ARKIVI:
12 Shkurt 2025

Ndërroj jetë Nikolin Kurti, nipi i të Lumturit Dom Shtjefën Kurti i ekzekutuar nga regjimi barbar i Enver Hoxhës në vitin 1971

Shkrime relevante

Gazeta “Rilindja”, një gazetari që u rrit me rritën e Kosovës, por që nuk është më!

Nga: Agim Muhaxheri, Kaçanik Mjeshtri i fjalës, gazetari e shkrimtari Ymer Shkreli,...

Ukrainë: – Shefi i inteligjencës ka punuar për Rusinë

NTB / Aftenposten Një udhëheqës i lartë në shërbimin anti-terrorist ukrainas bashkëpunoi...

Votuesi shqiptar në mërgatë

Murat Koci, Suedi Votuesi standard e tradicional i LDK-së në mërgatë është një: Mosha:...

Shpërndaj

Nga: Frank Shkreli

Dje mora lajmin e papritur se ditën e hënë ka shkuar në amshim, Nikolin Kurti, nipi i të lumturit Dom Shtjefën Kurti, i cili ishte ndër shumë klerikët e Kishës Katolike Shqiptare, ekzekutuar nga regjimi barbar komunist i Enver Hoxhës, në vitin 1971. Vetëm e vetëm se kishte pagëzuar një fëmij, me kërkesë të nënës së të miturit.  Me Nikolinin e ndjerë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm dhe “takoheshim” shpesh në komunikimet tona nepërmjet postës elektronike.  Hera e fundit e “takimit” me Nikolin Kurtin ishte dita e dielë, një ditë para se ai të ndërronte jetë.  Më komunikonte një koment që kishte postuar në një portalin e intervistës së ditëve të fundit Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me gazetarin dhe publicistin shqiptaro-amerikan Frank Shkreli — Nikolin Kurti (E dielë, 09.02.2025, 04:31 AM)  “Një intervistë e plotë nga e cila u njoha plotësisht me personalitetin e lartë të medias së shkruar shqiptare, z. Frank Shkreli. Kisha lexuar mbi veprimtarinë e shquar patriotike të gazetarit të VOA, Frank Shkreli, por nga ky shkrim njohja për të është e plotë. Frank Shkreli ka hyrë në familjen tonë Kurti, kur ai, bashkë me meshtarin katolik Zef Oroshi, udhëhoqi protestën e shqiptaro-amerikanëve para OKB-së ndaj regjimit komunist për vrasjen e priftit Dom Shtjefën Kurti, 74 vjeç, se pagëzoi një fëmijë. Sh.flm. Frank.”  I tillë jetoi dhe veproi Nikolin Kurti, fisnik e mirënjohës.

Protesta të cilës i referohet Nikolini në mesaxhin e tij ka ndodhur në vitin 1973 para Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe para misionit të Republikës së Shqipërisë komuniste në Nju Jork — Frank Shkreli: “Fajtori” i pafajshëm! 50-vjetori i ekzekutimit të Dom Shtjefën Kurtit nga regjimi barbar komunist i Enver Hoxhës | Gazeta Telegraf – Ishte pra kjo ngjarje që më njoftoi me Nikolin Kurtin, nipin e Dom Shtjefën Kurtit, dekada më vonë – duke vazhduar kontaktet e rregullta me postë elektronike — ai në Shqipëri e unë në Amerikë, deri ditën e fundit që ndërroi jetë.

Ndonëse Dom Shtjefën Kurti ishte vrarë në 29  shtator, 1971, deri dy vjetë më vonë nuk dihej asgjë se çfarë kishte ndodhur me Dom Shtjefën Kurtin në Shqipëri. Kishte lajme, sidomos në shtypin austriak të kohës, që citonin burime jo të sigurta se në Shqipëri mund të ketë ndodhur vrasja e një kleriku katolik, për “fajin” se kishte pagëzuar një fëmij, por pa përmendur emër të klerikut. Por disa ditë para se të mbahej protesta në Nju Jork, burime të sigurta – që ishin marrë edhe më heret me këtë lajm — njoftuan vrasjen barbare dhe emrin e priftit katolik Dom Shtjefën Kurti, me origjinë nga Ferizaji i Kosovës – si kleriku që e kishte paguar me jetën e tij, pagëzimin e një fëmije të mitur, me kërkesën e një prindi.

