksin e vura te biseda e tij me Nënën Lizë.
Edhe në një Kuvend të Nëndegës mbajtur në St. Gallen, kam qenë në kryesinë e punës bashkë me Ing Nazmi PECI-BOLETININ, dhe sa herë tjerash jemi takuar nëpër manifestime kulturore, sidomos atëherë kur shkëlqente vajza ime Njomëza, me recitime dhe interpretime, gjithmonë Nazmiu na ka motivuar, ndërsa Njomëzes gjithëherë i bënte komplimente. Dorën në zemër, dhe gjithnjë sipas vlerësimit tim, konsideroj se ashtu siç ka qenë prof. Fehmi Agani, promotor i LDK-së në Kosovë, Ing. Nazmi PECI-BOLETINI, ka qenë në Degën e LDK-së në Zvicër. Andaj si askënd tjetër në Zvicër e veçoj veprimtarin Ing. Nazmi PECI-BOLETININ, dhe në Gjermani, Kryetarin e Kolegjiumit të Degëve të LDK-së në Diasporë z. Hafiz Gagica. Për mua, këta dy veprimtarë, mbeten figurat ma emblematike që i ka pasur komuniteti demokratik i LDK-së në Europën Perëndimore.
Më 9 shtator 2018, në Rapperswil, kantoni St. Gallen, kemi pasur një takim të veçantë dhe pa protokol, që më ka mbetur kujtim i pa harruar, dhe për fat të keq, i këtij formati ishte edhe takimi i fundit me të. Përveç meje dhe Ing. Nazmi PECI-BOLETINIT, ishin edhe Shefqet Dibrani, Muhamet Ymeri dhe Sallah Januzi, të gjithë veprimtarë dhe aktivist tridhjetë e sa vjeçar të LDK-së. Prandaj e ritheksoj se në kujtimet e mia do të mbetet takimi ma i mirë që kam pasur ndonjëherë me Nazmiun. Kurse për herë të fundit, me Ing. Nazmi PECI-BOLETININ, jemi takuar në një aktivitet kulturor, më 18 nëntor 2018, në Restorantin “DANCING RELAX”, me pronar mikun tonë Milaim Vokshi, në Sirnach (TG). Pastaj Nazmiun, vdekja e mori herët, por për mua kujtimi për të do të mbetet i freskët, sepse e kishim mik dhe nënkryetar shumëvjeçar në Degën e LDK-së në Zvicër. Me një fjalë; Ing. Nazmi PECI-BOLETININ, personalisht do të kujtoj përherë, dhe gjithmonë do të kem respekt për tërë veprimtarinë dhe patriotizmin e tij!
St. Gallen, 12 nëntor 2024.
Gjokë M. GJOKA
Ish anëtarë shumë vjeçar i kryesisë në Nëndegën e LDK-së në St. Gallen / Zvicër.
Mendojmë se titulli duhet të ishte : Nazmi Peci -Boletini ,veprimtar i dalluar i LDK-së, dega në Zvicër .
P. S. Autori i këtij shkrimi përkujtimor është anëtar shumëvjeçar i Kryesisë së LDK-së, nëndega në St. Gallen të Zvicrës.
Vërejtje miqësore për vëllaun Gjokë M. Gjoka .
Miqësisht, Arif Ejupi