Shkruan: Behlul Jashari, Prishtinë
PRISHTINË, 14 Nëntor 2021/ Në 21 nga gjithësej 38 komunat e Kosovës sot po votohet për zgjedhjen e kryetarëve në balotazhin – raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, pas votimeve të dielën e 17 Tetorit 2021 me pjesëmarrje të votuesëve 42,50%, kur në 17 komuna u përcaktuan fituesit që në raundin e parë.
Votimet e balotazhit për 21 kryetarë komunash po zhvillohen në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Gjilan, Vushtrri, Podujevë, Gllogoc, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Shtime, Viti, Malishevë, Junik, Mamushë dhe Kllokot.
Zgjedhjet Lokale 2021 në Kosovë janë të tetat në liri – pas hyrjes shpëtimtare të forcës më të madhe ushtarake planetare – NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Qershorin e vitit 1999.
Në Kosovën e lirë zgjedhjet e para për pushtetin lokal janë mbajtur në 28 Tetor të vitit 2000.
Zgjedhjet lokale të 15 Nëntorit 2009 ishin të parat pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurtin historik 2008.
Nga gjithësej 38 komunat e Republikës së Kosovës 27 janë me shumicë shqiptare dhe më e madhja është e kryeqytetit, Prishtinës.
Ndërsa, 10 komuna, kryesisht nga më të voglat, janë me shumicë serbe, 5 prej tyre të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit special të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.
Një komunë – Mamusha është e banuar me shumicë nga komuniteti turk, që është një nga minoritetet tjera në Kosovë.
Në zgjedhjet lokale të 17 Tetorit në Kosovë garonin 32 parti politike, 1 koalicion zgjedhor, 33 iniciativa qytetare, 23 kandidatë të pavarur.
Numri i kandidatëve për kryetarë të komunave ishte 166 (meshkuj 152, femra 14). Numri i kandidatëve për kuvende komunale ishte 5 198 (meshkuj 3 261, femra 1 937), ndërsa numri i përgjithshëm i ulsëve në kuvende komunale është 1 002. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar ishte 5 364 (meshkuj 3 413, femra 1 951).
Lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, e cila është shpërndarë në vendvotime në ditën e zgjedhjeve më 17 Tetor, përmbante 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën në 14 Shkurt 2021.
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë: 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turqë, etj.
Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen në regjistrim edhe të serbëve në Kosovën veriore. Në Mitrovicën e veriut dhe tre komunat tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan serbët kanë refuzuar regjistrimin e popullsisë.
Suksesi me i madh i ketyre zgjedhjeve eshte humbja (largimi ) i turkoshakut prizrenas, Mytaher Haskuka.
Urime Kosove.