Ashtu si Dom Shtjefën Kurti, edhe nipi i tij, tani i ndjerë, Nikolin Kurti dhe familja e tyre më e gjërë e kanë origjinën nga Ferizaji i Kosovës, ku Dom Shtjefni, fillimisht, ka shërbyer si famullitar në Kishën e Engjëllit të Rojës në atë qytet. Në komunikimet e mia elektronike me Nikolin Kurtin, ai shprehte krenarinë e vet për preardhjen e tij nga Kosova, ku kishte të afërm, miq e kolegë, ndërkohë që vendlindjen e familjes e vizitonte shpesh gjatë dekadave të fundit.

Qysh prej kohës që jam njohur në distancë me të, nepërmjet postës elektronike, Nikolin Kurti ka punuar pa pushim për kauzat e të përndjekurve të regjimit komunist enverist por mbi të gjitha ka vazhduar – siç duket pa sukses deri tani që shkoi në atë jetë – për të gjetur eshtrat e axhës së tij Dom Shtjefën Kurtit – të ekzekutuar nga regjimi komunist – por të cilit as varri nuk i dihet deri më sot. Këtë e kishte pasionin e madh të jetës, në kauzën e tij të madhe, gjetjen e eshtrave dhe varret e të ekzekutuarve të regjimit komunist. Jo më larg se ditën e premte të javës që kaloi, para se ndërronte jetë, Nikolin Kurti vizitoi Autoritetin e Informimit mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), në përpjekjet e tija të vazhdueshme për të kërkuar të Vërtetën.

Në shumë prononcime zyrtare ose gjyësm zyrtare në Shqipëri kurë është fjala për viktimat e komunizmit, thuhet se atyre u është bërë e “padrejtë” dhe asgjë më tepër. Zyrtarisht, shumë pak ose aspak, bëhet për të zbuluar të Vërtetën, për gjetjen e eshtrave dhe të varreve masive, të të vrarëve nga komunizmi i Enver Hoxhës.  Këtyre dhe familjeve të tyre pasardhëse të viktimave të regjimit komunist, siç ishte edhe Nikolin Kurti — u është bërë më shumë se diçka e “padrejtë”. Ekzekutimi i njerëzve të pafajshëm, është krim, madje është krim kundër njerëzimit.  Vrasje të tilla si ekzekutimi i axhës së Nikolin Kurtit — Dom Shtjefën Kurtit — ishte dhunim i ligjeve ndërkombëtare që kanë të bëjnë me sulmet kundër një popullate civile, për krime si vrasjet, skllavërimi, shpërngulja e deportimi me forcë, përfshir torturat dhe persekutimin në bazë të fesë, qendrimeve politike ose origjinës kombëtare. Si mund të hesht klasa politike shqiptare e këtyre 35-viteve për këto krime monstruoze?  Për botën normale dhe për të ndjerin Nikolin Kurti, këto ishin dhe janë krime kundër njerëzimit. Për fat të keq, misioni i tij cdhe i të tjerëve si ai në ndjekje të së vërtetës mbi krimet e komunizmit mbetet, tmersisht, i pa përfunduar, falë refuzimit zyrtar të kësaj klase politike të tranzicionit komunist — se “demokratik” ky sistem nuk mund të quhet në Shqipëri — për tu përballur, zyrtarisht, me të kaluarën komuniste. Mbetet për tu dëshiruar një vendim zyrtar nga institucionet më të larta të qeverisë dhe shtetit shqiptar për të dënuar krimet e komunizmit dhe për të çuar në vend misionin e jetës së Nikolin Kurti për të gjetur eshtrat dhe varret, jo vetëm të axhës së ti, Dom Shtjefen Kurtit, por edhe të mijëra viktimave të komunizmit, anë e mbanë Shqipërisë. Tregoni guxim moral dhe  vullnet të mirë politik, njëherë e mirë, për hir të së VËRTETËS HISTORIKE, duke nderuar kështu punën më se 30-vjeçare të Nikolin Kurtit e të tjerëve, kushtuar gjetjes së eshtrave dhe të varreve të viktimave të komunizmin barbar. Bëjeni këtë për hir të atyre që humbën jetën, por edhe për trashigimtarët e tyre të gjallë para se edhe ata të zhduken nga kjo botë.  Një vendim i tillë, do të ishte. jo vetëm në përputhje me kërkesat ligjore vendase, por edhe me ligjet ndërkombtare, ashtu siç kanë bërë pothuaj të gjitha vendet ish-komuniste në Evropë. Për këtë jetoi dhe veproi Nikolin Kurti gjithë jetën e tij – jo për hakmarrje – por që të zbulohet e vërteta!  Ai iku nga kjo botë me një brengë të madhe në zemër – pa gjetur eshtrat e axhës së tij të dashur. Nikolin Kurti lë pas, me të vërtetë një zbrasti të pazevëndësueshme në gjirin e familjes por edhe në gjirin e bashkisë së të përndjekurve politikë – të gjallë e të vdekur – si edhe kauzës së tyre madhore në Shqipëri – të gjallë e të vdekur.  Ata, tani kanë një zë më pak, në Shqipëri dhe jashtë, që lufton për kauzat e drejta të tyre, morale, politike dhe ekonomike.

