Nga: Hyzri Salihu
Historikisht SHBA-të nëpërmjet qëndrimeve dhe vështirësive që kanë shkaktuar interesat e shteteve evropiane ndaj rajonit Ballkanik, kanë vlerësuar rolin e Kombit Shqiptar në mbështetjen e interesave gjeostrategjike, të lidhura me rajonet e tjera të botës, përballë fuqisë ushtarake ruse dhe rrezikut të depërtimit të Rusisë në Detin Mesdhe, për të kapur Maltën dhe Gjibratarin.
Pranimi i Republikës së Shqipërisë në NATO nën kujdesin e SHBA dhe siguria e jashtëme e Kosovës përmes KFOR dhe bazës ushtarake të Bon Stillit, janë një veprim i mençur kundër presioneve dhe ndikimeve të Rusisë ndaj rajonit.
Në përpjekjet e shtetit amerikan, kjo ishte një vendimmarje politike me efekte gjeopolitike dhe gjeostrategjike, e cila hap pas hapi po krijon mundësitë e krijimit të kordonit sanitar me vendet e ballkanit dhe të Evropës Juglindore kundër pretendimeve dhe rrezikut të Federatës Ruse. Ne gjykojmë se asgjë nuk ka ndodhur për përfitime, por për të krijuar një klimë paqësore të sigurtë në rajonin më të nxehtë të botës, si pikënisje e dy luftrave botërore. Baza e këtij opsioni politik mbetet vizioni strategjik i lidershipit amerikan në zbatim të doktrinës së Sigurisë Kombëtare për shekullin e XXI.
Vendi dhe roli i SHBA në këtë çështje delikate është i pazëvendësueshëm. Deri tani me bindje gjeniale është realizuar një punë me të vërtetë e madhe për të siguruar jetën e popujve të rajonit. Nëpërmjet këtyre mendimeve synohet të shpjegohen disa pika të forta të marrëdhënieve që ekzistojnë ndërmjet SHBA-ve dhe shteteve të rajonit ballkanik, veçanërisht të Kombit Shqiptar.
Kombi Shqiptar vlerëson dhe ka besim në fuqinë shumëdimensionale të SHBA-ve, si garanci ekuilibri në çështjet e sigurisë në rajon. Ai e shikon rolin dhe fuqinë e SHBA-ve si garantin e të ardhmes, duke i qëndruar besnik interesave të përbashkëta drejt një rajoni të sigurtë dhe të stabilizuar. Ai mbetet i vetmi aleat strategjik në Ballkanin Perëndimor në mbështetje të SHBA-ve dhe NATO-s dhe shfaqet shumë i ndjeshëm ndaj gjeostrategjisë amerikane.
Sot SHBA-të në pritje të zgjidhjes së një situatë të ndërlikuar për shkak të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, kanë angazhimin e tyre maksimal ndaj situatës në Ukrainë, në Lindjen e mesme, por veçanërisht në hapësirën e Paqësorit për shkak të synimeve ekspansioniste të Kinës. Urojmë që të mos përsëritet më përvoja e hidhur e zgjedhjeve të fundit që shkaktuan trazira deri në Kapitol.
Për politikën dhe opinionin shqiptar SHBA-të vlerësohen si i vetmi aleat strategjik në mbështetje të faktorit shqiptar në Ballkan, veçanërisht në ndërhyrjen ushtarake kundër Serbisë në vitin 1999-të që solli shkëputjen dhe çlirimin e Kosovës nga sundimi shekullor serb. Analiza jonë tregon se në SHBA-të nuk ka “të majtë dhe të djathtë”, por është një trup gjigand që lëviz një herë dorën e majtë dhe herën tjetër dorën e djathtë, duke i dhënë më shumë fuqi demokracisë perëndimore.
Siguria Kombëtare, 14.07.2024