Thellësisht i prekur nga kjo humbje e rëndë, vëllazërisht i paraqes familjarëve të Nikolin Kurtit dhe mbarë far-e-fisit të tij në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo gjënden ata — përdhimtimet e mia më të thella me lutjet që Zoti t’u japë forcë e Nikolinit jetën e pasosur në amshim. Do më mungojmë shumë komunikimet me postë elektronike me ty, Nikolin Kurti!

Pushofsh në paqë!

Frank Shkreli

Nikolin Kurti – vdekja e papritur ia ndërpreu misionin për gjetjen e eshtrave të axhës së tij, Dom Shtjefën Kurtit – I ekzektuar nga regjimi komunist Enver Hoxhës.

I ndjeri Nikolin Kurti, njëri prej autorëve të librave kushtuar axhës së tij, ka thënë se Dom Shtjefni megjithë akuzat nga regjimi, vazhdoi të mbante lidhje me misionet perëndimore dhe iu nënshtrua dënimit të parë prej njëzet vjetësh dhe pasi nuk e pranoi shkëputjen e klerit katolik shqiptar nga Kisha Katolike Universale siç kërkonte regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe se luftoi njëkohsisht, për krijimin e një opozite politike ndaj regjimit dhe për këtë qëllim kishte patur takime dhe me përfaqësues të shteteve perëndimore, duke theksuar se pavarësisht terrorizmit shtetëror ndaj klerit katolik dhe dhunës ndaj tij, i lumi Dom Shtjefën Kurti, refuzonte, kategorikisht, përdorimin e dhunës

I ndjeri Nikolin Kurti (majtas) është pritur me 24 Dhjetor 2021 nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, në Tiranë, Z. Skënder Durmishi. Me këtë rast Nikolin Kurti i ka dhuruar Ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, librin: “Memorandumi drejtuar Lidhjes së Kombeve nga klerikët  katolikë shqiptarë Shtjefën Kurti, Gjon Bisaku dhe Luigj Gashi – Dëshmorë të Popullit Martir.”  Nikolin Kurti ka marrë pjesë me bashkpuntorë në botimin edhe të librave të tjerë kushtuar axhës së tij: “I Lumi Dom Shtjefen Kurti – Dëshmitar i Kishës Martire (3-vëllime) dhe “Studime Historike, Recensione, Publicistikë” (2-vëllime).

E ndjejë veten të nderuar dhe i privilegjuar të konsiderohem nga i ndjeri Nikolin si pjesë e familjes së nderuar dhe shumë të vuajtur nga komunizmi – familjes së Dom Shtjefën Kurtit dhe nipit të tij, tani të ndjerit Nikolin Kurti – I cili la për mua këtë testament (të cilin e pranoj me përvujtëri)  vetëm një ditë, para se të ndërronte jetë:  Frank Shkreli ka hyrë në familjen tonë Kurti, kur ai, bashkë me meshtarin katolik Zef Oroshi, udhëhoqi protestën e shqiptaro-amerikanëve para OKB-së ndaj regjimit komunist për vrasjen e priftit Dom Shtjefën Kurti, 74 vjeç, se pagëzoi një fëmijë. Sh.flm. Frank.” (E Dielë, 9 Shkurt, 2025) Me përvujtëri dhe mirënjohje të thellë për punën tënde o Nikolin Kurti, në mbështetje të drejtave të viktimave të komunizmit dhe të Vërtetës historike për ta.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu